Vëzhgim/Analizë

Ndotja në Elbasan rrit sëmundshmërinë tek banorët

3 gusht 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore/ Elbasan                               

Ndotja në Elbasan është përfolur prej vitesh si një nga shkaktarët e sëmundshmërive të ndryshme në këtë zonë, megjithëse autoritetet shpesh herë e kanë lënë në heshtje këtë shqetësim, të ngritur dhe nga banorët. Pak vite më parë janë kryer dhe studime për të kuptuar lidhjen mes ndotjes dhe sëmundjeve kryesisht të rrugëve të frymëmarrjes dhe tumorale, por autorët e këtyre studimi shprehen se nuk kanë gjetur ndonjë lidhje konkrete mes ndotjeve dhe sëmundjeve. Megjithatë, shifrat që rriten nga viti në vit të dy grup-sëmundjeve dhe ekspertët tregojnë të kundërtën, duke hedhur dyshime të forta se pretendimet e banorëve për rritjen e sëmundshmërisë për shkak të ndotjes kanë baza të forta faktesh.

Banorët, ndotja dhe sëmundjet

Porta Vendore udhëtoi në Elbasan për të parë kuptuar nga afër shqetësimin e banorëve, sidomos në zonën që mbulon ish-metalurgjiku, ku alarmi për ndotjen ka qenë edhe më i madh. Ne ndaluam pikërisht në fshatin Vidhas, në njësinëadministrative Papër. Banorët kanë dëshirë të flasin për ndotjen dhe të shprehin shqetësimin se ajo po u shkakton sëmundje, por nga ana tjetër druhen të dalin në media me pretendimin se askush nuk do i dëgjojë fjalët e tyre, veçse do të identifikohen si të sëmurë dhe do të shikohen me përbuzje. “Ndotja te ne është jashtëzakonisht shqetësuese. Ka shkaktuar lloj-lloj problemesh, që nga frymëmarrja, kanceri, ka shpik gjithçka. Shumë njerëz shkojnë e vizitohen në Elbasan apo Tiranë, pasi dhe nuk duan të tregojnë se janë të sëmurë”, shprehet një nga banorët e Vidhasit, të cilin e gjejmë, duke prerë disa barishte përbri oborrit të shtëpisë, i cili i pyetur nëse kanë reaguar ndonjëherë, shprehet; “Kemi reaguar, por kush na ka dëgjuar. Reagimet kanë qenë, por nuk pyet njeri”. Ai shpjegon se situata e ndotjes vijon edhe sot dhe askush nuk ka marrë asnjë masë. “Duhet t`i mbyllin, sepse është shumë keq. Po të ngrihesh në mëngjes dhe të shohësh situatën ku jetohet! Është shumë shumë keq, sepse po të ngrihesh në mëngjes të dalësh të shohësh, e do pyesësh veten, këtu jetoj?!”, shprehet ai.

E njëjta situatë duket dhe në Bradashesh. “Gjysma e fshatit janë me sëmundje me astmë. Është një mikrob që futet brenda dhe nuk del më është i rëndë vetvetiu. Rri brenda dhe nuk del më. Ai është kanceri. Është mikrob i rëndë vetvetiu. Ai po ha hekurin, jo me njeriun. Metalet e rënda qëndrojnë brenda organizmit”, shprehet një tjetër banor.

Fshati Vidhas, një nga fshatrat më të ndotur nga industria në ish zonën e Metalurgjikut. Foto: J. Hoxhaj

Ndërsa lëvizim në fshat, takojmë dhe një banor të Vidhasit, i cili aktualisht punon në një nga mediat lokale dhe që ka humbur dy prindërit nga kanceri. Ai tregon se ata nuk kanë pasur ndonjë trashëgimi dhe sëmundjen që i mori dy prindërit e lidh vetëm me ndotjen. “Nëna u sëmur e para. Ajo vuajti dy vjet nga kanceri i gjirit. Bëmë të pamundurën për ta shëruar në spitale, por sëmundja agravoi shumë shpejt deri sa i mori jetën 3 vjet më parë. Nëna nuk kishte pasur më parë probleme të tjera shëndetësore. As në farefis nuk kishim raste të tilla, meqë thonë mund të jetë e trashëguar. Edhe pse bëri kimioterapi, përsëri nuk ia doli. Një vit pas vdekjes së nënës, sëmundja u shfaq dhe te babai. Ai pati kancer në mushkëri. Babai u rëndua më shpejt dhe ndërroi jetë një vit më parë”, thotë djali i dy prindërve, që jetën ua mori sëmundja e tumorit. Por, në zonë ka dhe të tjera familje që kanë përjetuar histori tragjike për shkak të sëmundjeve tumorale. Por jo vetëm këto, vitet e fundit janë shtuar dhe sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, si astma etj.

Musai, një tjetër banor i Vidhasit, është vetë i sëmurë me astmë, ndërsa fajin ia hedh më së shumti uzinës së naftës. “Nuk ka më shumë se dy vjet që është ndërtuar. Ky që ka bërë këtë pikën e naftës se nga e ka prejardhjen. Sigurisht që ka një njeri të madh në qeveri, sepse ai shkoi deri në Prrenjas për ta bërë dhe nuk e lanë ata. Dhe erdhi gjeti strehë këtu. Ajo nuk të lë të marrësh frymë natën. Çfarë janë njerëz astmatik vuajnë pikën e zezë. Unë jam astmatik, kam 10 lloje pompash që kryej aktivitetin e frymëmarrjes. Dy vjet ka që më ka filluar astma. Kryetari i bashkisë Qazim Sejdini e la të bëhej. Mua më çudit një gjë, se uzina ka qenë në Cërrik në kohën e Enverit. Pse nuk e bën atje sepse sot e kësaj dite atje është ambienti i ndotur. Po të pyesësh mjekët, unë them se njerëzit e sëmurë me astmë janë shtuar me 50%. Edhe me kancer janë aq shumë sa nuk llogaritet. Nuk ka njeri që nuk pështyn gëlbazë, kancer është ajo. Kemi organizuar mitingje të vogla, por vjen policia me kamxhik në dorë. Është e kotë përpjekja jonë”, thotë i pashpresë Musai, i cili i lëshon të gjitha fjalët me një frymë, sikur ka pritur me vite t’ia thotë dikujt.

Musai duke folur për Portën Vendore. Foto: J. Hoxhaj

Ndërsa për ndotjen, sipas banorëve kontribuon dhe Kurum. Një nga punonjësit e kësaj fabrike shpjegon se ajo shkakton ndotje në nivele shumë të larta, kryesisht natën dhe askush nuk ndërhyn, nuk kryen matje për ta parandaluar këtë fenomen që po i vret. “Dëgjo tani, këtu ka super ndotje. Këtu nuk janë vënë asnjëherë filtrat në punë. Këtë e them me përgjegjshmëri se unë punoj aty brenda. Filtrat nuk janë vënë asnjëherë. Nuk kanë funksionuar asnjëherë. Këtu janë 3 fabrika. Është një që bën pastrimin e naftës, dy janë prodhime ferrokromi. Ka një tym të paparë sa nuk di ta shpjegoj.Shiko, vëre gishtin te mermeri. Ato bëjnë çdo tre orë derdhje. Rri shikoje se çfarë tymi nxjerr ajo. Me kancer me vdiq xhaja mua. Por ato nuk e cilësojnë që vdiq nga fabrika. Nafta po na ndot ujin. por me të ujisim prodhimet tona. Dhe po të dalim në treg të shesim produktet dhe të themi se nga cili fshat jemi, prodhimet tona nuk shiten.

Unë nuk kam fuqi të reagoj personalisht, por fshati ka reaguar. Aty është shteti vetë. Këtu është ky biznesi i vogël, kjo kafe e vogël këtu paguan 70 mijë lekë. Ndërsa ajo (kombinati) nuk paguan asnjë taksë. Po të kisha mundësi të largohesha, do fluturoja. Nuk është puna vetëm tek e ardhmja e fëmijëve tanë, por ne mezi po mbijetojmë. Tymin e hamë ne, se për Elbasanin nuk është shumë problem. Këtej nga ne vjen tymi”, shprehet punonjësi i Kurum.

