Vëzhgim/Analizë

Ministrja e Financave letër Bashkive: Kujdes me shpenzimet, për 3 vjet të shlyeni borxhet. Por ja cilat munden…

28 korrik 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore                                             

Qeveria u kërkon bashkive që të shlyejnë detyrimet e prapambetura, që kanë kapur tashmë vlerën e rreth 80 milionë dollarëve, me tendencë rritje për shkak të tërmetit dhe pandemisë së COVID- 19. Në letrën drejtuar pushtetit vendor, Ministria e Financave kërkon që bashkitë të dorëzojnë planin e shlyerjes së borxhit në Programin Afatmesëm Buxhetor Vendor 2021 – 2023.

Porta Vendore ka siguruar letrën dërguar kryetarëve të 61 bashkive në Shqipëri, në të cilën ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj i kërkon pushtetit vendor të miratojë sa më parë planin e të ardhurave dhe shpenzimeve për dy vitet e ardhshme, ndërsa u kujton të kenë parasysh gjendjen e buxhetit të prekur nga pandemia.

 “Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore në përgatitjen e tavaneve të buxhetit afatmesëm duhet të mbajnë në konsideratë situatën e vështirë financiare të krijuar nga COVID-19 në planifikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve”, theksohet në letrën e Financave.

Qeveria transferon fonde në formën e transfertës së pakushtëzuar për pushtetin vendor, ndërsa i rekomandon atyre që të shohin shpenzimet e domosdoshme. Në këtë mënyrë do të kenë mundësi që të gjenerojnë fondet për shlyerjen e borxheve. “Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore duhet të përfshijnë në Programin Buxhetor Afatmesëm 2021– 2023 planin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura”, theksohet në letrën e ministres.

Stoku i detyrimeve të prapambetura të bashkive për 3 mujorin e parë të këtij viti arriti në 80 milionë dollarë, ndërsa programi i shlyerjes së tyre u bllokua, për shkak të pandemisë së COVID– 19.

Analiza e borxheve, cilat bashki mund t’i shlyejnë e cilat jo

Tendenca e rritjes së borxheve të bashkive, për shkak të krijimit të detyrimeve të reja nisi që në vitin 2019. Të dhënat e portalit www.financavevendore.al, publikuar nga Coplan dhe Ministria e Financave tregojnë se në këtë periudhën stoku i detyrimeve arriti në 8.2 miliardë lekë, me rritje 1.4 miliardë lekë kundrejt vitit 2018.

Zgjerimi i detyrimeve të prapambetura rezulton të ketë ndodhur në 66% të bashkive (ose 40/61 bashki) dhe veçanërisht në bashkitë: Kavajë, Kukës, Berat, Roskovec, Kamzë etj. Në të kundërt, rreth 34.4% e bashkive (ose rreth 21 bashki) rezultojnë të kenë kontribuar në kahun ulës të stokut të detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2019 krahasuar me nivelin e tij në fund të vitit 2018. Rënie e qenësishme e detyrimeve të prapambetura vihet re në bashkitë Tiranë, Vlorë dhe Durrës.

Në nivel bashkie, rreth 55.4% e stokut të detyrimeve të prapambetura mbartet nga 8 bashki. Niveli më i lartë i stokut të detyrimeve të prapambetura u regjistrua në Bashkinë Tiranë me rreth 1.7 miliardë lekë, ose 21.5% ndaj stokut total në fund të vitit 2019. Krahasuar me një vit më parë, stoku i detyrimeve të prapambetura i Bashkisë Tiranë, rezulton të jetë tkurrur me rreth 12.0% në fund të vitit 2019. Bashkia Kavajë renditet e dyta për nga niveli i detyrimeve të prapambetura, me rreth 766.2 milionë lekë, ose rreth 9.4% ndaj totalit.

Gjatë vitit 2019, Bashkia Kavajë regjistron zgjerim të stokut të detyrimeve të prapambetura me rreth 377.3 milionë lekë ose rritje vjetore me rreth 97%. Gjithashtu, në rritje rezulton edhe stoku i detyrimeve të prapambetura në Bashkitë Kamëz, Kukës, Roskovec etj.

Por përballë kërkesës së qeverisë që të shlyejnë borxhet, a kanë mundësi bashkitë për ta bërë këtë? Fran Brahimi, drejtor i përgjithshëm i Buxhetimit dhe Financave të pushtetit vendor në Ministrinë e Financave shpjegon për Porta Vendore se kapacitetet ekzistojnë, por kjo do të prekë investimet që bashkitë duhet të bëjnë.

“Ne i kemi porositur bashkitë nëpërmjet udhëzimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2021-2023 që në radhë të parë duhet të parashikojnë detyrimet e prapambetura. Bashkitë në fund të 2019 kanë sjellë në Ministrinë e Financave planin 3 vjeçar të shlyerjes për tre vjet. Ne përgjithësi, bashkitë i kanë kapacitetet për t’i paguar këto detyrime. Por sigurisht, këto do të  ndikojnë në planet e tyre për investime apo shërbime publike, pasi me këto para do të paguajnë të tretët në vend që të bëheshin investime”, shpjegon Brahimi. Ai rendit bashkitë që mund t’i shlyejnë detyrimet dhe të tjerat që do ta kenë më vështirë.

“Tirana ka pjesën kryesore të detyrimeve, pra 23% të stokut. Por Tirana i ka kapacitetet t’i shlyejë. Disa bashki, si Kavaja kanë një vlerë të madhe. Pra, pas Tiranës dhe kjo duhet patjetër ta ketë kujdes këtë gjë. Bashkia Pogradec ka shifër të konsiderueshme në raport me buxhetin, bashkitë Dibër, Kamzë, Lezhë dhe Kukës kanë shifra të konsiderueshme të borxheve. Megjithatë, të gjitha bashkitë i kanë kapacitetet dhe duhet t’i shlyejnë vetë”, shprehet Fran Brahimi.

Të dhënat e portalit www.financavevendore.al , publikuar dhe përllogaritur nga Coplan tregojnë se një pjesë e bashkive (dy grafikët më poshtë) kanë një stok të lartë detyrimesh të papaguara kundrejt buxheteve të tyre. Kjo e përllogaritur si kundrejt të ardhurave nga burimet e veta vendore, ashtu edhe kundrejt burimeve financiare të disponueshme (përjashtuar transfertat e kushtëzuara). Bashki të tilla janë ajo e Beratit, që detyrimet në fund të 2019 arritën vlerën e 148.8 milionë lekëve, një shumë që është ekuivalent me 18% të totalit të të ardhurave të disponueshme të bashkisë ose sa 50.9% e totalit të të ardhurave të veta (të ardhurat e vetë bashkive janë vetëm një komponent i të ardhurave të disponueshme të saj). Bashkia e Pogradecit ka krijuar 404.5 milionë lekë detyrime, shumë kjo ekuivalent me 49% të totalit të të ardhurave të disponueshme ose sa 147.3% e të ardhurave të vetë bashkisë. Bashkia Rrogozhinë ka krijuar 188.8 milionë lekë detyrime ose sa 61% e totalit të të ardhurave të disponueshme, ekuivalent me 204.8% të totalit të të ardhurave të veta. Ndërsa detyrimet e Bashkisë së Tiranës vlerësohen në fund të 2019 në 1.7 miliardë lekë, ekuivalent me 10% të totalit të të ardhurave të disponueshme ose sa 12.7% e totalit të të ardhurave të veta. Ky është rasti kur një bashki i ka mundësitë që ta shlyejë borxhin, ndryshe nga bashkitë e përmendura më sipër, të cilat kanë kapacitete të kufizuara për ti zëruar këto detyrime.

Shumë pesimist për zerimin e borxheve nga ana e pushtetit vendor është Agron Haxhimali, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive. Ai argumenton për Porta Vendore se pushteti vendor nuk është një pushtet i shëndetshëm financiarisht dhe kjo duket tek varësia që ka nga qeveria, edhe 5 vite pas reformës territoriale. “Të ardhurat e veta nga taksat dhe tarifat, edhe pse me një rritje nga 2015 në 2019, sërish niveli i tyre nuk premton për të bërë shpenzime shërbimi dhe investime, dhe jo më për të likuiduar borxhin. Kjo është akoma më e rëndë nëse i referohemi të dhënave të Ministrisë së Financave për 5 mujorin e parë 2020 për realizimin e të ardhurave, ku ka një rënie të dukshme krahasuar me një vit më parë. Edhe pse kjo është justifikuar me situatën COVID 19, sërish bashkitë do të vazhdojnë të vuajnë nga ankthi i borxhit, por jo vetëm”, tha Haxhimali duke shtuar se: “Bashkitë me barrën më të madhe të borxheve janë: Tirana, që përfaqëson 21.5% të totalit të borxhit në nivel vendor, e pasur nga Kavaja, Kamza, Pogradeci, Lezha, Vlora, Durrësi dhe Dibra, janë bashki që grupohet tek fasha e bashkive të mëdha dhe mesatare referuar popullsisë. Por referuar potencialit zhvillimor ekonomik dhe financiar, këto bashki, përveç Tiranës, nuk janë bindëse për  kapacitetet e tyre likuiduese, pasi edhe tendenca që shohim sot mbi fuqinë paguese të taksapaguesve familjarë dhe bizneseve është shumë e ulët, investime strategjike lokale dhe rajonale nuk shihen në sfond, tërmeti dhe COVID 19 ka goditur rëndë ekonominë, qoftë kombëtare dhe lokale. Ndaj këtyre bashkive iu duhet shumë punë dhe një plan i mirë fiskal dhe buxhetor për të hequr borxhin gradualisht”, vlerëson Haxhimali.

Merita Toska, eksperte për çështjet buxhetore vendore shpjegon për Porta Vendore se detyrimet duhet të shlyhen nga të gjitha bashkitë, pavarësisht nëse i kanë kapacitetet apo jo. Sipas saj, duhet një menaxhim më i mirë i financave për të ulur gradualisht stokun e detyrimeve.

Përtej krizës së COVID 19, e cila patjetër do të ndikojë dhe do të tkurrë të ardhurat për bashkitë, këto detyrime do të duhet të paguhen, sipas planit që bashkitë vetë kanë hartuar dhe dorëzuar në Ministrinë e Financave në çdo raund buxhetimi. Për sa kohë i kanë akumuluar, duhet t’i shlyejnë. Menaxhimi financiar publik në nivel vendor ka qenë relativisht i dobët, pasi ka lejuar që kjo gjë të ndodhë me veprimet dhe mosveprimet e saj dhe të mbartet ndër vite”, shprehet Toska.

Në raport ndaj Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB), detyrimet e prapambetura përfaqësojnë rreth 0.48%. E përkthyer në shifra, kjo do të thotë se çdo qytetar duhet të paguajë 2.918 lekë që bashkitë të mos kenë borxhe. E këtë detyrim ata do të shlyejnë duke pasur më pak rrugë, hapësira të gjelbërta e shërbime.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail