Vëzhgim/Analizë

“Fshati si qyteti”, slogani i një fushate që nuk u bë kurrë realitet

20 qershor 2020/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Tiranë
Fshati si qyteti” ishte slogani që përdori kreu i Bashkisë Tiranë pas reformës territoriale administrative, për të treguar se të gjitha shërbimet që ofrohen në qytet, me këtë ndarje do të ofroheshin dhe në fshat. Por pesë vjet pas reformës më të madhe territoriale të bërë ndonjëherë, sa afër dhe larg ndihen fshatrat e Bashkisë së Tiranës nga kryetari. Porta Vendore ka udhëtuar dhe ka vezhguar 13 fshatra të 13 njësive administrative rurale të Bashkisë Tiranë, ku rezulton se problemet kryesore mbeten infrastruktura dhe uji, ndërkohë që të flasësh mbi çështje të tjera, është diçka shumë e largët. Kjo nuk është vënë re vetëm nga Porta Vendore, por konstatohet dhe nga shumë raporte të shoqërisë civile dhe nga vetë sondazhet e Bashkisë së Tiranës, duke vënë në dukje se “Fshati si qyteti”, mbeti vetëm një slogan.

Jeta dhe hallet në 13 njësitë rurale të Tiranës

Është prag vere dhe Shefqeti, banor i fshatit Bërzhitë, i cili i përket njësisë administrative me të njëjtin emër, sapo është kthyer nga toka që po e bën gati me të mbjellat e stinës.

Nuk lodhemi nga puna se unë në fshat kam lindur e do vdes, por mundi na shkon kot se nuk kemi ujë për vaditje. E toka pa vaditje, është mund i shkuar dëm”, na thotë ai.

Vetëm 16 km larg Tiranës, Bërzhita shtrihet buzë lumit Erzen, duke bërë që të lulëzojnë dhjetëra lokale tip agro-turizmi, por duket se jeta e banorëve të thjeshtë vazhdon përmes mungesave të shumta.

Me ndarjen e re administrative tashmë edhe banorët e ish komunave duhet t’i drejtohen bashkisë qendrore për çdo hall që kanë. E duket se zgjidhja do të jetë e vështirë, ndonëse kreu i bashkisë Erion Veliaj ka deklaruar se ky mandat i dytë do të jetë për fshatin.

Ky do jetë një mandat ku do e kemi fokusin kryesisht te fshati. Nuk mund të kemi një Tiranë, e cila ecën me 2 shpejtësi: me të pestin te Sheshi “Skënderbej”, dhe rri në vend kur vjen puna te Ndroqi, te Vaqarri, te Shën Gjergji, apo në Petrelë. Jam shumë i lumtur sot që një nga lagjet e reja të Ndroqit ka një rrugë me cilësi”, deklaroi Veliaj, në fillim të gushtit 2009, ndërsa inauguronte një rrugë të re në Ndroq.

Por Shefqeti është skeptik. Ai na thotë se ndryshe nga më parë, kur për çdo problem shkonin e ankoheshin në komunë, tani s’flasin fare, pasi nuk kanë ku të ankohen. Fshati si qyteti? – pyet ai. – Nuk ka pse të bëhet fshati si qyteti, jemi mirë kështu. Por nëse më parë ankoheshe te komuna, kush na dëgjon ne tani në Tiranë. Të paktën të kishim ujë të pijshëm. Jemi shumë larg”, na thotë ai ndërsa na sqaron se asnjë nga banorët nuk ka kontratë me ujësjellësin. “Kemi hapur puse vetë ose e marrim tek njëri -tjetri”, shpjegon i moshuari, ndërsa shton se jeta e tyre vazhdon po njësoj; pa investime në rrugë, pa investime në shkolla dhe të papunë. “Çfarë kanë bërë vetë bizneset, se ende nuk kemi shijuar asnjë investim“, na thotë ai ndërsa çapitet i lodhur nga punët e ditës drejt shtëpisë.

Foto nga njësia administrative Bërzhitë, ku vihet re papastërtia nga mbetjet në këtë zonë. Foto: E. Keta

E megjithatë pas ndarjes së re territoriale, fshati Mihajas i kësaj njësie administrative, një ndër fshatrat më të largët të Tiranës, ka përfituar një shkollë të re. Teksa inspektonte punimet e saj në maj të 2017-ës, Erion Veliaj do të ripërsëriste se për Bashkinë e Tiranës nuk ka diferenca në investime, pavarësisht nëse bëhet fjalë për qendrën e Tiranës apo zonat më periferike të saj.

Këtu jemi në pikën më periferike të Tiranës, ku ndahemi me Elbasanin, ama parimi është ky: nëse e ke emrin në Tiranë, duhet të trajtohesh njësoj si gjithë të tjerët dhe nuk duhet të ketë më distancë midis atyre që jetojnë në qendër apo në Unazë dhe atyre që janë në Krrabë, Bërzhitë, Zall-Herr, Zall-Dajt apo Zall Bastar. Kështu, jemi munduar si një familje nikoqire që t’i shpërndajmë investimet”, tha Veliaj asokohe, por me sa duket ky fshat duhet të kënaqet vetëm me këtë shkollë, pasi nuk ka investime të tjera.

Porta Vendore” kontaktoi edhe disa banorë të tjerë të këtij fshati tjerë të cilët pohuan se përveçse për shkollën nuk është vënë dorë në asgjë tjetër dhe pranuan se kishin shumë shpresë që së paku kryetari i bashkisë t’u shtronte rrugën e fshatit, ashtu siç kishte premtuar, por që deri tani nuk ka ndodhur.

Sanija është banore e Petrelës, një prej fshatrave më të begatë të Tiranës. Modeste, prej jetës së vështirë në fshat ajo na rendit disa mungesa me të cilat përballen çdo ditë. “Po rrugët janë copë-copë, ujë nuk kemi, kanalizime për të vaditur tokën nuk kemi. Këto ka fshati”, na thotë Sanija, të cilën e takojmë teksa po shkon të bëjë pazarin te dyqani i fshatit. “Po ne jetojmë në fshat, por prapë shumicën e prodhimeve i blejmë. Kemi pak tokë dhe atë që kemi mezi e vadisim, na duhet punë. Nuk kemi ku punojmë”, na thotë ajo. E kur e pyet se si ia bën për hallet me njësinë vendore, “Kush shko deri te Bashkia e Tiranës, po edhe po shkuam kush na nigjon ne”, shprehet ajo. “Ishte ndryshe kur ishte komuna, ai është këtu për ne. Tani pak halle ka Tirana, që të merret edhe me ne”, rrëfen Sanija për Portën Vendore.

Rrugët në brendësi të njësisë administrative Petrelë. Foto: E. Keta

Ndërkohë si problem ajo ngre edhe çështjen e kazanëve të mbeturinave. “Në fundjavë ka shumë lëvizje, sidomos tani që fillon e ngrohet koha. Vijnë shumë njerëz për në restorantet që janë përreth dhe na mbulojnë mbeturinat, makina vjen shumë rrallë dhe i heq”, pohon ajo.

Rexhepi, ndonëse i ka kaluar të ‘70-at, vazhdon të ndihmojë me kohë të plotë familjen e tij. Me një karrocë dore të ngarkuar me dru të mbledhur në tokën e tij, ai kalon nëpër një rrugë të vështirë derisa të mbërrijë në shtëpinë e tij në fshatin Picallë, i cili edhe ky i përket njësisë administrative të Petrelës. “Jeta në fshat dihet që është e lodhshme, por ne vuajmë për ujë. Ujë për të pirë e ujë për vaditje”, na thotë ai, ndërsa shton se rruga e kryesore e fshatit Picallë është e asfaltuar.

Rexhepi nga Picalla ndërsa flet për Portën Vendore. Foto: E. Keta

Banorët e Saukut të Vjetër, që bëjnë pjesë në njësinë administrative të Farkës, janë më optimistë. Të harruar thuajse nga të gjitha qeveritë e të lënë në periferi të vëmendjes, ata duket se kënaqen me pak gjëra që kanë ndryshuar në fshatin e tyre. “ Po ujë të pijshëm kemi, na vjen dy orë në mëngjes, dy orë në drekë dhe dy orë pasdite. Boll ma, na mjafton me i mbush fuçitë e depozitat për nevojat gjatë ditës. Autobusi ngjitet deri lart, që më përpara nuk vinte fare, shkollë kemi, kopsht kemi, qendër shëndetësore kemi”, thotë një banore e Saukut.

Mbetjet urbane të hedhura jashtë kontejnerëve në zonën e Saukut të Vjetër. Foto: E. Keta

Ja pra mo njësoj jemi, si qyteti, na thotë me të qeshur ajo, ndërsa shton se “të gjitha i kemi, vetëm punë nuk kemi, e të rinjtë kanë ngelur lokaleve”. Për të, bashki apo komunë është njësoj, nuk përbën asnjë diferencë. “Edhe kur e kishim komunën këtu nuk është se na zgjidhte ndonjë hall, tani së paku nja dy gjëra na janë rregulluar”, na thotë ajo, teksa kalon afër pirgut të kazanëve të mbeturinave.

Zall-Mneri është një fshat shumë i populluar, që bën pjesë në njësinë administrative Zall Bastar. Me shtëpi të ngjitura njëra me tjetrën, rrugët dhe kanalizimet janë prioritet i banorëve, por duket se nuk janë ende në prioritetet e bashkisë.

Rrugë dhe ujë duam ne, – na thotë Fatimja, duke shtuar, – Për këto gjëra kemi zbritur nga Kukësi dhe erdhëm në Tiranë, por edhe këtu hiç nuk është më mirë.

Sipas saj, problem mbetet edhe shkolla që u mbyll nga tërmeti. “E kishim gjimnazin afër, ai ishte shumë i vjetër, por të paktën i dërgonim fëmijët aty. Tani është mbyllur e fëmijët duhet të shkojnë në Kamëz, pohon ajo, e cila shton se duke iu bashkuar bashkisë së madhe, nuk kanë shumë shpresa që investimet të mbërrijnë deri në shtëpitë e tyre.

Keq është për ne, se Tirana i ka vetë rrugët copë-copë. Pse do lërë të vetat e do vijë tek ne?”, pyet me ironi ajo, e cila shton se tani nuk kanë edhe kujt t’i ankohen më. “Po tani e kanë më kollaj për të na përcjellë, se na thonë do të vëmë në dijeni bashkinë e madhe”, përfundon ajo.

Zall-Mneri fshat në njësinë administrative Zall Bastar. Foto: E. Keta

Edhe banorët e njësisë administrative Dajt, një ndër njësitë me potencialin më të madh në fushën e turizmit vuajnë mungesën e fondeve. “Sapo hapet koha, thuajse e gjithë Tirana vërshon drejt Dajtit. Ne duhet të ishim të gjithë ‘të pasur’, me punë të sigurt, dhe jo të vuajmë për punë dhe si pasojë edhe të varfër. Se po nuk pate punë, nuk ke asgjë”, thotë një banor i Linzës për Portën Vendore.

Sipas tij, duhet të ketë politika favorizuese për bizneset e zonës, në mënyrë që ata të mund të punësojnë banorët e tjerë.

Mbetjet urbane të hedhura pa kriter në zonën e Dajtit. Foto: E. Keta

Ai tregon më tej se dy djemtë e tij, ndonëse kanë mbaruar edhe shkollën e lartë, aktualisht janë të papunë.

I kam të dy të papunë momentalisht. Kur ngrohet koha, njëri prej tyre, i cili ka mbaruar edhe shkollën për mësues, punon në një lokal të zonës si kamerier. Por më shumë është pa punë se me punë. Ne këtë duam, vetëm punë duam. Është mëkat që kemi gjithë këtë pasuri, dhe sërish jemi të varfër”, thotë më tej ai.

Një tjetër banor vë në dukje se mungesa e ujit të vaditjes, i cili është një problem i madh për të mbjellat. “Ne jemi fshatarë dhe me tokën mbahemi, por toka pa ujë është mund i shkuar dëm. Ne lodhemi, dhe në fund mezi arrijmë të nxjerrim ndonjë gjë për nevojat e familjes, pasi na i kap thatësira. Ndërkohë që ne nuk duhet të mendonim se si të plotësojmë nevojat e familjes, por të mbanim me furnizim të gjitha lokalet e zonës. Po të kishim ujë për vaditje, por nuk ka, ndaj ne presim një pikë shi nga qielli”, na thotë ai, i cili shton se megjithëse banorët kanë pak toka dhe në terren të thyer, sërish uji i vaditjes nuk i plotëson nevojat e fshatrave.

Problem për banorët e Dajtit mbeten edhe koshat e mbeturinave që janë në rrugë kryesore. “Kur e bënë rrugën e re, nuk parashikuan vende të posaçme ku do të vendosen koshat dhe ata janë në rrugë…duke u bërë problem për makinat, por edhe për ne”, thonë banorët thuajse njëzëri.

Kontejnerët në njësinë administrative të Dajtit janë vendosur larg fshatrave. Foto: E. Keta

Në Njësinë Administrative Shëngjergj ka një shkollë të mesme të përgjithshme, dhe 2 shkolla 9-vjeçare. Po ashtu ka edhe një qendër shëndetësore me 1 mjek dhe 1 infermiere. Ndryshe nga njësitë e tjera këtu ujë i pijshëm nuk mungon, pasi edhe aty ku është problem banorët kanë lidhur tubacionet me burimet ekzistuese. Megjithatë ajo çfarë i shqetëson banorët e Shëngjergjit është infrastruktura rrugore, e cila paraqitet jo e mirë, madje në shumë vende e vështirë. “Dua më shumë se 30 minuta që të zbres nga kodra në qendër të fshatit, ndërsa po të ishte një rrugë do të më duheshin vetëm disa minuta që të shkoja nga shtëpia për tek stacioni i autobusit, që është shumë pranë, por rruga na i prish të gjitha. Unë kam gjithashtu një fëmijë me aftësi të kufizuar, i cili është privuar edhe më shumë për shkak të kësaj mungese”, tregon Majlinda, banore e Shëngjergjit, ndërsa thekson se e gjitha kjo vështirësohet edhe më shumë kur përballen me ndonjë emergjencë shëndetësore.

Rruga deri në qendër të njësisë është asfaltuar. Ndërsa rrugët që të çojnë për në brendësi të fshatrave janë me çakull, çka krijojnë vështirësi për të kaluar, kjo nuk ndodh vetëm në fshatin Shën Mëri, Shëngjergj, Urë, por edhe në shumë të tjera.

Unë shoqëroj shpesh turistët që vijnë për të vizituar këtë zonë, shqiptarë ose të huaj, ata vijnë kryesisht për të parë bukuritë e kësaj zone, teksa shkojnë deri te Mali me Gropa, por edhe ujëvara e Shëngjergjit i tërheq shumë. Megjithatë pavarësisht se shumica vijnë me makina 4*4 sërish problemi më i madh i mosaksesit të kësaj zone mbetet rruga. E pavarësisht ankesave tonë të herëpashershme pranë administratorit, nuk është bërë gjë, pasi këtu ka zona që makina ngec për shkak të territorit të vështirë dhe turistit i duhet të ecë km në këmbë për të arritur në destinacionin e dëshiruar. Premtime kemi marrë shumë por s’kemi parë gjë, ndaj jemi bërë skeptikë në këtë drejtim”, tha Mario, i cili shërben si guida e zonës.

Por nëse në një fshat vuajnë për rrugë, në një fshat tjetër urgjencë është furnizimi me uji të pijshëm.

S’ka ujë fare, shkojmë e mbushim me krahë 15 minuta larg shtëpisë. Shumë premtime ka pasur, por me vepra jo. Kemi hapur pus, por nuk bën. Gjatë verës nuk e përdorim fare, ndërsa për të pirë e blejmë, gjynah janë gjithë ato lekë, se ne jemi edhe në fshat edhe mundësitë financiare janë të pakta”, tha Ylberi nga fshati Gropaj në njësinë administrative Vaqarr.

Banorët e Gropajt megjithëse janë vetëm pak kilometra larg kryeqytetit, sërish nuk e kanë ndjerë dorën e investimeve në zonën e tyre. Ata ndjehen të harruar dhe të lënë në mëshirë të fatit. “Asnjë investim këtu në fshat, ne nuk kemi as shkollë dhe as qendër shëndetësore. Vjen infermieri fshatit një herë në kaq kohë që na bën ndonjë shërbim, kur kemi nevojë. E vërteta këtu ka vdekur. Po fole këtu në fshat, po kërkove të drejtën tënde thonë që je i PD-së dhe të diskriminojnë. Ndërsa s’na ka ardhur asnjë ndihmë”, thotë Lutflije Nozlli për Portën Vendore.

Fshati Gropaj në Vaqarr, mes bujqësisë dhe mungesës së ujit vaditës. Foto: E. Keta

Fshati Gropaj në njësinë administrative Vaqarr është vetëm 9.4 km nga Tirana. Ky fshat ka rreth 100 familje, ku kryesisht banorët merren me bujqësi e pak blegtori. Dhe një copë rrugë se kemi. Për pak km s’ka investuar askush në brendësi të fshatit. Por edhe uji i pijshëm është problem, furnizohemi kur vjen boti. Jetesë e vështirë shumë këtu në fshatin tonë sidomos”, tha Luljeta Gjokmeli.

Luljeta Gjokmeli ndërsa flet për Portën Vendore. Foto: E. Keta

Ndërsa vetëm pak km larg fshatit Gropaj ndodhet Peza, e cila gjithashtu ka një sërë problematikash në fshatrat e saj. “Rruga është problematike, ndërsa fëmijëve i duhet të bëjnë një orë rrugë kur shkonin në shkollë. Dhe këtë rrugë duhet ta bëjnë pavarësisht kushteve të motit”, tregon Lazimi, një nga banorët më të vjetër të fshatit Grec.

ruga në brendësi të fshatit Gropaj në njësinë administrative të Vaqarrit. Foto: E. Keta

Ndërsa për të shkuar për një vizitë të thjeshtë shëndetësore banorëve të fshatit Grec të njësisë administrative të Prezës i duhet të shkojnë deri në Pezë.

Infermierja vjen 1 herë në javë në këmbë, kur duhet të na bëjë ndonjë gjilpërë ose ndonjë matje tensioni a vizitë”, tregon Sheqerja, e cila shton se në 30 vite në zonën e tyre nuk ka ndryshuar asgjë.

Rruga e fshatit Greç në njësinë administrative Prezë. Foto: E. Keta

Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, shkolla e Pezës është prishur dhe fëmijët në kohën kur shkonin në shkollë, mësonin në një tjetër shkollë. Transporti i rreth 100 fëmijëve bëhej nëpërmjet një furgoni, i cili has shumë vështirësi nëpër rrugën tërësisht të pashtruar, qoftë edhe më çakull, ndërsa prindërit janë të detyruar të paguajnë këtë shërbim me 100 lekë të reja në ditë, për secilin fëmijë. E gjitha kjo, pasi nuk ka një zgjidhje për transportin e fëmijëve në shkollë në këtë zonë të Tiranës.

Fëmijët teksa shkonin në shkollë duke ecur rreth 1 orë në këmbë, para pandemisë së Covid 19.

Në njësinë administrative të Ndroqit, një nga fshatrat që Porta Vendore vëzhgoi, ishte pikërisht fshati Mënik, i cili është raportuar edhe më parë nga kjo platformë për problematikën e rrugës e cila u zgjidh nga një biznesmen i zonës që e shtroi atë më çakull. Por problemet për këtë zonë duket se nuk kanë të sosur. Banorët vuajnë prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm, ku si në shumë fshatra të tjera të Tiranës që e kanë këtë problematikë, zgjidhja duket se është larg dhe banorët përpiqen të gjejnë mënyra alternative.

Nuk ka fare ujë, zero. Shumica e banorëve kanë hapur puse, por sërish nuk kemi ndonjë burim aq të fuqishëm në zonë sa të na mbajë të gjithë familjeve, sidomos gjatë verës kur burimet dihen se shterojnë edhe më shumë. Disa të tjerë përpiqen ta blejnë ujin për të pirë, sepse ai i pusit mban edhe erë. Tani me ndarjen e re territoriale banorët e ndiejnë veten vetëm, dhe mbesin në shpresën e ndonjë bamirësi tjetër të zonës për zgjidhjen e këtij halli, por ma do mendja që është një projekt i kushtueshëm, furnizimi me ujë i kësaj zone se përndryshe do ta kishte bërë shteti”, tha Shefedini për Portën Vendore.

Në Zall Herr duket se situata problematike që banorët kishin me mbetjet është zgjidhur disi pas shtimit të koshave dy vite më parë në qendër të njësisë administrative. Por ndërkohë banorët tregojnë se e njëjta gjë nuk ka ndodhur edhe me fshatrat e Zall-Herrit. “Nuk mund të flasim për menaxhim të mbetjeve, thjesht janë vendosur disa kazanë plehrash në rrugën kryesore, e cila është e asfaltuar dhe nëpër lagje mungojnë totalisht kazanët e plehrave. Ndërsa infrastruktura e 

rrugëve të brendshme të të gjitha fshatrave është ku thërret qameti”, tregon Marigleni për Portën Vendore.

Njësia administrative e Zall-Herrit ka 11 fshatra, nga të cilat vetëm 3 fshatra mbulohen me transport publik. “Do të doja që transporti urban të shkonte edhe në fshatra të tjerë, kjo pasi si një zonë e varfër di që jo të gjithë e kanë mundësitë të kenë një makinë, ndaj kjo e izolon një familje për të zbritur e shitur produktet e tyre, por qoftë edhe për të zgjidhur një punë ose një hall të vetin në njësinë administrative ose Tiranë”, vijon Marigleni.

Qendra shëndetësore, e cila ndodhet ngjitur me njësinë administrative është funksionale, por sa më në thellësi të fshatrave të shkosh aq më tepër problem është shërbimi mjekësor për ata që kanë nevojë për asistencë shëndetësore. Ndërsa arsimi, sipas banorëve, duket si sektori më i stabilizuar në këtë zonë, kjo për shkak të ndryshimeve të fundit.

Arsimi deri diku është stabilizuar, kanë hequr te gjitha klasat kolektive dhe nxënësit që kanë qenë nëpër këto shkolla, i kanë sjelle në shkollat e mëdha, është pak problem largësia por ua kanë rimbursuar shpenzimet që ata bëjnë për transport”, përfundon Marigleni.

Uji gjithashtu është problem për shumicën e fshatrave në njësinë administrative të Zall-Herrit, pasi ka fshatra që nuk kanë rrjet ujësjellësi, por edhe aty ku ka rrjet, në kohë me shi, uji turbullohet dhe e ndalojnë me ditë të tëra deri sa të kullohet.

Një njësi tjetër që Porta Vendore mori në konsideratë ishte fshati Krrabë. Në këtë fshat, sikurse edhe në shumë të tjerë gjatë vëzhgimit të Portës Vendore, rrugët janë në gjendje të keqe. Banorët tregojnë që aty nuk është vënë dorë, dhe fshati vizitohet vetëm në kohë fushatash. “Rrugët janë skandaloze, nuk është vënë dorë fare. Jemi për të ardhur keq që pas gjithë atyre premtimeve sërish mbetëm në vend numëro. Dmth po s’pate rrugë, s’ke as trotuar, as ndriçim etj, por kjo përbën rrezik të madh për ne banorët, sepse shpesh mund të bëhemi edhe burim aksidentesh, nga mungesa e infrastrukturës së duhur. Por fshati është i fundit, nuk e sheh njeri”, thotë Iliri i indinjuar. Ai tregon se në fshat ka mungesë të theksuar të furnizimit me uji dhe gjithashtu mungojnë stacionet e autobusëve.

Baldushku është fare pranë Tiranës dhe është bërë i njohur për gjelat e detit që kjo zonë rrit. Në fakt banorët këtu tregojnë njëzëri që nevojat për një treg janë të mëdha, pasi rruga drejt Tiranës megjithëse afër, ka mundin e vet. “Do ishte mirë që produktet tona bujqësore të cilat janë bio, por edhe pulat, vezët, e bulmetin të mos ta çonim në Tiranë, se atje jo gjithnjë malli shitet dhe për ne është kosto e madhe gjithsesi, kurse po ta kishim një treg në këtë njësi do ishte një mundësi shumë e madhe për fshatarët e zonës, se do të inkurajonte edhe shumë të tjerë që të kultivonin fruta e perime të ndryshme të stinës e jo vetëm”, tha Mondi nga fshati Fushas.

Baldushku numëron një popullsi prej 5,267 banorësh, të shpërndarë në 14 fshatra, ku fshati Fushas ka numrin më të madh të banorëve, me rreth 700. Por vetëm një vit më parë Bashkia Tiranë, ndërhyri në rikonstruksionin e shkollës 9 vjeçare të fshatit, në të cilën mësojnë 200 nxënës. Në tetor 2019, Fushasi i Baldushkut u bë me një shkollë me kushte shumë të mira, dhe ndaj banorët janë të lumtur që kjo ëndërr e fëmijëve të tyre u bë realitet. “Shkolla ishte në kushte të mjerueshme, por më në fund u vu dorë. Me thënë të drejtën nuk kishim fort besim, por shyqyr që ndodhi për ata fëmijë, pasi me kushtet e mëparshme kishim frikë ti çonim në shkollë, aq keq ishin tavanet e muret”, tha një prind, ndërsa thekson se fshati ka edhe një sërë problemesh të tjera, si mungesa e ujit vaditës, kazanët e mbetjeve etj.

Rrugë dhe ujë i pijshëm janë edhe problemet që shqetësojnë edhe banorët e njësisë administrative të Kasharit. Yzberishti dhe Mëzezi, të kthyera vitet e fundit edhe në superqendra të populluara, kanë edhe problemet më të shumta. Për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, gjatë dimrit rrugët brenda lagjeve notojnë në ujë, ndërkohë gjatë verës shkaktojnë shumë pluhur. “Kemi raportuar me qindra herë edhe pranë bashkisë, në dimër është e pamundur të kalosh nga një trotuar në tjetrin për shkak të ujit dhe të baltës, – na thotë një banor i kësaj zone. – ndërkohë që në verë, nuk guxojmë të hapim dritaret nga pluhuri i madh që ngrenë rrugët”, – përfundon ai.

Rruga që qëndron në ujë gjatë të gjithë kohës në Yzberisht. Foto: E. Keta

Sipas banorëve të Yzberishtit, është e padrejtë që edhe pse i kanë blerë shtëpitë prej më shumë se një dekade, vazhdon të mungojë infrastruktura thuajse në të gjitha kuptimet.

Janë bërë super pallate dhe lagje të mbipopulluara, por nuk kemi rrugë ku të ecim”, na thonë ata, të cilët shtojnë se i gëzohen rrugës së re që lidh Yzberishtin me Unazën e Re, të shtruar së fundmi.

Po ashtu uji i pijshëm është një problem që i shoqëron prej vitesh banorët e kësaj zone. Ata pretendojnë se shumica e tyre kanë në shtëpi ujë pusi, ndaj edhe nevojat i sigurojnë nëpërmjet autoboteve.

U jemi falënderues këtyre që vijnë me autobote, se të ishte për ne nuk kemi lekë ta blejmë”, tregojnë banorët e Yzberishtit. “Sa për ujin që na vjen në çezmë le të thonë çfarë të duan, por ai nuk bën për t’u pirë. Na kanë thënë që do të na lidhin edhe ne me Ujësjellësin, të shpresojmë”, shtojnë banorët.

Njësia administrative Kashar përbëhet nga fshatrat: Kashar, Yzberisht, Mëzez, Yrshek, Katund i Ri, Kus dhe Mazrek, të cilët janë të njohur për produktet e shumta bujqësore që ofrojnë në treg. Por mungesa e ujit vaditës herë pas here bëhet shkak që mundi i banorëve të shkojë dëm.

Rrugët në njësinë administrative Kashar gjithashtu janë lënë në mëshirë të fatit. Foto: E. Keta

Si e perceptojnë banorët ndarjen e re administrative?

Këtë perceptim për shërbimet e ofruara në ish komuna nga Bashkia e Tiranës nuk e kanë vetëm qytetarët e pyetur nga Porta Vendore. Një raport i hartuar më herët nga IDRA më 2017 në projektin STAR2 ‘Vlerësimi kombëtar i qeverisjes vendore në Shqipëri’, na jep një pamje se si e shohin ecurinë e kësaj reforme qytetarët dhe vetë administrata.

Monitorimi, i cili u krye përmes anketimit të thuajse 12 mijë personave në 61 bashki, nëse shërbimet ofroheshin me të njëjtën cilësi në të gjitha territoret bashkiake “qytetarët perceptojnë mangësi të konsiderueshme në cilësinë e shërbimeve të ofruara dhe në pabarazinë midis zonave rurale dhe atyre urbane”.

Më tej studimi sqaron se ka një diferencë në ofrimin e shërbimeve midis fshatit dhe qytetit.

Ekziston një polaritet rural-urban me dallime thelbësore midis aksesit në zona urbane dhe aksesit në zona rurale”, citohet në këtë raport. Përmes një analizimi të mëtejshëm, raporti konstaton se ky dallim është më i theksuar për shërbime të caktuara publike, të tilla si ndriçimi rrugor, shërbimi zjarrfikës, mirëmbajtja e parqeve dhe e hapësirave publike, aktivitetet dhe hapësirat sportive, aktivitetet kulturore dhe strehimi social, të cilat janë më pak të disponueshme në zonat rurale krahasuar me ato urbane.

Ish-komunat, të “etura” për ujë dhe rrugë

Ish- komunat janë të etura për ujë të pijshëm, ujë për vaditje, rrugë e punë. Të paktën këtë e tregon një sondazh i kryer nga Bashkia Tiranë, ndërsa hartonte projektbuxhetin e vitit 2019, në të gjitha njësitë administrative të saj, për nevojat e vetë banorëve se ku duan ata që të përqendrohen investimet.

Sondazhi tregon qartë se fshatrat luftojnë ende për nevojat më bazike, ndërsa kur vjen puna tek kultura dhe argëtimi mbetet ende një ëndërr e largët.

Kështu 51% e banorëve të Komunës Dajt, kërkojnë që investimet e bashkisë të përqendrohen në infrastrukturën rrugore, dhe po aq kërkojnë punësim e transport publik.

84% e banorëve të njësisë administrative Farkë kanë si prioritet punësimin, 76% Transportin Publik e 50 % kërkojnë përmirësime në sistemin e ujësjellësit.

Në njësinë administrative Kashar, banorët konsiderojnë emergjencë ndërhyrjen në sistemin e kanalizimeve, ujësjellës dhe infrastrukturën rrugore.

Kurse 90% të banorëve në Baldushk kërkojnë investime në sistem kanalizimesh, mbi 80% në ujësjellës e po aq konsiderojnë prioritet ndërhyrjen në infrastrukturën rrugore.

Në Bërzhitë prioritet mbetet ujësjellësi, sistemi i kanalizimeve dhe infrastrukturës rrugore, ndërsa edhe në Krrabë përveç ujit dhe rrugës, banorët kërkojnë edhe shkolla e qendra kulturore.

Në njësinë administrative të Ndroqit, mbi 90% e banorëve kërkojnë ndërhyrje në rrugë, Petrela po ashtu kërkon ujë të pijshëm, ujë për vaditje e rrugë.

Uji i pijshëm, sistemi i kanalizimeve dhe infrastruktura rrugore janë pikat e nxehta ku kërkojnë ndërhyrje edhe banorët e njësive administrative të tjera si; Pezë, Shëngjergj, Zall Bastar, Zall-Herr e Vaqarr.

Decentralizimi dështoi, banorët “u larguan” nga shërbimet

“Reforma e re territoriale, dobësoi shërbimet ndaj qytetarëve”. Ky është përfundimi i një studimi të ndërmarrë nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, “Qeverisja vendore në Shqipëri”.

I publikuar gjatë 2019-ës, raporti monitoroi ecurinë e reformës territoriale për tre vite me radhë, dhe provoi se reforma territoriale uli dukshëm cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe i largoi bashkitë nga bashkësitë e banorëve dhe interesat e tyre.

“Kryebashkiakët e rinj u ndeshën me një ngarkesë të madhe që vinte më shumë nga zonat rurale dhe u duhej të krijonin një strukturë që mund të përballej me zgjerimin rural, bujqësinë, turizmin rural, menaxhimin e pyjeve dhe kullotave etj. Strukturat aktuale të bashkive duket se ende nuk janë përshtatur për të plotësuar shërbimet publike kryesisht në këto zona rurale. Edhe pse ka pasur një progres sa i takon zyrave me një ndalesë (43 bashki aplikojnë one stop shop), përsëri ka boshllëqe duke krijuar tek qytetarët idenë se administrata e bashkisë është në funksion të qendrës. Administratorët e njësive administrative ngrenë problemin se çdo ndërhyrje e tyre është krejtësisht e varur nga bashkia në qendër. Kjo ka krijuar dhe ‘lodhje’ të qytetarëve dhe si pasojë e largësisë. Pra duhet një raport i drejtë midis eficiencës administrative dhe territorit”, thuhet në këtë raport.

Sipas të njëjtit raport, reforma territoriale, e cila kishte si qëllim uljen e kostove përmes reduktimit të burimeve njerëzore, që konsideroheshin të tej fryra, në të vërtetë i shtoi shpenzimet e bashkive dhe numrin e nëpunësve bashkiakë me 50 për qind. Rekordi në këtë rast kryesohet nga Bashkia e Tiranës.

“Reforma territoriale pati si objektiv nga qeveria qendrore uljen e shpenzimeve administrative dhe koston e burimeve njerëzore. Sipas raportit të Avokatit të Popullit të vitit 2016, në vitin 2015, në 65 bashkitë dhe 308 komunat, numri total i punonjësve ishte 19.625. Po sipas këtij raporti, në vetëm 51 bashki janë larguar në total 3059 punonjës. Mirëpo, Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri në dhjetor të vitit 2018, numri i punonjësve është 33 500 në 61 bashki. Kjo tregon për një numër më të madh punonjësish, që u zëvendësuan me punonjës të rinj, pra 13875 punonjës më shumë. Nga ky total i punonjësve, 6300 janë punonjës të bashkisë së Tiranës”, sqaron raporti i shoqatës së bashkive, i cili del në konkluzionin se “rrjedhimisht, analiza nuk ishte studiuar mirë nga qeveria, pasi bashkitë e reja dhe gjeografikisht shumë më të mëdha do të kishin nevojë për një numër më të madh punonjësish”.

Raporti po ashtu vë në dukje se transferimi i shërbimeve te pushteti lokal ka krijuar kakofoni. “Shqetësim i madh është vija ndarëse e përgjegjësive mes pushtetit vendor dhe atij qendror, paqartësi që ende ekzistojnë. Debati mbetet i hapur lidhur me transferimin e përgjegjësive të plota dhe mjeteve të duhura financiare. Rastet më problematike janë në arsimin parashkollor, por dhe në sistemin e vaditjes dhe kullimit etj“, thuhet në këtë raport.

Transparenca dhe vendimmarrja

Ndërsa në një tjetër raport mbi “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia” nga Instituti i Studimeve Politike, në përfundim të vitit të tretë të mandatit të parë të qeverisjes vendore në qarkun Tiranë, me mbështetjen e Leviz Albania, lidhur me impaktin e reformës së re territoriale thuhet se: “Një e treta e qytetarëve vlerëson se edhe me reformën e re territoriale qytetarët nuk janë përfshirë më shumë në vendimmarrjen në qeverisjen qendrore, vetëm 19% janë vlerësues pozitivë. Vetëm 8% konfirmojnë se janë mbajtur premtimet e dhëna nga kryetari i bashkisë ose këshilltarët gjatë fushatës elektorale 2015, dhe më shumë se 36% kanë vlerësim tërësisht negativ për bilancin e mbajtjes së premtimeve. Rreth 45% e qytetarëve mendojnë se me reformën e re territoriale dhe qeverisjen aktuale vendore nuk është përmirësuar cilësia e shërbimeve bashkiake, 19% kanë vlerësim pozitiv për bilancin e ofrimit të shërbimeve.55% e qytetarëve deklaruan se nuk shohin përmirësime pozitiv në tërësi jetën e tyre pas aplikimit të reformës së re territoriale, 21% deklaruan përmirësime të dukshme pozitive. Mbi 51% e qytetarëve ishin kritikë në vlerësimet nëse ndarja e re territoriale e ka përmirësuar efikasitetin e punës së bashkive në shërbimet e tyre nda qytetarëve, dhe vetëm 17% ishin vlerësues pozitiv. Më shumë se gjysma e banorëve vlerësojnë se ndarja e re territoriale ua ka lehtësuar mënyrën e kërkimit të informacionit në bashki dhe institucione lokale. Vetëm 28% e qytetarëve e vlerësojnë pozitivisht shërbimin e pastrimit të territorit dhe mjediseve publike, si kompetencë e zgjeruar me ndarjen e re territoriale”, thuhet në raport.

Ndërsa për ekspertin e pushtetit vendor dhe njëkohësisht Kryetarin e Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, reforma territoriale ishte e nevojshme të bëhej. “Pas gati dy dekadash me ndryshime dhe reformime, sërish pushteti vendor nuk ishte mjaftueshëm i zhvilluar dhe me kapacitete njerëzore dhe financiare për të përballuar nevojat dhe kërkesat e qytetarëve që me kohën vinin duke u rritur. Cilësia dhe sasia e shërbimeve kishte dobësi. Por ashtu të frangmentarizuar (373 njësi të qeverisjes vendore) para reformës ishin me afër qytetarëve dhe me prezencë politike më të madhe dhe me demokraci lokale të pranueshme. RAT e vitit 2015 krijoi 61 bashki të mëdha. Qëllimi ishte për të krijuar institucione më të madhe në territore dhe kompetenca, kursime në 60-80milion $ nga shkurtime e shpenzimeve të tepërta nga ish komunat e disa bashki, si dhe pasja e ekonomisë së shkallës”, thotë Haxhimali.

Fshati si qyteti” zërat pro dhe kundër

Për Kujtim Qefalinë, administratorin e njësisë administrative Dajt, e cila ka nën ombrellën e saj fshatrat: Linzë, Shishtufinë, Tujan, Brrar, Ferraj, Priskë e Madhe, Surrel, Lanabreges, Shkallë, Qafmollë, Darshen, Selbë, Murth, ndarja e re territoriale ka sjellë shumë të mira për komunitetin e zonës.

Sigurisht që probleme ka dhe do të ketë, por duke i menaxhuar fondet bashkia e madhe ne kemi më shumë përfitime” thotë Qefalia për Portën Vendore. Kjo sepse, sipas tij, duke qenë se në qytetin e Tiranës ka shumë biznese, edhe zonat përreth kanë mundësi të përfitojnë nga fondet që bashkia mbledh në formën e taksave. “Sa më shumë taksa të mbledhë bashkia e madhe nga bizneset, aq më shumë fonde ka ajo që i shpërndan edhe tek ne”, thotë Qefalia. Sipas tij, kur ishin komuna dhe fondet administroheshin nga komunat, ata kishin më pak para në dispozicion. “Aktualisht ne kemi bërë disa investime të rëndësishme në infrastrukturë, që nuk e di nëse do ti kishim realizuar nëse do të ishim komunë”, sqaron ai.

Genci Sita është vënë në krye të punëve të njësisë administrative Zall –Bastar që prej katër vitesh. Ai pranon se ndarja e re territoriale ka të mirat dhe të “këqijat” e veta. “Për komunitetin është më mirë nën varësinë e bashkisë së madhe, pasi kemi mundësi të përfitojmë projekte të mëdha, që ne si komunë do të kishim mundësi kurrë t’i përfitonim”, shpjegon Sita.

Një ndër këto projekte, sipas Sitës, është edhe ndërtimi i 5.2 km rrugë që të çon në qendrën e njësisë administrative. “Është një rrugë që nuk ishte bërë asnjë investim që prej 30 vitesh dhe ka një kosto prej 1.3 milionë euro, po ashtu u investuan 500 mijë euro në ndërtimin e qendrës administrative”, na thotë Sita.

Një tjetër projekt që sipas Sitës është përfituar për shkak të ndarjes së re administrative është edhe ai i ujësjellësit. “Janë dhënë po ashtu 1.1 milionë euro për ujësjellësin, që pritet të përfundojë në fund të muajit maj. Ky ujësjellës do të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për një pjesë të madhe të fshatrave, përfshi edhe dy fshatrat më të mëdha të njësisë sonë administrative, Zall-Bastar dhe Vilëz”, pohon Sita. Ai rendit edhe sfidat me të cilat ata duhet të përballen. “Sigurisht për vetë banorët është pak më e vështirë, pasi nëse më parë vinin direkt tek unë, për shërbime të vogla të komunitetit dhe bënim ‘qark të shkurtër’, tani çdo kërkesë duhet të adresohet tek bashkia e madhe”, sqaron ai duke shtuar se: “Ta zëmë se nëse më parë për meremetimet e vogla në rrugë, ndërhyrja lokale, apo çfarë do lloj ndërhyrje tjetër, ne si komunë e merrnim vendimin më kollaj, tani ka një lloj ‘burokracie’, pasi duhet të shkojnë në bashkinë e madhe dhe dihet se bashkia e madhe, ka me mijëra kërkesa që presin përgjigje”, na pohon ai. Për të mirat e reformës territoriale flet edhe Administratori i Njësisë Shëngjergj Shpëtim Sina, i cili shprehet se: “Komuniteti ka qenë i mësuar me sistemin tjetër, atë të vjetrin dhe e priste zgjidhjen këtu në komunë, por tani e gjitha kjo e ka larguar paksa nga të ankuarit e tyre dhe zgjidhja e problemit”, shprehet skeptik për reformën territoriale Sina, Administrator i Shëngjergjit, i cili i njeh mirë problemet e zonës, kjo për shkak se ka shërbyer për shumë vite si kryetar komune.

Por krejt ndryshe mendon urbanisti Gent Karpata. Sipas tij, është mendësi komuniste të synosh të transformosh zonat rurale, duke i bërë si qyteti.

Në kuptimin formal, po mund ta bësh fshatin si qyteti, por cili është përfitimi? A fitojmë apo humbasin? Unë them që humbasim të gjithë!” thotë urbanisti Karpata për Portën Vendore

Karpata sugjeron t’i kthejmë sytë nga fshatrat e Tiranës për të kuptuar se përse fshati duhet të ruajë funksionet tradicionale. “Kemi bërë fshatra të mrekullueshëm, fshatrat e Tiranës i kthyem në qendra të mëdha, por ata kanë humbur funksionin tradicional: bujqësinë. E kanë humbur identitetin si fshat dhe janë kthyer në qyteza duke transformuar edhe modelin ekonomik mbi të cilin funksionon një fshat”, pohon ai.

Ai shkon më tej kur thotë se pikërisht për shkak të qasjes së gabuar nga politikat, fshatarët jo vetëm e shikojnë pa interes bujqësinë, por edhe vetë pushteti lokal nuk i mbështet. “Mjafton t’u sjell ndërmend aksionet e policisë bashkiake që gjurmojnë çdo fshatar që shet cepave të pallateve, në vend të një politike që në fakt duhet t’i stimulojë ata që të prodhojnë sa më shumë. Falë kësaj filozofie të gabuar në fshatrat e Tiranës nuk do më njeri të merret me bujqësi, tokën e kanë copëtuar por edhe kur e kanë, presin rastin ta japin sa më shtrenjtë për truall ndërtimi. Unë këmbëngul që fshati duhet të kthehet urgjentisht në funksionin e vet. Të përqendrohet tek agro-bujqësia dhe agro-turizmi”, sugjeron Karpata duke shtuar se ndarja territoriale, ishte e domosdoshme dhe ngelet prapë e domosdoshme. “Reforma territoriale duhet ribërë, pasi prioritizuan përfitimet ekonomike, dhe lanë parimet demokratike”, tha ai për Portën Vendore.

Sipas urbanistit Karpata, pushteti lokal tashmë është larguar shumë nga qytetari dhe si e tillë nuk mund të jetë efikase dhe as e suksesshme. “Një banor i Shëngjergjit, ta zëmë, që dikur votonte për kryetarin e komunës, tani voton për Veliajn. Shiko sa larg është pushteti, me banorët. Demokracia është vrarë”, shpjegon ai. Sipas tij, falë ndarjes së re territoriale, administratori i njësisë është i shkarkuar nga përgjegjësitë përballë komunitetit. “Nëse më parë këshilli komunal votohej dhe zgjidhej nga vetë banorët e asaj komune, tani administrator është një person i preferuar i kryetarit të bashkisë që e ka emëruar në atë post. Dhe sigurisht që ai nuk do të jetë në anën e banorëve, pasi nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj tyre, por i jep llogari vetëm atij që e ka emëruar”, përfundon Karpata.

Me Karpatën bashkohet dhe eksperti Agron Haxhimali, njëkohësisht drejtues i Shoqatës së Bashkive. “Për qytetarët në ish komuna, pra në NjA sot, përfaqësimi, pjesëmarrja dhe shërbimet lënë mjaft për të dëshiruar. Ka NJA me popullsi disa mijëra banorë dhe që nuk kanë përfaqësim në këshilla bashkiakë. Zmadhimi i territorit ka bërë që të rritet distanca edhe fizike por edhe e komunikimit më të zgjedhurit vendorë, kryetar dhe këshilltar. Shërbimet gjatë mandatit të parë post-reforme u përqendruan në qytete ndërsa investimet në fshatra mbeten tepër ulet, si në infrastrukturë edhe në sektorin e bujqësisë”, shprehet Haxhimali. Ai ka dhënë mendimin e tij dhe për sloganin e Veliajt për fshatin si qyteti, duke kritikuar se më shumë se sa slogane duhet të bëjë punë reale. “Fshati ka natyrën dhe fizionominë e vete dhe kjo duhet ruajtur, vlerësuar dhe mbështetur me investim dhe mjete financiare që fshati të ndihet i plotësuar. Me shërbime publike dhe administrative, i përfaqësuar, dhe jo i diskriminuar. Vlera sociale, ekonomike dhe gjelbërimi i fshatit janë pasuri kombëtare e lokale, ndaj qasja ndaj tij duhet me pune reale dhe pa slogane”, shprehet kritik kreu i Shoqatës së Bashkive. Sipas tij, zhvillimi i Tiranës duhet të jetë i integruar dhe harmonizuar midis qendrës urbane dhe zonës së gjelbër. “Tirana ka nevojë për një Stop të fortë të urbanizimit, betonizimit në qendër dhe një Stop të kontrolluar të betonizimit të pjesës së gjelbër. Tirana do jetë e bukur sa kohë që nga kullën e sahatit do të arrijmë ta shohim lirshëm”, përfundon ai.

Pra, të vetmit që e shikojnë me pozitivitet zhvillimin e fshatrave të Tiranës mbeten vetëm Administratorët, të cilët janë të emëruar, ndërsa si nga vëzhgimi në terren, por edhe nga shumë raporte rezulton se fshati, jo vetëm që nuk mund të bëhet si qyteti, por ai mbetet ende shumë larg investimeve për të cilat ka nevojë, ndërkohë që Bashkia ka përqendruar më së shumti investimet brenda vijës së verdhë të kryeqytetit, duke dhënë vetëm ndonjë ‘kafshatë’ për fshatrat.