Vëzhgim/Analizë

Të rinjtë dhe tregu i punës, dy paralele të pafundme shqiptare

6 korrik 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore

Rinia po përballet çdo ditë e më shumë me sfida dhe më të vështira për të jetuar e punuar në Shqipëri. Kjo nuk konstatohet vetëm nga ekspertët, por dhe nga shifrat zyrtare që tregojnë se të rinjtë kërkojnë gjithnjë e më shumë të largohen nga Shqipëria, ndërsa në vend mungojnë politikat për të adresuar çështjet që shqetësojnë rininë shqiptare, duke filluar nga punësimi dhe ofrimi i alternative të tjera socio-ekonomike.

Sipas sondazheve më të fundit të Gallup, rreth 62% e të shqiptarëve në vend dëshirojnë të largohen nga Shqipëria, një shifër alarmante kjo që kërkon një përgjigje nga Qeveria Shqiptare dhe të gjitha institucionet e saj. Po ashtu, “Rinia shqiptare 2018-2019” është studimi i tretë i Fondacionit “Friedrich Ebert”. Studimi bazohet në një sondazh kombëtar me 1200 të anketuar, përkatësisht të moshës nga 14 deri në 29 vjeç, ku evidentohen disa gjetje që tregojnë realitetin e rinisë shqiptare. “48 për qind e të rinjve të intervistuar, që janë në marrëdhënie pune, pohojnë se nuk punojnë në profesionin për të cilin janë arsimuar dhe kualifikuar dhe 36 për qind e të rinjve punojnë në vende pune, ku kërkohet një nivel më i ulët arsimimi, se ai që ata kanë. Po ashtu, të rinjtë në marrëdhënie pune pohojnë se punojnë mesatarisht 41 orë në javë, ndërsa ata në zonat rurale 43 orë, ndërkohë që 45 për qind e të rinjve kanë pohuar se do të pëlqenin të punonin në sektorin publik, ndërsa 44 për qind në sektorin privat. 81 për qind e të rinjve thonë se janë të rëndësishme dhe shumë të rëndësishme lidhjet shoqërore (farefisi, shokët) për të gjetur një vend pune dhe 71 për qind pohojnë se ekspertiza apo aftësia profesionale për një punë të caktuar është element shumë i rëndësishëm për një vend pune”, thuhet në raport, i cili vë në dukje dhe faktin se 86 për qind e të rinjve e konsiderojnë pagën motiv kryesor të punësimit.

Por cilat janë tanimë sfidat e të rinjve shqiptarë për përshtatjen e tyre në tregun e punës dhe ngritjen e një karriere të qëndrueshme dhe afatgjatë në profesionin që ata kanë zgjedhur të ushtrojnë? Eksperti i punësimit Edison Hoxha radhit disa prej tyre. “Sfidat për rininë shqiptare janë jo vetëm rritja e shkallës së punësimit, por punësimi i qëndrueshëm, afatgjatë dhe me standarde. Sfidë tjetër ngelet rritja e zbatueshmërisë në praktikë, në mënyrë objektive dhe me shpejtësi e legjislacionit të miratuar për nxitjen e punësimit. Financimet dhe iniciativat për nxitjen e punësimit të bëhen në mënyre transparente, të hapura dhe sipas meritës. Sfidë ngelet zvogëlimi i burokracive dhe rritja e aftësive ndërmjetësuese (Punëdhënës-punëkërkues) të institucioneve përgjegjëse për vendet e punës. Kjo do rrisë besimin e punëkërkuesve që të përdorin zyrat e punës për punësim dhe për të zgjidhur konfliktet e punës”, tha Hoxha për Portën Vendore.

Ardit Hodaj është rreth të 30-tave dhe ka 6 vite që punon në një Call Center në kryeqytet. Ai është diplomuar në master shkencor për menaxhim biznesi në Fakultetin Ekonomik, por nuk ka mundur dot të gjejë një punë të përshtatshme në profesionin e tij. Arditi rrëfen për Portën Vendore se nuk ka qenë zgjedhja e tij e parë të punonte në sektorin e Call-Centerit por rrethanat e deshën ashtu.

