13 qershor 2020/ Elisa Gjerani/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Gjatë javës që lamë pas, media hodhi dritë mbi dy ngjarje të rënda të abuzimit seksual të dy të miturave, si dhe hapi një debat të gjerë për një shqetësim shoqëror në rritje. Për të kuptuar sado pak rritjen e këtij fenomeni, Porta Vendore bëri një vëzhgim, dhe bazuar në raportimet e medieve, gjatë 3 viteve të fundit kemi jo pak, por të paktën 15 raste të bujshme të ngacmimeve seksuale deri tek përdhunimet me të mitur. Akoma më shqetësues bëhet fakti se mjaft prej këtyre rasteve janë konsumuar nga njerëz të emëruar në institucionet shtetërore që paguhen nga taksat e qytetarëve, siç ishin dy rastet e fundit, një roje shkolle dhe një polic, apo punonjës ne jetimore.
Porta Vendore sjell një mori opinionesh të sociologëve, shoqërisë civile, drejtuesve të pushtetit vendor, të cilët tregojnë se çfarë strukturash nuk funksionojnë siç duhet në rastin e dhunës dhe ngacmimeve seksuale; çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare dhe çfarë duhet të bëjmë të gjithë ne që ngjarje të tilla të mos përsëriten më!
Mbi 15 raportime për përdhunime në 3 vjet
Rasti më i fundit i dhunës seksuale është i datës 06 qershor 2020. Shefi i Stacionit Policor Fushë Arrëz, Izmir Duraku është ndaluar nga policia pas akuzës për marrëdhënie seksuale me dhunë që vajza bëri në një emision televiziv. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në vitin 2015, por është kallëzuar së fundmi nga vajza, në prani të një psikologu. Sipas policisë, bazuar në provat e mbledhura, ka dyshime të forta se në muajin prill 2015, ajo është ngacmuar seksualisht nga një punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyrë Specialist i Hetimit te Krimeve ne DVP Shkodër. Ngjarja është akoma më tragjike, pasi vajza kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona në 2005, punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër, por në vend që polici ta merrte në mbrojtje, sipas saj ka abuzuar me të.
Më 30 maj 2020, policia arreston në Tiranë, 4 shtetas me akuzën e marrëdhënies seksuale me dhunë me të mitur. Një 65-vjeçar me inicialet A.D, roje shkollë në Babrru të Tiranës ka abuzuar seksualisht me dhune më një të mitur 15-vjeçe. Për më tepër roja i shkollës i kishte bërë video intime të miturës, të cilën më pas ua kishte shpërndarë disa të rinjve. Përmes shantazhit dhe nën kërcënimin se do të shpërndanin videon intime, shtetasit K.P., 20 vjeç, R.O., 16 vjeç dhe F. B., 15 vjeç, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën. Që të katërt përfunduan në pranga.
5 qershor 2020. Një ngjarje e rëndë është denoncuar nga emisioni “Stop” në TV Klan. Gjykata e Vlorës ka ndryshuar masën e sigurisë, nga “arrest me burg” ne “arrest shtëpie”, për një 67-vjeçar nën akuzë për përdhunimin e një 10-vjeçareje. Bëhet fjalë për të një vajzë të mitur nga një fshat i Fierit, që është dhunuar pak muaj më parë seksualisht nga 67-vjeçari Lefter Ruko.
13 maj 2020. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fier, ku një vajzë 23 vjeç është përdhunuar në datën 5 maj. Dy të rinj i kanë shkuar në banesë 23-vjeçares dhe kanë kryer marrëdhënies seksuale me forcë me të. Më pas ata i kanë kërkuar që vajza t’ju japë të gjitha paratë që kishte ndryshe do e vrisnin. Ishte vajza e cila denoncoi ngjarjen dhe janë arrestuar M. G., 26 vjeç (i dënuar më parë për kundërshtim dhe goditje të prokurorit) dhe O. A., 25 vjeç, të dy banues në Fier.
21 prill 2020. Një 72-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një të mitur 17-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur në Sarandë, ndërsa abuzimi seksual ka ndodhur në kohë të ndryshme. 72-vjeçari, lindur e banues në Sarandë, në kohë të ndryshme ka abuzuar seksualisht me një 17-vjeçare po nga i njëjti qytet, ndërsa pas ndalimit nga policia ka pranuar kryerjen e aktit të rëndë.
05 mars 2020. Në një fshat të Këlcyrës, një 19-vjeçare është abuzuar seksualisht nga disa gjimnazistë të moshës 17-18 vjeçare. Dyshohet se vajza ka qenë e përfshirë në një lidhje me njërin prej tyre, i cili e kërcënonte vazhdimisht me një video intime për ta detyruar që të kryenin raporte seksuale, derisa përfundoi duke e përdhunuar së bashku me shokët e tij. Ka qenë vetë 19-vjeçarja ajo që ka bërë denoncimin e përdhunimit.
20 janar 2020. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e plazhit në Durrës. Policia ka arrestuar shtetasin me inicialet D.M., 18 vjeç, i cili dyshohet se përdhunoi një 16-vjeçare në zonën e plazhit. I riu është arrestuar në flagrancë thotë policia. “Nga Specialistët për hetimin e krimeve në stacionin e Policisë Plazh, arrestuan në flagrancë shtetasin: D.M.,18 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 16 vjeçare”.
5 dhjetor 2019. Një ngjarje makrabre është regjistruar në fshatin Suk të Roskovecit në Fier, ku një 19-vjeçar akuzohet se ka përdhunuar motrën e tij. Policia bën me dije se i riu me inicialet S. F., dyshohet se më datë 3 dhjetor ka kryer marrëdhënie seksuale me të motrën 16-vjeçare.
31 korrik 2019. Pas një denoncimi të thjeshtë për vjedhjen e një banese, Policia e Tiranës zbuloi rastin e abuzimit seksual të një të mituri dhe më pas shantazhimin e tij për ti vendosur gjobë në rast se ai nuk paguante. Dy të rinj të moshës 20 dhe 21-vjeç u arrestuan si të dyshuarit kryesorë të kësaj ngjarje.
23 korrik 2019. Në policinë e Elbasanit familja denoncon përdhunimin e djalit të tyre 18-vjeçar me probleme të shëndetit mendor. Pas denoncimit është shpallur në kërkim një person i dyshuar, 42-vjeç.
19 korrik, 2019. Një vajze 8-vjeçare në Arapaj të Durrësit i ka shpëtuar përdhunimit nga një bashkëfshatar 16-vjeçar dhe një tjetër 13 vjeçar. Prindërit e gjetën vajzën në tarracën e shkollës ku e kishin çuar djemtë, por vetëm një javë më vonë nëna denoncoi ngjarjen në polici duke vënë në lëvizje edhe gjykatën. Kjo e fundit caktoi masën arrest me burg për 20 ditë ndaj minorenit 16 vjeçar.
5 shkurt 2019. Ngjarja e rëndë në Kavajë, ku një vajzë 14-vjeçare ishte abuzuar seksualisht dhe shantazhuar nga 8 adoleshentë për një kohë të gjatë. Vajza kishte patur një lidhje dashurie me një nga djemtë e klasës i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me të , por akti është filmuar nga një prej shokëve të djalit. Përgjatë nëntorit e dhjetorit vajza ka kryer marrëdhënie seksuale edhe me 7 djem të tjerë, shokë të të dashurit, të cilët e shantazhonin me kërcënimin se do ti publikonin videon në rrjetet sociale. Në mes të janarit 2019 një nga mësueset ka rënë në dijeni te skandalit dhe ka informuar nënën e vajzës. Bashkë me vajzën me 29 janar kanë bërë denoncim në policinë e Kavajës.
30 prill 2018. Një i mitur 6-vjeçar në Fushë-Krujë dhunohet seksualisht nga komshiu i tij. Policia raporton se është arrestuar autori i kësaj ngjarjeje kriminale, shtetasi D. T., 34 vjeç, banues në Kodër Thumanë.
25 prill 2018. Një 17-vjeçar është kallëzuar në polici, pasi akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një vajzë të mitur 16–vjeçe. Sipas Policisë së Tiranës më datë 23 prill, pas kallëzimit ka referuar në prokurori materialet për 17-vjeçarin me inicialet F.G. Ai dyshohet se më 31 mars ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me vajzën e mitur 16-vjeçe.
Ekspozita e “Turpit”
Disa prej këtyre rasteve u risollën në vëmendje para disa muajsh nga Qëndresa Qytetare, e cila në muajin shkurt çeli ekspozitën e “Turpit”, një proteste kreative përpara Ministrise se Arsimit duke ekspozuar rastet e dhunës dhe abuzimit në shkolla, ku çdo muaj gjatë dy vitet e fundit në media ishte denoncuar nga 1 rast i tillë, duke nisur që nga dhuna në shkollë e deri tek përdhunimi e favoret seksuale që kërkoheshin nga mësuesit e pedagogët. Rigels Xhemollari drejtues i kësaj organizate thotë për Portën Vendore se shkaqet që këto histori ndodhin janë disa, të tilla si neglizhenca dhe mungesa e kontrollit nga ana e institucioneve përgjegjëse:
“Këto raste ndodhin për disa shkaqe, të cilat lidhen me neglizhencën dhe mungesën e kontrollit nga ana e institucioneve arsimore në qendër dhe ato lokale si shkollat apo universitetet, mosfunksionimin e strukturave komunitare në shkolla si: Këshilli i Prindërve apo Qeveritë e nxënësve dhe emërimi politik i drejtuesve në shkolla, gjë e cila ul profesionalizmin dhe cilësinë e drejtimit të këtyre institucioneve. Organet e Qeverisjes Vendore gjithashtu janë përgjegjëse në krijimin e kushteve infrastrukturore dhe të sigurisë në shkolla duke filluar nga pajisja me kamera sigurie deri tek personeli jomësimor që emëron, i cili patjetër duhet të kalojë në një filtër moral”, tha Xhemollari.
