Ndodhi

Rruga Gjelbërimi në Durrës, e ‘gjelbëruar’ nga mbetjet

30 korrik 2020/ Porta Vendore/ Durrës

Rruga “Gjelbërimi” në qytetin e Durrësit është e mbushur plot me mbeturina urbane, duke ia venitur emrin kësaj rruge, e cila ndodhet në zonën e ish-Kënetës. Banorët tregojnë se kanë vite që e vuajnë këtë situatë, teksa pavarësisht premtimeve të shumta në periudhë zgjedhjesh, askush nuk ka marrë asnjë zgjidhje konkrete për këtë problematikë.

Banorët e zonës, sidomos ata të rrugë “Gjelbërimi” ankohen prej kohësh për ndotjen mjedisore, që thellohet më shumë edhe për shkak të kanalit të hapur i mbushur me mbetje urbane dhe ujëra të zeza. Të shumta janë letrat apo kërkesat për informacion dhe zgjidhje të situatës që banorët u kanë drejtuar institucioneve. Ata tregojnë se i kanë kërkuar disa herë Bashkisë Durrës mbylljen dhe rehabilitimin e kanalit, që rrezikon të kthehet në vatër infeksioni.

“Këtu jeta është bërë e padurueshme. Kemi më shumë se 10 vite me këtë situatë. Askush nuk po na e zgjidh dot hallin. Kemi shkuar, jemi ankuar në bashki, por përveç premtimeve boshe asgjë tjetër nuk ka ndodhur”, tha një banor i kësaj zone për Portën Vendore.

Mbetjet urbane pranë kontejnerëve të mbushur.

Si për ironi të fatit rruga mban emrin “Gjelbërimi”, por rreth e qark nuk sheh gjë tjetër veçse grumbuj me mbetje. Gjendja bëhet edhe më e vështirë, pasi temperaturat e larta ndikojnë në përhapjen e erës së rëndë rreth e qark.

Nuk vijnë të na i pastrojnë mbetjet fare këtu, dhe normal është paksa edhe faji i banorëve që i hedhin pa kriter hera-herës. Por ama neve gjithnjë na kanë parë si lagje periferike e Durrësit ndaj edhe na diskriminojnë me këtë ndotje mjedisore shumëvjeçare”, tha Ada, një banore e vjetër e zonës.

“Situata në lagjen tonë është e njëjtë që në vitin ‘97 kur kam ardhur dhe jam vendosur këtu. Mbeturinat nuk i pastrojnë, vijnë shumë rrallë, ndërsa kanali mban erë gjithë kohën”, thotë një tjetër banor për Portën Vendore.

Mbetjet urbane e hedhura në kanalin që përshkon këtë rrugë.

Banorët disponojnë edhe një shkresë të datës 10 tetor 2019, me firmën e ish-kryebashkiakes Valbona Sako dhe ish-nënkryetares Etleva Kondi ku institucioni i qeverisjes vendore bën të ditur se po harton një projekt zbatimi për mbylljen e kanalit.

Por, Korriku i vitit 2020 e gjen këtë zonë sërish me kanalin e hapur që përshkon gjithë lagjen dhe pirgjet me mbeturina. Ndërsa harxhohen miliona euro për projekte që përqendrohen në qendrën e Durrësit, periferia ka mbetur në gjendje të mjerë.

Bashkia Durrës e kontaktuar nga Porta Vendore në lidhje me situatën e menaxhimit të mbetjeve, tha se nuk ekziston më një problematikë e tillë në qytetin bregdetar, pasi mbetjet tanimë depozitohen në landfillin e Sharrës në Tiranë, ndërkohë që faktet flasin të kundërtën, duke mos marrë përgjegjësi mbi këtë situatë.

Sipas të dhënave zyrtare, Bashkia Durrës ka filluar procedurën për hartimin e projektit për mbylljen e këtij kanali dhe aktualisht është bërë azhornimi topografik i rrugës “Gjelbërimi” dhe rrugës “Azem Hajdari”, me gjatësi 1200 ml. Njësia e Projektimit dhe Infrastrukturës pranë Bashkisë Durrës është duke hartuar projektin e zbatimit për mbylljen e këtij kanali në këto rrugë.

Ndërsa rekomandohet higjienë maksimale në kushtet e pandemisë Covid-19, dekompozimi i mbeturinave në një sipërfaqe mjaft të gjerë në rrugën “Gjelbërimi” është dëshmi se autoritetet ndryshe i hartojnë protokollet e sigurisë dhe ndryshe i zbatojnë ato në terren.