15 korrik 2020/ Sabina Veizaj/ Porta Vendore/ Durrës
Ndërsa sezoni turistik ka nisur vakët dhe të gjithë shohin turistët si të vetmen shpresë për t’i dhënë pak frymëmarrje ekonomisë, Durrësi është kthyer në një bombë të vërtetë mjedisore. Me gjithë përpjekjet e privatëve për të joshur sa më shumë pushues me oferta duket se qyteti më i vizituar në vend ka pak se çfarë u ofron këtë verë që të gjithëve atyre që do të zgjedhin të kalojnë pushimet verore në Durrës. Me mbeturina që kanë pushtuar rrugët, inertet ngado dhe pallatet fantazmë që të kujtojnë tërmetin e 26 nëntorit, plazhet publike të papastruara, ujërat e zeza që kanë pushtuar bregdetin, premtojnë një sezon turistik të vakët për qytetin që e ka bazuar ekonominë pikërisht tek turizmi.
Është fillimkorriku dhe pushuesit në qytetin e Durrësit numërohen me gishtat e dorës. Bizneset private i kanë marrë të gjitha masat, kanë vendosur shenjat paralajmëruese kudo, shezlongët respektojnë distancat dhe janë në pritje të pushuesve, që këtë vit nuk po duken.
Gjergji ka lindur dhe është rritur në zonën e plazhit. Së bashku me të shoqen frekuenton plazhin publik, që edhe këtë vit nuk është pastruar.
“Erdhën ata të bashkisë para ca ditësh, vendosën tabelën ‘plazh publik’, por nuk e pastruan. Ju e shikoni vetë, si mund të bësh plazh këtu?”, pyet skeptik Gjergji, banor i zonës së plazhit, ndërsa tregon bregun e detit, i cili është pushtuar nga leshterikët.

Pushuesit e paktë që kanë zgjedhur të bëjnë plazh me “çadër me vete”, siç preferon ta quajë kryeministri Rama, duket se e kanë të vështirë të gjejnë pak rërë ku të ngulin çadrën.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë kështu, po futemi në qershor dhe plazhi është i papastruar, – rrëfen më tej Gjergji. – Pastaj këta thonë plazh publik, por këtu nuk ka një tualet, nuk ka një dush…”, – thotë ai.
Ndryshe nga pjesa publike, ajo që u përket privatëve “shkëlqen”.

Majk Kulla, menaxher i “Palace Hotel”, një prej strukturave më serioze në këtë zonë, shprehet se për pastrimin e pjesës së rërës në plazh ka kontraktuar një firmë private.
“Pjesën e rërës së plazhit e pastrojmë vetë ne si biznes pasi klientët që vijnë këtu meritojnë një plazh të pastër dhe ne këtë e ofrojmë. Ndërsa për pjesën e detit s’kemi se si e pastrojmë ne ujin”, thotë ai për Portën Vendore.

Ekspertja e turizmit, Flora Xhemani, rendit një sërë problemesh të tjera që kanë bizneset që operojnë në zonën e plazhit, ku përveç ndotjes atyre i duhet të përballen edhe me një sërë mangësish të tjera.
“Problematikës së mbartur të ndotjes i shtohet këtë vit edhe problematika e re e rindarjes së plazheve 70/30 në favor të plazheve publike, gjë që ka sjellë me vete edhe mungesën e mirëmbajtjes nga strukturat lokale, që është një gangrenë e vjetër. Plazhet private duket që kanë problemin e abuzimit e të uzurpimit të hapësirave në mënyrë të padrejtë shpeshherë, duke mos u dhënë mundësi atyre që nuk i duan shërbimet e tyre, ta vendosin çadrën ku të duan. Por në mungesë totale të mirëmbajtjes së mjediseve publike, tualeteve publike, madje edhe pikave të organizuara ku mund të merreshin së paku çadra me qira modeste (sepse jo të gjithë kanë çadra për plazh), plazhet private duket të jenë më superiorë për sa i përket shërbimeve. Ky kaos, që e ka ndarë edhe popullatën përgjysmë, si në çdo gjë tjetër, mungesa e theksuar e pushuesve në disa zona të caktuara, mungesa e infrastrukturës në zona të tjera, ku ka kërkesë nga pushuesit, gjobat e shumta, të cilave i trembeshin të gjithë (dhe që po ndodhin masivisht), për shkak të rregullores së ndërlikuar që lë shumë vend për abuzime, kanë krijuar si të thuash një kokteil molotov, që në mos e ka hedhur ende, rrezikon ta hedhë në erë këtë sezon. Ç’t’iu them tjetër?”, thotë me të drejtë ekspertja e turizmit Flora Xhemanin për Portën Vendore.
Sipas vëzhgimit që Porta Vendore kreu në bregdetin e Durrësit duket se ndotja e bregdetit të lë për të dëshiruar, ku pushteti vendor ka pastruar vetëm disa pjesë rëre dhe pjesa tjetër pastrohet privatisht nga bizneset dhe hotelet e zonës.
Por, e pyetur nga Porta Vendore, Bashkia Durrës mohon se plazhi është i papastër dhe shprehet se ky institucion ka bërë pastrimin e të gjithë rërës së bregdetit. “Bashkia Durrës ka marrë masa për pastrimin e rërës në bregdet, ashtu sikurse çdo vit tjetër përpara sezonit veror, ndërsa pjesa më e madhe e gjatësisë së bregdetit të Durrësit ka përfunduar se pastruari dhe është gati për turistët, ndërkohë që po përgatitet edhe pjesa tjetër nga punëtorët tanë. Ne kemi mundur të krijojmë mundësinë për hapësirat publike dhe respektimin e tyre nga qytetarët gjithashtu, ndërsa sa i përket ujërave të zeza që derdhen në det, kjo problematikë nuk është në kompetencën tonë, por të Ujësjellës Kanalizimeve”, thanë zyrtarët e këtij institucioni.
Ujësjellës Kanalizimet Durrës të pyetur nga Porta Vendore për një prononcim në lidhje me situatën mjedisore shkaktuara nga ujërat e zeza sidomos gjatë bregdetit të këtij qyteti në këtë sezon veror, thanë shkurt se:
“Nuk ka derdhje të ujërave të zeza, sepse punon impianti që nga 2014. Për atë kanalin e ujërave në plepa, ato janë ujëra që vijnë nga fshatrat sipër rrugës, filtrohen poshtë autostradës dhe një pjesë e vogël derdhen në det. Aty nevojitet investim nga njësia vendore për të bërë rrjetin e fshatrave. Te ura e Dajlanit nuk di të këtë derdhje, në asnjë vend, veç atij në plepa, nuk ka”, thanë zyrtarët e këtij institucioni.

Por, Klaudio Hyseni nga qendra “Durrësi Aktiv”, i cili është duke kryer një sërë vëzhgimeve në terren, nuk mendon kështu. Sipas tij, vëzhgimet faktojnë që kemi të bëjmë me një ndotje mjedisore dhe ndikim në jetesën dhe shëndetin e banorëve dhe për verifikime shkencore të gjendjes të bregdetit ai tregon se raporti do të jetë gati në pranverën e vitit 2021, ku do t’i adresohet më pas Bashkisë Durrës.
“Zonat më të ndotura në qytetin e Durrësit janë disa. Shëtitorja Taulantia, ujëra të papërpunuara shkarkohen 24 orë në 24 nga “Ujësjellës Kanalizime sh.a Durrës” dhe nga biznese të ndryshme që ndodhen në këtë zona, të cilët kanë bërë kanale nëntokësore që kalojnë poshtë shëtitores dhe përfundojnë në det. Hidrovori në Porto Romano, ndotja vjen nga shkarkimi i ujërave të papërpunuara në kanalet kulluese që janë përdorur për vaditje të tokave bujqësore, Ujësjellës Kanalizime sh.a Durrës bën shkarkimin e ujërave të ndotura në këtë kanal dhe biznese të ndryshme që bëjnë kontaminimin me ujëra të ndotur dhe hera-herës zbrazin hidrokarbure në këtë kanal, të cilat përfundojnë në det. Kanali në zonën e Plepave shkarkon ujërat e papërpunuara nga banorët dhe nga bizneset e ndryshme në det. Biznese dhe firma të ndryshme ndërtuese përgjatë gjithë vijës bregdetare nga stacioni i parë i autobusit në plazh deri në Golem kanë bërë kanale të ndryshme nëntokësore, që përfundojnë në det. Ndotja që vjen nga anijet e ndryshme, të cilat shkarkojnë në det mbetjet hidrokarbure, ujë të ndotur dhe mbetje të ndryshme”, tregon Klaudio për Portën Vendore.
