Vëzhgim/Analizë

Plehrat e Durrësit në pikëpyetje, ministritë ia postojnë problemin njëra-tjetrës, zero transparencë për koston

31 korrik 2020/ EljonaBallhysa/ Porta Vendore/ Durrës                                   

Pas shpalljes së emergjencës mjedisore në Durrës, Bashkia duket se ka gjetur një zgjidhje provizore për depozitimin e mbetjeve, ku thuhet se është lidhur një kontratë 6-mujore, me koncesionarin e Sharrës, por që detajet e saj nuk janë bërë publike. Megjithatë, sipas çmimeve të vetë koncesionarit, Bashkisë Durrës do i kushtojë rreth 260 mijë euro në muaj depozitimi i mbetjeve në Sharrë, duke pasur parasysh se prodhon mbi 100 mijë tonë mbetje në vit.

Pas mbylljes së vendgrumbullimit të plehrave në Porto Romano, Bashkia e Durrësit nisi t’i hidhte mbetjet urbane në një zonë pranë Manzës. I menjëhershëm ishte reagimi i banorëve, të cilët u ngritën në protesta duke kundërshtuar që zona e tyre të kthehej në një landfill. Protestat i ndalën rrugën hedhjes së plehrave në Manzë dhe mbeturinat urbane mbushën rrugët për disa ditë në Durrës.

Porta Vendore e ka ndjekur në vijimësi çështjen e menaxhimit të mbetjeve nga Bashkia Durrës, ku në këto dy vite i ka dedikuar një sërë shkrimesh kësaj problematike, ku kjo platformë multimediale raportoi për herë të parë gjithashtu, faktin se Bashkia Durrës vijonte t’i hidhte mbetjet në Landfillin e Porto Romanos, edhe pse ky i fundit kishte nisur punën për rikthimin e tij në një Eko-park.

Teksa u përpoqën në një sërë formash që mbetjet urbane të hidheshin andej-këtej në zonat periferike të Durrësit, banorët e Sukthit e Manzës në sajë të protestave, të cilat hera-herës u bënë edhe mediatike, nuk u mposhtën, duke bërë që mbetjet e Durrësit të mos vinin në fushat ekzistuese të grumbullimit të mbetjeve, që ndodhen në këto dy zona, ndërkohë që me vendim të Këshillit Bashkiak, ashtu sikurse Porto Romano, ato janë mbyllur që në korrik të 2018-ës.

Enver Farruku zëri më aktiv i protestave të banorëve të Manzës i tha Portës Vendore se nëse në pjesët e tjera të qytetit të Durrësit situata mund të ishte përmirësuar, në njësinë administrative të Manzës jo, pasi mbetjet e kësaj zone depozitohen në fushën e mbetjeve, e cila është e mbyllur.

“Situata nuk është stabilizuar, pasi në fushën e mbetjeve vijojnë të hidhen mbetje. Kjo është lojë e kompanisë që mbledh mbetjet, ku sado që e ruajmë ne natë e ditë zonën, sërish na shpëton ndonjë kamion. Marrim kontakt me shoferët e kamionëve kryesisht e ata na lajmërojnë që kujdes se po vijnë mbetje. Jemi interesuar po na kanë thënë që vendimi për depozitimin e mbetjeve në Sharrëështë vetëm për Durrësin. Ne jemi përplasur vazhdimisht për këtë situatë”, tregon ai.

Ish mësuesi i dalë tanimë në pension rrëfen se banesat janë vetëm 400 metra larg nga fusha e grumbullimit të mbetjeve dhe era që plehrat lëshojnë është e padurueshme.

“Pallati i kulturës, i cili qëndron si relike e së shkuarës, përsëri po përdoret si vend për vendgrumbullimin e mbetjeve. Ndërsa ne si qytetarë jemi të vendosur që t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund, që ta zgjidhim këtë shqetësim njëherë e përgjithmonë”, vijon Enveri i revoltuar.

