Ndodhi

Banorët e Sukthit ruajnë natë e ditë vendgrumbullimin, frika nga hedhja e mbetjeve ka ngjallur frymën e protestës në komunitet

17 Qershor 2020/ Vali Qyrfyçi/ Porta Vendore/ Durrës

Prej 10 ditësh të alarmuar nga situata kritike e menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë e Durrësit, burrat e zonës së Sukthit kanë bërë roje gjithë natën në grupe. Shpirti komunitar dhe zëri i protestës në emër të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës, këtë herë është zgjuar si kurrë më parë, përtej bindjeve politike. Ato janë bërë bashkë në emër të jetës dhe mjedisit ku jetojnë.

Lulzim Përzhilla, një ish-mjek veteriner i është bashkuar çdo proteste të banorëve të komunitetit ku jeton për t’i thënë Jo, depozitimit të plehrave të Durrësit në Vadardhë të Sukthit dhe pasojave të tyre në mjedis.

”Nuk duam të hidhen mbeturinat. Kjo është qendër e banuar. Unë jam mjek veteriner në profesion dhe i di fare mirë pasojat. Vetëm zoonozat (infeksionet e transmetuara nga kafshët) e ndryshme të mendosh sa ndikojnë. Kam dalë në Kemp nga problemet me mbeturinat. Çfarë hidhet këtu, digjet dhe dëmton. Vret ngadalë. Edhe sëmundjet e kafshëve që ngordhin, hidhen këtu dhe i djegin. Ato duhet të groposen 3 metra nën tokë, jo të digjen”, rrëfen ai për Portën Vendore.

Mbrëmjen e 15 qershorit, banorët e Sukthit vendosën të protestojnë sërish për të mos lejuar kamionët me mbetje urbane nga Durrësi që të depozitohen në vendgrumbullimin e Vadardhës. Informacionet e mbërritura se marrëveshja verbale paraprake për hedhjen e mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës ka mbaruar, i ka alarmuar banorët. Ky vendgrumbullim është i mbyllur prej një viti dhe po pastrohej për t’i hapur rrugë sistemimit, rrethimit të tij me qëllim plotësimin e disa standardeve minimale për vendgrumbullimet e mbetjeve.

Banorët pohojnë se kamionët me mbetje urbane janë parë natën e kaluar të 14 qershorit në zonë, ndaj ata kanë ngritur barriera me blloqe betoni dhe goma automjetesh për të bllokuar hedhjen e mbetjeve në këtë zonë të banuar.

”Kemi mbi 10 ditë që rrimë në rrugë. Kemi informacione se ka mbaruar kontrata 1 javore me Sharrën dhe dje kanë tentuar t’i hedhin në Ishëm. Edhe këtej janë parë, po ne kemi bllokuar vetëm rrugën që çon te ish-vendgrumbullimi i plehrave. Na kanë çuar fjalë se Vangjush Dako do të na takojë që të na bindë për hapjen e Vadardhës. Nuk do të lejojmë askënd të bëjë”- thotë një tjetër banor.

Barrierat e vendosura nga banorët në hyrje të ish-vendgrumbullimit të Vadardhës. Foto: Vali Qyrfyçi.

Të tjerë zëra bashkohen në kor, duke radhitur arsyet, sipas tyre, pse në këtë fushë, buzë kanalit të ujërave të larta nuk mund të depozitohen mbetje.

”Është argjinaturë kanali. Nuk plotëson asnjë kusht për hedhjen e plehrave. Ky nuk është vend për mbeturina. Është kanal e kanali derdhet në det. Duan të bëjnë një investim prej 30 milion lekësh, që ta rrethojnë dhe të derdhin sërish plehrat e Sukthit. Duan të derdhin dhe të Durrësit. Të na kthejnë në kazan të stërmadh. Të na shkatërrojnë jetët tona, shëndetin e fëmijëve. Nuk është Sukthi zgjidhja e problemit. Duam të jetojmë, të marrim frymë”, thotë banorët thuajse njëzëri.

”Kjo fushë mbillet e tëra deri në Maminas dhe kur digjen tymi e ndot të gjithë ambientin dhe perimet që ne i shesim në treg dhe prej aty i konsumojnë të gjithë njerëzit. Edhe pushtetarët në tryezë i kanë”, thotë një protestues tjetër.

Mbërritja e Rrapo Osmanit, administrator i njësisë administrative Sukth në Bashkinë Durrës i irriton disa prej banorëve. Tonet mes palëve ashpërsohen, ndërsa Osmani përpiqet t’i qetësojë.

”Deri në këtë moment që po flasim, nuk është marrë asnjë vendim për të hedh plehrat këtu. Situata është shumë e rëndë në Durrës pas mbylljes së Porto Romanos. Të vetmet vendgrumbullime që janë me VKM janë ato të Vadardhës, Sukth, dhe Manzës. Kjo ka 20 vjet që është miratuar me vendim këshilli, po ka pas shumë ndotje në zonë. Plehrat janë djeg. Zyrtarisht nuk ka asnjë vendim, e theksoj. Për disa ditë mbetjet kanë shkuar në Sharrë dhe është marrë një vendim përfundimtar nga qeveria që plehrat e Durrësit do të shkojnë në Sharrë, po ka një procedurë dhe kjo do kohën e vet”, sqaron administratori, duke tentuar sadopak të qetësojë shpirtin e protestës.

Rrapo Osmani, administrator i Sukthit. Foto: Vali Qyrfyçi

Më 10 korrik të vitit 2018, ashtu siç ka raportuar edhe Porta Vendore, Bashkia e Durrësit, përmes miratimit të Këshillit Bashkiak, shpalli emergjencën e parë mjedisore për shkak të gjendjes së mjerueshme në të cilën ndodheshin vendgrumbullimet e Porto Romanos, Sukthit e Manzës. Të gjitha, jashtë çdo standardi për trajtimin e mbetjeve urbane, ndërsa në to hidheshin edhe mbetje të rrezikshme. Pranë zonave të banuara, jashtë çdo kontrolli dhe të parrethuara, këto vendgrumbullime janë kthyer prej vitesh në gangrenë për mjedisin dhe banorët e zonave ku ndodhen.

Vend-hedhja e mbetjeve urbane në Vadardhë të Sukthit. Foto: Vali Qyrfyçi

Rrapo Osmani pohon se vendgrumbullimi ishte mbyllur deri në rrethimin e tij dhe prej një viti mbetjet e Sukthit hidheshin në Porto Romano.

Për momentin e njëjta situatë që po kalon Durrësi vlen dhe për Sukthin. Plehrat e Sukthit hidheshin atje prej një viti. Po kalojmë të njëjtën problematikë si Durrësi”, dëshmon ai.

Mbyllja e Porto Romanos për t’u kthyer në Eko-park, krijoi një situatë kritike në qytetin e Durrësit. Trotuaret dhe rrugët e tij u përmbytën nga plehrat që kutërbonin. Por ngërçin e madh për sistemin e një vendgrumbullimi të ri për mbetjeve e raportoi më herët edhe Porta Vendore, ku në sajë të një vëzhgimi në Porto Romano, konstatoi që mbetjet e Durrësit vijonin të hidheshin ne Porto Romano, megjithëse puna kishte nisur prej kohësh për parkun e ri të zonës.

Durrësi u përball me një tjetër emergjencë, pa kaluar emergjencën e tërmetit dhe atë të pandemisë. Bashkia vendosi të kërkojë nga Komiteti Ndërministror i menaxhimit të integruar të mbetjeve shpalljen rishtas të emergjencës mjedisore. Shkak ishte mungesa e fondeve për të mbuluar kostot e larta të depozitimit në Sharrë. Dy vjet më parë, shpallja e emergjencës u shoqërua nga Qeveria me një rekomandim për depozitim të mbetjeve në Sharrë, duke mos lënë hapësirë për mbështetje me anë të fondeve për një marrëveshje mes Bashkisë së Durrësit dhe kompanisë së inceneratorit të Sharrës. Me mbylljen e Porto Romanos, situata doli jashtë kontrollit, ndërkohë që nevoja për marrëveshjen ridoli në pah teksa u artikulua gjithashtu edhe mungesa e fondeve të planifikuara në buxhetin e këtij viti. Ndërsa Bashkia e Durrësit po punon për hartimin e marrëveshjes me koncensionarin e Sharrës, verbalisht Ministria e Financave ka siguruar Bashkinë e Durrësit për një fond që të përballojë depozitimin në Sharrë deri në fund të këtij viti. Fondi nuk është lëvruar ende, duke rikthyer frikën se sërish do të kërkohet të riaktivizohet vendgrumbullimi i Vadardhës, Manza, apo dhe ndonjë shesh tjetër në territorin e bashkisë, deri në arritjen e marrëveshjes mes palëve.

Lulzimi dhe banorët e Vadardhës, po dhe ata të Manzës e Ishmit, shprehen të bindur se do të vijojnë me turne të ruajnë dhe mbrojnë zonat e tyre, pjesë e territorit të Bashkisë së Durrësit, nga çdo tentativë për hedhje mbetjesh.