Vëzhgim/Analizë

Projekti 3.5 milionë dollarë i tabletave dixhitale që nuk hyri në punë gjatë pandemisë e mësimit online

13 korrik 2020/ Eljona Ballhysa/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore

Periudha e karantinës për shkak të pandemisë Covid-19 imponoi zhvillimin e mësimit online, i cili nxori në pah jo pak vështirësi e probleme, por mbi të gjitha na kujtoi edhe për një investim të qeverisë shqiptare të pak viteve më parë, që presupozohej të sillte “një transformim radikal” të arsimit, siç është shprehur vetë kryeministri. Bëhet fjalë për projektin e dixhitalizimit të shkollave, një prioritet i qeverisë Rama në mandatin e tij të parë. Një projekt që synonte krijimin e klasave dixhitale fillimisht në 60 shkolla të mesme të vendit dhe pajisjen e 120 klasave me tableta dhe më pas shtrirjen e investimit në të gjitha shkollat në vend. Në vitin 2015 u blenë 5800 tablete dhe u shpenzuan nga buxheti i shtetit 3.5 milionë dollarë. Pyetja që u ngrit me të drejtë, madje nga vetë nxënësit gjatë periudhës së karantinës, është se pse ky projekt i qeverisë nuk shërbeu dhe nuk ndihmoi mësimdhënien dhe mësimnxënien online? Ndërsa Portavendore.al ka ngritur një sërë pyetjesh të tjera që ia ka drejtuar jo vetëm ministrisë aktuale të arsimit, por edhe ish ministres Lindita Nikolla, e cila e inicioi këtë projekt si dhe aktorëve të tjerë kyç në të gjithë këtë proces, të cilët sjellin këndvështrime dhe opinione të ndryshme.

Mësimi me tablete, nxënësit ‘përplasen’ me ministrinë

Duket se për shumë nxënës mësimi me tableta është si fillimi i një përralle, “na ishte njëherë”. Disa prej tyre kujtojnë se, “Po, shkolla ka pasur një klasë është bërë disa herë mësim me tableta dhe më pas u lanë në harresë”. Kështu thotë për Porta Vendore Inesi nga gjimnazi Petro Nini Luarasi.

“Kemi përdorur tabletet e shkollës disa orë kur ishim në vit të parë, ndërsa vitin e dytë nuk bëmë asnjë orë mësimi. Mbaj mend se edhe ato orë që bëmë më shumë na mësuan si do funksiononte mësimi me tablete. Pra më shumë ishte ana teknike, si funksiononin pajisjet, hapja e një llogarie personale, pra më shumë si orë matematike”, tregon ajo.

Ndërsa Andi nga gjimnazi “Gramoz Palushi” thotë se nuk i ka përdorur asnjëherë tabletat vetëm se di që në shkollë ka një klasë dixhitale. “Di vetëm që shkolla jonë ka një klasë dixhitale, por ne s’kemi bërë asnjë orë mësimi, as i kemi parë dhe as i kemi prekur ndonjëherë më dorë tabletet”, thotë Andi.

Ndërsa Elisabeta Filaj, presidente e shkollës “Sami Frashëri” i tha Portës Vendore se kanë qenë disa klasa që e kanë përdorur këtë teknologji të avancuar. “Në shkollën tonë në dijeninë time, klasat dixhitale kanë qenë funksionale, megjithëse unë vetë nuk kam bërë mësim me tablete. Por di që kur u prish shkolla, tabletet u hoqën nga mësuesit e shkollës prej aty”, tha ajo.

Një nga shkollat ku u pilotua fillimisht ky projekt ka qenë edhe gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë. Kryeministri Edi Rama, u shfaq entuziast në gjimnazin “Sami Frashëri” në vitin 2015, kur deklaroi se: “deri në vitin 2018 çdo klasë gjimnazi në Shqipëri do të pajisej me tablete. Jam i bindur që me përfundimin e këtij projekti në tre vitet e ardhshme, ne do të kemi mundësinë të themi se jemi në kushtet e një transformimi të pa ndodhur më parë, përmes të cilit pa asnjë dyshim do të kemi mundësi të shohim më tutje dhe të sjellim transformime, që sot mbase as që mund t’i imagjinojmë”.

Por pyetja që lind natyrshëm pas shembjes së Gjimnazit “Sami Frashëri” është: A u rrënua bashkë më shkollën dhe përpjekja e klasave dixhitale në këtë gjimnaz për aq kohë sa këto tablete karikoheshin falë një sistemi statik të vendosur në klasat e institucionit?

Porta Vendore kontaktoi me drejtoreshën e gjimnazit zonjën Teuta Dobi për të marrë një informacion më të hollësishëm se si ka funksionuar mësimi me tablete. A rezultoi i suksesshëm ky projekt? Pse nuk u përdorën tabletet përgjatë kohës së karantinës dhe mësimit online dhe çfarë ndodhi me rrjetin e tableteve tani që gjimnazi “Sami Frashëri” u shemb? Por të gjitha këto pyetje nuk morën përgjigje, pasi zonja Dobi kërkoi që të merrnim leje te Ministria e Arsimit që ajo të mund të na jepte informacion.

Porta Vendore sigurisht që iu drejtua edhe Ministrisë së Arsimit me një kërkesë për informacion me një listë të gjatë pyetjesh dhe përgjigjet na i ktheu Ornela Koleka, e cila në vitin 2015 ka mbajtur funksionin e Drejtoreshës së Teknologjisë në Ministrinë e Arsimit dhe ka drejtuar projektin e dixhitalizimit të shkollave, ndërsa aktualisht mban një tjetër funksion në këtë ministri. Në përgjigjen e saj, Koleka sqaron se është koordinuar me strukturat përkatëse të Ministrisë së Arsimit për pyetjet tona.

Ndryshe nga sa pohojnë nxënësit, Koleka thotë se 60 shkolla të mesme në vend janë pajisur me tablete dhe se ato, jo vetëm janë përdorur nga nxënësit, por edhe kanë dhënë një impakt pozitiv.

“Digjitalizimi i procesit mësimor ka qenë dhe mbetet fokus i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), pasi vlerësohet shumë zhvillimi i kompetencave TIK të qëndrueshme tek nxënësit. Pa dyshim, në fokus ka qenë edhe zhvillimi profesional i mësuesve, të cilët koordinojnë dhe nxisin aplikimin e metodave teknologjike të të nxënit për zhvillimin e kompetencave TIK tek nxënësit. Në këtë kuadër, janë ndërmarrë projekte dhe iniciativa që kanë ndikuar pozitivisht në performancën e zhvillimeve të qëndrueshme të kompetencave TIK. Një nga këto iniciativa ka qenë edhe zbatimi i projektit të digjitalizimit të sistemit parauniversitar që ka pasur komponentët e vet përkatës në disa drejtime. Një prej tyre ka qenë pikërisht edhe investimi në infrastrukturën laboratorike, duke pajisur 60 shkolla të mesme në nivel kombëtar me tabletë, projektorë interaktivë, laptopë, infrastrukturë të rrjetit dhe përdorim të sistemeve të menaxhimit të informacionit dhe platformave e-learning. Në zbatimin e këtij projekti u pilotuan 2 zgjidhje: ajo e përqendruar, ku u shpërndanë 4,800 tableta; dhe pjesa tjetër rreth 1,000 tableta u shpërndanë ndërmjet mësuesve inovatorë, të cilët vijuan mësimin në distancë me nxënësit e tyre. Për sa i përket buxhetit fillestar të parashikuar, ai është realizuar i gjithi”, sqaron Koleka.

