7 korrik 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Peqin
Ura mbi lumin Shkumbin në qytetin e Peqinit përbën rrezik për jetën e banorëve për shkak të gjendjes tejet të degraduar. Por çështja është më serioze për faktin se Bashkia e Peqinit nuk disponon fonde për ta rikonstruktuar, ndërsa qeveria thotë se kjo urë nuk administrohet nga Ministria e Infrastrukturës, por është në varësinë e Bashkisë së Peqinit, duke e lënë problemin jetim dhe pa ofruar asnjë zgjidhje. Ndërkohë banorët e zonës janë të shqetësuar për jetën që i rrezikohet sa herë kalojnë në këtë urë.
Ura mbi lumin Shkumbin, e ndëtuar ne vitin 1986, bën lidhjen e Njësisë Administrative Gjocaj me rreth 7 mijë banorë, me qytetin e Peqinit me një popullsi prej 26 mijë banorësh (sipas censusit të vitit 2011), shumë prejt të cilëve lëvizin në mënyrë të përditshme mbi këtë urë, për të kryer aktivitetet e tyre.
Ura mbi Shkumbin lidh qytetin e Peqinit me autostradën Rrogozhinë-Elbasan. Një urë që lidh të paktën 17 fshatra të dy njësive administrative me qytetin e Peqinit. Njësia Administrative Gjocaj ku bëjnë pjesë fshatrat Bardhaj, Blinas, Bregas, Celhakaj, Hasmashaj, Kurtaj, Rrumbullak, Sallbegaj, Vashaj me një popullsi prej 7 mijë banorësh përdorin pikërisht këtë urë për të ardhur në Peqin. Po kështu edhe njësia administrative Shezë ku bëjnë pjesë fshatrat Algjinaj, Gryksh i Vogël, Karthneke, Pekisht, Shezë e Madhe, Shezë e Vogël e Trash me një popullsi prej 5500 banorësh gjithashtu duhet të kalojnë mbi këtë urë që të vijnë në Peqin.
Etis Sullufi udhëton çdo ditë disa km për të shkuar në vendin e punës, në fshatin Gjocaj. Ai rrëfen për Portën Vendore se gjendja e urës në të cilën ai dhe bashkëfshatarë të tjerë kalojnë, është alarmante.
“Unë kaloj çdo ditë në këtë urë se më duhet të shkojë në punë në fshatin Gjocaj, pasi punoj në qendrën shëndetësore dhe të them të vërtetën kaloj me zemër të ngrirë sepse ura është me të vërtetë e rrezikshme. Jo vetëm që nuk ka më mbështetëse anësore por është çarë në dy tre vende në mes të saj. Janë hapur kanale që janë me të vërtetë të frikshëm”, thotë Etis Sallufi për Portën Vendore.

Ndërsa Izmir Nexha fill pas urës ka tokat bujqësore për të punuar dhe i duhet të kalojë disa herë në ditë mbi këtë urë për të shkuar nga shtëpia tek tokat dhe anasjelltas. “Ura ka marrë fund. Ja shikoje vetë. Ke frikë të kalosh se të merren mend dhe bien poshtë. Kemi shumë frikë kur kalojmë. Unë e bëj dy herë në ditë po ka raste edhe tre. Çfarë të bëj do shkoj tek tokat. Do punojmë. Do kalojmë këtu po shteti duhet të vërë dorë se është gjithë ky popull që rrezikon në këtë urë. Janë gjithë ato makina që kalojnë si pikat e shiut. Se mos na bëhet kjo ura si ajo në Itali para ca vitesh që u shemb dhe vdiqën gjithë ato njerëz. Çuna të rinj se kam djemtë në Itali dhe e di çfarë fatkeqësie ka qenë. Po nëse shteti s’vë dorë edhe kjo urë s’e ka të gjatë”, thotë Izmiri.
Fatmiri nga fshati Gjocaj thotë se i duhet të kalojë çdo ditë mbi këtë urë pasi vjen në Peqin për të punuar dhe madje kërkon që shteti ta rikonstruktojë.
“Për zotin gjithë frikë kaloj. Duhet të venë dorë. Qeveria, shteti ta shohë seriozisht se ndonjë ditë kjo urë do të marrë jetë njerëzish. Unë mbaj mend që ka mbi 30 vjet që është ndërtuar dhe asnjë herë nuk kam parë punëtorë që të punojnë, t’i bëjnë ndonjë rregullim. Asnjëherë s’kanë vënë dorë. Gjynah, janë gjithë ato njerëz që kanë punë, do kalojnë se s’bën këtu”, rrëfen ai për Portën Vendore.
Ndërsa të shumtë janë personat që kalojnë mbi urë për arsye pune të përditshme, gjatë stinës së pranverës e verës kjo urë përdoret nga shumë banorë të Peqinit të cilët bëjnë shëtitje në pyllin me pisha që është një zonë relaksi për qytetin. “Unë bëj vrap nga pishat dhe bashkë me shokët stërvitemi te fusha e sportit që është në mes të pyllit. Ne vijmë pothuajse çdo ditë që stërvitemi e luajmë futboll, kështu që duam s’duam nga ura do kalojmë. Copë –copë është. Më është bërë fiksim tani që pas tërmetit, më duket sikur lëkundet ura sa herë kalojmë”, thotë Aidi, 14 vjeç që bashkë me shokët e tij kalojnë mbi urë për t’u stërvitur te pylli i pishave. Ai thotë se motra dhe nëna e tij bëjnë shëtitje çdo ditë nga pishat sapo ngrohet koha bashkë me gratë e lagjes, dhe që të gjitha këto rrezikojnë jetën duke kaluar mbi urën e degraduar pa kolona mbajtëse e të çarë në disa vende.
Sipas banorëve të zonës, ura mbi Shkumbin është ndërtuar në vitin 1986, dhe që nga ajo kohë nuk është bërë asnjë rikonstruksion sado i vogël. Siç shihet edhe nga fotot dhe videot, përveçse ura ka të çara në mesin e saj, mungojnë mbajtëset anësore në disa pjesë, por rrezikshmëri më të madhe paraqesin këmbët e urës që kanë dalë në sipërfaqe për shkak se lumi ka gërryer shtratin e tij ndër vite. Kjo ka bërë që të ulet ndjeshëm forca mbajtëse e e tyre.
Kryetari i njësisë administrative Gjocaj, Bilal Hasa shpreh shqetësimin e tij për gjendjen e rrënuar në të cilën ndodhet ura dhe thotë për Portën Vendore se shumica e banorëve të njësisë administrative që ai drejton vijnë pothuajse çdo ditë në Peqin duke vënë në rrezik jetën e tyre.
“Ura mbi lumin Shkumbin është me të vërtetë e rrënuar dhe më të vërtetë rrezikon banorët e zonës sonë, sepse ne jemi shumë të lidhur me Peqinin dhe ajo është e vetmja rrugë që na lidh me qytetin. Me atë urë lidhen me qytetin e Peqinit disa fshatra të njësisë administrative që unë drejtoj si fshati Vashaj, Rrumbullakë dhe Gjocaj. Pothuajse çdo ditë ka shumë fshatarë që vijnë për pazar në Peqin, por ka dhe punonjës e fermerë që kanë punë dhe vijnë në qytet”, thotë Hasa. Ai pohon se ky çështje është ngritur disa herë me shqetësim nëpër mbledhje të ndryshme që organizohen me deputetin e zonës, jo vetëm vitet e fundit por prej disa vitesh. “Le të themi se ky është një problem i vjetër, megjithëse kohët e fundit ura është degraduar edhe më shumë. Por e di që është ngritur si shqetësim me pothuajse të gjithë deputetët që ka pasur Peqini që nga viti 2013, dhe kemi marrë përgjigje të tilla si: Po keni të drejtë, do ta rregullojmë. Siç e shihni asgjë nuk është bërë, aq sa urës i kanë lëvizur edhe këmbët tani dhe përbën rrezik konstant për banorët e shumë fshatrave”, tha kryetari i njësisë administrative Gjocaj i pyetur nga Porta Vendore për këtë çështje.
Një tjetër njësi administrative që lidhet me qytetin e Peqinit, përmes Urës së Shkumbinit është edhe njësia e Shezës. Kryetari i njësisë administrative të Shezës, Alban Cullhaj thotë për Portën Vendore se njësia e tij ka rreth 5500 banorë, që për çdo dokument që kanë nevojë do t’i duhet të shkojnë në Peqin, dhe domosdoshmërisht do t’i duhet të kalojnë në urën mbi lumin Shkumbin, pasi është edhe rruga më e afërt që të lidh me qytetin. Ai thotë se ekziston edhe një urë tjetër që lidh Shezën me Peqin, por edhe ajo është edhe me shumë e rrënuar. Për të dyja urat, Cullhaj thotë se janë ngritur si shqetësim me deputetin e zonës dhe janë dërguar një sërë shkresash tek Drejtoria e Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës.
“Janë dy ura që lidhin Shezën me qytetin e Peqinit, dhe që të dyja urat janë të degraduar, edhe ura mbi lumin Shkumbin edhe ura e Çengelejve. Janë dëmtuar kolonat, po ta shohësh poshtë duket që i kanë dalë këmbët jashtë urës. Kjo edhe si pasojë e gërmimeve për të marrë zhavorri. Njësia administrative e Shezës ka 5550 banorë gjithsej dhe për çdo lloj dokumentacioni që i duhet këta banorë do shkojnë se s’bën në Peqin. Për të shkuar në Peqin rruga që përdoret më shumë është ajo që kalon mbi urën e Shkumbinit. Pra banorët e Shezës shkojnë në Peqin për ditë pazari, shkojnë nëse kanë punë në bankë, te sigurimet shoqërore, te hipoteka. Atje do përplasen. Kjo është rruga e vetme. Që urat janë të degraduara, ju thashë të dyja urat, ne e kemi ngritur si shqetësim edhe me deputetin e zonës. Janë bërë edhe dokumente nga paraardhësit e mi, dokumentet i janë nisur drejtorisë së rrugëve në ministrinë e transporteve, por s’kemi marrë asnjë përgjigje”, shprehet Alban Cullhaj.
Bashkia e Peqinit e konfirmon rrezikshmërinë e lartë që paraqet ura, por thotë se nuk disponon asnjë projekt për rikonstruksionin apo rindërtimin e saj. Sipas bashkisë, inxhinierët e Drejtorisë së Planifikimit të Territorit e kanë parë nga afër urën dhe kanë dalë në përfundimin se ajo është tejet e degraduar dhe paraqet rrezikshmëri të lartë.
“Nga verifikimet e kryera në terren nga Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit si dhe nga Sektori i Emergjencave Civile, Ura e Shkumbinit paraqet rrezikshmëri të lartë për kalimtarët dhe automjetet, pasi është në gjendje të degraduar. Rezulton se shtyllat anësore mbajtëse nuk ekzistojnë fare, këmbët e urës janë dobësuar tej mase. Normalisht që këto dëme janë theksuar edhe më shumë pas tërmetit të fundit dhe gërmimeve për nxjerrjen e zhavorrit nga subjektet private”, pohon bashkia e Peqinit për Portavendore. Ajo thotë se për këtë situatë ka vënë në dijeni institucionet përkatëse për të financuar projektin për rikonstruksionin e saj, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Në mënyrë të vazhdueshme kemi mbajtur korrespondencë me institucionet përkatëse për financimin e një projekti për rikonstruksionin e saj, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri tani”, pohon Bashkia e Peqinit.
Për këtë arsye, Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës, të cilën e pyetëm nëse është në dijeni të faktit se kjo urë është në gjendje të degraduar dhe paraqet rrezik për jetën e banorëve. Nëse ka ndonjë projekt për rikonstruksionin e saj dhe nëse jo, çfarë përgjegjësie mban ministria nëse ura shembet dhe merr jetë njerëzish?
Në përgjigjen e saj, ministria thotë se Ura mbi lumin Shkumbin nuk administrohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar që është institucion varësie i Ministrisë së Infrastrukturë, por është në inventarin e Bashkisë së Peqinit. “Ura mbi lumin Shkumbin në qytetin e Peqinit, nuk bën pjesë në inventarin e urave që administrohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, institucion varësie i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por është në inventarin e Bashkisë Peqin”, pohon Etleva Shore, Koordinatore për të Drejtën e Informimit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, por pa dhënë shpjegime të mëtejshme mbi ndonjë projekt të mundshëm.
Siç shihet as bashkia dhe as qeveria nuk ofrojnë asnjë zgjidhje dhe nuk marrin asnjë përgjegjësi, ndërsa banorëve të Peqinit u mbetet të mbajnë sytë nga qielli me shpresën se Zoti nuk do të lejojë të ndodhë ndonjë tragjedi dhe ura të mos shembet dhe të marrë jetë njerëzish.