Vëzhgim/Analizë

Pasojat e COVID 19/ Qeveria rishikon buxhetin, asnjë fond shtesë për bashkitë

10 korrik 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore

Qeveria ka rishikuar me Akt Normativ për herë të tretë buxhetin e këtij viti, në përpjekje për të përballuar efektet që kriza e koronavirusit ka shkaktuar në financat publike dhe ekonominë shqiptare.

Sipas tabelave të dokumentit, të publikuar në Fletoren Zyrtare , rezulton se të ardhurat buxhetore këtë vit pritet që të jenë 446.5 miliardë lekë, me një rënie nominale prej 14 miliardë lekësh ose gati 3% kundrejt buxhetit faktik të vitit të mëparshëm. Ndërsa në krahasim me buxhetin e hartuar në fund të 2019-s, kur askush nuk e parashikonte pandeminë e koronavirusit, të ardhurat janë rishikuar me  minus 63 miliardë lekë. Për të kompensuar këtë rënie, por edhe për të shtuar shpenzimet që në këtë moment i duhen ekonomisë, qeveria ka vendosur të rrisë në nivele rekord deficitin buxhetor, që pritet të kapërcejë 132 miliardë lekë ose më shumë se 1 miliardë euro, si dhe borxhin publik, që pritet të arrijë deri në fund të 2020 në 80% të GDP.

Por nga këto ndërhyrje që Ministria e Financave ka bërë në buxhetin qendror dhe nga rritja e fondeve për shumë institucione, si Ministria e Infrastrukturës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Financave, ajo e Shëndetësisë etj, nuk është parashikuar asnjë ndihmë për pushtetin vendor. Kjo pavarësisht mosrealizimit të të ardhurave nga bashkitë, për shkak të goditjes që edhe ato kanë marrë nga kriza e COVID 19.

Sipas tabelave të Aktit Normativ, të ardhurat nga pushteti vendor këtë vit pritet të arrijnë në 23 miliardë lekë, me rënie 57 milionë lekë kundrejt buxhetit faktik 2019, rënie kjo që vlerësohet në 0.2% (tabela më poshtë). Kjo performancë negative do të ndikohet kryesisht nga rënia e të ardhurave nga taksa mbi pasurinë, nga e cila pritet të mblidhen 954 milionë lekë ose 18.3% më pak se planifikimi në buxhetin fillestar.

Ndërkohë që transferta e pakushtëzuar që jepet nga buxheti qendror për bashkitë do të jetë këtë vit 18.2 miliardë lekë dhe transferta sektoriale 7.8 miliardë lekë. Në total, fondi për pushtetin vendor shkon në 53.4 miliardë lekë.

Në rënie të ardhurat totale nga pushteti vendor janë edhe kundrejt buxhetit fillestar 2020 (grafiku më poshtë). Nga të dhënat rezulton se bëhet fjalë për një rënie prej 4.1 miliardë lekë, e cila është shkaktuar kryesisht nga një rënie e të ardhurave nga taksat lokale me 2.8 miliardë lekë më pas se buxheti fillestar 2020 dhe tatimi mbi pasurinë me 1.1 miliard lekë më pak (grafiku më poshtë).

Për sa u përket shpenzimeve, sipas Aktit Normativ të rishikimit të buxhetit ato pritet të arrijnë këtë vit vlerën e 53.4 miliardë lekëve nga 56.2 miliardë që kanë qenë në buxhetin faktik 2019. E thënë ndryshe, bashkitë do të kenë më pak para në dispozicion për të kryer investime dhe për të ofruar shërbime për qytetarët.

Në rënie shpenzimet janë edhe kundrejt buxhetit fillestar 2020, me 4.1 miliardë lekë më pak (tabela më sipër). Ndërsa për këtë vit janë parashikuar që nga pushteti vendor të shpenzohen 53.4 miliardë lekë, në buxhetin fillestar të këtij viti ishin parashikuar që bashkitë të kishin në dispozicion 57.5 miliardë lekë (tabela më sipër).

Çfarë thonë ekspertët?

Bashkitë do të përballen me mungesë fondesh këtë vit, një pasojë kjo e krizës së koronavirusit. Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive e konsideron mos akordimin e financimeve shtesë nga qeveria pas rishikimit të buxhetit si goditjen e radhës që po përjeton pushteti vendor. “Buxheti vendor mori goditjen e radhës. Buxheti 2020 për 61 bashkitë dhe 12 qarqet për sa i përket transfertës së pakushtëzuar është 1% e Produktit të Brendshëm Bruto, që rezulton të jetë 18 miliardë lekë dhe pjesa sektoriale prej 7.6 miliard lekë. Pra, në total 25.6 miliardë lekë.

Ndërkohë që me një barrë më të madhe me shërbime dhe funksione, që mbajnë bashkitë mbi shpatulla, kërkohet një buxhet me dinjitoz, me të paktën dyfishin apo sa 2% e GDP. Vala e parë e goditjes nga qeveria ishte mos përfshirja në dy skemat e mbështetjes financiare ndaj bashkive, që qeveria dha gjatë pandemisë dhe kjo na ka shënuar si të vetmin vend, ku bashkive nuk iu akordua asnjë qindarkë. Por me hapjen e ekonomisë pritej që qeveria do të bënte diçka, do të tregohej me bujare me të drejtë dhe jo për lëmoshë me 61 bashkitë dhe 12 qarqet, duke iu alokuar buxhet shtesë për të kompensuar së paku cfarë kishin shpenzuar për përballimin e pandemisë së pa planifikuar.

Dhe këtë vullnet jo bujar ndaj nivelit të parë të qeverisjes e dëshmoi me aktin e fundit normativ të Këshillit të Ministrave, ku buxheti vendor mbetet në pikën e fillestare të ngrirjes dhe zero shtesa. Bashkitë shqiptare kërkojnë më shumë vëmendje dhe buxhet dhe shërbimet në këto kushte, nuk priten të jenë në përmirësim, as nga sasia dhe as nga cilësia”, shprehet Haxhimali për Porta Vendore.

Edhe eksperti për çështjet buxhetore, Panajot Soko argumenton se për shkak të koronavirusit, situata do të jetë e vështirë thuajse për të gjitha bashkitë, por rrezikon të bëhet e papërballueshme për ato që nuk gjenerojnë shumë të ardhura me fondet e tyre.

Është një situatë ‘Secili për vete, Zoti për të gjithë’. Qeveria më mirë preferon të sakrifikojë fondet e pushtetit vendor, sesa fondet e projekteve të saj. Kjo edhe për faktin se historikisht, projektet e pushtetit vendor janë parë gjithmonë me një sy nënvlerësues nga ana e pushtetit qendror, janë konsideruar si sekondare.

Bashkitë e mëdha që realizojnë të ardhura do t’iu duhet të rregullohen me ato që do nxjerrin vetë. Problemin më të madh do ta hasin bashkitë që nuk realizojnë të ardhura mjaftueshëm, as për të mbuluar shpenzimet bazë si pagat, energji elektrike etj.. Ato vërtet do të vuajnë në kuptimin e parë të fjalës.

Ndërsa çështja e detyrimeve që Bashkitë kanë ndaj të tretëve për situacione punimesh, detyrimesh kontraktuale etj., besoj se të gjitha do të shtyhen për një kohë të dytë”, deklaron Soko për Porta Vendore.

Për Merita Toskën, eksperte për financat vendore, nevojitet një plan për të ndihmuar bashkitë, pasi jo vetëm 2020-ta, por edhe viti në vijim do të jetë shumë i vështirë nga pikëpamja buxherore.  “Informacionet paraprake tregojnë se të ardhurat e bashkive kanë një rënie me rreth 20-30% në 4-mujorin e parë të vitit 2020. Kjo vështirëson situatën për ofrimin e shërbimeve dhe përballë nevojës për shpenzime rrezikohet, si mos përmbushja e detyrimeve për shërbime, ashtu dhe një rritje e mundshme e stokut të detyrimeve të prapambetura. Viti 2020 është i vështire, por 2021 do të jetë edhe më i vështirë. Ndaj do të ishte me vend që të kishte një ‘exit strategy’ edhe për bashkitë, nga vetë bashkitë. Nuk duhet të kthejme sytë vetëm tek qeveria qendrore sa herë që gjërat nuk shkojnë mirë. Gjithashtu, Ministria e Financave dhe Ekonomisë duhet që të mendojë për një fond rezervë për bashkitë, të denjë për të përballuar situata të tilla. Për ato bashki që kanë kapacitete, kredia për likuiditet mund të jetë një alternativë (nga sistemi bankar)”, shprehet Toska për Portën Vendore.

Ndërsa ekspertja për ekonominë Elona Shehu shpjegon se qeveria duhet të ndihmojë biznesin në këtë periudhë të krizës së COVID 19, në mënyrë që ai të gjenerojë të ardhura aq sa të paguajë taksat në nivel qendror dhe vendor. Pasi nga këto fonde varet aktiviteti i bashkive dhe shërbimet që ato japin për qytetarët.

“Të ardhurat kryesore të buxheteve vendore janë kryesisht nga taksat vendore, të cilat janë kërkuar të shtyhen për një afat të shkurtër për ti dhënë frymëmarrje biznesit të vogël. Biznesi nuk del nga kriza, duke mos paguar taksat. Por duhet të nxitet kreditimi dhe metodat e reja të të bërit biznes për t”ia dalë në këtë situatë pasigurie të lartë”, shprehet Shehu për Porta Vendore.

Ndërkaq në shkrimet e mëparshme, Porta Vendore ka evidentuar se për të gjeneruar të ardhura shtesë në këtë moment të vështirë financiar, të paktën 5 bashki, si Tirana, Korca, Vlora, Lezha dhe Fieri kanë rritur barrën fiskale, e reflektuar kjo tek tarifat e pastrimit, hapësirave publike, ndriçimit, gjelbërimit, taksa e kalimit të pronësisë, taksa bujqësore, tarifa e parkimit, tarifat për kopshte e cerdhe etj.