Ngjarje/Personazhe

Familjet e Selitës ende pa një zgjidhje të qëndrueshme për strehimin

21 korrik 2020/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë

Prej 4 vitesh 137 familje të komunitetit rom e jo vetëm, enden rrugëve të Tiranës në kërkim të një banese me qira, kjo pasi ata humbën shtëpitë e tyre në zonën e Selitës, ku iu hap rrugë projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës. Ndërsa përpjekjet aktivistëve për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së banorëve të Selitës, të cilët janë prekur nga ndërtimi i Unazës së Madhe, segmenti ‘Komuna e Parisit – Pallati me Shigjeta’ nuk kanë munguar, sërish nuk ka ende një zgjidhje përfundimtare për fatet e tyre.

Një pjesë e konsiderueshme e banesave të prekura nga projekti ishin në proces legalizimi, por megjithëse banorët e Selitës protestuan për dy vite rresht sërish nuk e evituan dot shembjen e shtëpive të tyre.

Familjeve të minoritetit rom iu shembën banesat në shkurt të vitit 2016, ndërsa familjeve të maxhorancës disa muaj më vonë. Por të gjithë mbetën në qiell të hapur, ndërsa investimi i një jete shkoi dëm. Sipas banorëve, inspektorët e IKMT-së nuk i lanë kohë të mjaftueshme as për të nxjerrë nga banesat orenditë shtëpiake. Ndërsa kërkesa e tyre për shpronësim të banesave me çmim tregu nuk u përkrah nga Bashkia e Tiranës dhe qeveria, por ata janë prej 4 vitesh tanimë përfitues të bonusit të qirasë, pa pasur asnjë dritë jeshile mbi një strehim të qëndrueshëm. Këto 137 familje të prekura janë trajtuar gjatë të gjithë kohës me bonus qiraje.

Porta Vendore takoi 3 kryefamiljarë, të cilët mes vështirësive dhe proceseve gjyqësore të stërzgjatura, nuk kanë mundur ende të gjejnë një zgjidhje definitive për hallin që i ka zënë. Ndërsa ka nisur rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti në Vaqarr të Tiranë, tek këto familje të cilat aktualisht trajtohen me bonus, janë ndezur shpresat se mbase me pak vullnet të mirë, qeveria shqiptare do të mendojë diçka edhe për ta, që të kenë pas kaq shumë sorollatjesh një strehim të qëndrueshëm, qoftë kjo edhe kundrejt një pagesë mujore, në trajtën e një kredie të butë, mjaft që ata të kenë një shtëpi të tyren ku të fusin kokën, e një pasuri sado të vogël që të mund ta trashëgojnë fëmijët e tyre.

Ylli Ymeri, pas shumë kohësh si i papunë, ka nisur punë vetëm pak muaj më parë në një nga strukturat e kujdesit social në Tiranë, si mirëmbajtës. Ai i gëzohet kësaj pune, megjithëse merr pagë minimale, por e gjitha kjo duket se mjafton që të mbajë disi mendjen larg nga drama që e gërryen dita-ditës për prishjen e shtëpisë së tij në vitin 2016.

Ai tregon se ideja për Unazën e Madhe të Tiranës nuk është dëgjuar për herë të parë në vitin 2016, atëherë kur fadromat e IKMT-së mësynë drejt banesave për t’i hedhur në tokë, por së pari kjo ide është artikuluar që para viteve ‘90.

“Në vitin 1979 është hedhur ideja për unazën e madhe të Tiranës. Në vitet 80-82, policia merrte banorët që ishin tek bregu i lumit dhe i sillte tek pallatet parafabrikate, që u ndërtuan në këtë zonë. Sinjalin e parë për unazën e kemi pas që atë vit. Në ’92-shin erdhi një komision që regjistroi gjithçka që ishte në atë zonë. Më vonë kur ministër i Transportit ishte i ndjeri Olldashi, ai ka sjellë një grup pune që ka vlerësuar vetëm investimet që kishte bërë çdo banor, pra vetëm koston e ndërtimit. Verbalisht, marrëveshja e fundit ishte në kohën e Olldashit, që gjoja do të na i jepnin kostot e ndërtimit të shtëpisë dhe që atëherë nuk u diskutua më”, rrëfen ai për Portën Vendore, ndërsa vijon se shtëpia e tij ishte e ndërtuar që në kohën e partisë së punës, dhe që shumica e banorëve të kësaj zone janë vendalinj.