Mjekët dhe studimet

Por sa ndikon ndotja tek sëmundshmëria e banorëve. Mjekët nuk dinë ta thonë me siguri, por sipas tyre dhe ndotja ka ndikuar. Një pjesëtare e stafit mjekësor në Vidhas, e cila nuk ka dëshirë të identifikohet tregon se ajo ushtron profesionin prej më shumë se 15 vitesh në zonën e Vidhasit. “Aktualisht trajtojmë tre raste me sëmundje tumorale, dy kancer gjiri dhe një stomaku. Këto janë në trajtim. Por në një studim që unë kam bërë me këto 15 vite eksperiencë pune këtu, nuk kam parë që ka një problem më të madh se qendrat e tjera. Po të flasim për shkaqet, janë disa, duke filluar nga kodi gjenetik i pacientit, cilësia e ushqimit, hormone që i bëjnë, por dhe ndotja e ambientit është një tjetër shkak”, shprehet ajo disi e rezervuar mbi këtë çështje. Megjithatë, ajo shpjegon se më shqetësuese janë sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes për shkak të ndotjes. “Sëmundjet që kanë më shumë lidhje me ndotjen, janë sëmundjet e rrugëve respiratorë, siç është astma bronkiale, që ndiqen nga ana jonë. Ne kemi fëmijë që trajtohet, ndërsa të tjerët janë të rritur. Janë 10 raste me astmë bronkiale. Ndotjen e perceptojnë vetëm nga aroma, era e rënda. Por pluhurat janë një tjetër problem”, shpjegon doktoresha.

Ndërsa mjekja onkologe, Luljeta Vathi jep një shpjegim më specifik mbi ndotjen dhe sëmundjet tumoriale. “Në përgjithësi sëmundjet onkologjike janë sëmundje multifaktoriale. Nuk është asnjëherë vetëm një faktor. Varet nga organi që preket. Në momentin që sëmundja tumorale është multifaktoriale, ndotja renditet, por nuk është e para. Është faktor sekondar, siç është pjesa e ushqyerjes. Sëmundjet tumorale janë trend në rritje, jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë botën. Cili është shkaku? Duhet marrë në konsideratë pjesa e të gjithë faktorëve. Siç është në Elbasan pjesa e ndotjes, në Tiranë, në Fier, në Vlorë. Unë s`mund të specifikoj vetëm pjesën e ndotjes”, shprehet doktoresha Vathi. Por a është Elbasani një steriotip për sëmundjet tumoriale. Doktoresha shpjegon se Tirana është numri 1 në të gjithë në Shqipërinë për sëmundjet tumorale, ndërsa shifrat tregojnë se në vlerë relative Elbasani renditet shumë pranë kryeqytetit. “Në përgjithësi moshat më të prekura janë adultët e mesëm, 50-60 vjeç. Këto kanë një trend në rritje. Megjithatë janë parë rritje të numrit në mosha të treta, që nuk kanë qenë dikur. Mosha e treta mbi 70 vjeç”, përfundon doktoresha.

Qendra shëndetësore Vidhas, Elbasan. Foto: J.Hoxhaj

Por, ndonëse mjekët nuk janë të bindur se ndotja ndikon drejtpërdrejtë për rritjen e sëmundjeve kancerogjene, ndryshe duket situata për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes dhe sidomos te fëmijët. Në vitin 2014, gjatë një konference rajonale u prezantua një studim për “Këndvështrime Pediatrike për Patologjitë më kryesore për Pediatrit dhe Mjekët e Familjes”.

Konkretisht ky studim u publikua më 1 shkurt 2014 dhe kishte në fokus ecurinë e sëmundshmërisë të rrugëve të frymëmarrjes dhe tumoret për një periudhë 10-vjeçare, të lidhura me ndotjen e mjedisit në rrethin e Elbasanit.

