Vëzhgim/Analizë

Rindërtimi i shkollave, kostot e shtuara nga projektet

22 qershor 2020/Esmeralda Keta/Porta  Vendore/                  
Durrës/Lezhë/Kurbin/Krujë/Tiranë                                                                                    

Më 24 prill 2020, kryeministri Rama deklaroi se nisi procesi i shembjes së 103 objekteve arsimore, proces ky që përkonte zyrtarisht edhe me nisjen procesit të rindërtimit të tyre. Kur shtatori është vetëm tre muaj larg, procesi i rindërtimit të shkollave ka ngecur në vend, dhe me sa duket shkollat e reja nuk do të hapin dyert as në muajin nëntor, kohë në të cilën ministri i rindërtimit e shtyu afatin për shkak të situatës së krijuar nga Covid 19.

Rindërtimi ka filluar, por kur mbaron?

Gjimnazi “Sami Frashëri” në kryeqytet, pavarësisht se iu nënshtrua fillimisht procesit të rikonstruksionit gjatë muajit dhjetor, dhe ishte parashikuar të hapej në fund të janarit, (siç edhe Porta Vendore raportoi), u rrafshua nga themelet gjatë muajit prill, mes shumë paqartësish.

“Shpeshherë kemi ndërhyrë për estetikë, por të ndryshosh banjot, çezmat, rrjetin elektrik, të bësh palestër, të bësh koshat e basketbollit, nuk do të thotë zëvendësim i themeleve dhe i kolonave, që janë po ato që kanë qenë. Këtu besoj jemi të gjithë dakord që pasi u pa nga grupet e huaja të inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit dhe inxhinierët e bashkisë, u arrit në përfundimin se nostalgjive do t’u themi mirupafshim, për t’i hapur udhën një projekti të ri”, u shpreh Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, teksa inspektonte shembjen e kësaj godine të rëndësishme për arsimin në Tiranë. Më tej, ai shtoi se “Brenda verës do të fillojmë ndërtimin e shkollës, që në shtatorin e ri të kemi shkollën më të bukur, më të mirë dhe më të madhe në Republikë”.

Ndërsa Arkid Kaleci, maturant në gjimnazin “Sami Frashëri”, nuk mundi t’i thotë “lamtumirë” shkollës ku ndoqi studimet përgjatë tri viteve. 18-vjeçari, njëkohësisht fitues i medaljes së bronzit për Informatikë në Rusi, gjatë shtatorit që lamë pas, tregon se janë surprizuar jo pak kur morën vesh se shkolla e tyre u shemb.  “Shembja e shkollës ishte një lajm që u shoqërua vetëm nga emocione keqardhjeje. Jo vetëm që nuk do mund të ktheheshim më në shkollën ku kishim studiuar 3 vite, por gjithashtu duhet të pranonim zhdukjen e një vendi që për ne kishte marrë rëndësi shpirtërore”, thotë ai për Portën Vendore.

Gjatë kohës që gjimnazi “Sami Frashëri” po rikonstruktohej, nxënësit u zhvendosën tek shkolla “Çajupi”, por Arkidi shprehet se nuk e pranonin mundësinë e shembjes së shkollës sepse gjatë gjithë kohës ishin të shoqëruar nga mendimi që një ditë do ktheheshim ne bankat e Samiut.

Në të njëjtën ditë që në Tiranë shembej gjimnazi “Sami Frashëri”, në Shijak fadromat rrafshuan një tjetër gjimnaz, “16 shtatorin”.

Foto nga mbetjet inerte të gjimnazit në Shijak. Foto: E. Keta

Më 16 qershor Bashkia e Tiranës shpalli një tjetër tender me procedurë të kufizuar për studim projektim për dy objekte arsimore, më konkretisht “Ndërtim kopsht & çerdhe dhe Qendër Shëndetësore – Ndroq” si dhe  “Ndërtim shkolle dhe godine për shërbime komunitare – Vaqarr”, me vlerë totale prej 6 milionë lekë të reja pa TVSH.

Por ndërsa po shkojmë drejt fundit të muajit qershor, ritmi i rindërtimit po ecën me hapin e breshkës. Ndonëse duhet të kishte nisur që në fillim të marsit, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Sars–Cov– 2, procesi i shembjes së 59 shkollave ose  “partisë së parë”, siç i ka konsideruar ministri i rindërtimit, Arben Ahmetaj nisi në fund të muajit prill. Aktualisht pjesa më e madhe e shkollave janë rrafshuar, por numërohen me gishtat e njërës dorë, projektet që janë finalizuar dhe kanë nisur të rindërtohen nga themelet.

Por këto nuk janë institucionet e vetme arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Porta Vendore kreu një vëzhgim në terren nëpër zonat e prekura nga tërmeti, për të parë realisht se çfarë ndodh me procesin e rindërtimit të shkollave dhe kopshteve.

Ndërsa në Tiranë, debati zhvillohej se shkolla ishte rikonstruktuar së fundmi, në Shijak në heshtje totale, përfunduan nën rrënoja mjaft dokumente të rëndësishme. Nga vëzhgimi në terren dallohen qartë dëftesat e pjekurisë që gjenden tashmë nën rrënoja, një dokument i rëndësishëm, që qindra nxënës e humbën përgjithmonë, pasi nuk janë paraqitur përgjatë viteve për ta tërhequr.

Në rrënojat e mbetura nga gjimnazi “16 shtatori” i shembur në Shijak. Foto: E. Keta

“Mirë që i prishën, por të paktën të vijnë e të largojnë mbeturinat, – na thonë banorët përreth. – Kemi ngelur roje këtu, pasi kemi frikë se mos futet ndonjë fëmijë, apo persona që merren me mbledhjen e hekurit e ndodh ndonjë gjë”, na thonë ata duke treguar se në fund të oborrit ndodhet edhe një pus që iu është dashur ta mbyllin vetë.

Foto nga shkolla “Hasan Koçi” në Shkozet të Durrësit. Foto: E. Keta

“Hasan Koçi” është një tjetër shkollë që është dëmtuar në qytetin e Durrësit, në zonën e Shkozetit. Banorët tregojnë se fëmijët para karantinës ishin shpërndarë në të tjera shkolla, ndërsa mezi presin të rikthehen në shkollën që mban emrin e dëshmorit Hasan Koçi, e cila ka më shumë se 50 vite që është e pozicionuar në këtë lagje.

*Videoja e shembjes së shkollës Hasan Koçi në Shkozet. Video: E. Keta

Porta Vendore udhëtoi dhe në Durrës, ku ajo që vihet re është procesi i avashtë që po zhvillohet. Kjo vihet re edhe tek “Hasan Koçi” ku një skuadër nga bashkia theu xhamat e dritareve, që më pas të mund të ndërhyjë me fadroma për shembjen e saj, shembje që u krye ne mes të muajit maj.

“Sipas shkallës së dëmit, përcaktuar nga Instituti i Ndërtimit dhe grupe të ndryshme të

inxhinierëve, që i janë bashkuar Institutit të Ndërtimit për të ndihmuar në procesin e vlerësimit të dëmeve, janë 59 objekte arsimore të arsimit parauniveristar, të cilat kanë dëmtime të rënda, sipas vlerësimit të Institutit të Ndërtimit janë vlerësuar DS4 dhe DS5, 66 objekte arsimore të arsimit parauniversitar kanë dëmtime të pjesshme, sipas vlerësimit të Institutit të Ndërtimit janë vlerësuar DS2 dhe DS3; 151 objekte arsimore të arsimit parauniversitar kanë dëmtime të lehta, plasaritje të suvasë, që nuk paraqesin rrezik, por duhet të skanohen para se të vijohet me mësimin”, u shpreh asokohe ministrja e Arsimit, Besa Shahini.

Po ashtu dikasteri i Arsimit ka përllogaritur se “vlera e dëmeve të shkaktuara është 64 milionë euro, ndërsa vlera e humbjeve të tjera, si humbja e orëve të mësimit dhe trajnimeve të ndryshme, që është dashur të bëhen me psikologë me mësues, transporti për t’i transportuar nxënësit në shkollat pritëse, është 9 milionë euro”.

129 shkolla, rindërtim nga themeli

Në 11 bashkitë e vendit, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit janë 129 shkolla që do të ndërtohen nga themelet, ndërkohë që u dëmtuan në total 321 objekte arsimore. Në një seancë dëgjimore gjatë muajit shkurt 2020, ministrja e arsimit, Besa Shahini, raportoi përpara anëtarëve të komisionit parlamentar të edukimit, ku bëri një panoramë të situatës së objekteve arsimore të dëmtuara në mbarë vendin. Sipas saj, në të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti janë dëmtuar rreth 273 ndërtesa arsimore, pa përfshirë konviktet, nga të cilat 39 shkolla të arsimit parashkollor; 143 objekte shkollore të arsimit bazë; 57 objekte shkollore të arsimit të mesëm dhe 34 objekte institucione të arsimit të lartë.

Cikli i rindërtimit u hap thuajse dy javë më parë, më 11 qershor, me shkollën e Dervenit në Fushë – Krujë. Gjatë inspektimit në terren, ndërsa shihte projektin e ri kryeministri Rama, i cili shoqërohej nga ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, dhe kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, u shpreh se “këtu ishte një stallë e tmerrshme, dhe tani do të jetë një shkollë europiane”.

Një ditë më pas, më 12 qershor, kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve të shkollës në Marikaj nga ku kërkoi me ngulm kapjen e afateve. “Problem mbetet afati, por dua që të ketë përfunduar më 26 nëntor, dhe më 27 nëntor ata të kenë mundësi të futen në shkollën e re”, kërkoi Rama, pavarësisht se në kontratë afati i përfundimit të punimeve është muaji dhjetor.

Sipas raportit të përgatitur nga Bashkimi Europian, të publikuar në mes të shkurtit për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit thuhet se: “ Rreth 90% e shkollave të dëmtuara janë në sektorin publik.

Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit kanë pjesën më të lartë të institucioneve arsimore të dëmtuara, ku 55% dhe 21% e të gjitha institucioneve të prekura janë të vendosura, përkatësisht në këto zona. Shkollat ​​të dëmtuara pati edhe në bashkitë e vogla si ajo e Vorës, ku gjysma e të gjitha infrastrukturave arsimore u shkatërruan plotësisht ose pjesërisht. Ajo

që vlen të theksohet është fakti se tre të katërtat e institucioneve arsimore plotësisht dhe pjesërisht të shkatërruara u ndërtuan para viteve 1990. Përveç infrastrukturës, tërmeti dëmtoi edhe pasuritë fizike siç janë mobiliet, laboratorët, pajisjet e TIK-ut, bibliotekat, librat shkollorë dhe materialet e tjera mësimore”, thuhet në raportin që Porta Vendore e disponon.

Shkollat dhe kopshtet, proces i ngadaltë rindërtimi

Megjithatë, secila bashki e prekur nga tërmeti, që ka qenë pjesë e emergjencës natyrore të shpallur nga qeveria Rama në nëntor të 2019-s, ka filluar të marrë masat për mbarëvajtjen e procesit, për aq sa pushteti vendor ka në kompetencë. Por, ajo që vihet re në kontaktet me përfaqësues dhe zyrtarë të bashkive, është ngadalësimi i procesit, ku vendimet duhet të kalojnë nëpër një sërë komisionesh deri në finalizimin e shembjes së tyre dhe hapjen rrugë për rindërtimin.

“Sa i përket objekteve arsimore që do të prishen dhe do të ndërtohen të reja janë afro 15 objekte shkollore për t’u rindërtuar që përfaqësojnë thuajse të tërë nivelet e arsimit parauniversitar që nga shkolla të mesme, 9 – vjeçare e deri në kopshte apo konvikte”, tha zyrtari i Bashkisë Durrës për Portën Vendore, duke shtuar se ka nisur puna për shembjen e një pjesë të tyre, ndërsa për disa godina të tjera arsimore pritet më parë kalimi i tyre në këshill bashkiak, ku pas vendimit vijohet me shembjen nga IKMT.

Gjeografia e institucioneve në hartën administrative vjen e përcaktuar nga akt-ekspertiza e institucioneve që janë marrë me përcaktimin e shkallës së rrezikshmërisë që bartin këto objekte, pas goditjes së tërmeteve të vitit të kaluar; ajo shtrihet në Durrës me 8 të tilla brenda në qytet dhe pjesa tjetër në Njësitë Administrative Sukth 3, Ishëm 3 dhe Rrashbull 1.

Ndërsa qyteti i Lezhës ka një numër më të paktë pallatesh dhe objektesh arsimore që duhen trajtuar me shembje. Ku ndër to përmendim 3 objekteve arsimore, 9 pallate në qytet dhe rreth 270 banesa individuale, por sërish procesi po ecën me hapa të ngadaltë. “Tërmeti i 26 nëntorit 2019 është në fazën përmbyllëse sa i përket vlerësimit të dëmit dhe vendimeve të përfituesve. Këshilli i Bashkisë Lezhë është mbledhur në datë 22 maj për projekt vendimin e prishjes së objekteve, të cilat pas vlerësimit të thelluar kanë dalë si të rrezikshme ose që preventivimi i tyre për restaurim është më i lartë se ndërtimi i tyre. Shembja do bëhet në bashkëpunimin me IKMT dhe faza e shembjes së tyre fillon brenda muajt maj.”, thanë burimet zyrtare të Bashkisë Lezhë për Portën Vendore, por ndërkohë përveçse vendimi nuk është hedhur ende në faqen zyrtare të bashkisë, nuk është bërë as edhe një lëvizje për nisjen e shembjeve të objekteve të dëmtuara nga tërmeti në këtë qytet. Burimet zyrtare i thanë Portës Vendore se fillimisht do operohet me objektet arsimore, shkollat “Llesh Nik Daka” në Shënkoll, “Gjergj Kastrioti” në Qytet dhe Konvikti i shkollës së mesme profesionale, e më pas me pallatet të cilat janë për tu shembur, shtëpitë private. Shembja e pallateve do bëhet në bashkëpunimin me IKMT dhe faza e shembjes së tyre duhej të fillonte brenda muajt maj, por që deri tani mësohet se vetëm 5 ditë më parë ka nisur vetëm shembja e shkollës në Shënkoll. “Të gjitha trajtimet financiare apo objekte të reja do implementohen nga Ministria e Rindërtimit nëpërmjet FSHZHR”, thonë burimet zyrtare të Bashkisë Lezhë.

Ndërsa në Kurbin deri më tani janë shembur 4 institucione arsimore nga 7 të tilla, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe të shpallura si objekte të pabanueshme nga Instituti i ndërtimit. Puna për shembjet ka nisur që në prill, ku deri më tani, sipas burimeve zyrtare të Bashkisë Kurbin është shembur Gjimnazi “Arif Sulaj” Mamurras, Shkolla 9-vjeçare “Dan Bajrami” Gjorm Mamurras, Kopshti nr. 1 Mamurras dhe Shkolla 9 vjeçare “Gjok Elezi”, Sanxhak.

Ndërsa në Shijak deri më tani janë shembur të tre godinat arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. “Jemi të parët që e kemi mbaruar këtë proces sepse na intereson që përveç godinave të reja të gjithë banorët të rehatohen”, tha kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana, për Portën Vendore, teksa theksoi se këto shkolla kanë qenë të ndërtuara para viteve 90 dhe nuk është bërë një rikonstruksion i kohëve të fundi në to.

Porta Vendore kërkoi gjithashtu edhe në Bashkinë Tiranë për të ditur në lidhje me ecurinë e procesit për godinat arsimore, por nuk mori përgjigje. Porta Vendore bëri një kërkim në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë përsa i përket vendimeve të marra nga Këshilli Bashkiak në lidhje me këtë çështje, dhe rezulton se deri më datë 27.05.2020 nga ky organ janë marrë dy vendime për shembjen e institucioneve arsimore nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 që goditi vendin tonë, vendimi nr. 38 datë 21.04.2020 është për shembjen e gjimnazit “Sami Frashëri” dhe vendimi nr. 48  i cili mban datën 14.05.2020 miratonte shembjen e  Qendrës sociale” Të qëndrojmë së bashku” dhe të “Kopshtit 42”.