Ai vetë është lindur e rritur në qytetin bregdetar, ndaj ia njeh problematikat deri në deje këtij qyteti sa të bukur aq edhe të lënë pas dore në disa drejtime specifike, siç është ai mjedisor. Ndaj Klaudio ka disa sugjerime për pushtetin vendor, pasi ndjeshmëria e tij është po aq e lartë edhe për florën e faunën e bregdetit, një pasuri e tillë që po degradon nga dita në ditë, nga neglizhenca dhe përfitimet e momentit.
“Mendoj që pushteti vendor duhet të ndalojë shkarkimin e ujërave të zeza në det sepse ato e shkatërrojnë florën dhe faunën e bregdetin. Po ashtu duhet të mbrojë mjedisin me trajtimin e ujërave të zeza nga impiantet e përpunimit dhe të bëjë menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane, heqjen mbeturinave nga vendgrumbullimi i Porto Romanos dhe dërgimin e tyre tek impiantet e riciklimit. Gjithashtu duhet një plan rregullues urbanistik për qytetin e Durrësit që ta kthejë atë në qendër të turizmit në Shqipëri dhe mos të kemi ndërtime pa plan të ndërtesave shumëkatëshe”, sqaron Hyseni për Portën Vendore, duke shtuar se bregdeti i Durrësi është shumë i rrezikuar nga shkarkimi i ujërave të papërpunuara, pasi nuk ka një distancë, e cila mund të shmangë nivelin e lartë të ndotjes dhe zakonisht pushuesit përballen me erën e pakëndshme dhe me infeksionet e ndryshme të ujërave të zeza, teksa kanalet janë të dukshme me sy të lirë dhe mund të vërehen përgjatë gjithë bregut.
Sipas tij, zonat ku niveli i ndotjes është më i lartë janë disa:
1.Stacioni nr.8 i pompimit pranë Portit Detar Detar në “Shëtitoren Taulantia” në lagjen nr.1.
2.Porto Romano Lagja nr.18 tek hidrovori i cili bën shkarkimin e ujërave të Ish-Kënetës, Spitallës dhe Shkozetit.
3.Në Plepa ndodhet dhe një kanal grumbullues i ujërave të ndotura i cili bën shkarkimin në det.
Ashtu si Hyseni, Olsi Nika, me profesion biolog, është përshirë si ekspert për matjen e nivelit të ndotjes në kanalet e zonës së Kënetës, ku shpjegon se aty rezultatet nuk mund të jenë surprizë.
“Aty është një zonë e tmerrshme dhe ndotja është stratosferike dhe dallohet edhe me sy të lirë, megjithatë ne synojmë të matim deri në çfarë niveli arrijnë parametrat e ndotjes dhe në fund të kemi një të dhënë më të qartë se çfarë ndodh me shëndetin e atyre që jetojnë në atë zonë”, shpjegon Nika.
Sipas tij matjet do të nisin gjatë muajit shtator dhe do të rikthehen për së dyti në pranverë. “Matjet duhet të ishin bërë që në mars, por për shkak të pandemisë gjithçka u anulua, ndërsa në verë nuk bëhen dot, pasi është procedura e tillë, ndaj do të presim shtatorin, por dihet se banorët në atë zonë janë të kërcënuar nga ky kanal”, shpjegon Nika.
Gjithashtu Qendra “Durrësi Aktiv” po bashkëpunon me “Klinikën e Ligjit Durrës” mbështetur nga Leviz Albania dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë për zgjidhjen e këtyre problematikave mjedisore që shqetësojnë banorët e zonave.
Raporti i vitit 2019 nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ngre alarmin për ndotjen e bregdetit
Por ndotja në vijën bregdetare të Durrësit është një problematikë që thuajse çdo vit del edhe në raportin vjetor të mjedisit, që hartohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Gjatë matjeve të kryera përgjatë 2019-ës, në 21 stacione monitorimi, në 7 prej tyre rezultojnë të kenë nivele të larta të ndotjes.
“Pikë e ndotur mikrobiologjikisht vazhdon të jetë pika pas Kanalit tek Plepat, u vu re prani e shkarkimeve të ujërave urbane të pa trajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte”, thuhet në këtë raport.
Raporti citon se nga “Nga të dhënat laboratorike vërehet ngarkesë mikrobike të Escherichia Coli (FC), dhe të Enteroçocus Intestinalis (IE)) në pikën e 15-të të monitorimit që i korrespondon zonës pas Kanalit tek Plepat; në pikën e 16 të monitorimit që është Shkëmbi i Kavajës; në pikën e 3 të monitorimit që është Plazhi i Zhironit; në pikën e 7-të të monitorimit që është Plazhi Gostivari. Ndërkohë që ndotje më të vogla ka edhe në pikat 8, 12, 15, 16, 17, 18 e 19 të monitorimit”, vijojnë specialistët në raportin e AKM, publikuar vetëm dy ditë më parë në faqen zyrtare të këtij institucioni, ndërsa ky raport duhej të publikoj shumë muaj më parë.
Ndërsa Porta Vendore iu referua një sërë herësh drejtorit të Agjensisë Kombëtare të Mjedisit Edison Konomi, për të aksesuar këtë raport, ndërsa pas më shumë se dy javësh pritje, raporti doli në faqen zyrtare të agjensisë, ku u bë i aksesueshëm.
Në raportin e publikuar së fundmi, theksohet se ndonëse në vijën bregdetare të plazhit në qytetin e Durrësit, brezi ranor ishte i pastruar nga ana e Bashkisë, në disa stacione mostrimi vërehej prani e leshterikëve si dhe mbetjeve nga deti siç janë Currilat, si dhe prani e pakët e koshave dhe e tualeteve.
Plazhi i Lalëzit sipas këtij studimi ka rezultuar i pastër në të tre pikat e monitorimit, por ndërkohë në plazhet e Kavajës, që është një vazhdim i plazheve të Durrësit, situata nuk është shumë e mirë. “Në zonën ranore të bregdetit në plazhet e Kavajës, në disa fushata mostrimi u vërejtën mbeturina urbane, leshterikë, me prani të pakët të koshave të mbeturinave dhe tualeteve. Në plazhin e Kavajës cilësia e ujërave bregdetarë të larjes për 9 seritë e monitorimit nuk ka ngarkesë mikrobiologjike të ujërave në këto plazhe, përveç zonës tek Majami dhe zonës të njohur si ‘Vjena’ ku u konstatuan ndotje mikrobike të ujërave në këto plazhe”.
Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, që bën çdo vit një vlerësim në rang kombëtar për thuajse të gjithë parametrat e mjedisit ka dalë në përfundimit se zonat pas Kanalit (Plepa) dhe Shkëmbi i Kavajës në Durrës, janë të kategorisë D, pra cilësi shumë e keqe dhe rekomandojnë marrjen e masave të menjëhershme, madje edhe mbyllje provizore të tyre.
Ndërkohë që në kategorinë C që konsiderohet cilësi e mjaftueshme janë Plazhi Zhiron; Plazhi Gostivari; Apollonia-Hotel Grand; Plazhi Benilva në Durrës.
Sipas ekspertëve që kanë hartuar këtë raport “faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara në trupat ujorë pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte, por nga tjetër faktorë që ndikojnë janë dhe praktikat jo të mira higjienike të vetë pushuesve, ndërgjegjësimi i tyre, kultura mjedisore, që ndikon në prishjen e cilësisë së mjedisit si në ndotjen e brezit ranor ashtu dhe të ujërave bregdetarë rekreative.
Ekspertët shprehen se gjatë monitorimit ata kanë konstatuar se nuk janë marrë masa të mjaftueshme për pastrimin e rërës së plazheve, vendosjen e nyjeve higjieno-sanitare, dusheve publike dhe menaxhimin e mbeturinave të ngurta në plazhet publike, nga ana e pushteti vendor. Agjencia Kombëtare e Mjedisit i rekomandon pushtetit lokal të marrë masa në zonat e ndotura për trajtimin e ujërave urbane, para se ato të shkarkohen në det si dhe informimin e publikut mbi cilësinë e ujërave bregdetarë të larjes nëpërmjet vendosjes së tabelave elektronike informuese në kohë realë.
Sipas tyre edhe zbrazja e shpeshtë e gropave septike, para se ato të tejmbushen dhe të derdhen në ujëra larës, sidomos kjo në periudhat që ka reshje të shumta.
“Shtimi i masave nga Pushteti Lokal, për pastrimin dhe menaxhimin e plazheve, sidomos gjatë sezoneve turistike, për ngritjen e nyjeve sanitare si edhe shtimin e koshave të mbeturinave në plazhet publike. Rekomandohet forcimi i komunikimit ndër institucional për të marrë masa në kohë reale për ndotjen dhe për të informuar publikun”, përfundon kapitulli për cilësinë e ujërave bregdetarë i përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.
Ujërat e zeza, një problem i pazgjidhur edhe tek Gjiri i Lalzit
Nëse keni zgjedhur për t’u larë në ujërat e Gjirit të Lalzit dhe mendoni se i jeni shmangur ndotjes, gaboni. Gjatë periudhës së pandemisë në kompleksin e vilave Lura, filloi të hapej një kanal i madh, i cili pasi kalon buzë vilave luksoze të qeveritarëve shkon e derdhet në det. Bëhet fjalë për devijimin e lumit Tarin, i cili tashmë derdhet në brendësi të fshatit turistik dhe mbledh me vete ujërat e zeza dhe të ndotura të fshatrave Armathë dhe Rrotull, si dhe mbetjet e një ndërmarrje pularie në fshatin rrotull.

Erla Mëhilli, këshilltare e ish-kryeministrit Berisha, e cila prej vitesh jeton në këtë zonë e ka konsideruar “masakër mjedisore” dhe e ka denoncuar publikisht atë që po ndodh në këtë zonë, por aktualisht lumi Tarin derdhet i qetë në shtratin e ri që kalon mes për mes vilave luksoze të gjirit të Lalzit.
“E kam thënë që ky lumë apo kanal nuk erdhi vetë, nuk ka se si, por nga ndërhyrjet e gabuara të babëzisë dhe pangopësisë së ndërtuesve për të zgjeruar fshatrat turistikë. Dhe pikërisht aty ku aktualisht do të ndërtohet fshati Lura 5 ndodhet edhe lumi Tarin. Nuk bëhet fjalë vetëm për sistemim, por kanë devijuar edhe shtratin natyror të këtij përroi”, shkruante në denoncimin e saj në rrjetet sociale Erla Mëhilli.
“Porta Vendore” bëri një vëzhgim në terren, dhe jo vetëm që plazhi është ende i pa pastruar, por ujërat e zeza të Tarinit kanë pushtuar të gjithë zonën.

Banorët e vilave në këtë zonë, shprehen të pafuqishëm për të ndryshuar diçka, megjithëse ata kanë investuar shumëçka aty. “Jemi ankuar, por ku të gjejmë zgjidhje. Lumi kalon fiks para vilës së presidentit, kur as ai nuk bën dot gjë, çfarë mund të bëjmë ne”, na thonë banorët të cilët referojnë të qëndrojnë anonimë.
Ata ankohen se si pasojë, vija e bregdetit ku mund të bëjnë plazh është zvogëluar edhe më. “Ç’të bëjmë, kjo ishte pjesa publike, dmth nëse nuk do të marrësh një çadër me pagesë mund të zgjidhje çadrën tënde, por tani jemi të detyruar të marrim një çadër me pagesë, se nuk do të lahemi ngjit me ujërat e zeza. E ta mendosh që ne jemi banorë e qëndrojmë një kohë të gjatë këtu”, thonë ata për Portën Vendore.
Dhe për të ilustruar atë që do të ndodhë pas këtij devijimi, Erla Mëhilli ka bërë publike edhe një foto të të voglit të saj. “Im bir, Akidi, dy vite më parë, i cili duke luajtur u largua nga zona ku ne bëjmë plazhin dhe shkoi aty ku përroi Tarin kishte krijuar pellgun përpara rrjedhjes në det. Tre ditë më pas dolën këto pulla në lëkurë. Rezultoi se ishte infeksion bakterial, Impetigo quhet. Fatmirësisht e kapëm në kohe dhe i izoluam me antibiotikë lokalë, ndryshe pullat përhapen në tërë trupin dhe do duhej antibiotik nga goja. Tani imagjinoni që këto ujëra nuk janë më larg, por aty ku lahen banorët dhe fëmijët tanë”, përfundon ajo duke treguar foton e të birit.
Shpëtimi nga kriza që solli Covid 19, një ëndërr e largët
Duket se trinomi, ndotje, Covid 19 dhe kriza e sivjetshme e turizmit, do të krijojë një situatë aspak të këndshme jo vetëm për pushuesit që aktualisht janë të paktë në numër, por edhe për bizneset që presin me padurim t’i mbijetojnë këtij sezoni të vështirë, si kurrë më parë.
Majk Kulla, menaxher i “Palace Hotel”, një prej strukturave më serioze në këtë zonë, shprehet se që prej 7 vitesh që ata operojnë, ky është viti më i keq i mundshëm.
“Ky vit ka qenë skandaloz. Nuk ishte menduar ndonjëherë se mund të vinte edhe një vit i tillë, – thotë Kulla. – Ne e kishim verën të mbyllur duke filluar që nga 15 qershori deri në 15 shtator dhe thuajse 70% na u anuluan”.
Sipas tij, këtë sezon nuk bëhet fjalë për fitime, por vetëm për mbijetesë.
“Të gjithë ata që janë të lidhur me turizmin: si agjenci, tur operator, hotele apo restorante është fitore nëse do të arrijnë të mbijetojë këtë sezon”.
I pozicionuar kryesisht tek klientët e luksit, ai shpjegon se “Palace” nuk ka ndryshuar çmimet, por këtë vit dhomat mbushen plot vetëm gjatë fundjavave kur edhe ata kanë filluar e aplikojnë ofertat.
“Tregu vendas nuk e ka mundësinë ekonomike të vijë te “Palasë Hotel”, mund të vijnë për një kafe, për një drekë…hoteli është i shtrenjtë për xhepin e shumicës së shqiptarëve dhe ne nuk duam ta ulim standardin, – shpjegon menaxheri Kulla. – Është kjo arsyeja që nuk i kemi lëvizur çmimet, por jemi duke azhornuar çdo javë një ofertë të re që të tërheqim klientët vendas. Studiojmë tregun, por nuk e ulim standardin”, përfundo ai.
Sipas tij, ndonëse bizneseve që ofrojnë këtë shërbim u janë rritur kostot, për shkak të protokolleve që duhet të zbatojnë në kuadër të pandemisë të shkaktuar nga Covid-19, ai shpjegon se nuk kanë pasur asnjë masë lehtësuese nga qeveria.
“E vetmja masë ka qenë pagesa e punëtorëve gjatë pandemisë, ndërkohë ne si biznes nuk kemi përfituar asgjë”, thotë ai ndërsa kujdeset që plazhi që ai ka nën administrim të jetë xixë.
Pak metra më tutje, Erisi, menaxher i hotel “Virginia” nxiton i shqetësuar me një tufë letra në dorë.
“Sapo na erdhën inspektorët dhe na thanë se do të na gjobisin, pasi nuk i kemi plotësuar të gjitha masat që ata pretendojnë. Nuk e di se çfarë duhet të bëjmë më tepër në këtë situatë ku jemi, pasi jemi përpjekur të respektojmë çdo rregull që kanë nxjerrë. Ki parasysh se këto janë gjëra të reja, e ne po i mësojmë gjatë rrugës”, thotë ai për Portën Vendore.
Ashtu si edhe hotelet e tjera në këtë zonë, edhe tek Virginia, gjithçka është bosh. Çadrat e sistemuara bukur dhe rëra e pastruar, ende nuk janë shkelur nga asnjë këmbë pushuesi.
“Po çfarë thua, ku kemi punë. Maksimumi kemi pasur dy dhoma të prenotuara gjatë të gjithë kësaj kohe, që nga hapja. Nuk kemi parë si ky vit”, pohon më tej ai.
I gjendur në vështirësi ekonomike, Erisi, thotë se janë menduar disa herë të reduktojnë edhe stafin. “I kemi marrë në punë, por nuk kemi me çfarë i paguajmë. Edhe nëse i heqim kemi frikë se kur të fillojë puna nuk kemi pastaj ku t’i gjejmë. Nëse nuk vijnë kosovarët, ne kemi marrë fund…”, përfundon Erisi, i cili nxiton të takojë inspektorët me dokumentacionin në dorë.
Kamerierë që presin me ankth në këmbë ndonjë pushues, lokale të boshatisura dhe ndonjë pushues i rrallë është pamja e trishtueshme që të shoqëron jo vetëm përgjatë zonës së plazhit në Durrës por edhe në zonën e urës së Dajlanit.
“Nuk ka pas aq punë nëse do ta krahasojmë me punën në të njëjtën kohë një vit më parë. Njerëzit tani edhe kur vijnë pinë kafe janë si të stresuar, plus që për ne punonjësit e shërbimit, muajt e verës janë ato më domethënësit, ku përveç rrogës presim edhe ndonjë bakshish, por duket sikur ky detaj mirësjellje është harruar tanimë nga njerëzit që frekuentojnë barin tonë”, tregon Luisi, kamerier i një bar-restoranti pranë zonës së Urës së Dajlanit.
Por duket se kriza që ka shkaktuar pandemia globale e Covid 19 nuk ka ndikuar vetëm tek hotelet, baret e restorantet e zonës së plazhit në Durrës por ka ndikuar gjithashtu, mbase edhe shumë më shumë tek shitësit ambulantë.
Qazim Murati, shitës ambulant prej 18 vitesh në këtë zonë, vjen vërdallë me karrocën e tij të ngarkuar dingas. Meqë nuk ka asnjë blerës, po hap një rrugë të vogël në plazh që ta ketë më të lehtë jo vetëm të kalojë karrocën e tij, por edhe nënat me fëmijë që mund të vijnë.
“Këtë fundjavë harxhova 2000 lekë për të blerë disa gjëra dhe kam bërë vetëm 800 lekë. Kurrë nuk ka ndodhur kjo situatë, – na tregon Qazimi. – Vitet e kaluara mesatarisht fitoja 3000 lekë, pasi vetëm 3 muaj në verë punojmë”, rrëfen ai për Portën Vendore.

Pak metra me tutje takojmë Anitës, e cila është një shitëse ambulante gjithashtu. Ajo na rrëfen se vjen çdo vit nga Kamza drejt Durrësit, ku nëpërmjet një tezge të lëvizshme shet produkte të ndryshme bizhuterish, si byzylykë, varëse, vëthë etj.
“U bë mbi 20 vite që gjatë 3 muajve të verës vij këtu. Marrim shtëpi me qira dhe jetojmë në plazh. Në fakt me thënë të drejtën vitet e tjera na ka leverdis, por këtë vit mesa po shoh jo. Kam një javë që dal dhe ende nuk ka blerë asnjë njeri. S’di ça të bëj as me shtëpinë, a ta paguaj për muajin tjetër apo jo. Situata për ne që nxjerrim bukën e 9 muajve të tjerë të vitit duke punuar në sezon turistik në mënyrë ambulante, paraqitet shumë e keqe”, shpjegon e mërzitur ajo.
Sipas ekspertes së turizmit Flora Xhemani, gjysma e sezonit tashmë është djegur, dhe pritshmëritë e bizneseve janë për muajin gusht, ku shumica e shqiptarëve zgjedhin të pushojnë mes datave 10 dhe 20 gusht, çka mund të krijojë edhe një lloj piku modest në turizmin shqiptar.
“Pritet ajo që ishte parashikuar dhe po ndodh; frekuentimi ditor nga vendasit dhe kryeqytetasit, fluksi kryesor nga Kosova dhe rritja e tij në fundjavë, duke e bërë qershorin të vakët e të ngjashëm me turizmin e muajit maj. Mbi këto shina do të ecë edhe korriku, duke e shtuar fluksin e turistëve nga Kosova, po të kemi parasysh edhe vendimet e hapje-mbylljeve me Malin e Zi, që e drejton rrjedhën e turistëve nga Shqipëria. Nëse nuk do të kemi ndryshime prej dinamikës së pandemisë, në gusht mund të shpresojmë në një ardhje të emigrantëve, gjë që sidoqoftë do jetë një prurje modeste, sepse edhe ata janë goditur nga kriza dhe shumë prej tyre nuk do të udhëtojnë. Midis këtij fluksi, kemi një garniturë të vogël turistësh të huaj, që i faturohet për këtë verë fluturimeve charter të vetëm një kompanie, që i solli dhe po i sjell turistët nga Bjellorusia dhe Ukraina. Po ndryshon vazhdimisht data e ardhjes së charterave nga Polonia; më e fundit është shpallur për në 14 korrik, gjë që redukton ndjeshëm numrin e tyre në total sepse i bie që gjysma e sezonit është djegur tashmë. Pra, asgjë e re dhe e paparashikuar nga fronti i turizmit”, rrëfen ekspertja e turizmit Flora Xhemani, e cila është në kontakt të vazhdueshëm me bizneset e turizmit.