Ekspertët : E kujt është përgjegjësia
Marsida Simo, psikologe në një nga shkollat e Tiranës shprehet se përgjegjës për ecurinë në procesin e edukimit, zhvillimit dhe sigurisë të një fëmije e kanë të gjithë aktorët zinxhir, duke nisur nga familja, shkolla si vendi ku fëmija kalon pjesën më të madhe të kohës dhe strukturat e tjera si bashkia, ministritë etj. “Duke i marrë me radhë, si fillim vendoset familja si thelbi i edukimit dhe përgjegjësisë së fëmijës, por mos të harrojmë që jo të gjithë prindërit kanë mundësi ekonomike apo nivel arsimor për ta edukuar dhe siguruar fëmijës të ardhura dhe edukatë të mirëfilltë. Në këtë rast vjen shkolla si institucion më pranë fëmijës i cili evidenton, cakton nevojat e çdo fëmije duke i trajtuar të gjithë si të veçantë në llojin e kërkesave që ata kanë. Sidomos për familjet me probleme ekonomike apo sociale, shkolla duhet të ndërhyjë dhe të asistojë me ekspertët e saj siç janë psikologu, apo oficeri i sigurisë. Ka vite që me ndryshimin e kurrikulave, nxënësi është vendosur në qendër të vëmendjes dhe palët e tjera si mësuesi, drejtoria, policia, janë rreth tij për tˋi siguruar mbështetje, por edhe ndihmë në rast nevoje. Çdo mos raportim, mbajtje të fshehtë, mbulim të ndonjë problematike të një nxënësi vetëm për hir të mos prishjes së imazhit të shkollës, apo komunitetit, mos drejtimi tek ekspertët përkatës, do i ngarkonte patjetër me përgjegjshmëri shkollën dhe të gjitha institucionet me radhë sipas hierarkisë”, shprehet Simo.
Megjithatë, sipas saj, arsimi ka sfidat e tij pasi ndryshimet e shpeshta që po ndodhin herë pas here, mund të sjellin edhe ngërçe apo ngadalësim të zhvillimit individual dhe shoqëror të nxënësit. “Po ashtu vitet e fundit problemet psiko-sociale po shtohen së tepërmi (si pasojë e migrimit të brendshëm të vazhdueshëm duke rritur diversitetin kulturor brenda një komuniteti, si dhe vështirësitë ekonomike të prindërve) duke kërkuar më shumë vigjilencë nga autorët e përmendur më lart, por edhe më shumë disiplinë apo forma dënimesh ku nxënësit të kuptojnë që zbatimi i ligjit është baza e ndërtimit të qytetërimeve”, përfundon psikologja.
Edhe juristi dhe aktivisti Adriatik Lapaj tregon për Portën Vendore se e gjitha kjo ka një zinxhir faktorësh, duke nisur kështu që nga familja, tek shkolla, shoqëria e institucionet.
“Ka një hallakatje të habitshme të shoqërisë, duket se kemi humbur pikat e referimit. Duket se ka një mungesë angazhimi të qytetarëve në jetën komunitare e për pasojë janë shkëputur lidhjet mes mekanizmave të presionit pozitiv që shoqëria duhet të ushtrojë te anëtarët e vet. Po ndiqet modeli ‘ai byrek që s’është për mua, le të digjet’. Familjet në një sasi të madhe nuk angazhohen sa duhet me fëmijët, ndërkohë nga ana tjetër nuk paraqesin presionin e duhur karshi anëtarëve të tyre për të mos devijuar. Nga ana tjetër shkollat kanë rënie të dukshme të komunikimit mes mësimdhënësve dhe vetë fëmijëve për të evidentuar në kohë problemet”, tha ai, duke shtuar se duket qartë se institucionet shtetërore nuk kanë fuqinë të reagojnë. Kjo sipas juristit duhet parë në dy aspekte: në aspektin parandalues dhe atë ndëshkues.
“Duket se organet shtetërore janë të mefshta, pa proaktivitet. Duket qartë se abuzuesit në masën më të madhe nuk ndëshkohen në mënyrën e duhur. Sistemi i drejtësisë, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore që ligji në fakt i ka parashikuar si përjashtime jo si rregull, kanë arritur t’i nxjerrin pa shumë kosto subjektet shkelëse. Këtu ka hapësirë dhe nevojë për ndryshime, përmirësime të kuadrit ligjor penal. Nuk mund të themi drejtpërdrejtë që është problem legjislacioni, por më shumë raste gjykoj se është keqpërdorim i legjislacionit nga trupa e drejtësisë në dëm të drejtësisë. Gjendur në këto kushte gjykoj se ka vend për zvogëlim të diferencave të minimumit të dënimit dhe maksimumit, sa kohë me këtë pikë abuzohet së shumti”, vijon Lapaj për Portën Vendore
Sipas tij ka vend që për veprat e parashikuara në kapitullin “Krime seksuale” të hiqet mundësia e aplikimit të gjykimit të shkurtuar si dhe mundësia e aplikimit të pezullimit të dënimeve apo përfitimeve të uljes, si pasojë e sjelljes së mirë. “Mendoj se shoqëria nuk mund të sillet më mirëkuptuese se duhet me ata që guxojnë të shkatërrojnë jetën e fëmijëve tanë e që guxojnë të na përdhunojnë të ardhmen. Kjo nuk duhet lejuar me asnjë çmim. Duhet ndryshim i kuadrit ligjor me qëllim që as institucionet mos abuzojnë më, e ata që guxojnë të prekin fëmijët tanë ta dinë se do kenë për të dhënë llogari me kosto përpara drejtësisë”, rrëfen juristi Adriatik Lapaj.
Çfarë strukturash nuk funksionojnë?
Duke iu referuar dy rasteve më të fundit, pavarësisht se njëra lidhet me shkollën, tjetra lidhet si me një institucion të kujdesit siç është jetimorja në Shkodër dhe policia; drejtuesit e institucioneve shkundin përgjegjësinë nga vetja. Por ndryshe mendojnë ekspertët, sipas të cilëve përgjegjësia është tek të gjitha strukturat bashkë.
Lidhur me rastin e përdhunimit të vajzës nga roja i Shkollës në Babrru (Bashkia Kamëz), Porta Vendore kërkoi informacion nga Bashkia e Kamzës, të cilën e pyeti se nëse janë apo jo funksionale zyrat për mbrojtjen sociale dhe nëse ishin në dijeni për abuzimin e të miturës. Në përgjigje Bashkia Kamëz shfajësohet duke theksuar se “roja i shkollës nuk është punësuar këto kohë, por ka vite si i tillë” ndërsa shton se “aktualisht, në shkollat dhe gjimnazet e Kamzës ka një numër të kufizuar psikologësh, dhe do merren masa për shtimin e tyre, në raport me numrin e nxënësve të shkollës”. Pra Bashkia Kamëz indirekt pranon se mungesa e psikologëve në shkollë është një nga strukturat që s’ka funksionuar siç duhet në këtë rast.
Më tej bashkia sqaron se pasi ngjarja u bë mediatike, familja e të miturës është asistuar duke u zhvendosur në një zonë tjetër banimi. “Që në momentin që rasti është bërë mediatik, Bashkia Kamëz e ka ndjekur hap pas hapi vijueshmërinë e ngjarjes, duke angazhuar specialisten kompetente, për trajtimin e rasteve të të miturve të abuzuar, e cila ka ndjekur hap pas hapi rastin, që nga sistemimi dhe zhvendosja në një zonë tjetër banimi, këshillimi dhe siguria e të miturës, por jo vetëm edhe të familjes”, sqaron Bashkia.
Pas publikimit të abuzimit seksual të së miturës në Babrru (Bashkia Kamëz), u pezullua menjëherë nga detyra drejtori i shkollës. Ai tregon se ndihet i keqardhur për ngjarjen, por thotë se nuk ka pasur asnjë ankesë nga vajza gjatë periudhës mësimore, dhe nuk është ngritur si shqetësim në drejtori as nga mësuesja, as nga prindi dhe as nga psikologu i shkollës.
“Ndjehem i keqardhur. Ndjej përgjegjësi nga ana morale pamasë që ngjarje kaq të shëmtuara ndodhin në një komunitet, dhe fatkeqësisht në komunitetin ku unë banoj. Trysnia dhe deformimi i situatës ka qenë hap pas hapi deri në momentin që ne flasim. Ka pasur raste kur dikush është paraqitur pranë zyrës sime rasti për ankesë . Kur rasti i tejkalonte mundësitë nga institucioni, atëherë unë kam denoncuar bashkë me drejtoreshën e arsimit pranë policisë. Por nga kjo vajzë nuk kemi pasur në mënyrë absolute asnjë ankesë, sepse nëse do të kishte, do të ndodhte si rastet e tjera , do të ishte shënuar në librin e shënimeve të psikologut”, tha ish drejtuesi i shkollës.
Ai shprehet se do të dëshironte shumë që kjo ngjarje të zbardhej sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa thekson se rojën e shkollës e kishte gjetur në këtë vend pune, kur ka ardhur si drejtues i këtij institucioni 7 vite më parë.
“Kam pasur vetëm 2-3 ankesa për këtë roje, por jo për këtë tip problematike. Hidhërohem që kjo lloj situate po bie edhe mbi stafin pedagogjik. Jam i gatshëm që të vë në dispozicion të institucioneve të gjithë dokumentacionit, pasi institucioni arsimor nuk mund të jetë përgjegjës për atë çfarë ndodh jashtë orarit mësimor”, përfundon ish drejtori i shkollës, Besnik Daci.
Lidhur me rastin e abuzimit seksual të vajzës ne Shkodër (e cila akuzon jo vetëm policin në komisariatin e Fushë-Arrëzit që ka abuzuar me të, por edhe kujdestarët e jetimores në Shkodrës) kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi thotë se Bashkia Shkodër ushtron rregullisht kontroll në jetimore, ndërsa për rastet jo vetëm të abuzimeve seksuale por edhe të dhunës në familje funksionojnë zyrat për mbrojtjen sociale me sistem referimi në bashkëpunim dhe me policinë.
“Unë s’mund të flas specifikisht, pasi duhet zbardhur e gjithë ngjarja nga organet e drejtësisë më parë. Por mund të them se në Bashkinë Shkodër janë ngritur dhe funksionojnë zyrat e mbrojtjes sociale. Funksionon rrjeti i referimit i rasteve, jo vetëm të përdhunimit, por kemi edhe dhunë brenda familjes, dhunë kundër grave, dhunë ndaj të miturve por kemi edhe raste të dhunës ndaj burrave. Mund të them se është rritur ndjeshëm numri i rasteve që raportojnë për dhunë, ose është rritur shkalla e ndërgjegjësimit, të cilët tashmë denoncojnë. Është rritur edhe puna që bëhet me sistemin e referimit të këtyre rasteve. Ky sistem funksionon në bashkëpunim me policinë dhe prokurorinë. Për çdo rast të denoncuar, ne ofrojmë shërbime sociale, mbështetje psikologjikë, por kemi dhe një strehëz të emergjencës që është hapur dhe funksionon që prej viti 2013. Bashkia Shkodër bën edhe fushata sensibilizuese kundër dhunës në familje”, thotë Ademi për Portën Vendore, ndërsa shton se duhet të ketë një punë më të madhe nga policia, gjykatat e prokuroria, për të rritur besimin që qytetarët duhet të kenë tek këto institucione, në mënyrë që të drejtohen me denoncimet e tyre.
Ndërsa juristi dhe aktivisti Lapaj shpjegon për Portë Vendore që përgjegjësia e pushtetit vendor duhet të shikohet tek zgjedhja e punësimi i stafeve pranë institucioneve arsimore e më gjerë.
“Sigurisht që pushteti vendor ka përgjegjësi. Duhet më shumë kontroll, kritere më të qarta të punësimit të stafeve, të sigurisë pranë këtyre institucioneve për shkak të rëndësisë që kanë. Gjithsesi nuk gjej dot zgjidhje vetëm te masat që pushteti vendor mund të rrisë. Është çështje e shoqërisë kjo, ndërsa sa i takon strukturave shtetërore më shumë e shikoj si çështje të organeve të drejtësisë të cilat duhet të tregohen më të ashpra. Duke qenë se kemi dështuar në politikën penale, në këtë aspekt unë jam i bindjes që për këtë kategori vepre penale legjislacioni do ndryshuar në atë mënyrë që kushdo që guxon ta mendoj kryerjen e një vepre të tillë të dijë se do i kushtojë shumë”, sqaron Lapaj për Portën Vendore.
Për historinë tronditëse të vajzës 27-vjeçare e cila deklaroi në një emision televiziv që është abuzuar nga një punonjës i Jetimores së Shkodrës rreth 15 vite më parë, Porta Vendore kontaktoi më Gëzim Mahmudaj, drejtor i “Shtëpisë së Fëmijës 6-15 vjeç Shkodër”, i cili shprehu keqardhjen e tij për këtë ngjarje teksa shtoi se histori të tilla përbaltin punën e një stafi të tërë që punon me përkushtim për rritjen e fëmijëve. Mahmudaj tregon se as punëtori më i vjetër i jetimores me të cilin ai ka biseduar për rastin konkret, nuk ka qenë në dijeni të historisë së vajzës. “Unë vajzën në fjalë e kam thjesht si statistikë në regjistrimin e institucionit, dhe s’mund ta gjykoj. Historia sipas një punonjësi të stafit që ka qenë në atë periudhë kohore, por nuk ka qenë aspak në dijeni të ngjarjes që mund të ketë ndodhur, pretendohet të datojë në vitin 2005, kur vajza ka qenë 12 vjeçe dhe mendohet të jetë abuzuar nga roja, por roja në atë kohë vinte nga kompanitë private, pra s’ishte pjesë e stafit bërthamë. Unë mendoj që kushdo që e fillon këtë punë duhet të mbajë përgjegjësi për veten. Uroj që ngjarja të zbardhet sa më shpejt, që edhe në të ndjehemi më mirë, por edhe fëmijët”, përfundon Gëzim Mahmudaj, drejtuesi i “Shtëpisë së Fëmijëve 6-15 vjeç Shkodër”.
Por pavarësisht se drejtuesit e institucioneve si më sipër shkundin përgjegjësitë nga vetja, për Edlira Çepanin, Koordinatore Kombëtare e Rrjetit të Grave për Barazi në Vendimmarrje, të gjitha strukturat bashkë janë përgjegjëse për sigurinë e fëmijëve; duke filluar që nga shkolla, tek policia, te njësia për mbrojtjen e fëmijëve në bashki, tek Agjencia për Mbrojtjen e Fëmijëve, Ministria e Arsimit, etj.
“Ka shumë hallka të cilat janë parashikuar pikërisht për të bërë mbrojtjen e fëmijëve integrale dhe të gjithanshme. Dështimi i këtyre institucioneve dhe hallkave ka rezultuar në një sërë krimesh të tilla të tmerrshme. Kemi dështuar tek parandalimi, që fillon që nga familja, tek shkolla e deri tek e gjithë shoqëria, duke i rritur fëmijët, sidomos vajzat por edhe djemtë, të pafuqishëm për të reaguar dhe pa mbështetje, duke vënë para jetës së tyre, opinionin e shoqërisë dhe të tjerët (ç’do thotë bota, më mire syri se sa nami, etj)… Kemi dështuar në trajtimin e situatave të rrezikshme si këto: me shkolla që e dinë, por nuk reagojnë, me lagje të tëra që e dinë por nuk denoncojnë, me polici që nuk heton mjaftueshëm dhe nuk i trajton këto rastet me seriozitetin që meritojnë por si krime te lehta”, tha ajo.