Ish shtëpia e Yllit gjatë raportit të rivlerësimit.

Sipas banorëve, nuk ka pasur asnjë konsultim publik para nisjes së shembjeve mes banorëve dhe institucioneve, qofshin këto të pushtetit vendor ose qendror, ndërsa ata sqarojnë se IKMT nuk i ka lënë kohë as për të marrë orenditë shtëpiake.

“ Nga ARRSH na kishin premtuar që nuk do t’ju kapë projekti juve, por në fakt rezultoi e kundërta. Gjithë jetën ne kemi qenë me stresin kur do ndërtohet unaza, kështu kemi jetuar gjithë stres. Ne jemi shumë dakord për zhvillimin dhe në fakt rruga ka dhënë rezultate, por jo ama të bësh një vepër publike në kurriz të banorëve. Ishim banorë të rregullt, tani kemi kaluar në endacakë”, tregon me ironi e mllef ndaj institucioneve Ylli.

Ylli Ymeri duke folur për Portën Vendore. Foto: E. Gjerani

E në fakt kjo është ajo që i dhëmb më shumë, pasi si shumë banorë të tjerë, edhe Ylli mendon se dora e shtetit duke i marrë gjithçka e duke mos i dhënë asgjë, ka nëpërkëmbur dinjitetin e tij si njeri, ndërsa mendon se qiraja është një zgjidhje e përkohshme.

Me Bashkinë Tiranë, Mehdiu dhe 11 familje të tjera janë në proces gjyqësor, ndërsa po asistohen nga Klinika e Ligjit, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Leviz Albania.

“I kemi bërë rivlerësim, kemi bërë hartën e zonës dhe jemi në gjyq. Ligjërisht ty të takon më kanë thënë në gjykatë, por nuk mund të shkelim ligjin sepse s’ke aplikuar brenda 45 ditëve nga vendimi për prishje i bashkisë. Unë jam në Gjykatën e Apelit, po bëj 3 vite dhe s’më ka dalë akoma çështja. Nuk di ça do bëhet, por jam i vendosur për ta ndjekur”, rrëfen ai gjysmë i përlotur.

Edhe Mehdi Haskasa është prekur nga Unaza e Madhe. Së bashku me Yllin, me të cilin ka qenë komshi, ata e kanë vuajtur shumë këtë çështje, e cila nuk po merr dot zgjidhje prej 4 vitesh tanimë. Ai rrëfen se ka ardhur nga Preza rreth viteve ‘60 në këtë zonë ku edhe ndërtuan shtëpitë karakteristike tiranase, e ku ishin disa familje nga fisi Haskasa.

“E gjithë ngjarja ndodhi kur u bë përmbytja e Tiranës. Pas kësaj, Salillari erdhi dhe i prishi të gjitha. I binte atij barra kryesore, sepse s’kishte bërë kanalizimet. Kanë ardhur atë ditë që u bënë prishjet e pallateve të gjitha forcat e policisë, rreth 400 forca policore dhe na kanë bërë terror”, tregon ai teksa kujton shumë mirë çdo detaj të asaj dite kur banesa e tij u shemb. Gjithsesi ndryshe nga komshiu i tij Ylli, ai mundi që t’i merrte orenditë dhe në kohë rekord të merrte një ekip privat vlerësimi për shtëpinë, dokumente të cilat do t’i duheshin për ta çuar çështjen në gjykatë.

“I jemi lutur vlerësuesit me lot në sy që të mund të na e ulte pazarin dhe kemi paguar rreth 800 mijë lekë që na bëri dokumentet”, tregon Mehdiu për Portën Vendore.

Pas shembjes së banesës, aktivistët e qendrës Treja e ndihmuan atë dhe shumë familje të tjera të zonës, të mbetura nën qiell të hapur, për të marrë bonusin e qirasë.

“Sa herë që jepet qiraja, ne duhet të bëjmë dokumente nga e para. Ka pas edhe raste vonesash ose që s’e kemi marrë fare bonusin”, tregon i zhgënjyer për situatën në të cilën ndodhet ai.

Ai përfshihet tek ata banorë, që e kanë çuar çështjen e tyre në gjykatë, ndërsa gjykata e shkallës së parë, ka artikuluar në vendimin e saj që ka tejkalim afatesh. Tanimë çështja është në Gjykatën e Lartë.

