29 qershor 2020/ E.Gjerani/ Porta Vendore/ Lezhë
Torovica e Lezhës, dikur hambar i bujqësisë, sot dergjet për investime, ndërsa 4 mijë familjet që jetojnë ende në këtë zonë i ka gjunjëzuar varfëria. Me lajtmotivin e një jetë më të mirë, shumica e familjeve përballen me vështirësi të shumta, si mungesa e ujit të pijshëm, infrastrukturës rrugore dhe punësimit.
Para viteve 90 Torovica e Lezhës ishte një nga qytezat më të zhvilluara përsa i përket prodhimeve bujqësore, madje ajo ishte edhe furnitori kryesorë për shumë zona të tjera të Veriut. Por Torovica gjithashtu njihej si qyteza që në brendësi të saj mbante ish kampin e internimit, i cili u popullua vrulltas pas viteve 90 me familje të ardhura kryesisht nga zonat e veriut të Shqipërisë. Sot Torovica numëron rreth 5.500 banorë por më shumë se gjysma e tyre kanë emigruar në kërkim të një jete më të mirë.
Torovica duket si pas lufte, ku në pallatet e saj duken plasaritjet e theksuara që ka lënë pas tërmeti i 26 nëntorit. Ato ende nuk kanë nisur të rregullohen dhe midis varfërisë së madhe që të servir pa kursim ky fshat, shto këtu edhe këto pallate gjysmë-gërmadhë, por të banuar tanimë nga familjet, e gjithë panorama bëhet edhe më e vështirë për ta kapërdirë.
Shumica e atyre që nuk kanë guxuar të ikin janë pleq, ndërsa kudo ka shtëpi të kyçura, të cilat janë braktisur nga familjet torovicare.
Ish godinat e kampit të internimit duken gri. Ato numërohen me gishtat e njërës dorë, ku në total janë 5 godina të tilla në të gjithë sipërfaqen e ish kampit, konkretisht 4 pallate me nga dy seksione dhe 3 kate dhe 1 pallat me 1 seksion me 3 kate. E njohur si lagja Malecaj kjo zonë ka 150 banorë.
Marie Sheri na tregon se ka ardhur në Torovicë nga Puka, dhe mendon se këtu është shumë më mirë se në fshatin e saj, për disa gjëra. “Gjoja erdhëm për një vend më të nxehtë për dimrin. Më mirë është këtu, këtu të paktën spitalin e kemi në derë të shtëpisë, kurse andej nga vij unë për një spital vdes”, tregon e moshuara 72-vjeçare, ndërsa entuziazmi i bie shpejt, sapo i përmend gjendjen ekonomike të familjeve në Torovicë. “Na për zotin jetojmë me të keq. Jemi fukarenj. Këtu ça punon djali që e bën me copa punën jashtë shtetit, ku i del ndonjë punë. Ujë nuk ka, vetëm me të blerë, do lekë të madh. Tokë kishim blerë nja 3 dynym, por do pare që të mbjellësh”, qan hallet Maria, ndërsa thekson se janë 4 gojë në familje.
Në Torovicë ajo tregon për Portën Vendore se ka ardhur 3 vite më parë, ndërsa apartamentin që disponon e ka pa letra, ashtu sikurse e kanë blerë edhe të tjerë të ardhur ish pronarëve të kësaj zone.

Ndërsa Prena ka 5 vite që ka ardhur në Torovicë, kohë kur iu prish edhe shtëpia në fshat nga një tërmet i asaj kohe. Ajo rrëfen për Portën Vendore se e ka blerë 3 milionë lekë të vjetra shtëpinë në ish kampin e të internuarve.
“Shtëpitë krejt i kena pa dritare, pa xhama, në varfëri totale. Prej Puke kam ardhur. Kam 5 vite. Atje ma prishi shtëpinë tërmeti ndaj erdha këtu. 3 milionë lekë e kemi blerë këtë shtëpinë këtu, ia kemi blerë tjetrit. Asnjë letër s’na kanë dhënë, thjeshtë i kemi dhënë lekët. Por janë ndërtesa të rëna komplet. Kisha dëgjuar për Torovivën, por nuk e dija që kushtet ishin kështu, s’kisha qenë ndonjëherë”, rrëfen ajo.
Historitë e familjeve të vendosura në ish kampet e internimit në Torovicë duken thuajse të njëjta. Ata kanë lënë gjithçka kishin në fshatrat e tyre, për të qenë më afër rrugës kryesore, spitalit, e shkollës. Por a ia ka vlejtur kjo sakrificë?
“Më mirë se në maje të Pukës, këtu është, megjithëse aty kishte shumë ujë dhe këtu jo. Ujë për të pirë do të donim. Edhe punësim gjithashtu se çunat dalin punojnë me copa, me ato që nxjerrin, me ato jetojmë. Varfëri boll kemi. Të gjithë njësoj pak a shumë jemi”, vijon Prena.

Kjo zonë është e shkretuar, grija e një kohe të errët për të cilën kanë shërbyer këto ndërtesa, të kall datën, por megjithatë banorët tregojnë se nuk kanë asnjë nostalgji teksa jetojnë në ato shtëpi të përshtatura pas viteve ‘90 si të tilla.
Megjithatë shumica prej tyre e pranojnë që kishin dëgjuar për Torovicën, por nuk e dinin funksionin që ajo ka pasur gjatë komunizmit.
Marte Përmendi ka ardhur nga Manatia, një fshat tjetër i Lezhës. Ajo jeton në kushte ekstreme varfërie. Hallet i kanë shtuar rrudhat në fytyrë dhe vdekja e bashkëshortit të saj disa vite më parë ia shton edhe më shumë brengat e një jete të pa jetuar.
“Hyj borxh, jam deri në fyt. Për miell e të tana marr borxh, kur marr KEMP-in i laj, e marr prapë borxh muajin tjetër pastaj. Me atë 200 mijë lekëshin mezi më del që të ushqej fëmijët”, tregon Martja, teksa shikon bukën e bërë vetë në sobë.

Ajo është banorja që ka ardhur më vonë në Torovicë, vetëm 2 vite më parë, por ajo mendon se është më mirë në fshatin e saj në Manati, ndërsa rrëfen se shtëpinë ia ka blerë kisha.
Porta Vendore kontaktoi gjithashtu me Sandër Marashin, administratorin e njësisë administrative Balldren, njësi ku bën pjesë edhe fshati Torovicë, ku edhe ai pranon shqetësimin e banorëve për ujin e pijshëm dhe mungesën e energjisë elektrike në zonë.
“Ka një sërë problemesh në këtë zonë. Gjithashtu përveç mungesës së ujit dhe energjisë, problem mbetet edhe vaditja e kësaj zone për të mbjellat, pasi nuk ka një sistem vaditës. Ndërsa për ujin e pijshëm ende nuk ka një plan afatshkurtër ose afatmesëm për zgjidhjen e këtij problemi që është kthyer në gangrenë për vetë banorët”, tregon Marashi për Portën Vendore, duke shtuar se për sa i përket rikonstruksioneve për fasadat e pallateve të dëmtuar nga tërmeti në Torovicë, ato do të bëhen nga qeveria shqiptare.
“Presim që së shpejti të nisë puna për fasadat, por e rëndësishme është që brenda javës do të nisë dhënia e dëmshpërblimeve për banesat e dëmtuara nga tërmeti në të gjithë Torovicën, përfshirë këtu edhe familjet që jetojnë tek ish-kampi”, tha administratori i njësisë Balldren.
Në Torovicë të Lezhës, zonën hambar për prodhimet bujqësore siç njihej dikur, mungojnë elementet bazë, ndërsa dora e investimeve ka vite e vite që s’ndjehet. Banorët ndjehen të harruar, duke e bërë edhe më të trishtueshme historinë 30-vjeçare të këtij fshati, shkëlqimi i të cilit u venit pas fillimit të viteve të demokracisë, duke e kthyer atë në një fshat të varfër e pa prespektivë, me mbi gjysmën e popullsisë së larguar.