Vëzhgim/Analizë

Tatim fitimi i biznesit të vogël, Rama premton heqjen e taksës që i takon bashkive. Humbja që rrezikojnë financat vendore

26 qershor 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore/

Më 4 qershor, kryeministri Rama do të bënte publikisht premtimin surprizë për bizneset e vogla, që janë edhe më të prekurat nga kriza e koronavirusit. Duke filluar nga viti i ardhshëm e deri më 2029-ën qeveria do të heqë tatim fitimin për subjektet me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë në vit.  Një vendim që sipas kreut të ekzekutivit do të merret së shpejti. Por ajo që kryeministri nuk theksoi është fakti që të ardhurat që vijnë nga kjo taksë shkojnë për buxhetin e bashkive.

Për ta shpjeguar më thjesht: aktualisht tatim-fitimi paguhet me tre fasha. Për bizneset që kanë xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë kjo taksë është zero. Për subjektet me xhiro nga 5 deri në 14 milionë lekë në vit, që konsiderohen edhe bizneset e vogla, kjo taksë është 5% dhe për bizneset me qarkullim mbi 14 milionë lekë në vit, që janë të mesmet dhe të mëdhatë, tatimi mbi fitimin është 15%.

Në bazë të ligjit ‘”Për taksat vendore”, e gjithë e ardhura nga taksa e biznesit të vogël dhe tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për bizneset e vogla shkon për bashkitë. Ajo mblidhet nga administrata tatimore për llogari të pushtetit vendor. Në rolin e agjentit që arkëtojnë taksën, tatimet përfitojnë 2% të totalit të të ardhurave nga kjo taksë dhe 98% e të ardhurave shkon në buxhetin e bashkive.

Kjo do të thotë se sipas premtimit të kryeministrit, pushtetit vendor i hiqet e ardhura e siguruar nga tatimi mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë.

Por sa të ardhura sigurohen nga ky zë dhe cila është pesha e tyre në totalin e buxhetit të bashkive? Sipas të dhënave të Raportit Vjetor të Financave Vendore, publikuar nga Coplan dhe Ministria e Financave, gjatë vitit 2019, nga tatimi mbi fitimin e biznesit të vogël u grumbulluan 376.3 milionë lekë të ardhura. Kundrejt vitit 2018, të ardhurat nga ky zë shënuan një rritje prej 46.8 milionë lekë. Të ardhurat që sigurohen nga tatimi mbi fitimin i biznesit të vogël, kanë një peshë prej 2.4% në totalin e të ardhurave nga taksat vendore dhe japin një kontribut prej 1.5% në të ardhurat nga burimet e vetë bashkive.

Ndërsa kundrejt Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin zënë 0.02% të GDP, sipas të dhënave të qendrës studimore të çështjeve fiskale, ALTAX. Siç duket edhe nga statistikat në tabelën e mëposhtme, pesha e këtij zëri ka mbetur e pandryshuar në tre vitet e fundit.

Burimi: Qendra ALTAX

Tatimi mbi fitimin e biznesit të vogël jep një kontribut relativisht të vogël në totalin e të ardhurave te Bashkive, por të nevojshëm në kushtet kur shumë bashki kanë probleme me financat dhe mbeten të varura nga transfertat e buxhetit qendror të qeverisë. “Rëndësi nuk merr tatimi i fitimit, sa merr sensibilizimi i përmbushjes vullnetare për deklarim dhe pagesë të taksave të tjera vendore”, argumenton për Porta Vendore Elisabeta Katiaj, ish zv.drejtore e Përgjithshme e Tatimeve.

Nga të dhënat e detajuara të Raportit Vjetor të Financave Vendore rezulton se bashkitë e mëdha, që kanë edhe numrin më të madh të bizneseve të vogla nën administrimin e tyre, rrjedhimisht kanë edhe të ardhurat më të mëdha nga tatimi mbi fitimin i këtyre subjekteve private. Bëhet fjalë për bashki të tilla si ajo e Tiranës, ku nga tatimi mbi fitimin i biznesit të vogël janë siguruar në vitin 2019 rreth 181.5 milionë lekë, me rritje 15.2 milionë lekë kundrejt 2018-ës. Bashkia e Durrësit ka arkëtuar 37 milionë lekë nga ky zë ose 7 milionë më shumë se një vit më parë; Bashkia e Vlorës ka grumbulluar 16 milionë lekë nga kjo taksë, me rritje vjetore 1 milionë; 21.2 milionë lekë ka mbledhur Bashkia e Korçës në vitin 2019, me rritje vjetore 8.1 milionë lekë etj.

A preket decentralizimi?

Premtimi i kryeministrit Rama për të hequr tatim fitimin për biznesin e vogël me xhiro vjetore 14 milionë lekë prek decentralizimin. Është ky mendimi i ekspertëve të ekonomisë. Për Elisabeta Katiaj, ish zv.drejtore e Përgjithshme e Tatimeve, kryeministri duhet të ishte konsultuar me pushtetin vendor përpara se të lançonte një lehtësi të tillë fiskale. “Normalisht, ky është një vendim që patjetër duhet ose duhej të konsultohej me bashkitë. Janë disa premtime të Kryeministrit që nuk kanë qartësi për brendësinë dhe detajimin aktualisht. Procesi i decentralizimit në këtë format, duket sikur ka paraqitjen thjesht në imazh, edhe pse patjetër që bashkitë kanë marrë formë vetëm të zbatuesit”, shprehet Katiaj për Porta Vendore.

Ekspertët vlerësojnë se kreu i qeverisë po premton heqjen e një takse që në të vërtetë i takon pushtetit vendor, teksa nuk jepet asnjë alternativë sesi do të bëhet kompensimi në buxhetin e bashkive e kësaj të ardhure të munguar. “Po premtohet heqja e taksës për biznesin e vogël. Për këtë çështje nuk ka asnjë prononcim nga vendorët. Është qetësi e frikshme. Mundet që me mungesën e transparencës që i karakterizon vendorët, të gjejnë zgjidhjen alternative duke rritur taksa e shtuar tarifa lokale”, argumenton për Porta Vendore Artur Papajani, ish drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.

“Taksa që hiqet është taksë që përcaktohet në ligjin e taksave vendore. Pra, ndërhyhet në këtë drejtim, por jo se ka shkelje të ligjit. Por ajo që ne nevojitet është i informimi, debati dhe konsultimi. Edhe një e mirë nuk është e tillë, për sa kohë nuk konsultohet me të gjithë faktorët”, shprehet Eduart Gjokutaj, ekspert nga qendra studimore ALTAX.

Në këtë pikë, Elisabeta Katiaj ka një tjetër qasje, teksa argumenton se bizneset e vogla do të kenë prirjen të deklarojnë dhe të paguajnë taksat e tjera, në një kohë kur lehtësohen nga tatim fitimi.

“Ky buxhet që i takon bashkive, edhe pse në vlerë pothuajse të papërfillshme, prek më tepër Tiranën për numrin e lartë të këtij niveli biznesi, dhe që për buxhetin e Tiranës nuk përbën një çështje vizioni për bilancin e bashkisë. Ndërkohë që bashkitë e tjera kanë mangësi të mëdha në mbledhjen e taksave edhe vendore dhe nëse rrisin forcat dhe fokusojnë strategjinë e tyre në identifikimin dhe mbledhjen e taksimit, nuk do të konsiderohet falja e tatimit te fitimit si vlerë e reduktuar. Por vetë lehtësimi i barrës fiskale të biznesit të vogël, do të rriste disponibilitetin dhe bindjen për deklarim dhe pagesë të taksave vendore, siç janë taksa e reklamës, fjetjes etj”, shprehet ajo.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në të gjithë vendin janë 91 mijë biznese me xhiro nga 0 deri në 14 milionë lekë në vit, 80% e të cilëve ose 72.800 subjekte deklarojnë më pak se 5 milionë lekë xhiro vjetore. Në këto kushte, vetëm diferenca prej 18.200 biznese janë në fashën 5-14 milionë lekë qarkullim vjetor, të cilët paguajnë tatim fitim të thjeshtuar prej 5%. Kaq është edhe numri i bizneseve që përfitojnë nga premtimi i kryeministrit.