Vëzhgim/Analizë

Institucionet ulën transparencën dhe kufizuan informacionet pas tërmetit dhe gjatë pandemisë së COVID-19

19 korrik 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/                                                         

Nga një testim i institucioneve përgjatë 2 krizave natyrore lidhur me zbatimin e Ligjit për të Drejtën e Informimit, intervistave me gazetarë, avokatë dhe të dhënave zyrtare të siguruar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, u konstatua ulje e transparencës dhe raste të moszbatimit të ligjit nga ana e institucioneve.

Krizat natyrore të shkaktuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi kryesisht ultësirën perëndimore të vendit dhe kriza e shkaktuar nga COVID-19 ekspozuan mungesën e masave paraprake për tu përballur me to.

Përveç mjeteve logjistike dhe përgatitjes së burimeve njerëzore, institucionet në nivel qendror dhe vendor pas tërmetit të nëntorit dhe përgjatë kufizimeve për shkak të COVID-19 dëshmuan për një nivel të ulët transparence dhe shmangies së llogaridhënies ndaj aktorëve të shoqërisë, si gazetarë, aktivistë apo organizata jo-qeveritare.

Institucionet ulën transparencën gjatë 2 krizave natyrore

Që prej vitit 2014 qytetarët në Shqipëri përmes Ligjit për të Drejtën e Informimit mund t’i kërkojnë autoriteteve publike vënien në dispozicion të informacioneve apo dokumenteve që ato posedojnë. Kjo realizohet pas depozitimit të një Kërkese për Informacion tek institucionet përkatëse.

“Gjatë periudhës së pandemisë reagimi i institucioneve publike në raport me Ligjin për të Drejtën e Informimit, në përgjithësi ka qenë ai i refuzimit të dhënies së informacionit”, shpjegon Dorina Ndreka-Asllani, avokate e Klinikës së Ligjit Durrës.

Ajo analizon se situata e krijuar lidhet me problemet logjistike, duke qenë se një pjesë e punonjësve e ushtronin detyrën nga shtëpia, por ka ardhur edhe si rezultat i mungesës së vullnetit për t’i vendosur informacionet në dispozicion të publikut.

Edhe gazetarët e media duket se janë përballur me kufizime të qasjes në informacionet publike. “Vonesa e përgjigjeve ka qenë kryesisht një prej problematikave më të mëdha gjatë kësaj periudhe, ndjekur më pas nga përgjigjet e pjesshme të cilat e bënin informacionin të pavlefshëm në shumë raste”, thotë për Portën Vendore, përfaqësues të medias online “Faktoje.al”, ku kjo e fundit i ka dedikuar edhe një varg shkrimesh kësaj problematike.

Porta Vendore mësoi nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit në përgjigje të një Kërkese për Informacion, se përgjatë pikut të kufizimeve të pandemisë për rreth 2 muaj, në periudhën 9 mars- 10 maj, janë depozituar 58 ankesa ndaj institucioneve.

Infografikë mbi 58 ankesat e depozituara tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit përgjatë pandemisë së SARS-CoV-2 (09.03.2020-10.05.2020 )

Nga analizimi i 58 ankesave ndaj institucioneve që nuk i janë përgjigjur Kërkesave për Informacion, rezulton se 71% e ankesave janë për institucionet qendrore dhe ato të varësisë që kanë në qarqe, ndërsa 29% janë ndaj institucioneve vendore (kliko këtu). Në përgjigjen e Institucionit të Komisionerit për të Drejtën e informimit, që ndjek dhe ndërhyn për zbatimin e ligjit, rezulton se shpallja e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në të gjithë vendin për shkak të pandemisë dhe kufizimi i lëvizjes ka sjellë vështirësi për koordinatorët e së drejtës së informimit që të përgjigjen sipas afateve ligjore.

Megjithatë, pavarësisht situatës së krijuar, Zyra e Komisionerit nuk ka përjashtuar në asnjë rast autoritetet publike nga detyrimi për të ushtruar veprimtarinë e tyre në lidhje me trajtimin e kërkesave për informacion dhe transparencë”, shkruan Komisioneri në përgjigjen e tij.

Porta Vendore në periudhën 2 mujore të karantinimit, Prill-Maj, i drejtoi 12 Kërkesa për Informacion institucioneve publike në nivel vendor dhe qendror, për çështje që lidheshin me situatën e krijuar.

“Infografikë mbi përgjigjet e institucioneve ndaj Kërkesave për Informacion gjatë pandemisë së SARS-CoV-2”

Më shumë se gjysma e kërkesave, 58% mori përgjigje brenda 10 ditëve punë, situatë që ishte e kundërt me testimin pas tërmetit të 26 nëntorit (kliko këtu).