Në këtë botim shkencor deklarohet se “gjatë një periudhë 10-vjeçare është konstatuar që sëmundjet pulmonare janë rritur nga 10-11 raste për 10 mijë banorë në vitin 2001, në 25-26 raste për 10 mijë banorë në vitin 2011. Ndërsa sëmundjet tumorale kanë një rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme nga 5 për 10 mijë banorë në vitin 2001 deri në 11 për 10 mijë banorë në vitin 2011”. Ky studim nuk ndalet me kaq, por jep dhe shkaqet se nga çfarë janë shkaktuar këto sëmundje. “Duket qartë se sëmundshmëria dhe vdekshmëria nga sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes si bronshitet kronike, astma dhe sëmundjet tumorale janë në rritje. Një ndër faktorët më të rëndësishëm që shkakton këto sëmundje është mjedisi që vazhdon të jetë me një ndotje mjaft të lartë, ku veç zonave industriale që dëmtojnë shëndetin e komunitetit përreth është dhe ndotja urbane që sa vjen dhe rritet”, shkruhet në studimin e vitit 2014.

Pra, sipas këtij studimi, ndotja është një nga faktorët e rëndësishëm që shkakton sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes dhe sëmundjeve tumorale.

Ambientalisti Mehmeti: Ndotja ka dyfishuar tumoret

Për të mësuar më shumë rreth këtij studimi, por dhe pasojave të ndotjes në Elbasan, Porta Vendore bisedoi dhe me ekspertin e mjedisit, Ahmet Mehmeti, i cili është kreu i Klubit Ekologjik të Elbasanit dhe një nga autorët e studimit të lartpërmendur. Sipas tij, ndotja shkakton sëmundje të ndryshme dhe këtë e lidh dhe me dyfishimin e sëmundjeve tumorale në 30 vitet e fundit. “Situata vitet e fundit është shumë kotradiktore në Elbasan. Herë pas here prishet rregulli, nuk zbatohen rregullat teknike të industrisë, nuk ka në përdorim karburante brenda normave teknike. Në kohën kur ato nuk vendosin filtrat, ndotja mund të arrijë deri në 7-fish të normës europiane. Kjo reflekton dhe te shëndeti i njerëzve. Kemi sëmundje të mushkërive, të gjakut, të zemrës, sëmundje kanceroze sidomos sëmundjet kanceroze që janë shtuar dhe po vijnë duke u shumëfishuar. Këto janë tregues të mos zbatimit të ligjit të këtyre operatorëve. Por dhe karburantet me cilësi të dobët që djegia e tyre lëshon ndotje në atmosferë. Kështu kemi dhe ndotjen e tokës me metale të rënda, ujërat që ndikojnë te shëndeti i njerëzve nëpërmjet konsumimit të frutave apo perimeve. Të gjitha këto mblidhen bashkë te shëndeti i njerëzve. Duhet të shihet gjelbërimi urban për të ulur ndotjen”, shprehet Mehmeti. Sipas tij, Elbasani mban flamurin e zi të ndotjes së mjedisit në Shqipëri. “Nga studimet që kam lexuar unë, këtu sidomos sëmundjet tumorale brenda 30-vjetëve janë dyfishuar. Kjo është një shifër alarmante. Është një thirrje për të ndryshuar urgjentisht. Nëse me ajrin ka pasur njëfarë ndryshimi, me ujin dhe tokën nuk është vënë dorë fare. Ndotja është një vrasës i heshtur, por tani është bërë alarmante se shifrat kërkojnë që të ndryshohet gjendja”, jep alarmin Mehmeti.

Në vitin 2018 Abdulla Diku si grantmarrës i Leviz Albania, monitoroi ndotjen e ajrit në Elbasan nëpërmjet projektit “Vlerësimi i cilësisë së mjedisit përmes monitorimit të ajrit, ujit dhe tokës në qytetin e Elbasanit”. Periudha e monitorimit ka qenë          dy mujore me 128 matje në total dhe dy matësit janë stacionuar në qendër të qytetit të Elbasanit, duke kryer matje në mëngjes e në darkë.