“Sigurisht që nuk ka qenë zgjedhja ime e parë të punoja në call center , por duke parë pagesat e ulëta në profesion dhe kohën e gjatë që të duhet për tu ngritur profesionalisht, zgjidhja me e lehtë ishte call center”, thotë Arditi duke shtuar se puna në këtë sektor ka të mirat dhe të këqijat e veta. Por përgjithësisht thotë ai: “Jam i kënaqur, të paktën nga ana financiare”.

Si Arditi, janë me mijëra të rinj që pavarësisht se kanë mbaruar ciklin e lartë të studimeve në master e bachelor sërish i drejtohen punës në call-center, të vetëdijshëm që nuk mund të punojnë gjithë jetën në këtë sektor, i cili në fakt është deri diku ezaurues. Shumica e të rinjve nuk kanë mundësi financiare që të presin deri në gjetjen e një pune brenda profesionit, ose të një pune, paga e së cilës t’i shërbejë për të jetuar, ndaj arsyet financiare janë ato që më së shumti diktojnë rrugën e tyre profesionale e personale.

I pyetur nëse ka menduar ta braktisë ndonjëherë Shqipërinë për një mundësi më të mirë jetese dhe për një punë mbase në sektorin e tij, ai përgjigjet i prerë se po, madje tentativat për tu larguar nga vendi si shumë të rinj të tjerë nuk kanë munguar.

Përveç se aplikojmë çdo vit me shpresën se do na dalë llotaria amerikane, këtë vit kam aplikuar për në Gjermani dhe besoj se vitin tjetër do jem larguar nga Shqipëria nëse nuk do të kem një projekt më të mirë sesa ky ne të cilin jam duke punuar aktualisht”, përfundon i riu, për Portën Vendore.

Në pamundësi për të gjetur një punë stabël dhe me pagë të kënaqshme duket se në Shqipëri sektori i Call Center është kthyer në mundësinë e të rinjve, dhe jo vetëm për të pasur disa të ardhura, dhe aktualisht ky sektor numëron rreh 25.000 punonjës në të gjithë Shqipërinë, ku fokusin kryesore e ka Tirana e Durrësi, e që vijon më pas me sipërmarrje shumë më të vogla në qytetet e tjera, si Elbasani, Vlora e Shkodra.

Tonin Preçi, kryetar i Sindikatës së call centerave në Shqipëri thotë për Portën Vendore se tregu i punës është tejet i vështirë, ndaj alternativat për shumicën e të rinjve janë gjithnjë e më të pakta, për një vend pune. “Punësimi i të rinjve është shumë problem në sektorë të ndryshëm dhe alternativë mbetet call center, që edhe pse në pamje të parë ka një pagë mesatare jo të keqe, nuk jep asnjë vlere të shtuar për shoqërinë dhe punonjësin”, thotë Preçi.

Sipas tij, në sektorin call center janë rreth 90% e punonjësve me arsim të lartë ose në vazhdim, por nuk ka statistika të sakta se cilës degë i takojnë.

Një tjetër personazh që Porta Vendore kontaktoi ishte Anisa, e cila është vetëm 18 vjeçe dhe fatin e ka lidhur pazgjidhshmërisht me punën në fasoneri. Ajo shprehet tërësisht e pakënaqur nga puna që bën, dhe është e vetëdijshme që përveç të ardhurave që vlejnë për të ndihmuar familjen, pjesa tjetër është një punë e kryer pa asnjë benefit profesional, pasi aspirata më e madhe në një fasoneri siç tregon edhe ajo vetë, është që të bëhesh përgjegjëse manivije.

Kam dy vite që punoj. Fillimisht punoja në të zezë, ndërsa tani kam disa muaj që jam deklaruar, pasi mbusha 18 vjeç. Është punë shumë e vështirë, por të gjithë këtë sakrificë po e bëj për familjen, pasi nuk jemi fort mirë nga gjendja ekonomike. Ka edhe vajza të tjera të moshës sime në fasonerinë që punoj, të cilat e kanë lënë shkollën, me shpresën dhe ëndrrën që do t’i rikthehen universitetit një ditë, mbase kur gjërat të stabilizohen pak”, tregon ajo për Portën Vendore.

Anisa rrëfen se punën ia gjeti e ëma, pasi edhe ajo punon në këtë fasoneri këpucësh. Por megjithëse nxënëse shumë e mirë, familja nuk ia mundësoi dot që të vijonte shkollën. “Më vjen keq për veten dhe në fakt nuk dua as ta mendoj që jeta ime do të mbyllet në këtë punë, pasi do të ishte e tmerrshme. Por shpresoj shumë që pasi të mbledhim disa para të mund të ndjek shkollën e lartë, pasi ëndrra ime është që të bëhem juriste”, tregon e reja tejet e frikësuar se gjithçka thotë do të mbesë veçse një ëndërr e saj.