Po ashtu, Kryeministri Rama së bashku me Ministrin e Rindërtimit Ahmetaj vizituan këtë të shtunë të datës 20 qershor Sukthin, teksa inspektuan punimet për ndërtimin e shkollës 9 vjeçare “Njazi Mastori”. Ai shkroi në rrjetin social Facebook se shkollat e reja të financuara nga buxheti i shtetit janë në kantier dhe se një pjesë e konsiderueshme e tyre do të hapë dyert më 26 nëntor 2020”. Tanimë shkollat e reja të financuara nga buxheti i shtetit janë në kantier dhe kudo ku tërmeti i 26 nëntorit goditi arsimin, duke shkatërruar shkollat e vjetra, po ngremë një infrastrukturë moderne, me standardet më të larta të sigurisë e me kushte optimale për nxënësit e mësuesit. Një pjesë e konsiderueshme e shkollave të reja do të hapin dyert në 26 nëntor dhe në përfundim të kësaj Rilindjeje shembullore nga gërmadhat e 26 nëntorit tragjik të vitit të shkuar, do të kemi 140 shkolla e kopshte të reja, më të forta, më të mira, e natyrisht më të bukura se ato që humbëm në fatkeqësinë e vitit të shkuar”, shkruan Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Sa i përket rindërtimit në Tiranë, sipas burimeve zyrtare të qeverisë deri më tani janë lidhur 20 kontrata me 33 objekte, ndërsa kanë mbetur edhe 5 objekte nga paketa që do të financohen nga buxheti i shtetit, që shumë shpejt do të lidhen kontratat, duke mbyllur kështu paketën e parë që u alokua nga buxheti për 38 objekte arsimore. Pjesa e dytë pastaj është me Bashkimin Europian.

“Një set është me Bashkinë e Tiranës, numri shkon në 18 shkolla por 9 prej tyre do të bëhet me fondet e buxhetit të shtetit dhe pjesa tjetër mendohet ti shtohet paketës që tashmë e ka marrë Komisioni Europian nëpërmjet UNDP-së. Kjo e fundit në hapin e parë ka marrë 22 shkolla që janë në proces prokurimi, ku ne i kemi pasqyruar edhe listën përfundimtare të të gjithë atyre objekteve që do të financojmë ne nga buxheti i shtetit. Ndërsa mendohet që ata do të financojnë rreth 40 shkolla me një shumë prej 50 milion euro”, tha Ahmetaj, ndërsa theksoi se në datën 23 qershor edhe Bashkia e Tiranës, edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapin fazën e dytë të tenderimit të njësive individuale.

Kurse në zonën e Sukthit pritet të ndërtohen 4 shkolla të reja, për të zëvendësuar kështu ato që u dëmtuan nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona. Ndërsa pritet që procesi i tenderimit të nis javën tjetër edhe për shkollën e Thumanës.

Fatura e majmë dhe e vonuar e rindërtimit të shkollave

Në 12 mars, kryeministri Rama njoftoi përmes rrjeteve sociale se firmosi vendimin për financimin e rindërtimit të 59 objekteve shkollore. Duke iu referuar këtij vendimi, fatura e rindërtimit të objekteve arsimore do të na kushtojë 7.9 miliardë lekë, nga të cilat 1.9 miliardë lekë janë parashikuar që të përdoren gjatë vitit 2020.

Nga këto 3.6 miliardë lekë i takojnë Bashkisë Tiranë, dukë përfituar kështu një pjesë të majme të fondeve për rindërtimin e objekteve arsimore.

Por duket se pavarësisht optimizmit të qeverisë, gjërat në terren nuk po ecin me të njëjtin ritëm.

“Deri më datë 1 nëntor do të kenë përfunduar 40 objekte arsimore”, deklaroi më 24 prill Arben Ahmetaj, Ministri i Rindërtimit, gjatë takimit me kryeministrin Rama, Ministren e Kulturës dhe drejtorin e Fondit të Zhvillimit, ku edhe u lançua nisja e procesit të rindërtimit të objekteve arsimore.

Nga vëzhgimi në terren, aktualisht po ecet vetëm me shembjen e objekteve arsimore dhe tek-tuk me pastrimin e tyre, proces i cili ende nuk ka përfunduar në shumicën e godinave arsimore. Ndërkaq, rindërtimi brenda afateve, duket një proces që po ecën me “hapin e breshkës” pasi ende nuk janë finalizuar procedurat e tenderimit. Madje, disa prej tyre edhe janë anuluar.

Më konkretisht, gjatë muajit mars, Bashkia Tiranë hapi tenderin me vlerë 14 milionë lekë të reja, për studim projektimi të 8 objekteve arsimore, përfshi edhe atë të shkollës “Sami Frashëri” tender i cili dështoi. Bashkia e Tiranës, njoftoi se arsyet lidhen me faktin se asnjë prej firmave pjesëmarrëse në këtë tender nuk plotësonte kriteret e përcaktuara.

Në fund të prillit, Bashkia Tiranë, e rihapi sërish procedurën e tenderimit, por shtoi edhe një objekt tjetër arsimor, shkollën “Xhezmi Delli” me një vlerë totale prej 15.9 milionë lekë të reja. Objektet arsimore që ende kanë ngelur peng i këtij tenderi (i cili është në proces) në kryeqytet janë: shkolla “Hasan Vogli”, “Mangull”, Pezë e vogël”, shkolla cikli të ulët “Pajan”, kopshti Fikas, kopshti Gurrë, Gjimnazi “Sami Frashëri”, shkolla 9-vjeçare “Murat Toptani”, “Qazim Turdiu”, “17 shkurti” në Qesarakë e vogël, dhe ajo “Xhezmi Delli”.

Nga ana tjetër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit çeli në muajin mars, garën për ndërtimin e 50 objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti, me vlerë 4.1 miliardë lekë, në Bashkitë Kurbin, Lezhë, Krujë, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Kamëz, Vorë e Shijak. Paralelisht FSHZH hapi edhe tenderin për mbikëqyrjen e punimeve, me vlerë 40 milionë lekëve të reja. As këto tenderë nuk janë finalizuar ende.

Po gjatë muajit mars, buxheti mori pak frymë, pasi Bashkimi Evropian akordoi një fond prej 15 milionë euro dhe mori përsipër rindërtimin e rikonstruksionin e 22 objekteve arsimore. Këto fonde do të mbikëqyren nga UNDP, programi për Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara dhe shkollat e piketuara janë në Durrës, Kavajë Kamëz, Krujë dhe Kurbin përmes programit EU4SCools.

Procesi, me kosto shtesë dhe mungesë transparence

Por procesi i skanimit të dëmeve që ka pësuar infrastruktura shkollore pas tërmetit të 26 nëntorit u shoqërua me shumë paqartësi dhe mungesë transparence. Një ndër më të debatuarat dhe që nuk mori kurrë përgjigje ishte edhe rasti i shkollës “Ramazan Jangozi” në Thumanë, e cila ishte rikonstruktuar në shtator 2019, dhe u inaugurua një muaj para tërmetit për një vlerë prej 650 milionë lekësh, por tërmeti i 26 nëntorit e nxori jashtë funksioni. Ajo u shemb nga fadromat e inspektoratit ndërtimor, së bashku me bazën materiale brenda, fakt që ngjalli debate të forta asokohe.

Mes këtyre paqartësive, ekspertët ngrenë hije dyshimi se procesi i rindërtimit të shkollave jo vetëm ka ngecur, por po shoqërohet me kosto shtesë të panevojshme.

Për Zef Preçin, ekspertin e njohur të ekonomisë, procesi po shoqërohet me vlerësime të kushtueshme. “Është një proces i cili ka ngritur dhe është i mbuluar me hije dyshimi. Ka nisur procesi i prishjes së shkollave, por ende asgjë nuk është e qartë, gjë që shton më shumë mjegullnajën, – thotë Preci,. – Kjo pasi procesi, po shoqërohet me vlerësime të kushtueshme që mund të ishin shmangur në këtë situatë ku jemi”.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Neritan Sejamini, për dështimin e tenderëve fajëson procedurën abuzive që është aplikuar. “Procedura e aplikuar, qoftë për tenderin për rindërtimin e objekteve individuale të hapura nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, qoftë ai për rindërtimin e shkollave i hapur nga bashkia e Tiranës, ishte e dyshimtë dhe ne e kishim paralajmëruar se ajo do të dështonte. Dhe ashtu ndodhi, disa nga tenderat e rindërtimit kanë dështuar. Duhet të ishte një tender normal dhe nuk ka përse përdoren 100 kleçka”, sqaron ai.

Por ndërsa 129 shkolla presin të rindërtohen nga themelet, Arklidi, shprehet i bindur se keqardhja që ai ndjen në këto momente do të zhduket kur mendon për projektin e ri.

“Për mua dhe shumë të tjerë si unë, ‘Samiu’ është kthyer në një pjesë të bukur dhe të rëndësishme të jetës sonë. Sa herë kaloj rrugën ku gjendet gjimnazi dhe shoh rrënojat ajo keqardhja më zhduket pak nga pak, e mendoj për shkollën e re në të cilën do mësojnë ata që do vijnë më pas”, përfundon ai.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail