17 korrik 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore
Mbrojtja e Konsumatorit është një nga prioritetet për institucionet vendore në vendin tonë që pas reformës administrative. Për këtë arsye Parlamenti shqiptar ka miratuar në vitin 2008 edhe një ligj “Për mbrojtjen e konsumatorit”, me një spektër të gjerë veprimi ku rregullohet gjithë mekanizmi i mbrojtjes së konsumatorit, ku ndryshimet më të fundit i janë bërë në tetor 2018. Ligjit konsumatorit dhe Ligji i vetëqeverisjes vendore përcaktojnë dhe detyrimet e pushtetit vendor për konsumatorin. Pas reformës administrative territoriale të pesë viteve më parë, në Strategjinë Ndërsektoriale të Pushtetit Vendor për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Mbikëqyrjen e Tregjeve u përcaktua si një nga prioritetet e bashkive edhe ngritja e zyrave për mbrojtjen e konsumatorit, ku sipas ekspertëve të sigurisë ushqimore kjo është një domosdoshmëri. Porta Vendore ka pyetur 12 bashkitë kryesore të qarqeve të vendit për të parë nëse e disponojnë këtë zyrë për mbrojtjen e konsumatorit apo jo?!
Vetëm tre bashki kanë Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit
Ndonëse domosdoshmëri për të gjitha bashkitë në vend, vetëm 3 nga 12 bashkitë qendër të qarqeve kanë ngritur Zyrat për Mbrojtjen e Konsumatorit . Tirana, Vlora dhe Lezha janë tre bashkitë e vetme që kanë një Zyrë për Mbrojtjen e Konsumatorit, megjithatë kjo zyrë duket se funksionon mirëfilli vetëm në kryeqytet. Detyrat e këtyre zyrave sipas kësaj strategjie nuk do të ishin inspektuese, por informuese dhe sensibilizuese, ndonëse disa prej detyrave për mbrojtjen e konsumatorit bashkitë i kanë të përcaktuara në ligjin për vetëqeverisjen vendore. Madje, këto zyra, sipas strategjisë, do të kishin koordinim të punës me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave për inspektimet në terren.

“Gjatë muajve maj–korrik 2016, në kuadër të reformës dhe procesit të riorganizimit të bashkive, MZHETTS me mbështetjen edhe të Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale (AZRT), ka vendosur bazat e bashkëpunimit me 61 bashkitë e vendit. Aktualisht, çdo bashki ka punonjësin e ngarkuar me çështjet e mbrojtjes së konsumatorëve. Këta punonjës janë pjesë e punës së përbashkët, për zbatimin e detyrimeve të parashikuara në legjislacionin e mbrojtjes së konsumatorëve”, thuhet në raportin e parë monitorues të Strategjisë ndërsektoriale për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e tregut.
Në kuadër të ndërmarrjes se iniciativës nga SMK/MZHETTS “Përfshirja e pushtetit vendor në përmirësimin e zbatimit të legjislacionit dhe rritjen e nivelit të mbrojtjes së konsumatorëve” janë organizuar në qytetet: Shkodër, Korçë, Sarandë dhe Elbasan, 4 takime rajonale me përfaqësuesit e 61 bashkive, në lidhje me njohjen e punonjësve të bashkisë me legjislacionin e mbrojtjes së konsumatorëve, procedurat që duhet të ndiqen për trajtimin e ankesave të konsumatorëve, dhënien e informacionit të nevojshëm për konsumatorët, si dhe mënyrat e sigurimit të një bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efikas midis MZHETTS dhe bashkive.
Bashkia Tiranë
Kjo bashki është nga të paktat në vend që ka ngritur dhe ka funksionale Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorit në Shqipëri. Madje, kjo zyrë ka dhe një adresë zyrtare në internet, ku janë publikuar aktivitetet e saj që prej funksionimit. Kjo zyrë në Tiranë është ngritur që në 12 tetor të vitit 2011, pra shumë më herët nga reforma territoriale. Së dyti, nga përgjigja zyrtare, mësohet se kjo zyrë ka një staf prej 188 punonjësish.
Ndërkohë, Porta Vendore i dërgoi nëpërmjet një kërkese për informacion disa pyetje konkrete kësaj zyre lidhur me detyrat, inspektimet e kryera në terren, ose masat administrative të marra për shkelësit e ligjit? Por, nga përgjigja me shkresë zyrtare, kjo zyrë, ndonëse me 188 punonjës, jep informacion evaziv, pa u përgjigjur me detaje për pyetjet që ne kemi ngritur. Kështu, ZMK e Bashkisë së Tiranës thotë se: “Funksioni dhe misioni i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit është i përfshirë në vetë emërtimin e këtij institucioni. Në përbërje të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit janë 6 (gjashtë) sektorë të inspektimit në terren, të cilët përveç planeve mujore të punës, verifikojnë ankesat e ardhura nga konsumatorë të ndryshëm të shërbimeve në kryeqytet”, thuhet në përgjigje, duke mos specifikuar konkretisht sektorët e inspektimit apo dhe misionin e saj.