E pyetur në lidhje se përse këto tablete nuk u përdorën për mësimin online gjatë karantinës Koleka shpjegon: “Në lidhje me përdorimin e këtyre tabletave nga nxënësit për mësimin online gjatë periudhës së karantinës, bëjmë me dije se tabletat e shpërndarë tek mësuesit inovatorë janë përdorur, ndërsa për tabletat e tjera nëpër shkolla ka qenë praktikisht e pamundur të përdoreshin sepse ata kanë një sistem që karikohen në një stacion brenda klasës. Pra, nuk kanë karikues mobil që ta çojnë në shtëpi. Dhe përderisa nxënësi nuk mund ta kthejë çdo ditë në shkollë për karikim, ai thjesht bëhet i papërdorshëm. Për fat të keq, kjo nuk ishte një mënyrë që mund t’u vinte në ndihmë nxënësve që nuk kishin pajisje digjitale gjatë mësimit online”, thotë drejtoresha, e cila thekson se dixhitalizimi i arsimit vijon të mbetet në fokusin e Ministrisë së Arsimit dhe madje është në planin afatgjatë që ky projekt të ridimensionohet në strategjinë e re të arsimit.

Po të njëjtën gjë ka deklaruar më herët edhe ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ku në një dalje publike të datës 14 prill ka folur ndër të tjera mbi pamundësinë e tableteve për tu shpërndarë nëpër nxënës që e kishin të pamundur aksesin e tyre në platformat online të mësimdhënies.

Është e vështirë të nxirren ato tablete nga shkolla dhe tu dërgohen nxënësve që s’kanë pajisje, sepse e para ato janë pronë e shkollës dhe e dyta është e pamundur sepse ato kanë një sistem që karikohen brenda klasës, pra nuk kanë një karikues mobile. Dhe përderisa nxënësi nuk mund ta kthejë çdo ditë në shkollë, ai bëhet i papërdorshëm”, tha në fjalën e saj Ministria e Arsimit. Në këto kushte, Porta Vendore pyeti sërish Ministrinë e Arsimit, po tabletet e përdorur nga mësuesit gjatë pandemisë, ku karikoheshin, pasi si për nxënësit, që nuk janë në pronësi të tyre, e njëjta situatë ekziston dhe për mësuesit.

Por, Ministria e Arsimit deklaroi se për mësuesit karikuesit janë instaluar në shtëpi! “Siç është cilësuar edhe në informacionin e dhënë më përpara, janë pajisur me tableta mësues inovatorë, të cilët natyrisht dispononin edhe infrastrukturën e karikimit të tyre. Nxënësit e kanë përdorur këtë infrastrukturë në ambientet e shkollës”, deklaroi Ministria e Arsimit në një përgjigje të dytë pas shumë tentativash me telefonata dhe e-maile për marrjen e një përgjigjeje konkrete për Portën Vendore.

Ndërsa për tabletet në shkollat e shembura për shkak të dëmtimeve nga tërmeti, Ministria e Arsimit pretendon se ato janë hequr nga këto ambiente dhe ruhen për tu vendosur sërish në ambientet e reja. “Si në rastet kur një pjesë e shkollave janë në proces rikonstruktimi apo edhe në rastet kur këto shkolla janë dëmtuar pjesërisht nga tërmetet, strukturat përkatëse të arsimit në zonat specifike kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të zhvendosur ato në ambiente të tjera fizike me qëllim ruajtjen e tyre dhe ri-instalimin kur shkollat të jenë gati”, deklaroi MAS.

Ndërsa Ish deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi që në nisje të periudhës së karantinës dhe mësimit online ka denoncuar zhdukjen e laboratorëve e klasave digjitale e tableteve për të cilat qeveria shpenzoi një fond jo të vogël parash.

“Para karantinimit investimet për futjen e teknologjisë në arsim, për klasat virtuale, laboratorë e tableta u zhdukën në drejtim të paditur. Bëhet fjalë për 3 milion euro, në bazë të një marrëveshje me qeverinë austriake. Drejtorisë së e-learning iu vu kyçi, dhe IZHA u shkri brenda Inspektoratit. Ndërsa premtimet e Ramës në vitin 2015 për të pajisur me këto mjete çdo shkollë e klasë të mesme u tretën, dhe rezultuan të ishin mashtrime”, tha ndër të tjera Boçi.