Për 17% të kërkesave u depozitua ankesë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit (pasi institucionet nuk u përgjigjën). 8% e kërkesave për informacion mori përgjigje me vonesë, në tejkalim të afateve ligjore dhe vetëm 17% e kërkesave nuk morën përgjigje. Megjithatë një pjesë e përgjigjeve ishte e pjesshme, për shkak se punonjësit po punonin nga banesat.

Në 2 kërkesa drejtuar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore me kërkesa që lidheshin edhe me situatën e krijuar nga pandemia, ky autoritet premtoi sjelljen e dokumenteve në një moment të dytë. Pas rikthimit në normalitet marrja e tyre u realizua vetëm pas ankimit tek Komisioneri dhe ndërhyrjes së tij.

Marrja e të dhënave personale dhe përpunimi i tyre nga institucionet publike, si për shembull portali “E-Albania”, ka sjellë referimin e kërkesave të caktuara nga institucionet dhe subjektet që i janë përpunuar të dhënat. Situata përveç fokusit për të drejtën e informimit ka kërkuar edhe ndërhyrje për mbrojtjen e të dhënave personale. Komisioneri njofton se ka publikuar 3 udhëzues me qëllim mbrojtjen e të dhënave personale gjatë pandemisë.

Përfaqësues të Faktoje.al tregojnë eksperiencën e tyre ku me një situatë të tillë u përballën edhe pas tërmetit të nëntorit. “Institucionet të cilat ishin përgjegjëse dhe mjaft të rëndësishme në informimin e publikut kthenin përgjigje pas afatit ligjor që ofron Ligji i të Drejtës për Informim ose refuzonin dhënien e këtyre informacioneve”.

Kryesisht 2 javë pas tërmetit të 26 nëntorit, Porta Vendore i drejtoi disa Kërkesa për Informacion institucioneve publike në nivel vendor dhe qendror, për çështje që lidheshin me situatën e krijuar.

Në periudhën nëntor 2019 (kryesisht) – janar 2020 nga Porta Vendore u dërguan 11 Kërkesa për Informacion për të testuar kohën e kthimit të përgjigjes. Një pjesë e institucioneve ja referuan të tjerave me pretendimin se nuk e posedonin informacionin, duke llogaritur në total 15 kërkesa për informacion.

“Infografikë mbi përgjigjet e institucioneve ndaj Kërkesave për Informacion, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019”

Gjysma e kërkesave, 50% nuk mori asnjë përgjigje, megjithëse Ligji për të Drejtën e Informimit kërkon që të kthehet përgjigje brenda 10 ditëve punë. Për 25% të kërkesave u depozitua ankesë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili ndërhyri në kohë dhe detyroi autoritetet publike të përgjigjen.

13% e kërkesave për informacion mori përgjigje me vonesë, në tejkalim të afateve ligjore dhe vetëm 13% e kërkesave u kthyen në kohë sipas përcaktimit ligjor. Institucione si Bashkia Durrës, Tiranë, Krujë apo Ministria e Brendshme, ajo e Arsimit dhe e Kulturës nuk u përgjigjën, duke lënë pa përgjigje pyetje me interes publik për ditët që po kalonte vendi pas lëkundjeve sizmike që lanë pas 51 viktima.

Porta Vendore mësoi nga Komisioneri se në periudhën 1 mujore, 26 nëntor-26 dhjetor 2019 u depozituan 62 ankesa. Përgjigja evidenton se ngarkesa e institucioneve me detyra shtesë nga puna normale e nxiti kufizimin e kthimit të përgjigjes në kohë, megjithëse ato nuk u përjashtuan nga detyrimi për të qenë transparente.

“Ligji nr. 45/2019, ‘Për Mbrojtjen Civile dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave’, nr. 750, datë 27 nëntor 2019, ‘Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë’, i ndryshuar, nuk e kufizojnë shprehimisht zbatimin e ligjit nr.119/2014, “Për të Drejtën e Informimit”, analizon përgjigja e Zyrës së Komisionerit.

Tërmeti dhe pandemia ekspozuan mungesën e llogaridhënies

Kolegët e medias online Faktoje.al disa prej artikujve të nisur nuk arritën t’i hidhnin në letër. “Mund të them se ka ndikuar ndjeshëm aq sa disa prej artikujve që kam nisur janë pezulluar vetëm si shkak i mungesës së këtyre përgjigjeve, të cilat janë mjaft thelbësore për artikujt ‘fact-checking” [kontrolli i fakteve]”, tregojnë ata.

Përveç informimit aktivistët, avokatët dhe organizatat jo-qeveritare raportuan për kufizimin e dhënies së ndihmës për qytetarët. Avokatja Dorina Ndreka-Asllani, propozon që në situata të tilla për të rritur efikasitetin duhet që të shkurtohet afati i pritjes zyrtare të përgjigjes, duke u ulur në më pak se 10 ditë pune dhe të rritet bashkëpunimi i institucioneve.

Në rastin e ofrimit të ndihmës nga ana e Bashkisë Durrës për familjet në nevojë për shkak të pandemisë, nëse informacioni merret pas 20-30 ditëve, do të jemi përpara përfundimit të situatës së pandemisë dhe do të humbasë interesi për të ofruar ndihmën tek personat përkatës”, tregon avokatja.

Për Dorina Ndreka-Asllanin e drejta e informimit në Shqipëri është një e drejtë vazhdimisht e rrezikuar dhe situata të tilla si dy fatkeqësitë natyrore që vendi ynë kaloi, sjellin përkeqësim të situatës. “Ajo që është më e rrezikshme, mendoj se është ulja e pritshmërive të publikut në raport me detyrimin e institucioneve për të vënë në dispozicion dokumentet publike”, përfundon ajo.

Bashkitë dhe institucionet e shëndetësisë ndër më pak transparentet

Gjatë testimit të kthimit të përgjigjeve nga institucionet pas tërmetit të nëntorit, Bashkia Tiranë, Durrës dhe Krujë nuk kthyen fare përgjigje, duke mos zbatuar Ligjin për të Drejtën e Informimit.

Detyrimi ligjor që kur një autoriteti publik nuk e ka informacionin e kërkuar ja përcjell institucionit që e posedon, nuk funksionoi me efikasitet, duke mos marrë përgjigje nga institucioni i dytë.

Edhe gjatë pandemisë së SARS-CoV-2 institucionet që u angazhuan në mënyrë direkte u treguan jo transparente. “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mund të them me bindje të plotë se mban ‘vendin e parë’ ndër institucionet të cilat kanë refuzuar t’i përgjigjen shumë prej kërkesave të dërguara nga media, por edhe nga gazetarë të tjerë”, analizojnë përfaqësues të Faktojes.

Faktoje nuk mori përgjigje për të paktën 11 Kërkesa për Informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë që prej fillimit të pandemisë së COVID-19. Komisioneri njoftoi se gjatë pandemisë për Ministrinë e Shëndetësisë janë depozituar 5 ankesa, për Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza 2 ankesa dhe për Spitalin Universitar të Traumës, 1 ankesë.

Ndaj bashkive të mëdha, si e Tiranës, Shkodrës, Fierit dhe atyre më të vogla, si e Këlcyrës apo Kolonjës dhe të tjera rezulton të jenë depozituar në total ankesa për 9 bashki. Numrin më të lartë e mban ajo e Tiranës, me 5 ankesa.

Godina e Bashkisë Tiranë. Foto: Geri Emiri

Edhe pas tërmetit të nëntorit nga të dhënat që Zyra e Komisionerit i vuri në dispozicion Portës Vendore, rezulton se ndaj Bashkisë Tiranë ishin depozituar 3 ankesa, ndërsa për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ishin depozituar 4 ankesa.

Avokatja Dorina Ndreka-Asllani depozitoi ankesë tek Zyra e Komisionerit pasi ju drejtua Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Inspektoratit të Mjedisit, zyrës qendrore dhe asaj në Durrës, për informacione lidhur me derdhjen e dhjetëra fuçive me naftë në bregdetin e Durrësit, në Porto-Romano.

“Po ashtu në rastin e HEC-ve në Zall-Gjoçaj të Matit, ku u konstatua një ndotje shumë e madhe e lumit Zalli i Melthit, duke e transformuar nga ujë të pijshëm në ujë shumë të ndotur. Edhe në këtë rast nuk ka pasur reagim”, tregon avokatja.

Shpesh herë media apo aktivistët Kërkesat për Informacion i përdorin edhe si kanal zyrtar për të përcjellë raportime dhe nxitur reagimin e institucioneve në terren. Situatë e ngjashme me mos reagimin e institucioneve, si Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria e Policisë Durrës, raportohet edhe nga media Amfora.al, e cila njoftoi institucionet për abuzimin e ndërtuesve gjatë pandemisë duke rrezikuar arkeologjinë në Durrës.