Shoqëria civile: Më shumë vëmendje për rininë shqiptare

Sipas të dhënave të INSTAT, përgjatë 2019, përqindja e papunësisë së të rinjve (15-29 vjeç) ka qenë në masën 21.4 %, ndërsa në 2018, kjo përqindje ka qenë në masën 23.1%. Por sipas aktivistit të shoqërisë civile për çështjet e rinisë, Klaudio Pulaha shpesh shifrat e institucioneve nuk rakordojnë me njëra-tjetrën kur bëhet fjalë për papunësinë.

“Papunësia mbetet një ndër shqetësimet kryesore të të rinjve në Shqipëri. Të dhënat e papunësisë së të rinjve në vendin tonë shpesh nuk rakordojnë me njëra-tjetrën, duke na dhënë një tablo të paqartë të situatës së tyre. Referuar të dhënave të INSTAT dhe krahasuar me të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), situata paraqitet krejt e ndryshme, ku në vend të një trendi ulës siç vërehet tek INSTAT, kemi të bëjmë me një rritje të theksuar të papunësisë së të rinjve, ku përgjatë vitit 2018, papunësia e të rinjve arriti në masën 32.8%, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në Europë për përqindjen më të lartë të të rinjve të papunë, të paarsimuar dhe pa trajnuar, duke ia kaluar edhe Moldavisë si vendi më i varfër i Europës”, tregon Pulaha për Portën Vendore.

Franceska Muço aktiviste prej shumë vitesh për çështjet e të rinjve, dhe aktualisht përfaqësuese e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj, thotë se punësimi i të rinjve është një nga problemet më të evidentuara gjatë të gjitha takimeve në nivel lokal e qendror.

 “Në të gjithë fokus-grupet apo aktivitetet që bëhen për të rinjtë që unë kam marrë pjesë, për një periudhë shumë të gjatë kohore, punësimi është një ndër problemet që evidentohet më së tepërmi”, vijon Muço për Portën Vendore. Ajo gjithashtu ngre shqetësimin e ekzistencës së një mospërputhjeje midis tregut të punës dhe degës së studimit, që të rinjtë zgjedhin si profesion të tyre të ardhshëm. “Ka një lloj mospërputhje me atë që kërkon tregu i punës me atë që të rinjtë kanë studiuar, dhe e gjitha kjo çon që shpesh herë të rinjtë të mos punojnë në degën që kanë mbaruar. Për këtë arsye një nga rekomandimet është që është institucionet përkatëse të bëjnë një studim të nevojave të tregut. Ka disa institucione që mund të bëhen pjesë e kësaj veprimtarie, universitetet, shërbimi kombëtarë i punësimit”, thotë ajo.

Në të njëjtën linjë mendimi është edhe eksperti i punësimit, Edison Hoxha, i cili tregon për Portën Vendore se: “Arsimi është larg nevojave të tregut të punës me gjithë përpjekjet që janë bërë në vazhdimësi dhe fondeve në dispozicion që kanë ardhur në rritje. Standardet e arsimit, sidomos atij profesional, vuajnë nga formalizmat, mungesa e profesionalizimit dhe e standardeve për t’iu përgjigjur tregut të punës. Vështirësitë i rrit nga ana tjetër edhe fakti që tregu i punës është i deformuar dhe vuan nga informaliteti”, thotë Hoxha nga Qendra për të Drejtat në Punë.

Ligji për rininë dhe punësimin sa të rëndësishëm janë, dhe çfarë pritet të ndryshojë?!

Në 29 vite të një hapësire politike demokratike në Shqipëri, ende të rinjtë dhe të rejat nuk kishin një ligj i cili përcaktonte kushtet kryesore në fushën e rinisë, siç është politika rinore dhe sektori i të rinjve, aktiviteti i të rinjve, puna rinore, edukimi joformal i tyre, si dhe një përkufizim i rinisë apo të rinjve.

Në vitin 1998, për herë të parë lëvizja rinore në Shqipëri kërkoi nga ministria e sapo krijuar e Rinisë që të përgatiste një ligj për mbështetjen e rinisë në vend. Ndonëse ekspertët punuan për të përgatitur një draft, ai asnjëherë nuk u zyrtarizua edhe për shkak të situatës politike në atë kohë.

“Nisur edhe nga apatia e institucioneve, në Tetor 2017, CRCA dhe ANYN vendosën të inicionin dhe mbështesin procesin e hartimit të Ligjit për Rininë, duke organizuar takimin e parë konsultues me temë “Për një Ligj për Rininë në Shqipëri”. Ky takim, konkludoi me nevojën urgjente për hartimin e një Ligji për të Rinjtë në Shqipëri, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të politikave rinore ekzistuese, krijimin e një mekanizmi institucional të mbështetjes së të rinjve, dhe shpërndarjen e drejtë të shërbimeve vendore dhe kombëtare në dobi dhe për zhvillimin e të rinjve. Ndërsa në Qershor 2018, ANYN në bashkëpunim me CRCA Shqipëri, organizuan edhe takimin e dytë konsultues për të nxitur diskutimin e kësaj nisme të nevojshme ligjore dhe caktimin e prioriteteve dhe çështjeve kyçe për të rinjtë, të cilat duhen adresuar nga ligji”, tregon aktivisti Klaudio Pulaha.

Në nëntor të 2019 miratohet ligji i shumëpërfolur për rininë, i cili ndër të tjera përmban: “parimin e mundësive të barabarta dhe garantimit të pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikë-bërëse dhe vendimmarrëse në fushat e arsimit, kërkimit shkencor, politikave financiare, punësimit, vullnetarizmit, mbrojtjes e përfshirjes sociale, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit, turizmit, drejtësisë, punëve të brendshme e të jashtme, integrimit dhe të mbrojtjes, teknologjisë së informacionit, sipërmarrjes dhe në fusha të tjera që inkurajojnë zhvillimin e të rinjve”, thuhet në pikën b të nenit 4 të këtij ligji. Por në fakt ky ligj s’është vënë ende në funksion, pasi priten aktet nënligjore.

Ligji për Rininë, do të mund të sigurojë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje dhe mbështetjen financiare të programeve, projekteve dhe infrastrukturës rinore, ku pritet që implementimi i tij të mbrojë të drejtat e të rinjve. Ligji pritet të krijojë struktura konsultative në nivel qendror dhe vendor duke garantuar pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje.

 “Shumica e të rinjve shqiptarë (64%) nuk besojnë se politika në një nivel qendror ose lokal është angazhuar për ta, dhe një numër i vogël (16%) besojnë se politika ka rininë në fokusin e tyre. Rreth gjysma e të rinjve shqiptarë (49%) nuk besojnë në parlament si një organ ligjbërës”, thuhet në raportin e publikuar në janar 2020 nga Qëndresa Qytetare.

“Sindroma e militantizmit është mënyra e vetme institucionale për të arritur tek mundësia e vendimmarrjes për të rinjtë, e rrjedhimisht përgjatë rrugës për të arritur deri atje interesi për politikat rinore bie teksa interesat vetjake dhe nevoja për shërbim ndaj partisë rriten. Ka mjaftueshëm raste që të rinj të Kamzës janë katapultuar që në gjimnaz për të përfunduar anëtarë këshilli bashkiak por tërësisht të pafuqishëm për të ndikuar në të. E nga ana tjetër iniciativat rinore që ndërmerren plot me ideale për një qytet ndryshe, pavarësisht presionit të vazhdueshëm mbi institucionet, mbeten në anë të urave të prishura mes bashkisë dhe të rinjve të qytetit. Shpresa mbetet në aktivizim cilësor, të pavarur dhe në masë të të rinjve për të ndërhyrë në vendimmarrje”, tregon aktivisti nga Kamza Rolandi Qema për Portën Vendore.

Sipas tij “problematikat e rinisë në Kamëz janë mungesa thelbësore të jetës rinore të qytetit. Mungesa e aktiviteteve edukuese, kulturore, letrare, sportive apo të çdo lloj fushe tjetër ndikojnë qartësisht në zhvillimin e jetës rinore. Mospërfshirja e tyre në vendimmarrje dhe mos-dëgjimi i zërit të tyre për ndërhyrjen në zhvillimin e qytetit i bën ata të pavlefshëm dhe të lënë pasdore në jetën komunitare. E së fundmi por jo më pak e rëndësishmja mungesa e alternativave për punësim është problematike thelbësore e të rinjve kamzali”, vijon i riu nga Kamza. Por mungesa e theksuar në vendimmarrjen e të rinjve nuk vihet re vetëm në bashkitë e vogla si ajo e Kamzës por edhe në ato më të mëdha.

Sipas një monitorimi të bërë nga Porta Vendore në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë, pjesë e Këshillit Bashkiak ishin vetëm 8 të rinj, ose thënë ndryshe 13% e anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Por përsëri Tirana shfaqet me kuota më të larta përsa i përket pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje se shumë qytete të tjera. Për këtë çështje edhe organizata si Qëndresa Qytetare ka një sondazh kombëtar në vitin 2019 mbi qëndrimet dhe çështjet e të rinjve ndaj sistemit politik në Shqipëri me 1200 të anketuar, përkatësisht të moshës nga 18 deri në 30 vjeç prej datës 07 deri 31 maj 2019. “Vetëm 17% e të rinjve besojnë tek partitë politike. 80% tyre nuk janë as aktivistë as anëtare partie. 70% e të rinjve shqiptarë mendojnë se rinia duhet të merret me politikë, por vetëm 32% e tyre duan të bëhen pjesë aktive e politikës. 62% e të rinjve e shohin angazhimin në parti si prestigj”, thuhet ndër të tjera në raport.

CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ANYN kanë matur përmes Anketës Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019” qasjen e të rinjve në politikë dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje.

Në Anketën Kombëtare, të rinjtë në Shqipëri, u shprehën në masën më të madhe, rreth 89%, se nuk gjejnë ambient miqësor, apo disi, në të gjitha bashkitë e qyteteve, jo vetëm për të adresuar problematikat e tyre por edhe për zgjidhje. Ato shprehin një nivel të ulët të besueshmërisë që kanë ndaj institucioneve lokale, pasi në nivel kombëtar rezulton se rreth 57% e të rinjve e vlerësojnë punën e bashkive zero përsa i përket çështjeve dhe të drejtave të të rinjve.

Vetëm pak km larg kryeqytetit, të rinjtë e periferisë e ndjejnë veten edhe më shumë të diskriminuar në tregun e punës, paçka se i ndajnë vetëm disa km nga kryeqyteti. Roland Qema aktivist në Kamëz na rrëfen se si përballen sot të rinjtë me tregun e punës mes vështirësive dhe programeve inekzistente të punësimit për këtë kategori nga pushteti qendror ose vendor. “Të rinjtë që ndodhen në Kamëz janë kryesisht studentë dhe nxënës që punësimin e kanë si mundësi për vazhdimin e ndjekjes së arsimimit duke pasur parasysh gjendjen ekonomike të zonës. Rrjedhimisht të rinjtë janë të punësuar në punë fleksibël që ua lejojnë të ndjekin dhe studimet si për shembull në call-center, kamarier/e apo njësi të tjera shërbimi. Një grupim tjetër të rinjsh në numër të konsiderueshëm janë të punësuar në industrinë fason që është mjaft e përhapur në Kamëz por gjithashtu një nga sektorët më të keqpaguar dhe më shfrytëzuesit në Shqipëri”, thotë Roland Qema aktivist në zonën e Kamzë, teksa shton se ai vetë nuk është i informuar për mundësi punësimi të ofruara nga pushtetet, lokal apo qendror, për shkak se komunikimi mes institucioneve është zero dhe i pa arritshëm. “Shembull është vendndodhja e Zyrës së Punësimit për Bashkinë Kamëz, e cila ndodhet në një qytet tjetër, atë të Tiranës dhe jo afër komunitetit. Politikat e punësimit janë një shembull tjetër i absurditetit institucional ku të gjithë ne e dimë që vetëm dy mundësi janë: E para, të përfundosh i punësuar në sistemin privat ku punëtori shtypet dhe keqpaguhet dhe e dyta, servilizmi partiak ose pagimi për punësim në sistemin publik”, vijon i riu nga Kamza.

Programet e punësimit janë të pakta në nivel vendor, këtë gjë e konstatojnë edhe aktivistët e shoqërisë civile ose ekspertët e çështjeve të punësimit.

Ligji i punësimit është një tjetër ligj i miratuar në vitin 2019 në favor të të rinjve. Ky ligj përcakton rregullat dhe mënyrën e funksionimit të sistemit publik të shërbimeve të punësimit, të programeve aktive e pasive të tregut të punës, si dhe organet përgjegjëse për menaxhimin e tyre, me përjashtim të rasteve kur rregullohen nga legjislacioni i posaçëm. Ky ligj ka për qëllim rritjen e punësueshmërisë së forcave të punës, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit, të vetëpunësimit dhe të kualifikimit profesional. Por siç thuhet në nenin 5 të këtij ligji, ministria ushtron disa kompetenca në lidhje me punësimin si:

  1. analizon periodikisht tendencat e tregut të punës dhe parashikon zhvillimet e tij;
  2. harton politika të reja për rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë;
  3. harton programe dhe merr masa për nxitjen e punësimit e të vetëpunësimit;
  4.  harton programe për mbështetjen e ofruesve të arsimit e të formimit profesional, duke përfshirë ofrimin e kualifikimit fillestar dhe të vazhduar;
  5. rregullon dhe ndërhyn në punësimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë, sipas
  6. legjislacionit në fuqi për të huajt dhe mbështet punësimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit;
  7. zbaton marrëveshjet ndërkombëtare për punësimin.
  8. Zbatimi i politikave publike të punësimit kryhet nëpërmjet institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, që ngrihet sipas parashikimeve të këtij ligji, dhe strukturave rajonale/vendore në varësi të saj.

Françeska Muço thotë për Portën Vendore se pavarësisht se tanimë ka dy ligje për rininë, siç është ligji për rininë dhe ligji për punësimin sërish ato mbeten vetëm ligje deri më tani, ku siç thonë edhe ekspertët nuk kanë dalë ende aktet normative që më pas të nis edhe zbatimi i tij.

“Ne tani duhet të shohim se si këto ligje do të implementohen, pra të përkthehen në terma konkret. Por ama fakti që po ndërmerren disa politika rinore në nivel qendror është për tu vlerësuar. Sfida është që neve të kalojmë nga qendrori në lokal, pra që ne të mos e centralizojmë gjënë vetëm përsa i përket nivelit qendror, por ama të kalojmë edhe tek Bashkia Elbasan, edhe tek Bashkia Cërrik etj, dhe të ketë një lloj bashkëveprimi mes politikave të punësimit në nivel qendror e lokal. Në dijeninë time s’ka as programe punësimi nga bashkitë, dhe shumica nuk kanë as qendra rinore”, sqaron ajo.

Ndërsa aktivisti Klaudio Pulaha tregon se prej vitit 2015 janë hartuan disa programe për nxitjen e punësimit të të rinjve si në nivel lokal ashtu dhe në nivel qendror. “Bashkia e Tiranës është duke zbatuar një program për nxitjen e sipërmarrjeve rinore ku ka alokuar 100 milion lek të vjetra për mbështetjen e të rinjve që kanë një ide innovative. Mbështetja e sipërmarrjeve rinore nga Bashkia Tiranë dhe alokimi i një buxheti specifik lidhur me këtë gjë është kërkuar nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN. Ndërkohë, Bashkia Tiranë do të zbatojë sërish një program që ka të bëjë me Intershipin me pagesë të të gjithë të rinjve që kanë dëshirë të aplikojnë dhe të jenë pjesë e këtij program”, tregon ai. Por pushteti vendor ashtu sikur pohojnë edhe vetë aktivistët e shoqërisë civile që merren me çështjet rinore nuk duket shumë mbështetës ndaj programeve të ndryshme dedikuar rinisë, ku nuk ka një vlerë të shtuar për programe punësimi dhe as një rritje të buxhetit për rininë në qytetet kryesore e jo vetëm.

Largimi i të rinjve nga Shqipëria

Shumë të rinj po gjejnë mënyra alternative për të garantuar një jetë më të mirë për veten dhe familjen e tyre, ku shpesh të lodhur nga papunësia, tregu i punës, paga, burokracia dhe politikat social-ekonomike ata zgjedhin të largohen nga Shqipëria në drejtim të Europës dhe jo vetëm.

“Ikja e të rinjve e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Europë për dëshirën e të rinjve për të ikur dhe studiuar jashtë vendit. 35% e studentëve me një diplomë Bachelor dhe rreth 30% të studentëve në përgjithësi synojnë të studiojnë jashtë vendit, ndërsa niveli i gjendjes ekonomike të studentëve shqiptarë është sërish në përmasa alarmante, krahasuar me vendet e tjera. Largimi i të rinjve nga vendi kap shifra deri në 79% sipas Gallup, duke e vendosur Shqipërinë në krye të listës së vendeve nga ku largohen të rinjtë”, tha Klaudio Pulaha për Portën Vendore, duke iu referuar kështu Raportit Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2019”, ku ai vetë ka qenë një nga përpiluesit e tij.

Porta Vendore pyeti gjithashtu në lidhje me këtë çështje një kompani ndërmjetësimi për punësimet jashtë Shqipërisë, ku të rinjtë preferojnë të gjejnë veten dhe të ndërtojnë karrierën e tyre profesionale.

Kumrie Zika është përfaqësues e kompanisë Kumi.al, e cila ka dy vite që operon në tregun e agjencive ndërmjetësuese për çështjen e punësimit jashtë vendit. Ajo rrëfen se ka një numër të shtuar të rinjsh viteve të fundit që duan të largohen në drejtim të Gjermaninë dhe Zvicrës.

Të rinjtë tregojnë interes për jashtë sidomos në vendet evropiane. Për sa i përket profesioneve janë të ndryshme, duke filluar nga zanatet profesionale si parukeri, infermierë, guzhinierë, Menaxherë, IT, inxhinieri mekanike dhe elektrike, shitëse, marketing, Kamerierë, recepsioniste hotelesh, HR për hotelet, e deri te menaxherë të mediave sociale. Por për vitet që unë jam në këtë fushë kam vënë re që ka kërkesa pa fund”, tregon Kumrija.

Ndërsa të tjerë ndjekin rrugën e fatit, ku nuk mungojnë ata të rinj që aplikojnë thuajse çdo vit në lotarinë amerikane. Kristi është njëra prej tyre. Ajo ka 7 vite që aplikon me shpresën se vitin e ardhshëm do të jetë fituese, por deri tani nuk ka mundur të bëjë realitet ëndrrën e madhe për “tokën e premtuar”.

“As këtë vit nuk isha në listat e fituesve. Kam dashur gjithnjë që të vizitoj Amerikën dhe më pas më hipi dëshira për të jetuar e punuar atje, kjo pasi mendoj se jam fiks tipi që do t’i përshtatem jetesës atje. Në Shqipëri punoj si ndihmës parukiere në një dyqan të vogël lagjeje, puna është e mirë dhe lodhja shpërblehet, por përsëri realizimi nuk ka fund, ndaj do të doja të aplikoja profesionin tim atje pasi është i mirëpaguar, dhe mbase ku i dihet një ditë hap edhe dyqanin tim, atë që këtu mes shumë shpenzimeve, taksave dhe burokracive nuk e merr dot guximin ta bësh, pasi nuk ka stabilitet financiar fare”, shprehet ajo.

Rinia përbën 1/3 e popullsisë dhe është pjesa më vitale e një shoqërie. Këtë e dëshmojnë edhe raporte të ndryshme kushtuar ndër vite kësaj kategorie, por jo gjithnjë ajo merr vëmendjen e duhur në tregun e punës e në politikat e qeverisjes, qoftë ajo e karakterit qendror ose lokal.

Raporti dhe indeksi i vlerësimit për vitet 2015-2017 i zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë në Shqipëri, dhe i publikuar në gusht 2018 ngre me shqetësimin plakjen e popullsisë në Shqipëri. Sipas tij vendi rrezikon të kthehet nga shteti me popullsinë më të re në Europë (pas Kosovës) në atë me popullsinë më të vjetër.

Burimi: Raporti dhe indeksi i vlerësimit për vitet 2015-2017

“Popullsia e të rinjve dhe të rejave në Shqipëri po ndjek një trajektore gjithnjë e në ulje. Në vitin 2018 në Shqipëri jetonin më pak se 700 mijë të rinj nën moshën 29 vjeç. Po të krahasojmë numrin e përgjithshëm të popullsisë të të rinjve (mosha 15 deri në 29 vjeç) në vitin 2014 me të dhënat e vitit 2018, shohim se ajo është ulur me mbi 35 mijë veta, që tregon edhe një herë tendencën e përgjithshme të uljes së lindjeve dhe të plakjes së popullsisë në Shqipëri”, thuhet në raport.