Tabela 1: Përmbledhëse e rezultateve të matjeve (02.10 – 06.12.2018)

Përmbajtja e grimcave PM2.5 dhe PM 10 në ajrin urban rezulton mesatarisht 1.5-2 herë mbi normat e lejuara në vendet e BE. Nuk ka luhatje të rëndësishme ndërmjet niveleve mesatare të matur në mëngjes e në mbrëmje”, thuhet në raportin monitorues.

Në 64 dite kalendarike matje të cilësisë së ajrit gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2018 në qytetin e Elbasanit, ka rezultuar: 42 ditë rezultojnë me përmbajtje PM 10 > 50 µg/m³ (66%), nga 9% të lejuara në një vit në legjislacionin BE (35 ditë/365 ditë). Kjo është një shifër shumë e lartë dhe tregon se ndotja nga grimcat e imta PM 10 është shumë problematike.

Raporti i INSTAT dhe Elbasani

Por alarmi që jep eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti mund të lexohet dhe në raportohet statistikore të INSTAT dhe Institutit të Shëndetit Publik, ku Elbasani, renditet direkt pas Tiranës për nivelin e lartë të vdekjeve dhe të sëmurëve me tumore.

Në vitin 2018, INSTAT përpiloi një raport kombëtar mbi sëmundjet jo të transmetueshme të quajtur “Vdekshmëria, Sëmundshmëria dhe Faktorët e Riskut”. Në këtë raport deklarohet se gjatë vitit 2018, nëqarkun e Elbasanit kanë vdekur 406 persona nga sëmundjet tumorale, duke u renditur në vendin e dytë për vdekshmërinë e lartë nga këto sëmundje, pas Tiranës me 835 të vdekur. Por, po të shikohet në vlerë relative, sipas numrit të popullsisë së këtyre dy qarqeve, Elbasani renditet mbi Tiranën për numër vdekjesh për 10 mijë banorë. Konkretisht në Elbasan rezulton se numri i të vdekurve nga tumoret është 14.7 për 10 mijë banorë, ndërkohë që në Tiranë është 9.3 për 10 mijë banorë.

Sipas tabelës më lart, situata duket dramatike dhe për rastet me personat e sëmura nga tumoret. Sipas shifrave zyrtare të marra nga Porta Vendore pranë Institutit të Shëndetit Publik rezulton se për vitin 2018 numri i të sëmurëve me tumore në Elbasan ka qenë 635 persona. Për krahasim, Porta Vendore konstaton se në Tiranë për të njëjtën periudhë numri i të sëmurëve ka qenë 2351, por t’i krahasojmë këto dy shifra në vlerë relative, rezulton se numri i të sëmurëve për 10 mijë banorë, është 26 në Tiranë dhe 23 në Elbasan. Pra, Elbasani renditet direkt pas Tiranës për numrin e të sëmurëve me tumore të ndryshme.

Por për të kuptuar sesi shkon trendi i tumoreve në Elbasan, krahasuar me qytetet e tjera, Porta Vendore kërkoi pranë ISHP-së edhe shifrat e vitit 2019.

Nga kjo tabelë vihet re se rastet e sëmundjeve tumorale kanë ardhur në rritje për vitin 2019. Konkretisht në Elbasan janë regjistruar 715 persona me sëmundje tumorale, ose 80 persona më shumë, ndërkohë që në Tiranë kjo shifër ka pësuar zbritje. Po t’i krahasojmë në vlerë relative rezulton se Elbasani ka më shumë raste se Tirana për 10 mijë banorë me sëmundje tumorale për vitin 2019, pra duke shënuar një trend rritës gjatë një viti. Konkretisht, në Elbasan rezultojnë 26.4 persona me sëmundje tumorale për 10 mijë banorë, ndërsa në Tiranë 25.8 banorë për 10 mijë banorë.

Ndërkohë, statistikat shëndetësoree rendisin Elbasanin ndër qarqet me numrin më të lartë të vdekjeve në rang vendime diagnozën “me shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”.