Lindita Nikolla: Projekti rriti interesin e nxënësve te mësimi. 3 propozime për të ardhmen

Lindita Nikolla ishte ministre e Arsimit në vitin 2014-2015 kur nisi të implementohej projekti i klasave digjitale. Për Portën Vendore ish ministrja Nikolla pohon se projekti ishte mjaft ambicioz dhe e synonte dixhitalizimin e mësimit, ndërsa thotë se falë investimit të qeverisë 60 shkolla të mesme u pajisën me tablete dhe laptope, ndërsa u kualifikuan edhe mësuesit. Ajo thekson se tabletat janë përdorur gjerësisht, por jo në të gjitha lëndët, të shoqëruara me tabelat ndërvepruese dhe nga mësuesi por në ambientet e klasës.

“Dixhitalizimi krijon mundësinë që sistemi arsimor shqiptar të zhvillohet sipas kërkesave të shekullit XXI: Një shoqëri e bazuar në njohuri, informacion dhe teknologji. Qëllimi ynë ishte që të realizonim menaxhimin e plotë, efektiv dhe efiçent, duke filluar nga shkolla në nivel lokal e deri në nivelin qendror, me përfshirjen e drejtuesve të shkollave, stafit pedagogjik, komunitetit të prindërve dhe nxënësve. Është një qëllim shumë ambicioz dhe që kërkon kohë. Projekti ka filluar në 2015 si projekt pilot ne 60 shkolla të mesme kryesisht në formën e testimit dhe krijimit të një baze nga e cila do të nxirreshin të dhëna përfundimtare solide mbi shtrirjen e teknologjisë në mësim-dhënie dhe mësim-nxënie. Tabletat janë përdorur gjerësisht, por jo në të gjitha lëndët, të shoqëruara me tabelat ndërvepruese dhe nga mësuesi, me laptopin e vet, në ambientet e klasës”, bën të ditur zonja Nikolla.

Ajo thotë se projekti i klasave digjitale shtoi interesin në rritje të nxënësve ndaj mësimit si dhe pati një impakt pozitiv edhe gjatë periudhës së karantinës ku mësimi u zhvillua online pasi si nxënësit ashtu edhe mësuesit u përshtatën menjëherë me këtë lloj mënyre të re të të mësuarit.

“Implementimi i infrastrukturës u finalizua në përdorim gjatë vitit arsimor 2016 -2017 ndërsa platforma digjitale elearning u finalizua në fund të vitit 2017. Gjatë kësaj periudhe janë bërë përmirësime edhe në infrastrukturën e arsimit 9-të vjeçar, por kryesisht në formën e laboratorëve me kompjutera desktop. Projekti i tabletave ka pasur një komponent me vete duke ofruar një sërë trajnimesh me mësuesit, kryesisht për punën me tableta dhe përmbajtjen digjitale. Eksperienca pas tërmetit si edhe periudha e kësaj mbylljeje prej pandemisë, nxorën në pah, faktin që ne jemi ne rrugë të mbarë sa i përket dixhitalizimit, por duhet të ecim përpara për arritjen e objektivave tona afatgjata. Kjo periudhë ka shërbyer për të bërë refleksionet e duhura dhe mësuar nga përvojat më të mira edhe pse nuk pati ndonjë vend të mirëpërgatitur për këtë situatë në arsim”, shprehet zonja Nikolla për Portën Vendore.

Nora Malaj: Projekti, një show i radhës që dështoi me sukses

Por ndryshe nga Lindita Nikolla, ish zëvendës ministrja e Arsimit, Nora Malaj thotë për Porta Vendore se projekti i dixhitalizimit të klasave ishte një show i radhës i qeverisë që dështoi me sukses. Madje ajo bën të ditur se shumë klasa as që u pajisen me tablete, ndryshe nga sa u deklarua në atë kohë.

“Personalisht kam qenë në mandatin tim të parë si zëvendësministre kur nisi ideja e Shqipërisë dixhitale dhe ideja ishte që arsimi të dixhitalizohej. Por që të realizohej kjo duhet të krijoheshin disa gjëra, si platforma e shtrirjes së internetit që në fakt deri në 2009 arriti të realizohej e gjitha pasi u shtrua kablli. Në 2014-2015 mbaj mend, nisi projekti i klasave dixhitale, që do të realizohej përmes pajisjes së nxënësve me Ipad por edhe me tabelat dixhitale me regjistrin dixhital, e cila do të realizonte procesin e të mësuarit që nuk lidhet më të mësuarit online, por që lidhet me thelbin që teknologjitë bashkohorë të futeshin në sistemin e arsimit dhe për mua kjo do të ishte një gjë shumë e mirë për situatën aktuale ku u gjend arsimi, pra gjatë pandemisë. Por doli që tabletet nuk mund të përdoreshin gjatë karantinimit. Pasi ato ishin për dixhitalizimin e procesit të mësimit në shkollë. Që do të thotë që ora e mësimit do të ishte e dixhitalizuar. Por ky projekt ngeli në kuadër të utopisë”, thotë Malaj. Sipas saj u hodh shumë para nga shteti dhe shumë nxënës as që i panë me sy tabletet e jo më të zhvillonin mësim me to. “Pjesa e parave që mendohej të hidhej për këtë projekt nuk e di në cilin drejtim shkoi por aktualisht klasat nuk u arritën të pajiseshin më tablete. Këtë nuk e di si qysh tek dhe ku qëndroi problemi i kësaj gjëje. Nuk u realizua dot platforma e cila ishte shumë e rëndësishme për orën e mësimit dhe e katërta nuk u trajnuan dot mësuesit. Pra ashtu siç u nis projekti me bababame e fushata siç kjo qeveri bën, dhe ky ka qenë një nga konfliktet që ne kemi patur bashkë. Duke mos parë dritën e tunelit në fund por duke e segmentuar sistemin e arsimit dhe duke bërë eksperimente kjo ngeli një situatë e cila dëshira ishte shumë e madhe, zhurma u bë jashtëzakonisht shumë e madhe, por ajo që duhej të realizohej dhe të ekzekutohej në terren nuk u realizua. Mendoj se u bë një demonstrim, u bënë disa projekte me ministren e teknologjisë Milena Hariton e cila e ngriti si prioritet. Ky projekt pati një kosto shumë të madhe por se ku shkuan këto lekë nuk di të them. Po thjesht u bë show”, tha Malaj.

E pyetur se nëse do të kishte funksionuar çfarë do të sillte pozitive ky projekt në situatën e mësimit online, Malaj ndan disa mendime.

“E para do të na krijonte metodologjinë dhe mënyrën se si do ta realizonim të gjithë mekanizmin. Është një mundësi shumë e mirë në këto momente të mendohet seriozisht sepse nuk e dimë se çdo na sjellë shtatori dhe viti tjetër shkollor. E kemi investimin e parë që është shtrirë kablli në shkolla. Duhet bërë një investim tjetër në sistemin e IT në të gjithë shkollat e sistemit parauniversitar. Sipas qasjes sime metodologjia dhe mënyra e menaxhimit të orës së mësimit, nuk mund të jetë e arrirë nëse nuk krijojmë laboratorët e informatikës së dedikuara por edhe pjesët e dedikuara për klasat digjitale. Ministria e Arsimit duhet të mbyllë të plotë ciklin e kurrikulës së re dhe të shikohet problematika që ajo ka shfaqur. Dhe të mbyllet edhe kurrikula digjitale e të shikohet se cilat do të ishin lëndët që do krijohej një model i ri që në të ardhmen të jepej në mënyrë digjitale. Sepse sipas ligjit tonë ne e pranojmë shkollën në distancë por jo online. Pra të bëhen edhe disa rregullime ligjore pasi ndryshe na quhet nul. Duhet të vendoset trajnim i detyrueshëm i mësuesve. Që duhet të nisë që nga sistemi parashkollor. Mësuesi duhet të aftësohet me metodologjinë e re”, sugjeron ish zv/ministrja Nora Malaj për Portën Vendore.

Aktualisht në rolin e deputetes dhe anëtares së Komisionit Parlamentar për Arsimit, e pyetur çfarë hapash duhen marrë në të ardhmen nga qeveria për mësimin online, zonja Lindita Nikolla ndan me ne 3 propozime konkrete për të ardhmen.

“Së pari, arsimi duhet të lëvizë drejt njehsimit të platformave on-line në shkolla. Të biem dakord që shkollat tona publike, por edhe ato private, pa përjashtim, të fillojnë të përdorin regjistrimet edu.al, duke përdorur rrjedhimisht platforma standarde dhe të mirë-kualifikuara, qofshin këto Google Classroom apo Microsoft teams, apo, si ta vendosin shkollat, mjaftueshëm që të kenë ndërveprim, por edhe siguri për fëmijët. Së dyti, mbetet evident suporti për mësuesit e sistemit 12 vjeçar me pajisje digjitale, domethënë, gjetja e formave financiare mbështetëse për mësuesit që të marrin laptope, tableta, apo desktop, si pajisje mbështetëse për profesionin e tyre. Kjo do të thotë që mësuesit duhet të jenë të mirëpajisur, jo vetëm me njohuri teknike për përdorimin e pajisjeve dhe shprehitë e duhura te ndërveprimit on line, por edhe me pajisjet e duhura. Së treti, mbi bazën e të dhënave të nxjerra nga puna me tableta në 60 shkolla, të bëjmë shtrirjen e mëtejshme të saj, tashmë në të gjithë sistemin arsimor , duke gjetur edhe mekanizmat për përkrahjen e familjeve në nevojë me pajisje digjitale për fëmijët e tyre, një pikë e dobët e cila doli në pah gjatë kësaj pandemie dhe që fatmirësisht u plotësua disi nëpërmjet mbështetjes nga biznesi privat”, përfundon zonja Nikolla.

Eksperti i arsimit: Etja për përfitime dështoi projektin e klasave digjitale në Shqipëri

Por me 1001 gjëra që presin dorën dhe vëmendjen e shtetit jo vetëm në sektorin e arsimit por edhe më gjerë, a ishte i nevojshëm projekti i klasave dixhitale?! Sipas pedagogut dhe ekspertit të arsimit Ndriçim Mehmet po.

“Padyshim që po. Rruga për të vijuar me këtë projekt ishte e shtruar. Prej vitit 2006 e deri në vitin 2013, ishin bërë investime shumë të qenësishme në këtë fushë. Ishin instaluar me qindra laboratorë në shkollat e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin, u shpërndanë 2100 lap-top dhe projektorë, u sigurua lidhja me internet pothuaj në të gjitha shkollat. Një projekt shumë interesant ishte ai me Postën Shqiptare për aksesin në internet në 500 komuna rurale të thella për nxënësit dhe popullatën. U aplikua edhe amza elektronike, dëftesa digjitale, aplikimi online për maturantët etj. Projekti që do të përfshinte teknologjinë në orët mësimore të gjimnazeve e ka zanafillën në maj të vitit 2013. Në atë kohë, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, nënshkroi një marrëveshje kredie me UniCredit Bank Austria AG për një shumë prej 2.5 milionë eurosh, për mundësinë e futjes së mësimit digjital në arsimin parauniversitar. Pra infrastruktura për një kapërcim apo si të thuash përshtatje me kohën digjitale ishte shtruar”, rrëfen Mehmeti për Portën Vendore.

Por a ishte arsimi shqiptar gati për këtë revolucion, qoftë nga pikëpamja e infrastrukturës por edhe e stafit akademik?

Ish-ministrja e arsimit znj. Lindita Nikolla pat deklaruar se “parashikohen të trajnohen 8 000 mësues, prej të cilëve gjysma janë trajnuar tashmë”. Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti tha për Portën Vendore se kjo gjë nuk ndodhi me trupën akademike.