Enveri rrëfen gjithashtu se vetëm 1 muaj më parë ka dorëzuar një peticion në E-Albania, i cili është firmosur prej 200 banorëve të këtij komuniteti për largimin e mbetjeve nga kjo zonë.

Por çfarë po ndodh me mbetjet e Durrësit, pas zhurmës së madhe mediatike që u bë?

I gjendur pa rrugëzgjidhje, më 11 qershor 2020, Këshilli Bashkiak i Bashkisë Durrës mori vendimin nr. 50 dhe shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore, duke kërkuar ndihmën e qeverisë për mbështetje financiare dhe për bashkëpunim të institucioneve qendrore me Bashkinë Durrës për të përballuar situatën. Madje, në këtë vendim u kërkua që kryetarja në detyrë e Bashkisë Durrës të bashkëpunojnë me Koncesionarin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë për gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme dhe efikase për depozitimin e mbetjeve dhe zgjidhjen e situatës emergjente.

Në datë 24 qershor 2020, Kryebashkiakja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako dha një prononcim për mediat ku tha se do të kryhet një analizë e detajuar për të ditur më tej se si do të menaxhohet çështja e mbetjeve në qytetin e Durrësit.

“Do të vlerësojmë aspektin financiar, që do të thotë do të kemi një landfill të ri në Durrës apo do t’i dërgojmë në Sharrë. Pastaj ne do të kërkojmë sërish fonde në qeverinë shqiptare, sepse bashkia nuk ka mundësi që edhe një landfill të vetin ta konceptojë plotësisht me fondet e saj. Ne do të vijojmë me dëgjesat përkatëse në mënyrë që qytetarët ta dinë të gjithë se çfarë do të bëhet dhe ku do të shkojnë taksat e tyre”, tha zonja Sako.

Ndërkohë, nga burimet pranë bashkisë u tha se me ndërhyrjen e ekzekutivit u vendos që plehrat e Durrësit të depozitohen në Tiranë në Landfillin e Sharrës për të paktën 6 muaj derisa të arrihet në zgjidhje përfundimtare. Por, askush nuk e bëri publike këtë kontratë dhe detajet e saj, ndërsa në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës nuk ka asnjë vendim të publikuar për njohjen e publikut me detajet, se kush e mori vendimin dhe kostot e shtuara për dërgimin e mbetjeve në Sharrë.

Për të mësuar më mirë për fatin e plehrave të Durrësit dhe zgjidhjen përfundimtare që do t’i jepet kësaj situate, Porta Vendore iu drejtua disa institucioneve shtetërore për të marrë informacion, por edhe landfillit të Sharrës dhe Bashkisë së Durrësit si dhe ekspertëve mjedisorë. Cili institucion e nënshkroi kontratën me landfillin e Sharrës? Kush po paguan për përpunimin e plehrave? Sa para i kushton shtetit i gjithë ky proces dhe si do veprohet në të ardhmen? Cili është plani afatgjatë për zgjidhjen e emergjencës mjedisore në Durrës?

Porta Vendore kërkoi informacion në lidhje me situatën e menaxhimit të mbetjeve fillimisht në Bashkinë Durrës, mirëpo kjo e fundit tha se me këtë projekt bashkia e qytetit bregdetar është veçse përfituese dhe nuk di shumë detaje të kontratës së nënshkruar për dërgimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.

“Ne si bashki jemi veçse përfituese e kësaj situate, dhe për ne e rëndësishme është që plehrat të shkojnë diku tjetër e jo më në Porto Romano, derisa të merret një vendim nga qeveria përsa i përket situatës së mbetjeve në Durrës, pasi të mbarojë kontrata e tanishme, 6-mujore. Pra le të themi që deri në dhjetor të 2020, duhet të jetë gjetur një zgjidhje përfundimtare për mbetjet e qytetit të Durrësit”, thanë burime zyrtare të Bashkisë Durrës, ndërsa përsa i përket detajeve të kontratës, zyrtarët e këtij institucioni e referuan Portën Vendore tek Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta, si dhe Ministria e Financës. Pra, Bashkia Durrës pranoi zyrtarisht se ka një kontratë 6-mujore për depozitimin e mbetjeve në Sharrë, por pa pranuar të japë detaje.