Në raportin e INSTAT (tabela më lart) për shkaqet e vdekjeve gjatë vitit 2018, rezulton se 25% e vdekjeve në Elbasan janë me shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë, duke ngritur dhe më shumë dyshimet se shumë prej tyre lidhen dhe me ndotjen e këtij qarku. Kjo dhe për faktin se në raportet e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Elbasani mbetet një ndër qytetet më të ndotura në vend, bashkë me Tiranën dhe Fierin, duke formuar një trinom për nivelin e lartë të ndotjes.

Pra, ndonëse nuk ka një studim që e lidh drejtpërdrejt ndotjen e Elbasanit me nivelin e lartë të sëmundshmërisë dhe me vdekjet në këtë qark, duke grumbulluar të gjitha raportet e institucioneve vihet re se ato përbëjnë një binom të pandarë, fakt që përforcohet dhe më shumë nga ekspertët e mjedisit, që shpesh herë kanë dhënë alarmin për këtë emergjencë, por deri tani ndërmerren vetëm veprime sporadike dhe nuk ka një strategji të mirëfilltë mbi këtë fenomen.

Ndotja, gangrena e 20 viteve të fundit në Elbasan

Porta Vendore e ka trajtuar disa herëçështjen e ndotjes së ajrit në Elbasan, ku industritë e ndryshme që operojnë në zonë prej vitesh, nuk përdorin filtra dhe nuk respektojnë ligjet.

Problemin e mosvendosjes së filtrave nga kompanitë që operojnë në zonën e Metalurgjikut të Elbasanit e evidentojnë edhe përfaqësues të Bashkisë Elbasan, madje në datën 18 tetor 2017, ku Këshilli Bashkiak shpalli emergjencën mjedisore në Elbasan.

Albchrom është një nga kompanitë që operon me shkrirjen e substancave minerale. Kjo kompania në zonën e ish Metalurgjikut u evidentua nga grupi i inspektimit i ngritur nga Ministria e Mjedisit, si një subjekt që nuk vendoste filtrat mbrojtjes për thithjen e ndotjes, ndaj kompanisë në atë kohëiu lanëdisa detyra por që pas interesimit të mëtejshëm të Portës Vendore, këto detyra nuk u zbatuan kurrë. Ndërsa e pyetur për këtëçështje Ministria e Mjedisit nuk ktheu asnjë përgjigje për Portën Vendore se çfarë ka ndodh me masat e kërkuara për këtë kompani, tre vite më pas.

Në zonën e fshatit Balldre dhe Vidhas është vendosur që prej vitit 2016 edhe rafineria e përpunimit të naftës nga subjekti R.B.H Belinë, e cila gjithashtu i ka sjell një ndotje të shtuar zonës pa llogarit erën e tmerrshme të naftës, me të cilën banorët janë të detyruar të bashkëjetojnë. Por kjo kompani nuk është inspektuar nga grupi i inspektorëve mjedisor të Tiranës, ndërsa ajo vijon shkarkimet e hidrokarbureve në terren të hapur.

Por teksa Bashkia shpallte gjendjen e emergjencës mjedisore për ndotjen në zonën e ish Metalurgjikut në Elbasan, dhe Ministria e Mjedisit bënte kontrolle në industritë ndotëse të zonës, një tjetër firmë hidhte hapat e saj të sigurt për tu pozicionuar pikërisht në zemër të ndotjes. Këtë herë me bekimin e pushtetit vendor e atij qendror, kompania private CC Alb, ngriti uzinën e përpunimit të baterive të plumbit në zonën e ish-metalurgjikut në Elbasan, ku ka arritur të përfitojë leje mjedisore, duke manipuluar dëgjesat publike me banorët e fshatrave që preken nga kjo ndërmarrje. Porta Vendore gjithashtu publikoi këtë masakër mjedisore që iu shtua qytetit të Elbasanit, ku ndikuar drejtpërsëdrejti në jetën e banorëve të zonës.

 

Facebooktwitterredditpinterestlinkedinmail