“Do t’i ndjek të gjithë shkallët e drejtësisë, deri në Strasburg do ta çoj”, thotë i prerë Mehdiu, i cili shton – Ça të bëj, të rri pa shtëpi?”,.

Ai akuzon se gjatë këtij procesi janë bërë një sërë abuzimesh, pasi shtëpitë si e tij që kanë qenë me qerpiç, nuk janë shpronësuar, ndërsa të tjerat, të cilat janë bërë pas viteve 90’ dhe që kanë qenë pjesë e ish komunës Farkë i kanë bërë letrat.

“Ne jemi me të drejtën e zotit, ndaj nuk kam pse të paguaj 10-20 mijë euro për të nxjerrë letrat, sepse mua nuk më leverdis fare ashtu. Të ndaj lekë me ta, unë nuk blej kurrë shtëpi”, thotë me të drejtë ai.

Por kur vjen puna te sakrificat e shumta, që i janë dashur brez pas brezi për ndërtimin e rikonstruksionin e asaj banese, që prej gjyshit të tij, tek babai e tek vetja, ai përlotet për të vetmen arsye, që s’do të mund t’i lërë diçka pas fëmijëve të tij.

I pavlerë fare ndjehesh. Nuk i hyn në punë asnjërit, as djalit, as vajzës. Fëmijët i kam të rritur, por ama fëmijëve nuk po i lë asgjë. Ku të shkoj unë?”, përfundon i përlotur Mehdiu.

Por në të gjithë këtë situatë, ato që duket se janë prekur edhe më shumë janë familjet e komunitetit rom dhe egjiptian. Fatmira Jashari është njëra prej familjareve, e cila sot vuan ende pasojat e prishjes së banesës, ndërtuar me aq shumë mund në mbi 20 vite të jetës së saj.

“Ne romët jemi të vuajtur, ne vetëpunësohemi, ne vetë e nxjerrim bukën e përditshme. Ne jemi të varfër e me probleme strehimi. Shtëpinë e kam ndërtuar vetë duke punuar natë e ditë. 3 vite kam qenë emigrante në Greqi, lypja atje. Bëra një banesë me dërrasa fillimisht, dhe më pas e bëra shtëpinë. Më janë dashur më shumë se 20 vite për ta ndërtuar. Tani jetojmë në një garzoniere  me qira ku aty rrimë tre kurora në një dhomë”, tregon ajo për Portën Vendore.

Fatmira Jashari duke folur për Portën Vendore. Foto: E. Gjerani

Me tregti është marrë që në moshën 13-vjeçare dhe megjithëse sot është 55 vjeçe ajo vijon të shesë rroba të përdorura pranë pallatit me shigjeta.

Bashkia s’na tha asgjë, na i prishi direkt me rroba brenda. Unë e kam pasur shtëpinë në proces legalizimi. Kam shkuar tek bashkia, por më kanë diskriminuar sa më panë që isha rome. Ne nuk jemi kafshë, jemi romë, por që i dimë të gjitha. Kur erdhën ata, ne nuk kishim kundërshtim që ata do të prishnin shtëpitë tona që të bëhej unaza. Dakord ishim le ta bënin, por pyetja qëndron, ne nuk jemi njerëz? Nuk na ka krijuar zoti ne që të bëjmë jetën tonë, siç e bëjnë këta qeveritarët që kanë nga 100 shtëpi. Një çadër të paktën të na jepnin. E kam bërë me djersën time, nuk leja punë pa bërë. Mezi i kam sajuar ato shtëpi”, tregon e mërzitur Fatmira.

Sipas saj, janë bërë dallavere të shumta, por siç tregon, nuk kishte mundësi që të paguante shifra aq të larta për të marrë dokumentet e shtëpisë.

“Edhe ato që s’kishin letra, me politikë i kanë prishur dhe i kanë marrë lekët një më një. Edhe mua më kërkuan 5 milionë që të bënin letrat e mia. Kanë bërë dallavere shumë, pse nuk na strehoi qeveria ne. Brenda javës ishte i gjithë muhabeti. Në kohën kur u prish shtëpia, fëmijët i çova azilantë në Gjermani që të mos shikonin skenat e prishjes dhe të vuanin. Por unë jam me depresion nga ajo ngjarje, më ka lënë pasoja të rënda”, rrëfen Fatmira për Portën Vendore.