Edhe në pyetjen rreth numrit të inspektimeve të kryera gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti apo shkeljet që janë konstatuar, përgjigja e ZMK-së së Tiranës është e paqartë duke mos dhënë asnjë statistikë. “Në varësi të shkeljes që konstatojnë dhe në zbatim të akteve normative të Këshillit Bashkiak dhe kryetarit të Bashkisë, sektorët e terrenit marrin masa administrative sanksionuese ndaj subjekteve kundërvajtës në fushën e infrastrukturës publik, transportit publik, ndotjet në mjedis dhe respektimin e rregullave të bashkëjetesës nga pronarët e kafshëve/shpendëve shtëpiake, shoqëruese dhe/apo të luksit. Në zbatim të akteve të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit u bë pjesë e grupit të punës për monitorimin dhe evidentimin e rasteve të abuzimit me çmimet gjatë periudhës së pandemisë, kryesisht për prodhimet farmaceutike (maska, doreza & dezinfektues)”, thuhet në përgjigjen dërguar posaçërisht për Portën Vendore. Por ky informacion i dhënë, mbetet i paplotë duke mos lejuar kuptimin e qartë mbi funksionimin e kësaj strukture dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara me ligj apo nga rregulloret e bashkive.
Bashkia Vlorë
Sipas një shkrese dërguar për Porta Vendore, Bashkia e Vlorës tregon se ka ngritur Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila ka 23 punonjës. Megjithatë, kjo drejtori nuk ka fuqi inspektimi, por informimi. “Asnjë prej njësive të kësaj drejtorie nuk është inspektorat, por bashkëpunon me institucionet e treta si: Agjencia Rajonale e Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, Agjencia Kombëtare e Ushqimit dhe Inspektorati i Shëndetit Publik. Kjo strukturë nuk ka kompetencë për marrje masash, pasi është vetëm informuese në varësi të rasteve të konstatuara”, thuhet ndër të tjera në kthimin e përgjigjes për Porta Vendore nga Bashkia e Vlorës.
Më tej, në përgjigjen rreth pyetjes për aktivitetin e kësaj drejtorie gjatë periudhës së pandemisë, Bashkia e Vlorës shprehet se struktura ka qenë e përfshirë në zbatimin e urdhrave dhe masave të miratuara nga kryetari i bashkisë. Por, edhe kjo drejtori aktivitetin e saj e ka fokusuar te siguria ushqimore, duke shmangur detyrat e tjera që rrjedhin nga ligji për mbrojtjen e konsumatorit.
“Bashkitë dhe komunat kryejnë edhe funksione të deleguara, të cilat, me ligj ose me një marrëveshje kontraktuale, janë deleguar nga qeveria qendrore tek qeveria vendore ose që mund të delegohen midis vetë njësive të qeverisjes vendore p.sh., në kuadrin e bashkëpunimit ndërvendor. Ligji organik nuk specifikon se cilat funksione mund t’i delegohen pushtetit vendor. Delegimi i funksioneve nga qeverisja qendrore është një instrument i përdorur kryesisht në disa funksione si administrimi i zyrave të gjendjes civile, zyrat e regjistrimit të biznesit (QKR) dhe në përgjithësi shpenzimet për to mbulohen nga buxheti i shtetit. Shumë pak janë rastet e delegimit të funksioneve apo kompetencave midis vetë njësive të qeverisjes vendore të të njëjtit nivel apo të niveleve të ndryshme, edhe në ato raste kur kjo ka ndodhur ato nuk kanë qenë të qëndrueshme në kohë”, thuhet ndër të tjera në strategjinë ndërsektoriale të 2014-2020-ës.
“Përgjatë periudhës së pandemisë, mjekët veterinerë kanë qenë çdo ditë në punë duke kryer shërbimin e ekspertizës veterinare, në thertoret e qytetit të miratuara nga AKU. Gjithashtu kjo drejtori me specialistët e saj ka qenë e përfshirë në bashkëpunim me ekipin e dezinfektimit në bashki, për të ndjekur këtë proces në institucionet arsimore parashkollore, kopshte dhe çerdhe, sipas urdhëresave të dala nga ministria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve e ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Së fundmi, specialistët e drejtorisë sipas çdo njësie administrative, janë angazhuar në monitorimin e lokaleve, bareve dhe fast-food, në plotësimin nga këta të fundit të protokollit të miratuar nga ISHP”, thuhet nga Bashkia e Vlorës.
Bashkia Lezhë
Kjo bashki e ka ngritur Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorit që në vitin 2015 thuhet në përgjigjen me shkrim. Megjithatë, në strukturën e ZMK-së së Lezhës janë vetëm dy punonjës, të cilët në fakt nuk janë ende në punë, pasi siç sqarohet në përgjigje këta punonjës nuk janë rekrutuar për shkak të pandemisë. “Zyra e mbrojtjes së konsumatorit në Bashkinë Lezhë është ngritur në vitin 2015. Struktura aktuale parashikon 2 punonjës, por për shkak të riorganizimit të stafit të Bashkisë Lezhë pritet që së shpejti të rekrutohen dy punonjës. Procesi i rekrutimit është ndërprerë për shkak të pandemisë së COVID-19. Me tu hapur procesi do të fillojnë edhe procedurat e rekrutimit”, thuhet në përgjigje të kërkesës tonë.
Ndërkohë, lidhur me pyetjen se çfarë inspektimesh janë kryer gjatë 6 muajve të fundit dhe sidomos gjatë periudhës së pandemisë, Bashkia e Lezhës shprehet se kanë qenë të kufizuara por pa dhënë shifra. Madje inspektimet janë kryer nga zyra e veterinarisë pranë bashkisë, çka tregon se edhe në këtë qytet mbrojtja e konsumatorit është neglizhuar. “Për këtë arsye numri i inspektimeve gjatë muajve të fundit ka qenë minimal dhe kjo është orientuar te kontrolli i ushqimeve kryesisht blegtorale nga zyra e veterinarisë pranë Bashkisë Lezhë”, thuhet në përgjigjen që kjo bashki i ka kthyer Porta Vendore.
