Ndodhi

Shtyhet për të dytën herë hapja e transportit publik, operatorët kërkojnë plotësimin e kushteve nga shteti

23 qershor 2020/ E. Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë

Pas një sërë protestash për plotësimin e kushteve nga Ministria e Infrastrukturës, operatorët ende nuk kanë një përgjigje se si do të veprohet, ndaj ata kanë shtyrë sërish afatin për rikthimin në punë, megjithëse paraditen e sotme në një dalje për mediat Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu tha se tashmë nuk do të kishte më asnjë kufizim për transportin urban, ndërsa theksoi se duhej pasur kujdes me protokollin e sigurisë miratuar nga ky institucion.

Porta Vendore e ka ndjekur me vëmendje situatën e operatorëve të transportit urban duke pasqyruar problematikën e tyre herë pas here nëpërmjet raportimeve të ndryshme, jo vetëm për transportin qytetas por edhe për atë ndërqytetas. Pas më shumë se 3 muajsh që qëndron tërësisht i pezulluar si shërbim, transporti urban ende nuk ka marrë zgjidhje. Ndërsa gjatë të gjithë kohës duket se kërkesat e operatorëve dhe shoqatave të Transportit Publik kanë qenë të njëjta, ku në to përfshihet:

  • Subvencionim nga shteti për vendet bosh në mjete për shkak të pandemisë;
  • Të hiqet akciza për naftën dhe taksat për karburantin, ngjashëm me sektorin e peshkimit;
  • Të ulet TVSH-ja nga 2% në 0% për këtë vit dhe më pas në vitin e ardhshëm të jetë 6 për qind.

Kompanitë refuzojnë nisjen e punës me zbatimin e distancimit social mes qytetarëve, siç ka kërkuar Ministria e Shëndetësisë. Ata janë totalisht kundër kapacitetit të lejuar nga Protokolli i Ministrisë së Shëndetësisë, ku kërkohet ruajtja e distancës prej 1.5 metrash mes udhëtarëve, e ku sipas operatorëve i bie që ata të udhëtojnë vetëm me 25% të udhëtarëve, gjë që sipas tyre do t’i çonte në falimentim këto kompani.

Për këto kërkesa, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka reaguar herën e fundit më 17 qershor. “Në kushtet e situatës së emergjencës shëndetësore në vend, hapja e transportit publik nuk është në tagrin as të këtij institucioni dhe aq më pak të kompanive të transportit, por vetëm të Komitetit Teknik të Ekspertëve, pasi Qeveria Shqiptare vlerëson se jeta dhe shëndeti i qytetarëve vlen më shumë se çdo interes tjetër.  Për këtë arsye Qeveria Shqiptare ka marrë tashmë vendime mjaft të rëndësishme si: Njohja si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit; Heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020”, deklaron MIE.

Rixhild Qoshja, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas si dhe menaxher i Albatrans tregon për Portën Vendore se asgjë nuk ka marrë zgjidhje.

Përsa i përket vendimit që Ministria e Infrastrukturës mori për transportin publik vetëm disa ditë më parë duke sjellë disa lehtësi për xhepat e operatorëve, për Qosen është hiçgjë. “100% të tvsh se karburantit e njohur kjo është ulur, kur deri tani ka qenë 43%. Por kjo është kërkesë e kërkuar prej vitesh nga si e drejtë e operatorëve përsa kohë karburantin e kanë shpenzimin kryesor. Por ne kërkojmë heqjen e akcizës së karburantit, Heqjen e tvsh për vitin aktual dhe kthimin e saj në 6% në vazhdim”, thotë ai ndërsa tregon se asnjë nga këto kërkesa reale të operatorëve të Transportit Urban nuk është plotësuar.

Ndërsa Dashnor Memaj , Kryetar i Shoqatës së Transportit Urban e Interurban Veri tha se transporti nuk ka pasur asnjë plotësim kërkese me efekt financiar nga Ministria e Transportit për kapërcimin e krizës.

Njohja e tvsh-së naftës në masën 100% të blerjeve është një ndihmë e vogël por jo mundësi për të kaluar krizën dhe nuk ka efekt tëmirëfilltë financiar më shumë se sa një rrogë punonjësi. Kërkesë tjetër që mendohet që do të plotësohet është falja e taksave vendore që aktualisht akoma s’është bërë vendim i njësive vendore se duhet me vendim këshilli dhe është e ndryshueshme nga një bashki në tjetrën”, thotë Memaj për Portën Vendore, ndërsa shton se shqetësimi i tyre më i madh është për protokollin që është hartuar nga jo ekspert sepse nuk mund të ishte i tillë.

Kulmi i irritimit tonë karshi këtij protokolli është që ne duhet të mbajmë përgjegjësi për distancën e qytetarëve dhe në stacione. Pse duhet penalizim i shoqërisë? Pse nuk veprohet sikurse tek tragetet ose avionët, që përgjegjësia e operatorit mbaron te informimi se s’është preferencial virusi, në avion nuk të kap e në autobus po”, sqaron ai me ironi.

Dashnor Memaj, Kryetar i Shoqatës së Transportit Urban e Interurban në Veri rrëfen për Portën Vendore se operatorët dhe shoqatat prisnin që të thirreshin në tavolinë për të dhënë mendimet. “Ne kërkonim që të ngrinim shqetësimet reale e pastaj të vendosej si do vepronin, por nga zyrat vendosin protokolle e vendime pa u pyetur grupi i interesit”, vijon ai.

Të pyetur se kur pritet të nisë transporti në këto kushte, Rixhild Qoshja, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas tha se ende nuk ka një urdhër për rifillimin e shërbimit.“Nëse nuk plotësohen pikat e kërkuara, si të dalë urdhri si të mos dalë, për ne është e njëjta gjë përsa kohë nuk mundemi financiarisht”, përfundon Qoshja për Portën Vendore. Ndërsa Dashnor Memaj, Kryetar i Shoqatës së Transportit Urban e Interurban në Veri, tha se ashtu sikurse qytetarët edhe operatorët e transportit do të donin të hapeshin një sekond e më parë.

“Nuk mund të vazhdojmë më kështu se po degradohemi ekonomikisht, se dhe mirëmbajtëja e mjeteve dhe në kushte jo pune ka një kosto të jashtëzakonshme financiare. Por dalja në funksion me këto kushte është falimentim dhe rrezik penaliteti i pashmangshëm. Ne do të rezistojmë në kuptimin që të merremi parasysh se jemi sektor ose urë lidhëse në ekonomi”, sqaron Memaj për Portën Vendore, ndërsa pret që të thërritet në tryezën e ekspertëve në institucionet përgjegjëse për fatin e transportit urban, për tu marrë parasysh kërkesat e tyre dhe daljen nga gjendja në të cilën ndodhet i gjithë ky sektor.

E ndërsa nuk ka një dritë jeshile nga ana e qeverisë për hapjen e ketij shërbimi, kjo e fundit nuk ka marrë në konsideratë kërkesat e operatorëve , duke rrezikuar rihapjen e transportit publik, ku kostoja bie tek qytetarët që i duhet të levizin në këmbë ose me mjete të tjera alternative.