Ajo aktualisht jeton me qira në një banesë të vogël, ku qëndrojnë 3 kurorë, ndërsa bonusi i qirasë prej 150 mijë lekësh të vjetra nuk i del më, pasi shtëpitë janë shtrenjtuar shumë pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Unë po jetoj aktualisht me qira, por e kemi të vështirë të gjejmë shtëpi, pasi na paragjykojnë që jemi romë. Bashkia na e paguan bonusin. Unë marr 150 mijë lekë të vjetra në muaj. Ai lek që marrim nuk na del. Unë jam e sëmurë, pasi vuaj nga alergjia dhe prapë dal këtu që të shes rroba të përdorura. Herë na i japin lekët, herë na e vonojnë bonusin, por e marrim. Kemi 5 vite kështu, që s’na japin një strehim. Unë dua një shtëpi stabël, pasi që kur jam lindur nga nëna ime e deri më sot, me barake kam qenë gjithë jetën e siç duket, me barake kam me vdek. Nuk di të shijoj jetën time, sikur një gram të vogël. Edhe fëmijët kështu do t’i lë. Më dhimbsen kalamajtë tani. Burri po fle jashtë me plastmase, unë po fle tek pragu derës, ndërsa kalamajtë flenë në dhomë. Veten time e torturoj, ndërsa kalamajtë nuk dua t’i torturoj. Këtu kam 4 vite që shes. Jemi në ankth të madh. Këta kanë politikën e Titos, nuk duan të dinë gjë, se je në hall ti, se je në stres ti”, përfundon shpresë pak për një zgjidhje Fatmira.

Fatjon Kaca aktivist i shoqërisë civile, i pyetur nga Porta Vendore për këtë çështje thotë se përpjekjet e aktivistëve ndër vite kanë qenë të shumta për zgjidhjen e kësaj situate, ndërsa tregon se gjëja e duhur do të ishte një zgjidhje e qëndrueshme për këto familje që tanimë enden sa këtej-andej nëpër Tiranë në kërkim të një banese me qira.

“Përpjekjet tona si aktivistë për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së banorëve të Selitës, të cilët janë prekur nga ndërtimi i Unazës së Madhe, segmenti ‘Komuna e Parisit – Pallati me Shigjeta’, janë vazhdimësi e angazhimit prej më shumë se gjashtë vitesh dhe kemi arritur t’i sigurojmë atyre pagesën e qirasë deri në një zgjidhje të qëndrueshme. Megjithatë familjet shpesh kanë hasur vështirësi dhe probleme të ndryshme. Mënyra se si funksionon skema, ka krijuar një precedent negativ dhe ata prej kohësh kërkojnë një zgjidhje më të qëndrueshme”, tha Fatjoni.

Prej 3 muajsh, për këto 137 familje rome dhe jo rome, të cilat u preken nga ndërtimi i unazës së madhe, aktivistët kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për t’iu kërkuar autoriteteve lokale dhe qendrore një zgjidhje të qëndrueshme për strehimin e tyre.

“Familjet, që prej vitit 2015 janë trajtuar me programin e subvencionit të qirasë sipas një VKM-je të miratuar nga qeveria. Kjo mbështetje financiare vlerësohet nga familjet, por nuk është zgjidhje e problemit. Shpesh atyre iu duhet të ndryshojnë shtëpinë më shumë se 1 herë brenda vitit sipas kërkesave të qiradhënësit. Si pasojë nuk mund të kenë një vend të sigurt pune dhe të qëndrueshëm, dhe nga ana tjetër përballen me vështirësinë për të ndryshuar çerdhen, kopshtin apo shkollën e fëmijëve në varësi të distancës nga banesa e marrë me qira. Gjithashtu, për familjet rome, bëhet edhe më e vështirë gjetja e një banese për shkak të diskriminimit dhe paragjykimeve nga qiradhënësit. Duke menduar se romët nuk do ta mirëmbajnë banesën e tyre, nuk e japin me qira”, thotë për Portën Vendore, Ola Tare drejtuese e Qendrës Treja.

Ndaj duke marrë parasysh të gjitha këto sfida, familjet kërkojnë të përfshihen në planin e rindërtimit të qeverisë dhe aktivistët kanë nisur punën për këtë çështje. Fillimisht i janë drejtuar me kërkesa individuale z. Arben Ahmetaj për të shprehur arsyet për domosdoshmërinë e sigurimit të një strehimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Në vazhdimësinë e përpjekjeve, familjet i kanë dërguar një tjetër shkresë Ministrit të Rindërtimit z. Arben Ahmetaj dhe z. Arbjan Mazniku për të kërkuar, jo vetëm përfshirjen e tyre në Planin e Rindërtimit, por edhe për të parashtruar dakordësinë e pagesës së kostos së ndërtimit me këste, sipas nivelit të të ardhurave.

“Përveç kësaj, për të nxitur reagimin e institucioneve, disa prej familjeve rome kanë protestuar nga ballkonet e shtëpive të tyre duke respektuar dhe rregullat për tu mbrojtur nga COVID-19”, rrëfen Tare, ndërsa shton se ende këto familje nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare, qoftë nga Ministria e Rindërtimit, qoftë nga Bashkia e Tiranës. “Për këtë arsye përpjekjet për të siguruar strehim të qëndrueshëm vazhdojnë nga ana e aktivistëve dhe familjeve”, sqaron ajo.

Ndërsa në kërkesën e familjeve, dërguar institucioneve qendrore dhe vendore për zgjidhjen e kësaj situate thuhet se: “Këto familje duhet të përfshihen dhe të përfitojnë nga Plani i Rindërtimit i cili do të zbatohet në zonat; Kombinat, 5 Maji dhe ish-Uzina Autotraktori. Familjet janë të gatshme të përfshihen në marrëdhënie kontraktuale, duke paguar koston e ndërtimit të banesës, përmes kësteve të përballueshme mujore, duke pasur në konsideratë vlerësimin e gjendjes social-ekonomike të tyre. Ky propozim është i frytshëm për të dyja palët, duke siguruar që investimi të kthehet në fondin publik dhe familjet sigurojnë strehim të qëndrueshëm”.

Shpenzimi me Bonus Qiraje është një barrë e vazhdueshme për buxhetin publik, ku sipas përllogaritjeve mesatarja e vlerës së qirasë mujore për familjet me vlerën 18.000 lekë, për një vit Ministria e Financës dhe Ekonomisë në bashkëfinancim me Bashkinë e Tiranës shpenzojnë 216,000 lekë për një familje dhe 29,592,000 lekë për 137 familje. Përgjatë 3 viteve të trajtimit me Bonus Qiraje, është shpenzuar një vlerë prej 88,776,000 lekë, duke i ardhur në ndihmë të 137 familjeve. Por kjo vlerë është më e lartë kur përllogaritjet reale bëhen në bazë të numrit të personave në familje. Në trajtimin financiar pa afat të familjeve, duke supozuar për 10 vitet e ardhshme, vlera që do të duhet të shpenzojë Bashkia e Tiranës do të jetë 295,920,000 lekë, vlerë e konsiderueshme për ndërtime të reja.

Trajtimi i familjeve me Bonus Qiraje me afatin 2-vjeçar në të cilën këto familje trajtoheshin drejtpërdrejtë nga qeveria shqiptare përfundoi në vitin 2017, kështu viti 2018 i radhiti këto familje në institucionin e Bashkisë Tiranë për të aplikuar për programin social të strehimit ‘’Bonus Qiraje’’, program prej të cilit nuk arritën të përfitojnë për shkak të mosplotësimit të kritereve të vendosura, duke mos arritur të sigurojnë kontratën me qiradhënësin dhe kartonin e papunësisë. Për këtë arsye, banorët e Selitës iu drejtuan përsëri me anë të një ankese Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe u vendos në dijeni Drejtoria e Strehimit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Për rrjedhojë, në Nëntor të 2018-s filloi draftimi i përditësimit të VKM-së nr. 230 ekzistuese, në mbështetje të familjeve, duke shtyrë afatin e trajtimit financiar, dhe duke e vendosur atë pa afat për 137 familjet e prekura. Në datë 15 Janar 2019 u miratua VKM-ja e përditësuar për trajtimin financiar, në të cilin shprehet e gjithë procedura e përfitimit të pagesës nga ana e qytetarëve të pastrehë.

Përditësimi i VKM-së nr. 230, datë 13.03.2015, që tashmë trajton me Bonus Qiraje pa afat këto familje ishte një hap pozitiv, duke i ardhur në ndihmë në mënyrë të menjëhershme këtyre familjeve, por familjarët nuk e konsiderojnë si zgjidhje të përshtatshme dhe të qëndrueshme, duke mos i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit të strehimit të 137 familjeve.