Sevim Arbana, Presidente e OJF-së “Në dobi të gruas shqiptare”, shprehet se problemi aty ka qenë, gjithmonë ka pasur raste të tilla. “Asnjë nuk flet. Ne kemi pasur një rast që e bëmë problem tek Fiks Fare në shtator të 2019 për një 9-vjeçare në jetimoren e Tiranës, te Zyber Hallulli. Ajo që pësonte që 9 vjeç, abuzim seksual nga moshatarët atje. Dhe të gjithë e dinin, edhe kujdestarët e mësuesit e atje. Një histori e gjatë që ne e morëm vesh se edhe e ëma ishte viktimë e abuzimit e dhunës. E morëm, e çuam në spital, mjeku shtetëror thoshte jo, ai tjetri thoshte po. Vajza përfundoi në psikiatri. Pra histori e rëndë”, shpjegon Arbana. Ajo mundohet t’i japë një përgjigje edhe asaj që nuk funksionon. “Marrim rastin e Kamzës. Të gjithë e dinin, asnjë nuk fliste. Është e pafalshme që psikologja e shkollës nuk e dinte, apo mësuesit. Nuk do shkojë vajza të rrëfehet te psikologja, duhet të shkojë psikologja te vajza. Ta supozojmë se nuk e dinin. A nuk jetonin aty në periferi ku gjithë muret ishin mbushur me emrin e saj. Dhe nuk i shqetësonte ky fakt që një 13-vjeçareje i shënohet emri në mure dhe denigrohet. Pra i tërë sistemi nuk ka funksionuar. Edhe mësuesit kanë faj, dhe komuniteti mbi të gjitha. Për mua, prindërit nuk kanë faj, se aq forcë kishin ata, të fshinin muret natën. Ndërsa këto bëmat nëpër jetimore janë skandaloze. Sepse i quajnë si mall pa zot dhe abuzohet”, thotë aktivistja Sevim Arbana.
Edhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj propozon që të ketë një qasje tjetër të shoqërisë dhe shtetit ndaj njerëzve që abuzojnë, jo vetëm duke rritur penalitetin ndaj tyre por edhe duke i izoluar.
“Ndoshta ka ardhur koha për të rishikuar qasjen tonë në thelb në drejtim të mbrojtjes së viktimave të dhunës seksuale, duke shtuar penalitetet dhe çuar në ekstrem penalitetet për kujdestarët, pasi në shumë raste dëmet dhe gjëma na ka ardhur prej rojeve, kujdestarëve, atyre që zëvendësojnë prindërit. Dhe kjo është për të ardhur keq. Nuk është thjeshtë çështje e ligjit, masave penale, por sensibilizimit shoqëror për t’u distancuar, që kjo kategori që nuk e meritojnë edhe emrin e njeriut, të kufizohet, izolohet dhe të bëhet e padëmshme”, tha Ministri Lleshaj.
Çfarë duhet bërë më shumë?
Sociologu Gëzim Tushi i cilëson këto dy ngjarje të tmerrshme një kambane alarmi për shoqërinë shqiptare, e cila duhet të fillojë të vendosë kufij se çfarë është e lejuar dhe çfarë është e ndaluar, dhe duhet menjëherë të nisë një proces edukimi dhe ndërgjegjësim të fëmijëve të cilët duhet t’i mësojë të denoncojnë pedofilët.
“Dy gjëra që duhen marrë urgjentisht si masa janë: E para është parandalimi. Përgatitja e fëmijëve për tu mbrojtur nga abuzimi seksual, duke rritur vigjilencën e prindërve si dhe mbrojtjen e denoncimin e hershëm të vetë fëmijëve. Si arrihet kjo? Kjo arrihet duket rritur një kulturë, ndërgjegjësim tek fëmijët se jeta e tyre seksuale është sovrane. Pasi tek fëmijët zhvillohet një kontradiktë që lidhet me pjekurinë e shpejtë trupore dhe të parakohshme seksuale, dhe mungesa e një pjekurie të duhur mendore që të kuptojnë pra të gabuarën. Pikërisht kjo kontradiktë shfrytëzohet nga gjuetarët e seksit, nga maniakët seksualë, nga pedofilët të cilët më pas abuzojnë. Pra ne duhet të formojmë atë lloj kulture te fëmijët që te denoncojnë maniakët e seksit. E dyta duhet folur me hapur në shkollë, në fushën e edukimit seksual. Duhet folur me hapur në familje. Është e papranueshme që nuk flitet, që fëmijët nuk edukohen ”, sugjeron sociologu. Më tej, ai shton se edhe organet e drejtësisë duhet të japin dënime më të ashpra ndaj abuzuesve.
“Çështja tjetër ka të bëjë me ndëshkimin ligjor dhe funksionimin e organeve të drejtësisë. Unë mendoj se e gjithë kjo shthurje vjen edhe nga liberalizimi që policia dhe drejtësia i bën këtyre rasteve. Unë jam partizan i tezës liberale. Ne duhet të ndryshojmë rrethanat që e prodhojnë këtë problem. Rrethanat kanë veprim me edukimin, kulturimin, krijimin e një personaliteti tek fëmijët. Me këto faktorë mund të ndikojë pozitivisht në zbutjen e këtij fenomeni në shoqërinë tonë”, shprehet sociologu Tushe.
Ndërsa për pedagogen dhe njohësen e çështjeve sociale Helena Halilaj shteti duhet të marrë masa të forta në kontrollin e mirëfilltë të politikave sociale.
“Duhet me patjetër që shteti si fillim të zgjedhë drejtuesit. Në institucione sociale duhet të ketë drejtues të përgjegjshëm, profesional dhe të kujdesshëm. Por krahas shtetit, dhe shoqëria duhet të ndikojë edhe kur nuk vendosen njerëzit e duhur, të denoncohen, të mos heshtet përballë atyre që janë të paaftë. Nuk duhet të protestojmë kur ligësia dhe papërgjegjshmëria bërtet kaq shumë, por duhet protestuar në çdo vend ku nuk jepet garanci dhe përkushtim. Në emër të fëmijëve duhet gjithmonë të ngrihet zëri, për ti shërbyer të ardhmes”, tha Halilaj.
Këto dy ngjarje, pasardhëse të shumë të tjerave që kanë ndodhur në institucionet arsimore ose të kujdesit social duken si një kambanë alarmi e fuqishme dhe vënë në diskutim rolin e këtyre institucioneve përballë prindërve, mësuesve, e opinionit publik. Pasi aty ku presupozohet që jeta e fëmijëve të jetë më e mbrojtur, aty koha dhe historitë kanë treguar që është më tepër në rrezik.
“Mitet institucionale nuk mund të lidhen me raste specifike gjithmonë. Duhet marrë në gjenezë problemi, ne jemi shoqëri e pandërgjegjësuar, nuk respektojmë dhe njohim parimet morale, jemi punëmarrës militantë, nuk protestojmë si shoqëri, por si grupime militante. Ne duhet të kuptojmë qe problemet sociale vijnë si rrjedhojë e mosfunksionimit të politikave, por përmirësimi i jetesës tonë ne bazë është tek ne. Fëmijët janë abuzuar dhe jashtë këtyre ambienteve, janë abuzuar dhe nëpër familje. Frika është roje që disa njerëz i frenon, disa nuk njohin asnjë roje sepse janë qenie të pamëshirshme dhe imorale. Mendoj se duhet të rimerren masa më të rrepta të punësimit dhe vëzhgimit të individëve që janë pjesë e institucioneve të tilla. Por mbi të gjitha ne si shoqëri duhet të reagojmë më shumë, më ashpër dhe më të bashkuar”, thotë Helena Halilaj pedagogia e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës.
Ndërsa Aurora Leka , aktiviste e shoqërisë civile në zonën e Kamzës thotë për Portën Vendore se rasti i të miturës nga Kamza bëri që ajo dhe shumë aktivistë të tjerë të kërkonin edhe njëherë përgjegjësinë për gjithçka kishte ndodhur tek vetja, instancat shtetërore e komuniteti.
“Ne mendojmë se në një vend ku përdhunuesi ndihet krejtësisht i lirë dhe i pakërcënuar, pavarësisht rrezikshmërisë së tij tashmë disa herë të denoncuar, nuk është më vetëm individi, por edhe shteti përdhunues. Reduktimi i misionit të mësuesit në një profesion rrogëtari, nepotizmi në punësimin e punonjësve, punësimet partiake të drejtorëve militantë, mungesë e efektivitetit të punës së psikologëve (ose mungesa e tyre e plotë në shkollë), me drejtori arsimore që i thurin elozhe kryetarit të ri të bashkisë, me një bashki që kuotën gjinore e përdor si gomë për të fshirë rastet korruptive, me policë indiferentë e padrejtësisht të dhunshme, e me komunitetet tona përreth që përgojojnë në vend që të denoncojnë: të gjitha këto kushte do na i sjellin sërish para syve tanë raste të tjera të ngjashme abuzimi”, tha Aurora ndërsa thekson se kanë mbajtur edhe qëndrime publike me anë të aksioneve të zhvilluara me të rinj të tjerë të grupit ATA, në një nga rrugët kryesore të Kamzës.
“Çdo ditë do duhet të bëjmë qytetarin e ‘mirë’. Do duhet të reagojmë për mënyrën sesi është katandisur shkolla, ky institucion bazë për ndërtimin e shoqërisë. Do duhet të punojmë më fort me komunitetin, i cili sheh përtej gardhit të tij vetëm për të përgojuar. Do duhet të punojmë më fort me të rinjtë të cilët në rrugën përballë shkollës gjejnë vetëm drogën, prostitucionin e krimin. Ne përpiqemi të qëndrojmë të informuar në lidhje më shumë çështje në qytet e përpiqemi tu jemi pritë atyre. Në kushtet të tilla ku e keqja është bërë tashmë, mendojmë që vetëm instanca dhe njerëz të specializuar për ofrimin e ndihmës psikologjike mund të ndihmojnë familjen. Në jemi aktivistë e detyra jonë është që jo thjesht të skandalizohemi, por të mos i harrojmë këto raste, të analizojmë e të mos reshtim së vëni përgjegjësit në shënjestër”, rrëfen Aurora Leka, aktiviste pranë komunitetit në Kamëz.