Porta Vendore pas këtij prononcimi të Bashkisë Durrës e cila nuk dha asnjë detaj, nisi të kërkojë informacion në të gjitha institucionet që mund të ishin të përfshira në këtë çështje, për të ditur më shumë, ndërsa u përball me ping-pongun institucional.

Porta Vendore në fillim kontaktoi me AKUMN, ku ky institucion u përgjigj se nuk ka asnjë lidhje me procesin e mbetjeve të Durrësit.

Ne nuk jemi më grup pune për zgjidhjen e sa më lart. Zgjidhja dhe skenarët kanë kaluar në institucione të tjera të qeverisë qendrore. Sipas deklaratave në media që kam ndjekur nga ana e Bashkisë Durrës, grup pune është Bashkia Durrës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”, thotë në përgjigjen e saj ky institucion, duke shmangur çdo përgjegjësi nga vetja.

Në këto kushte, Porta Vendore pyeti 3 ministri:Ministrinë e Financave, Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe që të tria theksuan se menaxhimi i mbetjeve urbane në bazë të ligjit është kompetencë e pushtetit vendor, e në rastin konkret e Bashkisë së Durrësit.

Ministria e Mjedisit thotë se bazuar në legjislacionin në fuqi shpallja e gjendjes së emergjencës natyrore është kompetencë e qeverisë, e cila deri më tani nuk ka asnjë vendim të tillë lidhur me Bashkinë e Durrësit. Më tej sqaron se mbetjet urbane të Durrësit po depozitohen në landfillin e Sharrës, që i plotëson të gjitha standardet ligjore, për të cilat po paguhet sipas tarifave për ton plehrash sipas kontratës së miratuar me VKM, por pa i zbuluar këto tarifa, megjithëse është pyetur nga Porta Vendore.

“Bazuar në VKM nr. 509, datë 13.09.2017 ‘Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit’, kjo Ministrika si mision hartimin dhe zbatimin e politikave që synojnë mbrojtjen e mjedisit, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit. Për sa i takon gjendjen e emergjencës mjedisore të shpallur nga Bashkia e Durrësit, sqarojmë që ky vendim është marrë nga Bashkia dhe jo nga Qeveria shqiptare. Mbështetur në legjislacionin në fuqi, shpallja e një zone me emergjencë civile apo fatkeqësi natyrore është kompetencë e qeverisë, e ciladeri më tani nuk ka shpallur me një vendim apo çdo akt tjetër ligjor.Aktualisht mbetjet që gjenerohen në territorin e Bashkisë Durrës po depozitohen pranë vend-depozitimit të Sharrës, që plotëson standardet e legjislacionit në fuqi.Tarifa për ton e cila depozitohet në vend-depozitimin e Sharrës është e përcaktuar sipas kontratës koncesionaretë miratuar me VKM”, përgjigjet Ministria e Mjedisit dhe Turizmit.

Sipas këtij institucioni, procesi financiar i depozitimit të mbetjeve urbane të Durrësit në Landfillin e Sharrës po ndiqet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Financave.“Institucioni i cili po ndjek të gjithë procesin financiar, sasinë që depozitohet dhe çdo operim tjetër janë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Ministria e Financës dhe Ekonomisë”, njofton Ministria e Mjedisit dhe Turizmit.

Për ta sqaruar më mirë se cili institucion ka firmosur kontratë me Landfillin e Sharrës dhe sa para i kushton shtetit i gjithë ky proces, Porta Vendore iu drejtua Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Përgjigja që morëm është se kjo ministri nuk është e përfshirë në asnjë kontratë që lidhet me menaxhimin e mbetjeve urbane të Durrësit, ndryshe nga sa thotë Ministria e Mjedisit.

“Në vijim të kërkesës tuaj për informacion, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ju informon se MIE nuk është pjesë e kontratave të cituara nga ana juaj si dhe në buxhetin e saj nuk është duke financuar/subvencionuar kosto transporti dhe/apo depozitimi për Bashkinë Durrës. Për sa më sipër do të sugjeronim që për informacionin e kërkuar nga ana juaj t’i drejtoheni Bashkisë Durrës dhe / apo Koncesionarit”, njofton Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Por ndryshe thotë edhe Ministria e Financave. Në përgjigjen e saj, ajo sqaron se hartimi i politikave për menaxhimin e mbetjeve urbane është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Ndaj Ministria e Financave i ka kërkuar si Bashkisë së Durrësit ashtu edhe Ministrisë së Infrastrukturës, që të hartojnë një projekt konkret që do t’i japë zgjidhje përfundimtare menaxhimit të plehrave të Bashkisë së Durrësit dhe në momentin që do jetë gati ky projekt dhe efektet financiare që rrjedhin prej tij, Ministria e Financave do të marrë masat për garantimin e financimit.

“Së pari, ju bëjmë me dije se në zbatim të pikës 10 të nenit 23 të ligjit nr.139/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’, menaxhimi i mbetjeve është kompetencë e bashkisë dhe si rrjedhojë Bashkia Durrës duhet të marrë masat për parashikimin e efektit financiar në buxhetin e saj. Së dyti, në këto kushte i është kërkuar Bashkisë Durrës, që në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, përgjegjësia e se cilës është hartimi i politikave për menaxhimin e mbetjeve të përcaktojnë zgjidhjen teknike të problematikës së vend-depozitimit të mbetjeve urbane të qytetit. Së treti, duke iu referuar zgjidhjes teknike Bashkia Durrës do të përllogarisë efektin financiar shtesë, i cili mbetet ipambuluar nga plani i buxhetit i parashikuar për menaxhimin e mbetjeve. Në vijim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të marrë masat e nevojshme për mbulimin e efektit financiar shtesë”, njofton Ministria e Financave.

Pra, tre ministri që janë të paqarta dhe kanë mungesë koordinimi se cila prej tyre duhet të merret me zgjidhjen këtij problemi, ndërkohë që asnjëra prej tyre nuk iu është përgjigjur pyetjeve të Portës Vendore, se sa para po paguhen nga shteti për Landfillin e Sharrës, sa kushton përpunimi i 1 ton mbetje, sa mbetje po depozitohen në Sharrë nga Bashkia e Durrësit. Madje nuk i kthyen përgjigje as akuzave të opozitës sipassë cilës qeveria do të harxhojë 100 milionë euro për të paguar kompaninë “fantazmë” që menaxhon Landfillin e Sharrës.

Atë që ndodhi me plehrat në Durrës, nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka, e konsideron një skenar të parapërgatitur nga mafia e plehrave. Pjesë e këtij skenari, sipas PD, ishte krijimi i emergjencës me plehrat në rrugët e Durrësit, djegia e tyre në Manzë, duke tërhequr vëmendjen, për t’i dhënë më pas 100 milionë euro një kompanie fantazmë.

Por ministritë nuk dhanë asnjë përgjigje për koston e kontratës me Landifllin e Sharrës dhe për këtë arsye Porta Vendore iu drejtua për informacion koncensionarit “Integrated Energy BV SPV” shpk. që menaxhon landfillin e Sharrës.Përgjigja që morëm ishte “Informacionin që keni kërkuar bazuar në Nenin 17 te Ligjitnr.119/2014 ‘Për të drejtën e informimit’, mund ta kërkoni edhe pranë Bashkisë Durrës”.