“Jemi në vitin 2020 dhe asnjë tabletë nuk është më në funksionim, sikundër u dëshmua qartë gjatë periudhës së mësimit online, prej datës 10 mars 2020. Po ashtu nuk u trajnuan mësuesit e premtuar nga znj. Nikolla dhe nuk u vunë në zbatim kurrikulat e mësimit digjital, ndonëse për këtë projekt qeveria shqiptare shpenzoi 3.5 milionë euro, 1 milion më shumë sa kishte parashikuar qeveria paraardhëse”, shpjegon eksperti.

Por nëse për Ministrinë e Arsimit projekti i rreth 120 klasave digjitale konsiderohet i suksesshëm, madje po mendohet që kjo praktikë të zgjerohet duke u shtrirë edhe në shkolla të tjera, për ekspertët, ky është një projekt i dështuar.

Sipas tij situata e shkollës e prodhuar nga pandemia globale e Covid 19 bëri që i gjithë ky investim të mos përkthehej në funksionim.

 “Projekti duhet të ishte zbatuar, pasi për të u hodhën jo pak, por 3.5 milionë euro. Nëse ajo që u premtua për mësimin digjital në 2015, për të cilin dhe u shpenzuan 2.5 milionë euro, do të kishte përfunduar me sukses, padyshim që sot ne nuk do të flisnim fare nevojë të improvizonim, por të zhvillonim një mësim më se normal me nxënësit e gjimnazeve, e në veçanti me maturantët. Përgjegjësit që bënë të mundur dështimin e mësimit digjital me vetëdije të plotë kanë emër e mbiemër.”, përfundon kritik Ndriçim Mehmeti pedagog dhe ekspert i arsimit.

Por kritik shprehet për këtë projekt edhe Drejtuesi i Qëndresës Qytetare Rigels Xhemollari, i cili sqaron se nëse ky projekt do të kishte mbështetjen e duhur sot do ishim një shembull pozitiv edhe për rajonin.

“Dy pikat e dobëta të cilat nuk lejuan aplikimin e këtij projekti pilot, por të shtrenjtë, ishin mungesa e infrastrukturës në shkolla si; prizat, interneti por edhe sistemet e vlerësimit online apo të ashtuquajturat kompjuterë-server dhe mungesa e aftësive të mësuesve “dixhitale” për të vënë në funksion procesin e mësimit online. Nëse ky projekt do te kishte mbështetjen e duhur nga qeveria dhe premtimi i Kryeministrit Rama për t’i shndërruar të gjitha gjimnazet në shkolla digjitale, në kohën e pandemisë arsimi i mesëm shqiptar do të ishte model për vendet e Rajonit dhe më gjerë dhe nuk do kishim probleme të theksuara të efektivitetit të mësimit online apo aftësive dixhitale të mësuesve dhe nxënësve”, tha për Portën Vendore Drejtuesi i Qëndresës Qytetare, Rigels Xhemollari.

Sipas tij, gjithçka është përdorur mediatikisht dhe tabletet tashmë dergjen magazinave të shkollave pa mundur as të ndizen.

“Ashtu si edhe projektet e tjera dixhitale në arsim, përmend këtu bibliotekën dixhitale, portalet e ndryshme për transparencë dhe llogaridhënie, platforma akademia për kontrollin e plagjiaturave, kanë qenë më shumë mundësi tenderimi dhe propagande sesa projekte strategjike afatgjata, qeveria i ka blerë, i ka përdorur mediatikisht 6000 tabletat dhe sot ato dergjen magazinave të shkollave pa përdorues dhe pa karikues (sipas Ministres Besa Shahini)”, sqaron Xhemollari.

Pra, ekspertët dhe nxënësit janë kritikë se ky projekt, jo vetëm që nuk ka funksionuar, por që mund të rikthehet ndonjëherë në punë, ndërsa palët politike argumentojnë për të mbrojtur tezat e tyre. Megjithatë, kjo mbetet për tu verifikuar vetëm pas rihapjes së shkollave, ndërsa vetë nxënësit janë skeptikë se ky projekt nuk është zbatuar që më përpara dhe jo më se do të zbatohet më vonë.