Video/Foto

Mbeturinat urbane kanë mbuluar prej javësh periferinë e Durrësit

19 qershor 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Qyteti i Durrësit prej 2 javësh përballet me pirgjet e mbetjeve urbane që nuk tërhiqen nga bashkia. Situata u krijua kur vendgrumbullimi i Porto-Romanos mbylli dyert për të vijuar me ndërtimin e një parku të gjelbër dhe me karakter sportiv.

E gjendur pa një plan konkret bashkia bëri përgjegjëse qeverinë qendrore, duke miratuar në Këshillin Bashkiak edhe një propozim të ri për shpalljen e emergjencës mjedisore për menaxhimin e mbetjeve, pas kërkesës për ta shpallur një situatë të ngjashme edhe në vitin 2018, por që u refuzua nga Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve.

Bashkia po negocion për një vend depozitim ku të dërgoj mbetjet urbane, që mendohet të jetë Landfilli i Sharrës. Mbeturinat tërhiqen nga kontejnerët në qytet me destinacion të paqartë, ndërsa periferia e qytetit vijon të përballet me kontejnerët e tej mbushur me mbetjet urbane që gjenden aty prej javësh.