23 korrik 2020/ Arben Vata/ Porta Vendore/ Tiranë
E konsideruar si një nga mjetet kryesore të transportit të gjelbër, biçikleta gjeti këto kohë një përdorim të jashtëzakonshëm te kryeqytetasit, jo për shkak të ndërgjegjësimit ekologjik, as kostove të ulëta por për shkak të izolimit, ku shumë prej tyre u detyruan ta përdorin për të vajtur në punë.
Kujdesi dhe vëmendja ndaj biçikletës në kryeqytet kohët e fundit ka njohur një rritje duke shtuar numrin e korsive për to dhe rritjen e fushatave sensibilizuese për rolin e përdorimit të saj. Fatkeqësisht numri i vdekjeve, aksidenteve me pasoja të rënda dhe aksidenteve me pasoja të lehta nga përdorimi i biçikletës ka qenë prezent në historikun e zhvillimit të kulturës së çiklizmit në shoqërinë tonë.
Rrahim Meçka, dashuruesi i dyrrotakëve, një çiklist i pasionuar rrëfen për Portën Vendore, më shumë për tregun e shitjeve të biçikletave këto kohë. Ai ka mbi 25 vite që merret me biçikleta, ndërsa ka edhe një faqe online që i tregton ato. Ndërsa pothuajse çdo fundjavë organizon shëtitje me rrethin e ngushtë shoqëror e të huaj nëpër periferitë e Tiranës e më gjerë. Sipas tij, biçikleta përveçse një aktivitet fizik, është dhe mjeti më i mirë për të shijuar natyrën. Me biçikletë mund të ndalosh pothuajse kudo në natyrë, ndërsa lëvizja me automjet nuk ta plotëson dot. Rrahimi është krijues i një grupi të hapur në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram” ku u jep akses shitësve dhe blerësve të biçikletave të kontaktojnë me njëri-tjetrin dhe për këto kohë ka monitoruar shitjet në treg. Ai shprehet se numri i shitjeve të biçikletave në kohën e karantinës është rritur ekstremisht shumë, duke njohur tregtarë që kanë shitur tetë biçikleta elektrike në një ditë dhe dyqind të tjera të llojit “City Bike” që janë më të përdorshme për qytet dhe kanë kosto më të ulët duke variuar nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë të vjetra. Po ashtu, është njohur dhe ka qenë prezent dhe fenomeni i abuzimit nga disa tregtarë, të cilët duke njohur kushtet dhe pozitat e tyre “monopoliste” rritën çmimet sepse e dinin që do kishin shitje. Një fenomen tjetër interesant është ai i riparimit nga baballarët të biçikletave të vjetra të fëmijëve të tyre që tashmë janë rritur a kanë emigruar .
“Unë mora biçikletën “BMX” të djalit dhe e riparova tek lagjja. E përdorja për të vajtur në punë nga Zogu i Zi tek Kthesa e Kamzës. Nuk e dija që mund të më kryente kaq shumë punë. Tani as e ndërroj më edhe pse djali vazhdon të qeshi kur më shikon me të,- shprehet qytetari Lulzim Vejko. Dogana vazhdon të jetë akoma një vend i rënduar nga trafiku por kjo vlen për drejtuesit e automjeteve jo për ne, përdoruesit e biçikletave”, përfundon ai.
Po ashtu është rritur numri i përdorimit të biçikletave elektrike, por kjo vazhdon të ketë përdorim të gjerë më shumë nga shtresa në gjendje më të mirë ekonomike, duke marrë parasysh faktin që ky lloj janë më të kushtueshme dhe variojnë nga 600 deri në 2500 euro.
Natyrisht që të gjendur të izoluar me pjesën tjetër të Ballkanit dhe Europës lind pyetja se nga merreshin gjithë këto furnizime për të përmbushur kërkesat e tregut. Sipas Rrahimit, shumica e tregtarëve shitën ato biçikleta që kishin në stok dhe pjesën tjetër e kanë marrë kryesisht në Kosovë, vend ky që furnizohet shumë me mallra nga Gjermania, Zvicra dhe Italia.
Këto kohë është rritur ndjeshëm dhe numri i vjazave dhe grave që përdorin biçikletën si mjet të transportit publik përpos pjesës argëtuese dhe fizike, sidomos në zonat periferike të kryeqytetit ku transporti publik është i limituar në shpeshtinë e lëvizjes.
“E kam më të lehtë të ec me biçikletë një orë sesa të pres tridhjetë minuta në trafik”, shprehet A.L, përdoruese e rregullt e biçikletës. Përveçse shmangien e trafikut përdorimi i biçikletës parandalon dhe ndotjen pamore në qytet. Hapësira që zë për t’u parkuar një makinë është e barabartë me atë të njëzetë biçikletave”, argumenton ajo.
Çiklistët së bashku me ambientalistët, në fund të fundit shpresojnë që kjo pandemi do ketë dhe një pikë pozitive përpos të gjithave: Do të lërë pas një kontingjent që tanimë i mësuar padashje me përdorimin e biçikletës nuk do të përdorë më transportin publik, por do të kthehet në një përdorues besnik të saj.