Vëzhgim/Analizë

Plazhi Semanit drejt zhdukjes, bashkia investon vetëm në Darëzezë

1  gusht 2020/ Xhemil Beharaj/ Porta Vendore/ Fier                                    

Plazhi i Semanit dhe ai i Darëzezës njihen si zonat ku shumë banorë të qarkut Fier kalojnë pushimet verore. Por vitet e fundit është vënë re një standard i dyfishtë i Bashkisë Fier për këto dy plazhe, ku Darëzeza është një zonë me projekte dhe në zhvillim, ndërsa plazhi tradicional i Semanit, po lihet pa investime pasi Bashkia synon ta kthejë në zonë industriale.

Plazhet e Semanit dhe Darëzezës janë plazhe që frekuentohen më shumë nga banorë vendas, por edhe nga banorë të Fierit, Mallakastrës, Patosit, ose edhe nga Berati. Kjo, për shkak të rërës kurative që kanë këto plazhe. Megjithëse ende vazhdon pandemae Covid 19, shumë vendas i janë drejtuar këtyre plazheve për shkak të sëmundjeve të ndryshme, kryesisht reumatizmale.

Ato përpiqen të tregohen të kujdesshëm ndaj respektimit të distancimit social, si dhe kushteve të tjera higjeno-sanitare, ndërsa tregojnë për Portën Vendore se janë frekuentues të kësaj zone prej vitesh.

“Kam vite që e frekuentoj këtë plazh. Ruhet distanca, s’ka shumë njerëz. Edhe kushtet higjienike respektohen dhe janë goxha të mira, edhe ambienti na pëlqen”,shprehet Marjeta, pushuese në plazhin e Darëzezës.

Plazhi i Darëzezës i sistemuar dhe i pastruar. Foto: Xh. Beharaj

Ndërsa Samiu na rrëfen se vjen në këtë zonë për shkak të pushimeve ekonomike që ofron, pasi ai si pensionist nuk ka shumë mundësi financiare. “Pensionistë jemi ne, ndaj është i mirë. Kemi marrë shtëpi me qira, 15 mijë lekë është nata këtu, por neve si pensionistë na i ka lënë 10 mijë lekë. Herë vijmë këtu, herë në ndonjë vend tjetër. Ne vijmë më shumë këtu pasi vuajmë nga reumatizma”, tha ai për Portën Vendore.

Plazhi i Darëzezës frekuentohet çdo vit nga familjarë, por edhe pensionistë, ndërsa kur i pyet për investime e kushte më të mira, biznese e pushues dëshirojnë vetëm infrastrukturën rrugore.

“Distanca është mirë këtu, edhe plazhi. Vetëm ishalla bashkia na rregullon rrugën këtu dhe është mirë”, tregon Mira një pushuese që e gjejmë në plazhin e Darëzezës.

Shtëpitë me qira në këtë zonë variojnë nga 10-15 mijë lekë të vjetra nata, ndërsa kushtet në to janë minimale, por përsëri edhe pse me Covidin të pranishëm në vendin tonë, nuk janë të paktë ata që zgjedhin të marrin një apartament modest në afërsi të plazhit të Darëzezës në 3 muajt e verës.

“Kam marrë shtëpi me qira 10 mijë lekë nata. Mirë janë kushtet. Ne kemi 30 vite që vijmë këtu. Kam gruan me reumatizëm ndaj. Mbajmë distancë dhe tregohemi të kujdesshëm. Pasdite mbushet plot plazhi, sado që me frikë. Çmimet janë normale, se ne gatuajmë vetë. Se rrimë 3 muaj me pushime, por megjithatë do t’ia dalim ça do të bëjmë”, tha Sokrati, i cili ka ardhur nga Patosi për të pushuar në plazhin e Darëzezës.

Plazhi publik i Darëzezës, ku bashkia ka investuar së fundmi. Foto: Xh. Beharaj

Në Plazhin e Darëzezës ekzistojnë si plazhet publike ashtu edhe plazhet private. Plazhi publik nuk ka ndonjë hapësirë të madhe, ndaj pushuesit e paktë janë të detyruar të marrin çadra me vete, ndërkohë që ekziston edhe linja urbane Fier-plazhi i Darëzezës për të gjitha ata banorë fierakë që duan ta aksesojnë këtë plazh.

Plazhi i Darëzezës është 23 km larg qendrës së qytetit të Fierit. Ky sezon turistik për afro 50 biznese që operojnë në këtë plazh është i mbarë, edhe pse me vështirësi nga situatat e kaluara ata shprehen optimist se diçka ka nisur të lëvizi.

“Procesin e parapërgatitjes ne e fillojmë herët. Se këtu për fat të keq është det i hapur dhe stuhitë e deformojnë këtë sipërfaqe pranë detit. Dhe ne kur vijmë këtu në pranverë shohim vetëm kodra rëre, ndaj ne përgatitemi rreth 2 muaj që të bëhemi gati për pushuesit. Sivjet ka qenë më e vështirë situata për shkak të Covid 19, madje edhe pushuesit janë më të vonuar në krahasim me vitet e tjera, mbase kushtëzohen nga paniku i virusit që nuk vijnë në plazh”, thotë pronari i një prej lokaleve të zonës, i cili ka rreth 19 vite që e ushtron këtë biznes në këtë zonë. Ndërsa thekson se çmimet e çadrave dhe shezlongëve janë njësoj si vitet e tjera, edhe pse shpenzimet janë më të mëdha.

“Çmimet edhe të restorantit nuk i kam shtrenjtuar, njësoj janë. Një drekë për një familje me 4 persona shkon deri në 5000-6000 lekë. Që të hash njëdrekë të mirë. Ndërsa na kanë marrë klientë që i kemi të hershëm për rezervime, psh nga rrethinat e Fierit kryesisht”, tha ai për Portën Vendore.

“Pushteti vendor ka bërë sistemime, ka bërë pastrime në rërën e plazhit, por sërish kemi nevojë për infrastrukturë e për furnizimin me ujë”, tregojnë banorët e zonës përreth.

Por pushuesit në këtë plazh rrëfejnë në fakt për një ngritje tëçmimeve përsa i përket çadrave dhe shezlongëve.“Ka një rritje tëçmimeve, nga 200 lekë që ka qenë vjet, ka vajtur 300 lekë, ndërsa çadrat me shezlonge, 500 lekë, por ka qenë 300 lekë”, vijon Sokrati.

Në plazhin e Darëzezës ekziston kulla e vrojtimit,autobotet me ujë të pijshëm shkojnë rregullisht, por dhe distancat nga çadra në çadër është katër metra.

Ky plazh është tradicional, bio ashtu si prodhimet e zarzavateve e perimeve që shiten në hyrje të plazhit me çmimenormale. Janë prodhime nga kopshti familjar, të freskëta, me shije dhe pa pesticide të ndryshme.

Kanalet me ujë të bollshëm shfrytëzohen nga bashkia në verë edhe për gara të ndryshme me varka, bile për këtë ka edhe një projekt.Por ky institucion vendor duhet të mbajë premtimin për shtrimin e rrugës, e cila është pika ku edhe çalon puna.

Por ndryshe nga Darëzeza shfaqet panorama e plazhit të Semanit, i cili administrohet nga e njëjta bashki. Në krahasim me Darëzezën, plazhi i Semanit është si nata me ditën, pasi tek ky i fundit bie në sy harresa e pushtetit vendor ndërsa ka pasur zero investime për zonën.

Plazhet e Darëzezës dhe të Semanit shtrihen në një gjatësi prej afro 8 km vijë bregdetare në Seman. Plazhi i Darëzezës po njeh zhvillim e gjallëri në këto katër vitet e fundit falë mbështetjes së Bashkisë Fier dhe promovimit që kjo e fundit i bënë çdo nisje të sezonit turistik, ndërkohë që plazhi tradicional i Semanit po degradon çdo sezon e më tepër .Në Seman, bizneset ende nuk kanë nisur nga puna edhe pse ka nisur sezoni turistik. Shkaku është mostharja e ujit të gjolit,i cili ka përmbytur rrugët. Kjo e fundit nuk merr më shumë se dy orë pune të pompave të bordit të kullimit në Fier. Ndërsa vihet re se mes Semanit dhe Darëzezës janë përdorur dy standardeve nga Bashkia Fier.

Ne Semani nuk është shtruar as, as sinjalistika nuk ekziston, sikundër as edhe pompat e bordit të kullimit ende nuk janë vënë në punë që të largojnë ujin e gjolit, që bizneset të mund të nisin nga puna pasi ata taksat i kanë paguar.

Rruga që të çon në plazhin e Semanit. Foto: Xh. Beharaj

Bashkia Fier u ka premtuar banorëve të Semanit që do u shtrojë 2 km rrugë që të çon në plazhin e Semanit por edhe pse është në mandatin e dytë, kryebashkiaku Subashi nuk e ka mbajtur premtimin.“Bashkia po i jep prioritet Darëzezës por jemi dhe ne”, shprehen thuajse njëzëri pronarët e bizneseve të zonës.

Mosndërhyrja e Bashkisë Fier për të tharë gjolin i çon rrjedhimisht në falimentim bizneset duke bërë që plazhi i Semanit të ngelet në hartë vetëm si emër.“Janë 13 biznese që ngelen pa punë, ndërkohë që tatimet 600 mijë lekë të vjetra në viti kamkryer në zyrat e bashkisë”, tha një tjetër biznesmen i zonës për Portën Vendore.

Bizneset rrëfejnë se pavarësisht mosmbajtjes së premtimeve për infrastrukturë më të mirë e më shumë investime në zonë, sërish ata kanë paguar çdo detyrim dhe kanë zbatuar çdo kërkesë të hapjes pas Covid19 për të respektuar kërkesat për çdo pushues.

Në Seman nuk ka kushte, as çadra e as shezlonge. Ndërsa ato pak pushues të cilët qëndrojnë për vetëm disa orë nën rrezet e diellit, me çadrat e ushqimet e tyre me vetë rrëfejnë se kanë frikë kur vijnë këtu, ndaj respektojnë distancat.

Plazhi i Semanit, ndërsa derdhen ujërat e zeza në det. Foto: Xh. Beharaj

Plazhi i Semanit,i cili karakterizohet nga pishat e buta dhe rëra e bardhë, çdo ditë e më shumë po e humbet statusin e të qenurit plazh, ndërsa aty vizitorët janë të pakët. Sipas banorëve, lënia pasdore e plazhit të Semanit ka të bëjë me faktin se Bashkia Fier po e kthen këtë plazh në zonë industriale për TAP-in apo panele diellore për prodhim energjie.

Bashkia Fier e pyetur nga Porta Vendore lidhur me këtë diferencim në investim për këto dy plazhe të gjendura në territorin e saj, pranoi atë që thonë dhe banorët, duke konfirmuar se plazhi i Semanit do shkojë drejt mbylljes.

Plazhi i Semanit, për shkak të erozionit dhe ndërtimit të stacionit të TAP, nuk do ketë ndërhyrje për investime. Madje në këtë zonëështë menduar dhe vendosja e paneleve diellore për prodhim energjie dhe e gjithë zona do jetë industriale. Vetëm zona e Darëzezës dhe Pish-Poros do u lihet qytetarëve që t’i shfrytëzojnë për plazh, ku janë menduar dhe një sërë investimesh”, deklaroi Bashkia Fier për Portën Vendore.

Çadrat bosh në plazhin e Semanit. Foto: Xh. Beharaj

Të dyja plazhet e Fierit, si Darëzeza ashtu edhe Semani cilësohen nga banorët si të mrekullueshëm për shkak të rërës, e cila është e pasur me jod dhe është kurative, por siç duket Semani shumë shpejt nuk do të ekzistojë më si i tillë.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail