14 korrik 2020/ Xhemil Beharaj/ Porta Vendore/ Roskovec
Rreth 300 fermerë të fshatit Suk në Bashkinë Roskovec rrezikojnë të mbeten pa rrugë për të shkuar në tokat e tyre për shkak të shembjes së një ure, e cila është ndërtuar vetëm 6 muaj më parë. Sipas fermerëve, ura ende nuk është inauguruar, ndërkohë që rezulton se bashkisë i ka kushtuar rreth 5 milionë lekë, megjithëse autoritetet vendore deklarojnë se ende nuk është bërë pagesa dhe do i kërkohet kompanisë kontraktuese të marrë masa për riparimin e duhur.
Banorët e fshatit Suk 2 rreth pesë vite më parë kishin marrë premtimin për ndërtimin e një ure, e cila ishte shkatërruar dhe ndihmon fermerët për të shkuar nga shtëpitë për tek tokat e tyre. Banorët e fshatit, që ka rreth 600 familje dhe mbi 300 fermerë, mendoi se halli gati 30-vjeçar mbaroi rreth një vit më parë, kur Bashkia e Roskovecit njoftoi se ka kontraktuar një kompani për ndërtimin e urës së shumëpritur, duke qenë se prej vitesh nuk ishte kryer asnjë investim me vlerë, veç shtrimit të rrugës, i kryer gjatë vitit 2018. Pak muaj më vonë, kompania private filloi ndërtimin e urës, e cila sipas banorëve të fshatit ka përfunduar rreth 6 muaj më parë. Por, gjatë shirave të qershorit, ura krijoi një gropë të madhe, duke rrezikuar shembjen.
“Krijoi një gropë të madhe dhe aty më mbeti makina e djalit. Kam njoftuar menjëherë familjarët dhe kemi marrë makinën, se rrezikonte që makina të binte në kanal. Pasi kemi nxjerrë makinën, e kemi mbushur me gurë vetë si banorë. Nuk e kuptoj sesi është punuar me atë urë, por desh më mori makinën e blerë nga djali”, shprehet një 80-vjeçare e fshatit Suk 2, familja e të cilës merret me bujqësi dhe atë urë e përshkon disa herë në ditë.
Ndërsa Hamzai, një tjetër fermer shpjegon se aty kalojnë pothuajse 300 fermerë që shkojnë në tokat e tyre. “Ne kemi të mbjellat në krahun tjetër të kanalit kullues. Ura nuk mbajti as gjashtë muaj nga ndërtimi. Madje, as inaugurim nuk i kanë bërë. E pritëm këtë urë për vite të tëra dhe tashmë prishet pa kaluar as gjashtë muaj. Nuk e di se ku i kanë çuar paratë, duke bërë ndërtime kaq të dobëta”, shprehet skeptik Hamzai.

Për këtë shqetësim, banorët janë ankuar dhe pranë Bashkisë së Roskovecit, por deri tani nuk kanë marrë asnjë zgjidhje, megjithëse u është premtuar një përgjigje sesi do të veprohet brenda një kohe të shkurtër. “Që në muajin qershor i jemi drejtuar Bashkisë së Roskovecit, kemi shkuar disa banorë dhe kemi kërkuar takim me kryetaren. Na kanë thënë se do zgjidhet ky problem, por se si dhe kur nuk e dimë, shpresojmë që mos të presim, aq sa pritëm për ndërtimin e saj”, shprehen Toni, një tjetër fermer. Ndërsa një zotëri, i cili po transporton perime me gomar, shprehet nga larg se urën e prishën mjetet e tonazhit të lartë. “Këtu vijnë mjete të ndryshme të tonazhit të lartë dhe bashkia duhet të kujdeset për ne, pasi ne jemi mbi 300 fermerë dhe të gjithë paguajmë taksat. Veç urës ne po na detyrojnë të hedhim prodhimet në lumë se askush nuk kujtohet për ne. Të na bëjnë të paktën urën, se tokat i punojmë vetë”, shprehet ai i indinjuar.
Sipas dokumenteve zyrtare të Bashkisë Roskovec, tenderi u zhvillua në muajin prill të vitit 2019, ku u shpall dhe fituesi për ndërtimin e urës me gjatësi 5 metra, lartësi 2 metra dhe gjerësi 3 metra, konkretisht mbi kanalin kullues të fshatit Suk 2. Por, punimet nuk filluan menjëherë, pasi fituesi i tenderit me vlerë të vogël 560 mijë lekë të reja, kompania Cameleon Construction u tërhoq nga gara. Megjithatë, nga dokumentet, në kushte të pashpjegueshme rezulton se kjo kompani është fituese e këtij tenderi.
Kompania Cameleon Construction u kontakua nga Porta Vendore në lidhje me këtë tender, por administratori i saj, Saimir Hoxha deklaroi se është tërhequr nga tenderi. “Ne nuk kemi marrë pjesë në këtë tender, i kam thënë juristit të tërhiqet dhe nuk kemi qenë të pranishëm”, tha Hoxha.
Për këtë arsye, por dhe për të kuptuar më shumë sesi ka mundësi që ura u shemb gjashtë muaj pas ndërtimit, duke nxjerrë në pah punimet e dobëta të kryera nga kompania kontraktuese, Porta Vendore kontaktoi dhe me Kryetaren e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi. “E dimë si problem, pasi jemi njoftuar nga banorët. Menjëherë pas shqetësimit të tyre, ne si bashki i kemi bërë njoftim kompanisë për të kryer riparimet e duhura. Madje, Bashkia Roskovec ka dërguar dhe specialistët e vet për të parë situatën nga afër. Nga ajo që kemi konstatuar rezulton se çarja e urës nuk është thelbësore, por është në pjesën e jashtme të mbushur me çakull”, deklaroi për Portën Vendore Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi. Ndërsa në lidhje me financimin e punimeve të dobëta për këtë urë, ajo vuri në dukje se ende nuk është bërë asnjë pagesë. “Vepra nuk është marrë ende në dorëzim nga Bashkia e Roskovecit dhe deri tani shpenzimet janë kryer vetëm nga firma e kontraktuar. Kështu që ne do të presim të bëhen riparimet, pasi e kemi njoftuar kompaninë që ka bërë punimet dhe pasi të kontrollojmë cilësinë e tyre, që është edhe periudha e garancisë, atëherë do të vendosim për të bërë pagesën”, shtoi Bufi.
Nga interesimi pranë Bashkisë së Roskovecit, Porta Vendore mësoi se kompania që ka fituar tenderin pas tërheqjes së “Cameleon Construction” rezulton se është kompania ASI-2A. Co. Për të mësuar më shumë rreth “fatit” të kësaj vepre arti, Porta Vendore kontaktoi dhe me administratorin e kësaj kompanie, zotin Astrit Gjikondaj. Ky i fundit na vuri në dijeni se ka marrë informacion mbi këtë çështje, por ende nuk e kanë verifikuar problemin nga afër.
“Dy ditë më parë kam marrë një shkresë zyrtare nga bashkia dhe jam vënë në dijeni për një problem të shfaqur në një objekt të ndërtuar nga kompania jonë. Ne do ta verifikojmë problemin në vend dhe nëse nevojitet, do të kryhet riparimi i duhur. Normalisht që vepra është ende në periudhën e garancisë dhe kompania ende nuk është paguar për punimet e kryera”, tha për Portën Vendore administratori Gjikondaj.
Megjithatë, ende mbetet për t’u parë nëse kompania do të ndërhyjë për riparimin e defektit dhe kur mund të ndërhyjë, ndërsa fermerët presin me shpresë që ajo të ndërtohet sa më shpejt, pasi ka vështirësuar jashtë mase punën e tyre të përditshme, sidomos në sezonin e vjeljes së produkteve, pasi nuk mund të përdorin mjetet e tyre për transportimin e mallrave. Deri në atë kohë, ata shpresojnë që ura mos të lihet në harresë dhe ato para të tenderuara nga bashkia të hidhen dëm.