16 qershor 2020/ Porta Vendore/ Tiranë
Gjatë pandemisë së Covid 19 ndodhën një sërë zhvillimesh dhe ngjarje, sidomos në kryeqytet duke nisur nga shembja e objekteve të rëndësisë së veçantë siç ishte gjimnazi “Sami Frashëri” dhe Teatri Kombëtar, e deri tek masat që mori Bashkia Tiranë për sektorë si mbetjet, transporti urban, dezinfektimi i ambienteve dhe pezullimi e shtyrja e taksave vendore. Por për të gjitha këto vendime dhe shumë të tjera, 30 në total, që Këshilli Bashkiak i Tiranës mori gjatë kësaj kohe, në asnjë rast nuk u konsultua me publikun, duke “harruar” transparencën dhe ligjin për konsultimet publike. Raporti informues mars-maj 2020, publikuar një javë më parë nga Qëndresa Qytetare, vë në dukje se shumica e këtyre vendimeve dhe nismave nuk u krye në konsultim me qytetarët.
Shembjet e objekteve në kohë pandemie
Dy shembjet që shkaktuan një reagim publik tek qytetarët e Tiranës, e jo vetëm, ishin dy gjatë periudhës së pandemisë të Covid 19.
Gjimnazi “Sami Frashëri” u rikonstruktua pjesërisht në vitin 2018, ku në fokus ishin ambientet sportive, dyert dhe laboratorët shkencorë. Por tërmeti i 26 nëntorit 2019 la pasoja të mëdha tek ky objekt shkollor, ku siç ka raportuar edhe më herët Porta Vendore, ishte caktuar 6 janari si koha që do të rihapej pas rikonstruksionit të kryer, por më pas u vendos prishja e tij.
Ndaj më datë 24 prill, IKMT nisi prishjen e kësaj godine, bashkë me bazën materiale. Por prishja e saj u shoqërua më debate të shumta, kur shumësyresh u pozicionuan kundra prishjes së këtij objekti shkollor, kjo për shkak të rëndësisë dhe memories historike që përfaqëson.
Raporti i Qëndresës Qytetare, realizuar në kuadër të projektit mbi “Vendimmarrjen në Këshillin Bashkiak Tiranë gjatë situatës së Covid 19”, mbështetur nga Leviz Albania, konstaton se: “Qytetarët nuk u pyetën dhe nuk pati konsultime me banorët e lagjes ose ata që e frekuentojnë shkollën. Nuk u nënshtrua një debati publik pasi shkolla u prish 3 ditë pas marrjes së vendimmarrjes në Këshilli bashkiak. Qytetarët nuk patën mundësi as të informohen mbi veprimin në kohë pandemie”, thuhet në raport.
Kështu “Sami Frashëri”, shkolla me një histori 60-vjeçare e shumë artistëve dhe figurave publike, u shemb në pak sekonda, ku më pas kryebashkiaku Veliaj tha se godina u shemb me dy prekje.
“Në momentin që shkolla u shemb, kishte vetëm mure dhe vetëm soleta, nuk kishte shtylla betoni. Dolën apo s’dolën 100 kg hekur nga ajo. Kjo do të thotë që inxhinierët e paskan matur tamam, inxhinierët e paskan prekur tamam problematikën. Një tërmet të dytë ajo shkollë nuk do ta mbante, pavarësisht faktit se nga jashtë ajo dukej për bukuri. E në fakt ky ishte edhe debati me disa nga prindërit që pastaj u bindën, dhe me dy-tre prekje u shemb ajo shkollë. Nostalgjia ka vendin e vet, dhe patjetër do të kemi një muze në atë shkollë. Nostalgjinë e kemi në zemër. Kam dëgjuar edhe nga ata që thonë se shkolla u rindërtua, ku janë lekët e popullit? E para nuk është paguar asnjë taksë nga populli sepse është bërë me donacion”, tha Erion Veliaj, Kryebashkiak i Tiranës.
Bazuar në aktin normativ nr. 9, datë 16.12.2019 për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, thuhet se: “objektet e shpallura të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit do ti nënshtrohen një ekspertize të thelluar edhe nga ana e vetë bashkive. Ndaj pas ekspertizës së thelluar, Bashkia e Tiranës arriti në përfundimin se struktura e shkollës nuk i plotësonte kushtet e sigurisë.
“Kostoja e rikonstruksionit të hartuar në këtë ekspertizë është në vlerën e 1.31 milion euro, ndërsa vlera e ndërtimit të objektit nga e para, referuar kostove ndërtimore në treg është e barabartë me rreth 1.6 milion euro”, thuhet në raportin e qëndresës.
Një tjetër shembje që ndodhi gjatë pandemisë e gjatë gjendjes së emergjencës së fatkeqësisë natyrore ishte shembja e Teatrit Kombëtar në orët e para të mëngjesit të datës 17 maj.
Protestat që vijuan edhe mbrapa këtij akti, bënë bashkë artistë, politikanë, dhe qytetarë për disa ditë me radhë e që Porta Vendore i ka raportuar edhe më herët. Por e gjitha kjo kishte të bënte me një sërë veprimesh të paligjshme, ku gjithçka ndodhi në një kohë rekord që nga miratimi i këtij vendimi në një mbledhje të fshehtë të Këshillit Bashkiak, e deri tek prishja, ku nuk u respektua asnjë afat ligjor.
“Kompetencën për shembjen e Teatrit Kombëtar, Këshilli ja kaloi Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, i cili sipas këtij vendimi duhet të njoftonte 24 orë para prishjes, Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë”, thuhet në raport. Ndërsa ky raport gjithashtu vë theksin tek Akt-Ekspertiza e kryer nga Instituti i Ndërtimit e datës 13 maj, i cili në fakt rezulton të jetë bërë një ditë para miratimit të vendimit të prishjes në Këshillin Bashkiak, ku ky i fundit megjithëse ishte planifikuar të mblidhej të premten e datës 15 maj, u mblodh të enjten e 14 majit.
Bashkia Tiranë gjatë periudhës së pandemisë Covid 19
Gjatë periudhës së karantinës, shtimi i mbetjeve urbane nëpër kontejnerët e vendosur në lagjet e rrugës e Tiranës ishte i dukshëm, madje Porta Vendore kreu edhe një vëzhgim për këtë problematikë, ku shumica e zonave periferike nuk kishin një pastrim frekuent të koshave, duke sjellë tejmbushje dhe shpesh edhe rrëzim të mbetjeve urbane kudo përreth kontejnerëve, për shkak të ngarkesës. Por pakkush e di që Bashkia e Tiranës në këtë periudhë rishikoi kontratat me 5 operatorët e pastrimit të qytetit, për shtimin e aksioneve të pastrimit dhe dezinfektimin e kontejnerëve.
“Afati i amendimit të këtyre kontratave është në varësi të periudhës së zgjatjes së pandemisë së Covid 19. Efekti financiar i rishikimit të kontratave me operatorët e pastrimit përllogaritet në vlerën e 7800 eurove me TVSH për ditë, dhe për periudhën 60 ditore kjo vlerë shtesë përllogaritet në masën 468.000 euro”, thuhet në raportin e përpiluar nga Qëndresa Qytetare.
Një kosto tjetër shtesë që Bashkia e Tiranës ka paguar gjatë periudhës së Covid 19 është edhe Transporti Urban, për 3 kompanitë që ofruan shërbimin e tyre për personelin mjekësor.
Ndërsa Qëndresa Qytetare ka bërë një monitorim nëpërmjet të dhënave të thesarit të publikuara në Open Data Albania, “deri tani janë paguar vetëm ndaj 2 prej 3 operatorëve të transportit publik, përkatësisht Tirana Lines dhe Shega Trans që iu është bërë amendimi i kontratës prej 108.000 eurosh”, thuhet në raportin e Qëndresës Qytetare, ndërsa nuk dihet ende nëse këto para do të merren nga buxheti i parashikuar për 2020 siç thuhet në vendim apo jo.
Ndërsa një detaj i tretë që thuhet në raport ka të bëjë me dezinfektimin e disa prej zonave të Tiranës gjatë periudhës së Covid 19. “Shpenzimet financiare do të përballohen duke pakësuar fondin e emergjencave civile të miratuar në buxhetin e Bashkisë Tiranë për vitin 2020, 228.000 euro, dhe duke rialokuar këtë fond sipas zërave në buxhetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike : shpenzime operative në masën 205.000 euro dhe pajisje dezinfektimi në vlerën 23.000 euro. Shpenzimi i këtij fondi nga Drejtorisë e Përgjithshme e Objekteve Publike duhet të kryhet gjatë gjithë periudhës së zgjatjes së infeksionit të shkaktuar nga Covid 19”, thuhet në raport.
Bashkia Tiranë qe e para që krijoi lehtësi për biznesin e vogël duke hequr taksën e hapësirës publike për muajit mars-prill 2020, ndërsa shtyu taksat dhe tarifat vendore nga prilli në qershor. Porta Vendore e ka trajtuar gjerësisht këtë tematikë, duke marrë në konsideratë edhe shumë bashki të tjera në vend për masat që morën në lidhje me uljen e taksave ose shtyrjen e tyre për t’i ardhur në ndihmë biznesit të vogël e jo vetëm gjatë periudhës së Covid 19.
Ndërkohë, i vetmi kontribut ushqimor për familjet në nevojë nga Bashkia Tiranë, sipas raportit, ishin pakot ushqimore të kopshteve publike. “Pakot ushqimore, të cilat janë ndarë për familjet në nevojë nga buxheti i Bashkisë Tiranë kanë qenë ato të mbetura pa u përdorur në kopshtet dhe çerdhet publike pas mbylljes së tyre për shkak të pandemisë botërore. Nëpërmjet vendimit të muajit mars, Këshilli Bashkiak Tiranë ka vendosur ndërprerjen e kontratave me furnitorët nga ana e kopshteve. Në vendimin e Këshillit Bashkiak nuk saktësohet as sasia e ushqimeve dhe as procedura në rastin e zgjatje së pandemisë botërore, siç edhe ndodhi”, thuhet në raport.
Korsi biçikletash në Myslym Shyri, irritohen qytetarët
Por, ajo që vihet re në të gjitha vendimet e këshillit bashkiak është mungesa e konsultimeve publike dhe transparenca për projektvendimet, të cilat u bënë të njohura për qytetarët, vetëm kur u morën vendimet nga këshilli bashkiak. Një nga rastet më flagrant, mund të konsiderohet ajo e krijimit të një korsie biçikletash në rrugën Myslym Shyri, ku pati kundërshtime nga biznesi dhe nga banorët. Sipas të dhënave zyrtare, Bashkia Tiranë ka përfshirë së fundmi rrugën “Myslym Shyri” në projektin e saj për korsi biçikletash, projekt i cili parashikon ngushtimin e rrugës së makinave dhe ndalimin e parkimit. “Kjo ka shqetësuar bizneset dhe banorët e zonës, të cilët e ndjejnë veten të anashkaluar nga vendimmarrja dhe të vënë përballë një rreziku ekonomik, pasi zona nuk ka hapësira të tjera për parkim. Sipas burimeve të exit.al rreth 250 biznese që u hapën të hënën në rrugën Myslym Shyri e patën të vështirë të siguronin parkim për punonjësit, furnitorët, apo dhe klientët”, shkruhet në raportin e Qëndresës Qytetare.
Sipas vëzhgimit të kryer nga Qëndresa Qytetare, punonjësit e bashkisë kishin vendosur hekura, duke bllokuar pjesën dërmuese të vendparkimeve, të cilat prej më shumë se 2 vitesh janë me pagesë, disa të personalizuara për bizneset. Ana buzë trotuarit pritet të kthehet në korsi biçikletash. Por, shumica e bizneseve dhe banorët e zonës janë kundër këtij projekti. “Pra, ndryshimi i korsive nuk erdhi si rezultat i konsultimit me banorët dhe bizneset e zonës. Bashkia ndërmori veprimin në mungesë transparence. Tregtarët ulën qepenat në shenjë proteste, por nuk pati asnjë reagim nga Bashkia Tiranë, e cila vijoi projektin e saj për krosin e biçikletave”, thuhet në raport.
Bashkia i “fal” privatit 1364 metra katrorë
Këshilli Bashkiak miratoi në mbledhjen e datës 29 prill, marrëveshjen mes Bashkisë Tiranë dhe kompanisë Startek shpk, të cilës i jep të drejtë të zhvillojë disa prona të bashkisë në zonën kadastrale 8250 në Rrugën e Kavajës. Në këmbim, Bashkia e Tiranës, si pronare do të marrë 40% të sipërfaqes, që do ta përdorë për nevojat e veta. Bashkia zotëron në zonën kadastrale të lartpërmendur tre pasuri me një sipërfaqe totale prej 1364 metra katrorë. Kompania, nga ana e saj, ka lidhur një kontratë sipërmarrjeje me pronarët e tokës në kufi me këto zone, me një sipërfaqe 682 metra katrorë për ndërtimin e një godine banimi dhe shërbimesh. Në raport deklarohet se zona ka një pozicion mjaft të favorshëm në qytetin e Tiranës. Ajo aksesohet nga dy rrugë të rëndësishme, konkretisht “Muhamet Gjollesha” dhe Bulevardi “Gjergj Fishta”. “Në tërësi, godina do të ketë destinacion miks, banim dhe njësi tregtare dhe një kat parkim nëntokë. Këshilli Bashkiak thekson se bashkia do e përdorë pjesën e konsiderueshme prej 40% që do të marrë nga ndërtimet për nevojat e saj, si kopshte, çerdhe, ose ambiente për strehim social. Bazuar në një vendim të miratuar në fillim të këtij viti për përcaktimin e procedurës dhe negocimin me zhvilluesit privatë, që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me bashkinë e Tiranës, nëpërmjet marrëveshjes së sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të sa,j mund t’i japë pronat e saj për zhvillim bizneseve private, sipas modelit të Partneritetit Publik Privat. Nëpërmjet këtij modeli të zhvillimit të pronave të saj, vendimi thotë se synohet që bashkia të përfitojë sipërfaqe ndërtimore për programe sociale dhe ambiente për nevojat e saj. Edhe për këtë vendim, sipas investigimeve në disa media, pati mungesë të konsultimit publik me banorët e zonës dhe nuk pati një seancë dëgjimore mbi këtë vendimmarrje”, thuhet në raport.
Pra në periudhën 3 mujore të monitorimit, vihet re fakti i mungesës së transparencës së publikimit të vendimeve dhe projekt-vendimeve paraprake nga ana e Këshillit Bashkiak Tiranë, dokumente të cilat jo vetëm janë detyrim ligjor sipas nenit 15 të ligjit për Vetëqeverisjen Vendore, ku thuhet se: “Çdo akt i organeve të vetëqeverisjes vendore publikohet në faqen zyrtare të internetit të njësisë vendore dhe afishohet në vendet e caktuara nga njësia për njoftimet publike”, por privojnë edhe aksesin e qytetarëve në vendimmarrje. Këshilli Bashkiak Tiranë në 3 muaj mori 30 vendime për prishje dhe tjetërsime pronash të qytetit, por nuk realizoi asnjë konsultim me qytetarët.