Fati i konsumatorëve në dorën e veterinerëve në bashkitë e tjera
Ndërkohë në bashkitë e tjera të vendit fati i konsumatorëve duket se u është deleguar Shërbimeve Veterinare të bashkive apo institucioneve të tjera të varësive. Madje ka dhe bashki që nuk japin informacion nëse e kanë këtë shërbim qoftë dhe të deleguar te shërbimi veterinar. Por, edhe ky shërbim është i fokusuar te siguria ushqimore, kompetencë në fakt që e kryen dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Bashkia Dibër
Kjo bashki nuk ka një zyrë për mbrojtjen e konsumatorit, madje, ndryshe nga disa bashki që gjithashtu nuk kanë zyra, por kanë caktuar një punonjës, Bashkia Dibër nuk ka asnjë të tillë. Megjithatë pozitiv është fakti se në përgjigje të kërkesës së bërë nga Porta Vendore, Bashkia Dibër thotë se pas këtij interesimi të bërë nga ne, do ta marrë në konsideratë ngritjen e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit. “Bazuar në kërkesën tuaj lidhur me ngritjen e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, në Bashkinë Dibër me miratimin e strukturës së re organike për vitin 2020 nuk është parashikuar ngritja e një zyre të tillë. Por do ta kemi në konsideratë në mënyrë që të mund ta përfshijmë në strukturën organike të vitit të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Dibër për kërkesën e bërë nga Porta Vendore.
Bashkia Gjirokastër
Kjo bashki duket se ia ka deleguar kompetencat e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit shërbimit Veterinar duke neglizhuar një sektor me rëndësi. Në përgjigje të shkresës që Porta Vendore i dërgoi kësaj bashkie për të marrë informacion rreth ekzistencës ose jo të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, ky institucion u shpreh se : “Bashkia Gjirokastër nuk ka strukturë të veçantë për sigurinë ushqimore por ky shërbim mbulohet nga specialistët e sektorit të Veterinarisë në Drejtorinë e Zhvillimit të Bujqësisë, Pyjeve ,Ujitjes dhe Kullimit sipas legjislacionit ne fuqi për Mbrojtjen e konsumatorit”, thuhet në përgjigjen e bashkisë.
Megjithatë duke mos ekzistuar një institucion i posaçëm për këtë qëllim, bashkia nuk jep detaje lidhur me numrin e punonjësve që shërbejnë në këtë zyrë. “Meqenëse nuk kemi një zyrë specifike pasi ende nuk është planifikuar në organikën e bashkisë. Një nga specialistët, me detyrë funksioni shtesë, pranë Drejtorisë së Zhvillimit të Bujqësisë, Pyjeve, Ujitjes dhe Kullimit siguron funksionet për sigurinë ushqimore nëpërmjet sektorit të veterinarisë”, thuhet në kthimin e përgjigjes.
Gjithashtu, nga përgjigjet e kthyera nga bashkitë për Porta Vendore, ku janë pyetur specifikisht për inspektimet dhe sanksionet për shkelësit e ligjit gjatë pandemisë, bashkitë janë fokusuar te siguria ushqimore, kompetencë që në fakt e ka Autoritetit Kombëtar i Ushqimit. Pra, duket se asnjë nga këto institucione nuk e ka lexuar ligjin “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, ku detyrat janë të mirëpërcaktuara dhe lidhen jo vetëm me sigurinë ushqimore, por dhe me mbrojtjen nga çmimet abuzive, vendosja e etiketave të produkteve, etj. Ndërkohë, edhe Bashkia e Gjirokastrës e pyetur rreth kësaj pyetje përgjigjen e jep vetëm në drejtim të sigurisë ushqimore.
“Kryejmë shërbimin veterinar në dy pikat e therjes së kafshëve të gjalla (thertoret) të cilat ndodhen njëra në Topullaraj dhe tjetra në Mashkullorë. Në thertore kryhet kontrolli i gjendjes shëndetësore të kafshës para dhe pas therjes nga dy veterinerët të cilët ushtrojnë shërbimin veterinar çdo ditë të javës. Mbas therjes së kafshës kryhet vulosja e mishit dhe lëshimi i certifikatës veterinare që shoqëron mishin në Njësitë e tregtimit të mishit. Vlen të theksohet se kushtet higjeno-sanitare në thertore janë përmirësuar ndjeshëm. Kryejmë inspektime të njëpasnjëshme , veç atyre të planifikuara dhe ato që dalin gjatë punës, pra dezinfektime në vendin e derdhjes së ujërave të zeza”, thuhet në përgjigje të kërkesës nga Bashkia Gjirokastrës.
Të pyetur për masat administrative të vendosura për shkelësit e ligjit, Bashkia e Gjirokastrës nuk jep një përgjigje të qartë, por thotë se janë realizuar disa detyra duke përmendur bashkëpunimin me disa institucione ku përfshihet dhe AKU. Ndërkohë, për rolin e kësaj zyre gjatë pandemisë së koronavirusit, Bashkia e Gjirokastrës shprehet se: “Kemi shtuar nr. e inspektimeve në njësitë e tregtimit te mishit, peshkut dhe të njësive të tjera tregtare që kanë lidhje me shitjen dhe përpunimin e produkteve shtazore dhe nënprodukteve të tyre. Është shtuar numri i dezinfektimeve në të gjitha institucionet shtetërore në njësitë prodhuese, thertoret dhe të gjitha njësite që kanë të bëjnë me konsumatorin”, thuhet në përgjigjen për Porta Vendore. Pra siç shihet nga përgjigja, gjithçka është e lidhur me sigurinë ushqimore, detyrë e cila në fakt mbulohet nga një institucion i posaçëm siç është AKU.
Bashkia Shkodër
As në këtë bashki nuk ka një Zyrë për Mbrojtjen e Konsumatorit. Por, ndryshe nga bashkitë e tjera, me kryebashkiaken e Shkodrës Voltana Ademi, Porta Vendore arriti të komunikonte drejtpërdrejt. Ademi u shpreh se ligji është i paqartë në këtë drejtim, por tha se bashkitë kanë përgjegjësinë e kontrollit të territorit të tyre dhe më pas të referojnë anomalitë tek institucionet e tjera përgjegjëse.
“Ligji është i paqartë, nuk është kompetencë mbrojtja e konsumatorit. Nuk është funksioni i vet, pra funksioni vet nuk është mbrojtja e konsumatorit si mbrojtje e konsumatorit. Pra, këtë detyrë në aspektin e tregut, në aspektin e çmimit, pushteti vendor nuk e ka si kompetencë në referencë të ligjit. Por, bashkitë gjithçka ndodh në territor u intereson. Është apo nuk është kompetencë, në momentin që ne kemi një anomali në territorin tonë duhet ta referojmë në komisionet përkatëse, siç ishte në rastin e pandemisë”, tha Ademi ndër të tjera.
Duke folur për një shembull konkret, siç ishte rasti i rritjes së çmimeve në mënyrë abuzive, Voltana Ademi u shpreh se detyra në këtë rast është e institucioneve të tjera. Megjithatë, ajo tha se pushteti lokal mund të bëjë vetëm referim të rasteve.
“Pra, pse rriten çmimet? Rriten sepse ka një informalitet apo sepse është element që e përcakton tregu. Në momentin që e përcakton tregu është detyrë e qeverisë që ta kontrollojë. Në momentin që rriten çmimet në mënyrë abuzive, janë institucionet e tjera që duhet ta bëjnë këtë. AKU, hetimi tatimor, krimi ekonomik, që janë institucione që ndjekin faturimin. Por pushteti vendor nuk ka tagër, pra mund të bëjmë verifikim dhe e referojmë”, tha Voltana Ademi.
Bashkia Fier
Kjo bashki ishte nga të vetmet institucione që ktheu përgjigje vetëm duke shkruar një fjali, ndryshe nga bashkitë e tjera ku pavarësisht mungesës së një zyrë të tillë e kanë argumentuar delegimin e kompetencave: “Bashkia Fier nuk e ka një strukturë të tillë!”. Pra, një nga bashkitë më të mëdha në vend, nuk ka asnjë strukturë apo punonjës që të kujdeset për konsumatorët.
Bashkia Korçë
As në këtë bashki nuk ka një strukturë të tillë. Në një bisedë telefonike për Porta Vendore, Sotiraq Filo kryebashkiaku i Korçës pranoi se as në institucionin që ai drejton nuk ka një strukturë për mbrojtjen e konsumatorit. Por sipas tij, janë kryesisht struktura të tjera që mund të kryejnë këtë shërbim, siç është shërbimi veterinar.
“Ne nuk e kemi një zyrë të tillë. Nuk kemi asnjë person të dedikuar për mbrojtjen e konsumatorit. Ne nuk kemi një strukturë, por kemi disa shërbime që mund të konsiderohen si pjesë e kësaj. Por kemi shërbimin veterinar që kontrollon mishin në treg. Ne ngremë task-forca, bashkëpunojmë me institucione të tjera jashtë bashkisë. Kemi task-forca kundër zhurmave në bashkëpunim me disa institucione. Kemi raste të ngritjes së task-forcave ndërinstitucionale. Por nuk kemi një strukturë të dedikuar për mbrojtjen e konsumatorit”, tha Filo për Porta Vendore.
Bashkia Durrës
Edhe në këtë bashki mungon një Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke e justifikuar këtë fakt me efektet financiare që ka një strukturë e tillë. Në përgjigje të kërkesës që Porta Vendore i dërgoi për informacion, Bashkia Durrës shprehet se funksionet e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit i kryen Drejtoria e Bujqësisë, Shërbimi veterinar dhe Emergjencat Civile. “Në Bashkinë Durrës nuk është ngritur Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit për efektin financiar që ajo ka, por Sektori i Veterinarisë pranë Drejtorisë së Bujqësisë, Pyjeve, Shërbimit Veterinar dhe Emergjencave Civile në Bashkinë Durrës kryen funksione të kësaj zyre. Krahas funksioneve të mbështetura në bazën ligjore të sipërcituara, ky sektor kryen gjithashtu edhe disa funksione të tjera të bazuara nga urdhra të brendshme të Bashkisë Durrës, funksione të cilat kanë si qëllim rritjen e sigurisë ushqimore për mbrojtjen e konsumatorit”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni ndërsa shtohet se: “Gjatë kohës së pandemisë sektori veterinar ka qenë aktiv në inspektimin dhe verifikimin e situatave te ndryshme të paraqitura në rrugë zyrtare si dhe ato te paraqitura nga portali i bashkëqeverisjes, siç mund të përmendim rastin e grumbullimit të mbetjeve në një zonë të banuar në Shkozet; rastin e zonës së Spitallës për mbajtjen e kafshëve të gjalla ne zonë urbane etj. Është asistuar në të gjitha dezinfektimet të kryera në Tregun Agro-Bujqësor si dhe janë mbajtur akt-konstatime për raste të ndryshme. Kjo zyre përveç verifikimit dhe konstatimit të shkeljeve merr dhe masa për organizimin e zgjidhjes së situatave të paraqitura duke bashkëpunuar me strukturat e ndryshme”, thuhet në përgjigje të kërkesës së Bashkisë Durrës për Porta Vendore.
Bashkia Kukës
Bashkia Kukës duket se nuk e ka harruar porosinë e ekspertëve të pushtetit vendor e jo vetëm, për krijimin e një Zyre për Mbrojtjen e Konsumatorit në pushtetin vendor, ndaj në përgjigjen e kërkesës për informacion drejtuar këtij institucioni thuhet se:
“ Rritja e efikasitetit të administratës vendore, cilësisë dhe standardeve të ofrimit të shërbimeve, kërkon mundësimin e burimeve njerëzore dhe financiare, si dhe për shkak të situatës së vështirë ekonomike të institucionit, nuk është ngritur Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ngritja e një zyre të veçantë për mbrojtjen e konsumatorit është prioritet i Bashkisë Kukës për funksionimin e saj në nivel vendor, në përputhje me kërkesat e ligjit Nr.9902, datë 17.04.2008 ‘Për mbrojtjen e konsumatorit’,(i ndryshuar)”, tha Bashkia Kukës. Ndërsa shton se për shkak të situatës së emergjente të krijuar nga shfaqja e pandemisë shkaktuar nga koronavirus, Bashkia Kukës në bashkëpunim me AKU-Dega Rajonale Kukës, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, gjatë periudhës mars-prill 2020 ka ushtruar kontrolle të vazhdueshme lidhur me zbatimin e masave dhe të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid 19.
Bashkia Berat
Njësoj si Bashkia Kukës edhe ajo e Beratit e ka pasur në planet e saj krijimin e një zyre për mbrojtjen e konsumatorit në organikën e saj, megjithëse aktualisht as kjo bashki nuk e ka një zyrë të tillë.
“Ju informojmë se në Drejtorinë e Bujqësisë Berat nuk kemi një Zyrë për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ne jemi në përpjekje për ngritjen e kësaj zyre. Për shkak të pandemisë së Covid 19, inspektimet janë pezulluar. Në informacionet e marra nga Drejtoria e Bujqësisë, ju bëjmë me dije se janë bërë fletëpalosje , të cilat janë shpërndarë në disa zona dhe dyqane në lidhje me Mbrojtjen e Konsumatorit”, ka thënë shkurt në përgjigjen e saj Bashkia Berat.
Bashkia Elbasan
As Bashkia Elbasan nuk ka një zyre për mbrojtjen e konsumatorit në organikën e saj. Por ajo zotohet se kjo është parashikuar, teksa pritet miratimi i strukturës së re. “Në përgjigje të shkresës tuaj nr.2598 prot. datë 08.06.2020, ju bëjmë me dije se në strukturën aktuale të Bashkisë Elbasan nuk është ngritur ende zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit pasi është në pritje të miratimit të strukturës së re në të cilën është e parashikuar ngritja e kësaj zyre në kuadër të strategjive ndërsektoriale”, thotë në përgjigjen e saj bashkia, ndërsa shton se “Bashkia Elbasan në bashkëpunim dhe me institucione të tjera, gjatë periudhës së pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 ka qenë dhe vazhdon të jetë në gatishmëri të plotë për masat e mara në lidhje me ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, dezinfektimin e ambienteve publike, të shkollave, kopshteve dhe çerdheve, ruajtja e shëndetit të konsumatorit nëpërmjet kontrollit të ushtruar nëpër subjekte të përpunimit të ushqimeve shtazore si dhe ato të tregtimit të mishit të freskët”.
Ekspertët: Të 61 bashkitë duhet të kishin Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit
Ersida Teliti është drejtoreshë e Qendrës së Konsumatorit Shqiptar. Në një prononcim për Porta Vendore, ajo tregoi se qendra e saj ka qenë aktive gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit duke denoncuar raste të shkeljes së ligjit. Ndërkohë, lidhur me situatën në bashkitë e vendit për ngritjen e Zyrave për Mbrojtjen e Konsumatorit, Teliti tregon se të 61 bashkitë e vendit duhet ta kishin ngritur atë. Ajo thotë, se përveç Tiranës dhe ndonjë bashkie tjetër, asnjë nga institucion i pushtetit lokal nuk e ka përmbushur këtë detyrim duke neglizhuar një nga pikat e rëndësishme për mbrojtjen e konsumatorëve.
“Sipas strategjisë ndërsektoriale 2014-2020, e cila tashmë ka mbaruar, thuhej se zyrat për mbrojtjen e konsumatorit duhet të ekzistojnë në 61 bashkitë e vendit. Duke përjashtuar ndonjë bashki specifike, si ajo e Tiranës, të tjerat nuk kanë një zyrë për mbrojtjen e konsumatorit. Mbrojtja e konsumatorit në njësitë e qeverisjes vendore është e katandisur në ndonjë nëpunës që zakonisht është veteriner apo agronom. Bashkia e Tiranës ka Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit që është nga zyrat më aktive, duke bërë disa fushata”, thotë ajo.
Gjithashtu Teliti nxjerr në pah se bashkitë kanë disa kompetenca që lidhen indirekt me mbrojtjen e konsumatorit. Sipas saj, periudha e tërmetit nxori në pah disa nga këto kompetenca, por përsëri disa kompetenca janë të bashkërenduara me institucione të tjera, çka do të thotë se fuqia e bashkive në vendimmarrje është e kufizuar.
“Njësitë e qeverisjes vendore kanë një sërë kompetencash për mbrojtjen e konsumatorit të parashikuara nga ligji për vetëqeverisjen vendore. Detyrimet që lidhen me MK i referohen transportit publik, por bashkitë kanë kompetenca për hapësirat e gjelbërta, kanë kompetenca me kafshët, kanë kompetenca në lidhje me proceset komunale, por njëkohësisht bashkitë kanë kompetenca të tjera si lirimi i hapësirave të përbashkëta. Pjesa më e madhe e kompetencave të bashkive dolën në pah gjatë periudhës së tërmetit. Lidhur me çmimet ndarja e përgjegjësisë është e kushtëzuar. Tregjet e fruta-perimeve, për sa i përket kushteve të higjienës monitorohen nga bashkitë, cilësinë e produkteve e kontrollon AKU, që nuk ndërhyn nëse nuk kanë një nipt. Për çmimet abuzimeve janë detyrim për hetim nga hetimi tatimor”, thotë Teliti.
Qendra e Konsumatorit Shqiptar është duke zhvilluar një projekt me mbështetjen e Leviz Albania, mbi “Indeksin e Konsumatorit Vendor”.
“Për herë të parë po bëhet një studim gjithëpërfshirës që ka si synim të analizojë e të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me njohjen e respektimin e konsumatorëve në nivel vendor. Indeksi Konsumatori Vendor është ngushtësisht i lidhur edhe me strategjitë ndërsektoriale për mbështetjen dhe mbrojtjen e konsumatorit, ku parashikohet detyrimi i ngritjes së 61 zyrave të konsumatorëve në nivel vendor por gjithashtu edhe me zbatimin e politikave të mbrojtjes së konsumatorëve në këtë nivel”, tha Teliti për Portën Vendore ndërsa shton se do të behët një sistem vlerësimi se në ç’gjendje është niveli i mbrojtjes së konsumatorëve në këto bashki, ku në njërën prej tyre do të hapet edhe një zyrë për mbrojtjen e konsumatorit.
“Synohet që nëpërmjet këtij projekti të rriten kapacitetet e gazetarëve, ku rreth 30 gazetarë do të ndërgjegjësohen ku njëkohësisht rreth 70 persona të shoqërisë civile do të trajnohen për kompetencat e bashkive në nivel vendor përsa i përket mbrojtjes së konsumatorit”, përfundon ajo.
Eksperti i pushteti vendor Agron Haxhimali i pyetur nga Porta Vendore mbi rëndësinë e mbrojtjes së konsumatorëve tha se mungesa e këtij shërbimi pranë pushtetit vendor është një lajm aspak i mirë.
“Nuk është aspak lajm i mirë që objektivi për hapjen e ZMK në bashki caktuar në strategjinë ndërsektoriale nuk është arritur. Sot pas reformës me 61 bashki, pritshmëria për hapjen e ZMK në mos 100% së paku 50-60 % duhet arritur. Faktorët pengues, janë sa institucional, aq edhe ligjor e financiar por me keqardhje them edhe vullneti dhe kultura administrative në nivel vendore nuk kanë qenë dhe nuk janë favorizuese ndaj konsumatorit, ndaj dhe kemi mungesë të ZMK-ve”, thotë Haxhimali. Sipas tij, në qershor të vitit 2001 u krijua një drejtori e veçantë për të trajtuar çështjet e mbrojtjes së konsumatorëve: Drejtoria e mbrojtjes së konsumatorit. Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve i vitit 2003 e përcakton këtë drejtori si strukturën kryesore përgjegjëse për zhvillimin, organizimin, bashkërendimin e veprimtarive që lidhen me mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e tregut në Shqipëri. Por nga ky vit ka pasur aq shumë ndryshime ligjesh sa që nuk ka pasur mundësi as institucionet t’i absorbojnë dhe t’i vënë në zbatim. Ndaj edhe Haxhimali nga Shoqata e Bashkive thotë se : “Do ishte mirë që jo vetëm të caktohet objektivi në strategji nga qeveria qendrore, por edhe të mbështeteshin bashkitë, me mjete financiare, rritje kapacitetesh , dhe një fushtatë ndërgjegjësimi mbi rolin dhe ndërveprimin e ZMK-ve dhe konsumatorin”, vijon më tej ai.
Ekspertët që merren me çështjet e konsumatorit bien dakord kur fjala vjen tek mbrojtja që duhet të ketë konsumatori për produktet që konsumon dhe shërbimet që u ofrohen. Ndaj sipas tyre, informimi dhe këshillimi i konsumatorit, sot është jetim, në një kohë kur produktet lokale dhe shërbimet lokale nuk janë ne favor te konsumatorit aspak.
“Vetëm një konsumator i mirëinformuar mund të mbajë një qëndrim kritik ndaj shumëllojshmërisë jo transparente të produkteve dhe të shërbimeve në treg dhe mund të bëjë një zgjedhje të informuar, duke kontribuar në këtë mënyrë për përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe të shërbimeve. Por sot këshillimi ligjor dhe trajtimi i ankesave të konsumatorëve, siguria dhe cilësia e produkteve dhe e shërbimeve, artikujve ushqimorë, shërbimeve bankare dhe financiare, sigurimet, strehimi, efiçenca e energjisë etj. nuk vlerësohen nga qeveria dhe pushteti vendor sa duhet, ndaj konsumatori e pëson si gjithmonë”, thotë për Portën Vendore eksperti i pushteti vendor Agron Haxhimali.
Haxhimihali shton se ZMK nëpër bashki duhet ngritur më mirë vonë se sa kurrë. “Bashkitë ose vetë ose nëpërmjet instrumentit të bashkëpunimit ndërvendor, duhet t’i ngrenë këto strukture sa më parë , dhe jo për hatër të objektivit të strategjive por për hatër të konsumatorit”, përfundon Haxhimali.
AKU: Nuk ka mbivendosje kompetencash me pushtetin vendor
Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informacion Autoritetit të Kontrollit të Ushqimit nëse ka mbivendosje kompetencash mes AKU-së dhe bashkive ku ZMK-të funksionojnë ose nëpërmjet zyrave veterinere? “Ne si AKU kemi pasur dhe kemi bashkëpunim me strukturat e Pushtetit Vendor (strukturat e Shërbimit Veterinar) në bashki referuar kërkesave të legjislacionit në fuqi në fushën e sigurisë ushqimore . Sipas ligjit strukturat veterinare në njësitë e qeverisjes vendore duhet: ë) të kryejnë shërbimin veterinar në mjediset e thertoreve dhe të njësive të therjes, për kontrollin shëndetësor të kafshës para dhe pas therjes, vulosjen e kërkesave të mishit dhe lëshimin e certifikatës veterinare, që shoqëron mishin dhe nënproduktet e tij; f) të njoftojnë autoritetin kompetent për sigurinë ushqimore për rastet kur në thertore konstatohen shkelje dhe parregullsi në respektimin e dispozitave të akteve nënligjore, si dhe të rregullave të zbatueshme”, thotë në përgjigjen për Portën Vendore AKU. Ndërsa AKU vijon sqarimin në lidhje me delegimin e kompetencave, ku shpjegon sesi veprohet në këto raste. “Pas vlerësimit të përmbushjes së kritereve higjieno-sanitare si dhe tekniko teknologjike për ushtrimin e aktivitetit të therjes nga OBU me aktivitet specifik therjen e kafshëve, AKU njofton menjëherë bashkitë ku ushtron aktivitetin ky subjekt për të caktuar mjekun Veteriner i cili do të ushtrojë funksionin në këtë subjekt në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi. Gjithashtu nga AKU bashkëpunim ka patur edhe në rastet e kontrolleve të tregjeve ushqimore për plotësimin e kërkesave ligjore sipas kompetencave të secilit institucion”, thotë ndër të tjera AKU për Portën Vendore.
Mbi 300 ankesa gjatë pandemisë te Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit
Porta Vendore, veç 12 bashkive kryesore në vend (3 prej të cilave, konkretisht Bashkia Elbasan, Kukës dhe Berat iu përgjigjën kërkesës për informim pas ankesës së Portës Vendore tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit), iu drejtua me kërkesë për informacion dhe Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit për të mësuar më shumë rreth aktivitetit të kësaj zyre që është në varësi të Ministrisë së Financave. Fillimisht, në përgjigje të kërkesës së dërguar nga KMK për Porta Vendore, sqarohet përbërja e këtij komisioni me përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe shoqëria civile. Ndërkohë, lidhur me pyetjen se çfarë aktiviteti ka kryer ky institucion gjatë periudhës së pandemisë, tregon se fokusi ka qenë te rritja e çmimeve duke konfirmuar dhe njëherë nevojën jo vetëm të këtij institucioni por edhe të zyrave për mbrojtjen e konsumatorit në bashkitë e vendit.
“Gjatë situatës së krijuar në vend nga virusi COVID 19, u konstatua një problematikë shqetësuese për konsumatorët, rritja e çmimeve të produkteve në treg në mënyrë abuzive. Menjëherë pas shfaqjes së këtij fenomeni, MFE vuri në dispozicion të qytetarëve numrin jeshil (08001414) për të identifikuar të gjithë këto raste. Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorëve (KMK), shprehu gatishmërinë për trajtimin e menjëhershëm të këtyre ankesave. Për këtë qëllim, u kontaktuan menjëherë shoqatat e konsumatorëve dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorëve/Bashkia Tiranë, për të mbledhur dhe adresuar ankesat e konsumatorëve pranë MFE”, shprehet KMK.