Por në faqen e tij zyrtare iebv.al janë të publikuara të gjitha tarifat për depozitimin e mbetjeve.

“Çmimi për ton për mbetje urbane është i barabartë me 29 euro/ton mbetje pa TVSH, çmim i cili do të paguhet mbi baza mujore nga njësitë vendore të qarkut Tiranë në favor të konçesionarit. Çmimi do të jetë subjekt rishikimi çdo 12 muaj. Në çdo rast, çmimi/ton mbetje, pavarësisht inflacionit nuk do të jetë poshtë shifrës 29 euro/ton mbetje urbane”, shkruhet në këtë faqe. Sipas të dhënave, Bashkia Durrës prodhon rreth 9 mijë tonë mbetje në muaj. Me këtë volum mbetjesh, rezulton se ky operacion do të ketë një kosto rreth 260 mijë euro në muaj, pa transportin.

Në lidhje me situatën mjedisore krijuar në Durrës, ekspertët mjedisore bashkohen në një pikë që mbetjet urbane shkaktojnë ndotjen e ajrit në atë zonë që ato hidhen.

Por a është zgjidhje dërgimi i mbetjeve të Durrësit në Landfillin e Sharrës? Përsa i përket kësaj pyetje Klaudio Hyseni aktivist i shoqërisë civile në Durrës thotë se depozitimi i mbetjeve të Durrësit në Sharrë është veçse një zgjidhje e përkohshme, ndërsa bën edhe disa propozime:

“Landfilli i Sharrës, sipas vëzhgimeve është një zgjidhje e përkohshme për grumbullimin e mbeturinave të Durrësit, pra nuk i jep fund problemit. Unë do të propozoja mbledhjen e diferencuar në burim të mbeturinave urbane dhe përshtatja e shembujve bashkëkohore që japin një rendiment të lartë në riciklimin e mbetjeve, nëqoftëse pushteti qendror nuk ka mundësi të financojë ngritjen e një vendi të përpunimit të mbeturinave. Bashkia e Durrësit mund të binjakëzohet me bashki të tjera në Europë që janë modele në fushën e riciklimit dhe mund të aplikojnë lehtësisht për grante në Këshillin Europian. Shpresoj që qytetarët t’i kushtojnë më shumë vëmendje mjedisit dhe pushteti vendor të ndërgjegjësohet në investime serioze në menaxhimin e integruar të mbeturinave dhe marrjen e masave për ndalimin e shkarkimit të ujërave të zeza në det”, përfundon Hyseni nga Qendra “Durrësi Aktiv”.

Ambientalisti Sazan Guri thotë për Portën Vendore se e gjitha ishte një skenar, pra që të dërgohen të gjitha mbetjet e Durrësit në Sharrë.

“Mirë Tirana i çon në djegie mbetjet e saj, por edhe Durrësi? Ne incenerojmë 100 % të mbetjeve, gjë që është e pamundur në Itali e Gjermani. Ndërsa ligji i cili i kushtoi shqiptarëve plot 3 milion euro, për menaxhimin e mbetjeve miratuar në vitin 2011 nuk zbatohet, pasi ne nuk riciklojmë. Pse ta blejmë plehun kimik diku tjetër, kur mund ta prodhojmë vetë. Mendoj se një nga arsyet e kësaj problematike, është teknologjia e vjetëruar që se përballon dot këtë gjë, megjithëse e shkruar me ligj”, tha ambientalisti Guri.

Ndërkohë që institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëra -tjetrës, dërgimi i plehrave në Sharre do të kushtojë 29 euro (pa tvsh) për çdo ton mbetje, plus kostot e transportit nga Durrësi në Tiranë. Kjo të paktën deri në dhjetor 2020…Më pas, askush nuk pranon të shprehet se si do të zgjidhet kjo çështje madhore për Bashkinë Durrës, apo sa do të jetë kosto financiare në kurriz të taksapaguesve të qytetit të Durrësit .

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail