17 qershor 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore/
Kriza e koronavirusit godet fort buxhetin e bashkive. Të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë për një rënie të fortë të të ardhurave të pushtetit vendor në maj, periudhë kur paguhen taksat e prillit, që ishte edhe muaji i dytë radhazi i mbylljes së ekonomisë, si pasojë e COVID 19.
Të hyrat nga pushteti lokal arritën në maj në 1.3 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 23.7% kundrejt majit të një viti më parë, të ndikuara si nga taksat lokale, ashtu dhe nga taksa për pasurinë e paluajtshme. Kjo periudhë ka ndikuar edhe në tkurrjen e fortë të të ardhurave si 5-mujor.
Kështu, për periudhën janar-maj 2020 u mblodhën nga bashkitë 6.9 miliardë lekë nga 8.3 miliardë që ishte plani. Pra, një rënie fakt/plan me 1.3 miliardë lekë ose 16.4%. Ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, pushteti vendor ka arkëtuar 4.3 miliardë lekë më pak të ardhura, ekuivalent kjo me 38.4%.

Taksat që u prekën nga COVID- 19
Ekspertët vlerësojnë se kriza e koronavirusit do ta vendosë në vështirësi serioze pushtetin vendor përsa i përket financave të tyre. Kjo veccanërisht për ato bashki që nuk sigurojnë të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e lidhur me lejet e ndërtimit si sektor që vazhdon punën. Rrjedhimisht, ato janë të varura nga taksat e tjera, që janë prekur në mënyrë të konsiderueshme nga kjo situatë.
“Probleme mund të evidentohen dhe në të ardhurat nga taksat e pronës, veçanërisht tokë bujqësore dhe ndërtesë, të cilat janë ngushtësisht të lidhura me të ardhurat e disponueshme të familjeve dhe bizneseve. Kjo bëhet akoma më e rëndësishme për bashkitë ku të ardhurat nga kjo taksë kanë peshë të ndjeshme. Të ardhurat nga taksa e hotelit gjithashtu do të jenë në rënie të theksuar, nisur nga fakti se kapacitetet nuk po shfrytëzohen plotësisht dhe pasiguria e përgjithshme që ekziston në lidhje me të ardhmen. Pasiguritë e shtuara në treg dhe ecuria e deritanishme e emergjencës shëndetësore, mund të çojë në sjellje konservatore të agjentëve ekonomikë familjarë dhe biznese, të cilët mund të zëvendësojnë konsumin e sotëm me kursime për të ardhmen. Kjo sigurisht, ka efekte zinxhir jo vetëm në këtë të ardhurat vendore nga taksa e hotelit por në përgjithësi për nivelin e konsumit (si komponenti me peshën më të madhe në kërkesën agregate) dhe të ardhurat në taksat e tjera qendrore dhe vendore”, shprehet Merita Toska, eksperte për financat publike vendore.
Eksperti i ekonomisë, Mateo Spaho evidenton për Porta Vendore zëra të tjerë në të ardhurat e bashkive që janë prekur dhe do të preken edhe në të ardhmen nga kriza e koronavirusit, nëse ajo do të vijojë. “Të ardhurat që vijnë nga zënia e hapësirave publike janë praktikisht të anuluara, pasi lokalet kanë qenë të mbyllura. Duke marrë parasysh se të ardhurat që vijnë nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme janë voluntariste, pasi nëse nuk paguan taksat një pronar, nuk merret asnjë masë ndaj tij në 90% të rasteve, atëherë mund të imagjinojmë se një pjesë jo e vogël të atyre që kanë paguar deri më sot, të harrojnë pagesën e kësaj takse.
Tarifat mbi parkimet kanë rezultate të dobëta, pasi qarkullimi i automjeteve ka qenë i kufizuar dhe si pasojë, edhe sasia e gjobave nga ana e policive bashkiakë me shumë mundësi është reduktuar. Shumë bashki kanë marrë vendime për falje ose shtyrje të taksave ose tarifave vendore dhe kjo do të ketë efekte edhe për pjesën e dytë të vitit në buxhetet e tyre.
Gjithashtu kemi vonesat në pagesat e ujit të pijshëm, por rreziku më i madh është ngadalësimi i transfertave nga qeveria qendrore drejt asaj vendore, pasi edhe ajo qendrore ka efekte të rënda në buxhetin e saj”, shprehet Spaho.
Mungesa e të ardhurave në një kohë kur ekonomia ka qenë e mbyllur dhe aktiviteti privat u reduktua ndjeshëm, i ka vendosur qytetarët dhe bizneset përballë pamundësisë financiare për të shlyer detyrimet ndaj pushtetit vendor.
“COVID 19 ka pasur një ndikim negativ në jetën ekenomike dhe sociale në çdo bashki. Në gati tre muaj izolim, bizneset nuk shërbyen, nuk prodhuan dhe rrjedhimisht, nuk patën qarkullim mjetesh financiare. Likuiditetet e tyre u rrudhën dhe kjo çoi në humbje të vendeve të punës. Por nga ana tjetër, këto biznese kishin detyrime për të paguar në bashki, taksa dhe tarifat vendore. A ishin në gjendje këto biznese në të tilla kushte të respektonin afatet e pagesave të detyrimeve me bashkitë? Sigurisht që jo. Po çfarë ka shkaktuar kjo? Kjo ka gjasa dhe pritshëmëria është që niveli i të ardhurave në bashki të jetë larg pritshmërive dhe parashikimit. Arsyeja është papërballueshmëria për të paguar detyrimet vendore nga të dy kategoritë taksapaguese: biznes dhe qytetarë”, deklaron për Porta Vendore Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive.
Ai rekomandon marrjen e disa masave që situata të mos rëndohet më tej, duke filluar me analizimin e situatës që çdo bashki duhet t’i bëjë territorit të saj, agjentëve ekonomikë që kontribuojnë, si dhe gjendjes së buxhetit. “Në këtë fazë drejtuesit e bashkive duhet të bëjnë një përcaktim të shpejtë të problemit dhe një analizë strukturore, duke kërkuar dhe ndihmën e të tjerëve. Mobilizimi, pa humbur kohë duhet të ngrenë një ekip pune për shërimin e financave dhe ekonomisë, me nëngrupe tematike funksionale, të cilët do të identifikojnë, analizojnë dhe parashikojne palët dhe interesat përkatëse. Llogaritje paraprake, në kërkim të një leve rimëkëmbjeje, kryetari dhe këshilli duhet të kryejnë parashikime dhe me ndihmën e burimeve të tjera, parashikim i cili është thelbësor por dhe shumë i vështirë në këto rrethana”, shprehet Haxhimali.
Sipas tij, plani i rikuperimit duhet të jetë një portofol i balancuar i strategjive vendore ose përshtatja e tyre, shoqëruar me një proces gjithëpërfshirës me komunikim efektiv dhe angazhim të qytetarëve. “Planifikimi afatgjatë financiar është i rëndësishëm. Bashkitë kanë eksperiencë në buxhetimin afat-mesëm, por tani duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje planit të shpenzimeve për emergjenca për të rikuperuar ekonominë. Menaxhimi i procesit të rikuperimit kërkon që kryetari dhe këshilli bashkiak të marrin vendime serioze për menaxhimin e krizave, të hartojnë dhe zbatojnë planin e rikuperimit, me monitorim dhe raportim institucional dhe mediatik”, thekson Haxhimali.
Përballë rënies së fortë të të ardhurave, një pjesë e bashkive kanë ndryshuar paketat fiskale, duke ndërmarrë rritje të tarifave dhe taksave vendore për të kompensuar humbjet e krizës. Porta Vendore ka evidentuar në shkrimet e saj rritjen e barrës fiskale në të paktën 5 bashki, si Tirana, Korça, Vlora, Lezha dhe Fieri tek tarifat e pastrimit, hapësirave publike, ndriçimit, gjelbërimit, taksa e kalimit të pronësisë, taksa bujqësore, tarifa e parkimit, tarifat për kopshte e çerdhe etj.
Pandemia e COVID-19 po shoqërohet me një krizë të fortë ekonomike në të gjithë botën. Ekonomia shqiptare pritet të futet këtë vit në një recension të fortë prej -5%, sipas parashikimeve të FMN-së, por edhe deklaratave të ministres së Financave, Anila Denaj. Një tkurrje e tillë e ekonomisë do të reflektohet me një rënie të fortë të ardhurave në nivel qendror dhe vendor. Në këto kushte, shpresa e vetme për bizneset, qytetarët dhe bashkitë mbetet plani i rimëkëmbjes që është premtuar nga qeveria. Detaje ende nuk ka, përvec faktit se do të jetë afatgjatë dhe do të quhet “Shqipëria 2030”.