Më tej kjo zyrë shpjegon se ka pasur mbi 300 ankesa, të cilat i janë paraqitur nga disa qarqe të vendit, madje nga qytete si Fieri, Durrësi apo dhe Elbasani, që nuk kanë një strukturë në bashkitë përkatëse për mbrojtjen e konsumatorit. “Sipas të dhënave të mbledhura rezulton se janë paraqitur rreth 300 denoncime në rang vendi. Këto ankesa nga ana e KMK u kategorizuan në bazë të llojit te produkteve, vendodhjen e subjekteve tregtare, ku rezultoi që në qytetin e Tiranës ankesat përbënin numrin më të madh rreth 160, pjesa tjetër i takonte kryesisht qyteteve të Durrësit, Elbasanit, Fierit etj. KMK zhvilloi mbledhje online mbi ankesat/denoncimet. KMK mori informacion edhe nga media e shkruar/vizive mbi ankesat e konsumatorëve. Për përmirësimin e situatës u bashkëpunua ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila nëpërmjet strukturave të saj të hetimit tatimor, si dhe nëpërmjet bashkëpunimit me Task-Forcën, të ngritur për këtë qëllim, kryen verifikimet dhe morën masat përkatëse”, thotë KMK.
Gjithashtu ky institucion tregon se ka adresuar edhe denoncime në fushën e komunikimeve elektronike, të cilat më pas i janë deleguar AKEP për zgjidhje.“Pranë KMK, në këtë periudhe janë adresuar gjithashtu edhe 20 ankesa nga platforma e bashkëqeverisjes, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorëve/Bashkia Tiranë, të lidhura me fushën e komunikimeve elektronike (internet, oferta për celularë, etj.). Këto ankesa ju përcollën menjëherë AKEP, si institucion përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe trajtimin e ankesave në fushën e komunikimeve elektronike”, thotë KMK. Në fund, ky institucion sqaron gjithashtu se në fokus ka qenë dhe mbrojtja e konsumatorit për sa i përket sigurisë ushqimore duke bashkëpunuar me institucione të tjera.
Ministria e Financave: Strategjia ndërsektoriale, pa objektiva konkrete
Porta Vendore pyeti gjithashtu pranë Ministrisë së Financave me zbatimin e strategjisë ndërsektoriale e cila në fakt ka mbaruar, për sugjerimin e saj lidhur me pajisjen me zyra për mbrojtjen e konsumatorit për informim në të gjitha bashkitë ne vend, ku burimet zyrtare të këtij institucioni thanë se strategjia nuk ka parashikuar objektiva konkrete.
“Strategjia ndërsektoriale “Për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e tregut 2020”, e miratuar me VKM Nr. 753, datë 16.9.2015, ka të parashikuar një sërë objektivash në drejtim të përmirësimit të nivelit të mbrojtjes së konsumatorëve. Për sa i takon Zyrave për Mbrojtjen e Konsumatorëve në bashkitë e vendit, kjo strategji nuk ka të parashikuar objektiva konkrete. Por pavarësisht këtyre parashikimeve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) e ka konsideruar mjaft të rëndësishëm faktin, që për zbatim efektiv të legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorëve, marrjen e masave sa më konkrete për mbrojtjen e konsumatorëve, është e nevojshme shtrirja e çështjeve të konsumatorëve në të gjithë vendin, nëpërmjet bashkëpunimit me njësitë e qeverisjes vendore. Ligji nr. 9902, datë 17.04.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, pika 2 e nenit 49, i jep strukturës përkatëse në MFE, kompetenca në lidhje me bashkëpunimin me organe qendrore e vendore për mbrojtjen e konsumatorëve”, shprehet Ministria e Financave për Portën Vendore.
Sipas kësaj ministrie, bazat e bashkëpunimit me 61 bashkitë e vendit janë vendosur në kuadër të reformës dhe procesit të riorganizimit të bashkive, me mbështetjen Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale (AZRT) që gjatë vitit 2015, duke siguruar që çdo bashki të ketë punonjësin e ngarkuar me çështjet e mbrojtjes së konsumatorëve. Struktura administrative e mbrojtjes së konsumatorëve në ministri, ka ndërmarrë iniciativën “Përfshirja e pushtetit vendor në përmirësimin e zbatimit të legjislacionit dhe rritjen e nivelit të mbrojtjes së konsumatorëve”, dhe në vijueshmëri janë zbatuar masa, që kishin për qëllim vendosjen e kontakteve me bashkitë dhe organizimi i takimeve rajonale me përfaqësuesit e 61 bashkive, me synim njohjen e punonjësve të bashkisë me legjislacionin e mbrojtjes së konsumatorëve. Madje, për këtë është hartuar në vitin 2017 dhe një memorandum bashkëpunimi me tre bashki të përzgjedhura si pilot Elbasan, Lushnjë dhe Tepelenë. Ndërsa në vitin 2018 është bërë përgatitja e ndryshimeve në legjislacionin e mbrojtjes së konsumatorëve. “Këto ndryshime bënë të mundur sanksionimin ligjor për delegimin e disa kompetencave pushtetit vendor, ne lidhje me: informimin, njoftimin dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve, apo procesin e ankimit të konsumatorëve, si dhe bashkëpunimin dhe ndihmesën e pushtetit vendor në drejtim të qendrave të këshillimit të konsumatorëve”, deklaron Ministria e Financave, e cila shton se janë organizuar dhe aktivitete trajnuese të stafit të bashkive të ngarkuara me çështjet e mbrojtjes se konsumatorëve, për njohjen dhe zbatimin e dispozitave te ligji për mbrojtjen e konsumatorëve të lidhura në pushtetin vendor.
Por, nga përgjigjet e bashkive të vendit vihet re se kjo strategji, duke qenë se nuk ka pasur objektiva konkrete për zyrat e mbrojtjes së konsumatorëve ka rënë në vesh të shurdhët, pavarësisht aktivitete të organizuara për ngritjen e tyre dhe trajnimin e personelit në mbrojtje të konsumatorit.