Video/Foto

Dy rrugët e lagjes “Apolonia” në Fier të degraduara, banorët kërkojnë asfaltim

2 korrik 2020/ Mariglen Bita/ Porta Vendore

Dy rrugë në lagjen “Apolonia’’ në Fier prej vitesh presin ndërhyrjen për rikonstruksionin e tyre të plotë. Kjo për shkak të gjendjes së tyre tejet të amortizuar. Janë pikërisht rrugët “Karafil Muskaj” dhe “Mehmet Kallashi”,  jo larg njëra-tjetrës dhe pjesë e së njëjtës lagje.

Afërsia me rrugë të rëndësishme të qarkullimit, si unaza e vogël dhe e madhe e qytetit, si edhe afërsia me vete qendrën, e bën degradimin e dy rrugëve edhe më të dukshme. Me përjashtim të disa ndërhyrjeve minimale ndër vite, këto dy segmente qarkullimi nuk kanë qenë objekt investimi në 30 vitet e fundit duke bërë që gjendja e tyre të degradojë. Jashtë kuadrit të aparatit fotografik, Eli një banore e rrugës “Karafil Muskaj” thotë se infrastruktura e rrugës ku banon stonon së tepërmi me investimet e bëra nga qytetarët për pallate e shtëpi banimi. “Ka ardhur koha -thotë ajo,- vihet dorë, pasi duket sikur jemi lënë në harresë në kohën kur qyteti ka njohur investime të mëdha”.

Degradimi është i dukshëm dhe shqetësues si gjatë dimrit ashtu edhe gjatë verës. Gropat me ujë ia lenë radhën pluhurit, ndërsa janë me dhjetëra familje që presin me durim që gjendja të ndryshojë. Iliri, banor i një pallati në rrugën “Mehmet Kallashi” thotë se duhet ndërhyrë patjetër për rikonstruksionin e rrugës. Sipas tij, një rrugë me parametra, krahas eliminimit të baltës dhe pluhurit sjell edhe lehtësime në qarkullim, tani që edhe numri i automjeteve është rritur.

Në lidhje me këtë shqetësim jemi drejtuar për informacion pranë institucionit të Bashkisë Fier. Kërkesa e Portës Vendore për informacion nuk ka marrë përgjigje edhe pse kaluan 10 ditë pune ashtu siç parashikon edhe e drejta për informim. Megjithatë një burim pranë Bashkisë Fier, bëri me dije se arsyet pse bashkia nuk ka ndërhyrë deri tani për sistemimin e këtyre dy rrugëve ka qenë për shkak të ndërtimeve të shumta të pallateve në zonë dhe se pritej përfundimi i punimeve, në mënyrë që të investohej seriozisht edhe në këto dy rrugë.

Cilado që të jetë arsyeja, pa diskutim që qytetarët presin një zgjidhje për ta parë veten dhe pronën e tyre pjesë të integruar të qytetit, ashtu si i shkon për shtat zonave urbane.