Ngjarje/Personazhe

Rishpërndarje dhe diferencim – propozimet e rimëkëmbjes ekonomike Post-Covid për komunitetin rom dhe egjiptian

16 qershor 2020/ Diana Malaj/ Porta Vendore

Pakicat etnike dhe linguistike të romëve dhe egjiptianëve e kanë vuajtur më së shumti e kryesisht izolimin nga pandemia Covid-19. Moslejimi i daljes jashtë banesës, mbyllja e tregjeve të shitjes së veshjeve të përdorura, pamundësia për të mbledhur materiale të riciklueshme, mungesa e ndihmave dhe lehtësirave financiare për shkak të informalitetit të punës së tyre kanë shkaktuar jo pak indinjata dhe protesta në disa qytete në Shqipëri.

Aktivistë të komunitetit rom dhe egjiptian, të angazhuar në terren gjatë gjithë kohës së pandemisë i kanë dërguar kryeministrisë dhe ministrive të linjës një kërkesë me propozime konkrete për rimëkëmbjen ekonomike të romëve dhe egjiptianëve.

Organizata Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome, Qendra T’reja, Qendra për Advokim Social, Qendra për Aksion Komunitar dhe Qendra për Fuqizim dhe Organizim Komunitar kanë vërejtur nga terreni që pjesa më e madhe e familjeve që nuk kanë përftuar nga asnjë lloj pakete financiare, vuajnë në varfëri ekstreme deri te mungesa e ushqimit për familjet e fëmijët e tyre.

Gjatë pandemisë, Kryeministri në një prej daljeve të tij publike deklaroi se do të akordohet një bonus për rreth 70.000 famlje që punojnë në informalitet- deklaratë e mbetur në nivel premtimi, pasi komuniteti rom dhe egjiptian kryesisht të punësuar në informalitet, nuk kanë përfituar asnjë mbështetje financiare.

Premtimet për bonus ekonomik – ashtu si dhe shpërndarja e paketave ushqimore me oriz e makarona- janë shenjat që flasin për shtetin e tkurrur në përmasat e një organizate bamirëse, i cili zgjidh përkohësisht e fiktivisht probleme të përhershme e që do të vazhdojnë të rëndojnë në shpatullat e banorëve në kohë të zakonshme dhe të jashtëzakonshme.

Në mungesë të një përpjekjeje serioze qeveritare për hartimin e një sërë masash institucionale, aktivistët hartuan dokumentin i cili kërkonte rimëkëmbjen ekonomike post-Covid të këtyre grupeve, e që në thelb do të mundësonte formalizimin e punës informale, mbështetjen ekonomike dhe financiare përmes granteve si dhe aftësimit për orientimin e profilit të punës.

Skema e sugjeruar nga aktivistët shtrihej për profile të ndryshme punësh, duke filluar nga tregtarët ambulant, ricikluesit, artizanët, dadot, sanitaret e banesave private, rrobaqepësitë në kushtet e shtëpisë etj.

Puna e rickluesve të mbetjeve nëpër pikat e grumbullimit të lagjeve, jo vetëm që është konsideruar informale, por edhe e jashtëligjshme. Rasti i fundit i dhunës policore ndaj ricikluesve, është vetëm një ilustrim që rastësisht u mediatizua, por punëtorët që merren me këtë punë dëshmojnë se çdo ditë janë të rrezikuar nga dhuna policore, nga procedimet penale si dhe konfiskimet e materialeve të mbledhura dhe karrocave që përdorin për transport.

Fotografi gjatë protestës së 29 majit 2020, kundër dhunës së policisë bashkiake ndaj romëve dhe egjiptianëve (photo credits nyje.al)

Përballë këtij problemi madhor, një nga propozimet e aktivistëve-propozim i cili ende nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare institucionale, është krijimi i fondeve për sipërmarrjet sociale. Këto sipërmarrje do të duhej të punësonin (sipas kritereve të kodit të punës) grupet e margjinalizuara rome dhe egjiptiane me qëllim që mbetjet e riciklueshme të mund të mblidheshin direkt në burim (sipas lejeve mjedisore përkatëse). Familjet të cilat do të rishpërndanin këto materiale të riciklueshme direkt në duart e individëve të punësuar, përpos që do të kontribuonin në stabilizimin e punësimit të tyre, do të përfitonin kupona të vlefshëm për blerje të tjera në markete ushqimore.

Aksioni simbolik i aktivistes Jeta Pera. Foto: Diana Malaj

Jeta Pera, aktiviste për grupet rome dhe egjiptiane, dhe prej shumë vitesh e angazhuar në çështje të rëndësishme për përmirësimin e jetesës dhe nivelit ekonomik të këtij komuniteti, ka provuar ta testojë propozimin e tyre afër shtëpisë së saj të banimit.

Slogane shpotitëse, ilustrime të improvizuara të korrupsionit në shoqërinë tonë, një tavolinë ftuese për bisedë në oborrin e një pallati ishte skenografia e aksionit të Jetës, i cili synonte të provokonte e të maste pulsin e qytetarëve të Tiranës sesa të gatshëm janë ata të kontribuojnë nëpërmjet rishpërndarjes dhe diferencimit të materialeve për riciklim.

Fotografi nga akti kreativ kundër korrupsionit i aktivistes Jeta Pera, 30 maj, 2020, Tiranë (nyje.al)

Aksioni i saj synonte të eksperimentonte me sjelljen e njerëzve duke i ftuar që të diferenconin mbetjet. Sipas Jetës, kalimtarët dhe fqinjët e saj janë ndalur për të biseduar me të për këtë nismë, dhe jo vetëm që kanë pranuar që të diferencojnë mbetjet plastike, por kanë sugjeruar që kjo të bëhej e detyrueshme me ligj për këdo.

Disa prej tyre janë shprehur që ky gjest ishte krejt i zakonshëm kur ishin emigrantë nëpër vende të ndryshme të botës. Me kthimin në Shqipëri nuk e kishin bërë më. “Jashtë e kishim të detyrueshme t’i diferenconim mbetjet. Edhe këtu duhet të bëhet e detyrueshme me ligj.” shprehet një ndër banorët e lagjes së Freskut në Tiranë.

Situata nuk është aspak më e mirë në lagjet e Kamzës. Banorët e lagjes së Valiasit, që i përkasin grupit etnik rom dhe egjiptian shprehen se edhe pse masat kundër Covid-it janë liruar, asgjë nuk ka ndryshuar në jetën e tyre. Mbledhjet e materialeve të riciklueshme i kanë vazhduar, por me shumë frikë si prej sëmundjes ashtu edhe prej autoriteteve.

“Ajo çka ne kemi nevojë është që të na mbështesin më shumë për jetën tonë. Nuk na ndihmojnë duke na sjellë dy pako miell. Ato nuk na e zgjidhin problemin. Ende se kemi marrë veten nga tërmeti, vazhdojmë të jetojmë nëpër shtëpi që nuk e kemi të sigurtë nëse me një lëkundje tjetër s’do na bien mbi kokat tona. Ne kërkojmë që shteti të na mbështesë më shumë. Të mos na gënjejë më, të mos na lëjë me prit më” ,shprehet një banore e cila jeton bashkë me 17 persona të tjerë të familjes në të njëjtën ndërtesë.