Ngjarje/Personazhe

Gjoni, 73-vjeçari nga Shkodra që mposhti Covid 19

27 korrik 2020/ Françeska Ndoja/ Porta Vendore/ Shkodër

Ndërsa çdo ditë kemi shtim të rasteve të prekura me Covid 19, janë të paktë ata që kanë preferuar që gjatë këtyre 4 muajve të rrëfejnë eksperiencën e tyre në përballje me këtë virus vdekjeprurës, ndërsa mund të numërohen lehtësisht me gishtat e njërës dorë.

Pavarësisht masave të marra nga qeveria Rama, ku për më shumë se 2 muaj e gjysmë e gjithë Shqipëria u karantinua, duke shkaktuar një humbje kolosale ekonomike, dëmet e së cilës kanë filluar të ndjehen, Covid 19 duket se ka shtrirë tentakulat e tij kudo nëpër qytete, duke pasur një shtim të rasteve të prekura me këtë virus, ku Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani janë vatrat më të nxehta, por ky virus ka filluar të prekë tanimë pa dallim moshe, edhe fëmijë e të rinj.

Gjon Prendi është 73 vjeç, dhe është një nga rastet e shëruar me Covid 19. Ai rrëfen për Portën Vendore se si e menaxhoi situatën e sëmundjes dhe si ishin kushtet në Spitalin Infektiv.

Unë, ku e kam marrë ekzaktësisht nuk mund të tregoj për arsye sepse kam dyshime, por nuk mund të them që këtu është bërë dhe si është bërë. Duke qëndruar me djemtë, më thanë ‘babë të janë skuqur sytë’ dhe shkova të shihem në pasqyrë, e ashtu ishte. Ndjeva pak lodhje, vendosa termometrin dhe e kisha temperaturën 37.3. Eh thashë, e zakonshmja, por nuk i vura shumë rëndësi. Atë natë nuk isha i qetë, vendosa përsëri termometrin, temperatura ishte 37 e gjysmë.

Më thonë fëmijët, do shkojmë në spital të bëjmë tamponin dhe ashtu bëmë, shkuam në spital. Mjekët më thanë që do të vijmë ta bëjmë në shtëpi, në të vërtetë atë natë nuk erdhën dhe kanë ardhur të nesërmen. Kanë bërë tamponin, më kanë thënë ‘Gjon je pozitiv prandaj duhet të nisesh për Tiranë’. Faktikisht nuk e ndjeja veten aq keq dhe në një farë mënyre kundërshtova sepse nuk kam ndonjë gjë kushedi se çfarë. Më thanë djemtë që duhet të nisesha direkt në Tiranë dhe ashtu bëra, erdhi ambulanca dhe ika”, rrëfen Gjoni, ndërsa tregon se gjatë atyre ditëve nuk e ndjente veten të rënduar nga gjendja shëndetësore.

Më tej, ai tregon se cilat ishin simptomat që u manifestuan tek ai fillimisht.

Temperatura shfaqet tek të gjithë jo vetëm tek unë dhe të pyesin nëse ke pasur temperaturë. Ke temperaturë ndërlikohet çështja, por nuk do të thotë që gjithmonë nëse ke temperaturë do jesh me koronavirus, për arsye që mund të kesh një ftohje apo një grip, por në këto momente duhet të shkojë mendja se është koronavirus”, thotë ai i frikësuar.

Ai tregon se në ato momente njeriu ndjen një lloj frike, pasi tregon se gjithashtu ai vuan dhe nga diabeti. Ndërsa kujton se vetëm disa ditë më parë ishte mbartës i këtij virusi, por fati i tij i mirë ishte se përveç temperaturës nuk kishte asnjë prej simptomave të tjera shoqëruese.

“Aty më kanë bërë shtrimin dhe kanë filluar kurën. Unë vuaj me diabet, unë e kam mbajtur konstant diabetin gjatë kohës që kam qenë në Shkodër sepse isha i kujdesshëm, por kur shkova në Tiranë dhe nisi kura më lëvizi diabeti. Kaq shumë më lëvizi, saqë nga 140 më shkoi mbi 450, kjo punë erdhi për shkak të antibiotikëve dhe serumeve. Por të ngrihet 400, 500 ndërlikohet shëndeti si ato që kanë sëmundje të tjera, sepse të shkojë diabeti 400 apo 500 mund të vdesësh në gjumë. Kështu qe fati im i madh që unë pata vetëm temperaturë, nuk kam pasur as kollë, as marrje fryme, asnjë defekt tjetër anësor që unë ta kuptoja se isha i prekur me Covid, përveç temperaturës sepse kishte gjuajtur tek polmonet dhe kishte lënë gjurmë. Këtë ma nxori skaneri dhe këtë luftë fillova ta luftoja me antibiotikë që ishin shumë të fortë. Diçka tjetër ishte se më humbi shija, nuk dalloja asgjë a është mish apo peshk, vetëm haja. Dhe kam qëndruar atje në spital 7 ditë. Mjekja e cila më kontrollonte, e kuptoi se gjendja ime shëndetësore ishte e mirë. Më thoshte hiqe oksigjenin, çohu shko në banjo, shkoja në banjo nuk mu merrte fryma dhe asgjë. Bravo Gjon më thoshte, je shumë mirë. Kam qëndruar një javë në Tiranë dhe më kanë thënë Gjon duhet të dalësh. Ka ardhur ambulanca nga Shkodra dhe më ka marrë e më ka sjellë në shtëpi dhe kam vazhduar kurën normalisht. Jam lodhur shumë, pasi më rritej diabeti vazhdimisht, e mbarova kurën dhe u ktheva në jetë. Sot ndjehem shumë mirë”, shpjegon ai, pa harruar asnjë veprim të vetëm, nga gjitha ajo që ka përjetuar.

Ai gjithashtu ndan me ne, eksperiencën e atyre ditëve shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, ditë të cilat janë pllakosur thellë në kujtesën e tij, e të cilat do të duhet kohë që të “shkulen” si imazhe.

Atje është një spital i veçantë, sepse dhimbjet , ulërimat nuk janë të zakonshme, por kanë të veçantën e tyre. Janë britma të veçanta, britma tmerri, nuk mund ta shpjegoj me fjalë sesi ndodhet i sëmuri në atë vend. Aty është një vdekje klinike dhe i lutem çdokujt të ketë kujdes me këtë punë, sidomos që janë të sëmurë dhe u mungon imuniteti. Ai që ka imunitet mund ta përballojë, nuk ka rëndësi mosha. Bile dëgjova në lajme për vaksinën që të shton imunitetin tek personi, që virusi mos të ketë mundësi të hyjë brenda. Kështu që, ne nuk na është dukur asgjë, ka akoma persona që nuk e besojnë që thonë është rrenë, por kjo qenka një e vërtetë e madhe të cilën e kam jetuar unë”, rrëfen thuajse i përlotur Gjoni, ndërsa vijon kritik për kushtet spitalore, duke i quajtur mjekët heronj.

“Nuk është spital sepse i mungojnë të gjitha kushtet, ai nuk ka asnjë kusht. Të qëndrosh në temperaturë 37 gradë pa kondicioner, i mbyllur brenda dhe të qëndrojë personeli i maskuar me veshjet dhe maska, ato janë heronj që edhe po ta lësh në karrige pas 8 orësh, ai del i shkatërruar. Nuk ka pasur raste kur infermierja në momentin që e thërrisje të mos vinte. Ato janë heroina. Ushqimi ishte i mirë, për sa i përket të sëmurëve të asaj natyre. Të gjitha kanë qenë të mira, kosi, qumështi, pilafi, mishi. Unë për ushqimin nuk kam asnjë ankesë, por për sa i përket spitalit, lë shumë për të dëshiruar. Ndërsa për personelin, unë kam kujtimet më të mira për atë personel”, tregon Gjoni, i cili tanimë i gëzohet faktit që ka dalë nga spitali e po i gëzohet shërimit nga kjo sëmundje vdekjeprurëse.

Gjoni ka qëndruar për rreth 7 ditë i shtruar në Spitalin Infektiv, ndërsa i ishte nënshtruar terapisë intensive. Por ndërsa vetë po rikuperohej nga dita në ditë, ai tregon me trishtim se shoku i tij i dhomës humbi jetën.

“Erdhi në dhomë dhe qanim hallet me njëri-tjetrin, nuk ishim keq, ishim mirë. Të nesërmen ai kishte dializën, sepse vuante. E vonuan nja një orë, u mërzit pastaj erdhën e morën dhe bëri dializën. Më tha që ishte i lodhur. Atë natë më lëvizën mua dhe më dërguan në një dhomë tjetër, vjen më pas infermierja dhe më tha që shoku jot vdiq. E lashë në orën 1 pas mesdite dhe në mëngjes thanë ka vdekur. Atje nuk e dije as ku len as ku perëndon, as ku mbillesh as ku korresh. Atje veçse vdiq dhe kaq”, ndan ai këtë histori të dhimbshme, ndërsa jep një mesazh për të gjithë skeptikët të cilët e konsiderojnë Covid 19, një gënjeshtër të madhe për ndryshim të rendit shoqëror.

Akoma mendojnë që virusi nuk ekziston, si nuk ekziston kur e gjithë bota është e infektuar. Vinë dhe më pyesin, unë e kam kaluar vetë këtë punë prandaj u flas, i bindi, por ka shumë prej atyre që duke u bërë trima pa dashur thonë nuk ekziston. Kështu që duhet të ruhen. Tani thonë që vjen nga ajri dhe nuk po merret vesh, nga vjen e nga nuk vjen. Por këshillat që janë duhen zbatuar”, tha ai për Portën Vendore.

Ndërsa në datën 14 qershor nga komiteti i ekspertëve u mor vendimi se maska është e detyrueshme në çdo ambient të mbyllur, një kusht i domosdoshëm për tu mbajtur e respektuar nga të gjithë qytetarët, për parandalimin e përhapjes së Covid 19.

Por sipas Gjonit personat që kanë kaluar Covid 19 dhe kanë dalë gjallë nga kjo betejë me këtë virus të padukshëm, kanë një lloj stigme, e cila në fakt nuk duhet të kultivohet, për aq kohë sa tamponi tregon se je shëruar, e për aq kohë sa pas spitalit individi kalon edhe një tjetër karantinë 14 ditore, për të qenë i sigurt për veten e familjen e tij.

“Karantina është 14 ditë që dmth se nëse mikrobi vjen tani dhe vdes pas 14 ditëve, se po të ishte ndryshe puna, karantinën do ta bënin një muaj. Nëse je pozitiv dhe je në karantinë, ai mikrob pas 14 ditëve vdes. Po të marrim rastin tim, jam kuruar dhe kam shkuar me tampon plus, por tani jam minus, dmth sikur duhet të pranojmë plusin ashtu edhe minusin. Duhet të pranojmë që je shëruar, por ne nuk pranojmë këtë dhe themi që ti je i sëmurë akoma. Nuk duhet të hash në lokal, s’duhet të flasësh me njeri, as të afrohesh… Unë rri me mbesat dhe njerëzit e mi çdo ditë dhe më afër se ato s’kam askënd. Unë jam me tampon negativ, pasi jam kontrolluar pasi dola nga spitali dhe pas spitalit kam qëndruar 14 ditë në karantinë, pastaj kam dalë. Ky është mentaliteti dhe ky popull kështu është i ndërtuar”, përfundon Gjoni, një prej të shëruarve me Covid 19 në vendin tonë. Ndërsa deri më tani sipas burimeve të Ministrisë së Shëndetësisë janë në total 4763 raste pozitive me koronavirus, 2682 raste të shëruar nga ky virus,1943 raste aktive dhe 138 humbje jete, ndërsa janë kryer në total 38 683 testime.