Ndërsa Sevim Arbana mendon që mos të ndodhin këto gjëra duhet që secili institucion duhet të punojë në mënyrë perfekte, të shtrëngojnë masat. “Të merren specialistë, njerëz të ndërgjegjshëm. Me këto fëmijë në jetimore, dhe të qendrat e fëmijëve, dhe me fëmijët me aftësi të kufizuar duhet shumë kujdes. Duhet pasur shumë kujdes tek qendrat shtetërore, sepse nuk ndodh tek OJF apo te privatët. Nëpër qendrat shtetërore ndodhin shumë abuzime. Duhet një kontroll shumë i madh. Ka pasur abuzim seksual edhe në strehëzën në Bathore Kamëz. Dhe ka qenë viktimë një nga viktimat tona të dhunës që e kishim strehuar bashkë më nënën. Roja ngacmonte vajzën. Ka pasur abuzim dhe nuk guxoi t’ia thoshe drejtoreshës, sepse ata jetojnë me numrat që mbushin strehezën. E dyta kanë edhe frikën e skandaleve. Është një zinxhir problemesh”, shpjegon Arbana.
Françeska Muço, një tjetër aktiviste e shoqërisë civile, i shikon ngjarjet e fundit si një medalje me dy anë. “Këto ngjarje më kanë trishtuar por edhe lumturuar. Më lumturon reagimi i njerëzve që unë kam parë. Eventi i datës datën 4 qershor në shesh ishte nga gjërat më fantastike që unë kam marrë pjesë. Nuk dua ta quaj as protestë, as marshim, por ishte një revolucion feminist. Ajo mbledhja aty ishte kundër pedofilisë, ishte për abuzimin që ju bë asaj vajzës në Kamëz, por ama ishte edhe për patriarkalizmin që kjo shoqëri ka. Ndërkohë rasti i Shkodrës mendoj se u motivua pozitivisht nga i gjithë ky reagim publik . Por ndërkohë që ne reagonim për këtë rastin, djemtë e rastit të Kavajës janë liruar. Ndaj të gjitha këto ngjarje që po zhvillohen në harkun kohor të një javë janë disa mësime të madhe, jo vetëm për shoqërinë, por ama edhe për institucionet, për ligjzbatuesit, se sa efektive janë të gjithë punët që kanë bërë gjatë kësaj kohe në terma konkret”, tha ajo për Portën Vendore, duke shtuar se të rinjtë besojnë gjithnjë e më pak në institucione. Sipas aktivistes, në momentin që e flet gjënë që po ndodh dhe mendon që nuk je vetëm ti që po e vuan këtë gjë, por ka edhe të tjerë në Shqipëri, kauza bëhet më e fortë.
Ndërsa për Edlira Cepanin ndryshimi duhet të fillojë tek secili prej nesh, që të mos jemi më shoqëri që reagon vetëm kur na bie halli në derën tonë, por duhet të ngrihemi për këtë kauzë të gjithë për të ndihmuar sadopak.
“Institucionet, shoqëria, media, secili prej nesh duhet t’i trajtoje këto raste me seriozitetin e duhur, sepse janë nga krimet më të rënda që ekzistojnë, edhe sepse një trajtim sipërfaqësor i tyre, vetëm e thellon rrethin vicioz që nesër mund të prekë këdo. Thirrja ime për çdokënd që punon në një institucion, media apo këdo që ka një mundësi për të ndihmuar, të mendojë ‘çfarë do bëja po të ishte në rrezik fëmija im!’? Nëse fillojmë të gjithë ta shohim kështu, jam e sigurt që do ishte shumë ndryshe situata”, tha Cepani për Portën Vendore.
Sipas Adriatik Lapajt, asnjëherë masat e marra nuk janë të mjaftueshëm. “Beteja për të mbrojtur fëmijët nga këto lloj krimesh e ka shoqëruar njeriun modern prej dekadash e do na shoqërojë edhe për dekada të tjera. Ajo që ne mund të bëjmë është angazhimi edhe më i madh për ta minimizuar si fenomen. Ka kategori veprash penale për të cilat ndërgjegjësimi është thelbësor dhe ka efekte të mira, por ka dhe kategori veprash penale siç janë këto të përdhunimit (kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitura) për të cilat aspekti edukues dhe parandalues përmes ndërgjegjësimit është shumë i kufizuar pasi subjektet që i kryejnë këto lloj veprash penale kanë të dhëna të zhvilluara kriminale dhe mendimi kriminal është i pjekur brenda tyre. Besoj se te kjo kategori më së shumti duhet punuar me evidentimin e tyre përmes krijimit të databazave publike të personave të dënuar për këto lloj veprash me qëllim alertimin e komunitetit dhe ruajtjen e fëmijëve si dhe në rastet kur i kryejnë, me ndëshkime shembullore që ndalojnë kryerjen në vazhdim të veprave të njëjta qoftë dhe nga frika e ndëshkimit. Personalisht jam shumë për politikat parandaluese dhe rehabilituese në të drejtën penale, por për këtë kategori të veprave penale kam bindjen se ndëshkimi duhet të jetë i ashpër”, tha avokati Adriatik Lapaj.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se po punohet për krijimin e një instrumenti të ri për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
“Ne po punojmë për të zhvilluar një instrument të ri për të trajtuar këtë fenomen të dhunës në familje dhe këtë për të gjetur rrugë të reja për të ndërtuar struktura që do të bëjnë bashkë energjitë e shumë aktorëve, policisë, shëndetësisë, shoqërisë civile dhe besoj se shpejt do të kemi zhvillime të reja për instrumentet e reja. Por e rëndësishme është liria për të denoncuar”, tha ministri i Brendshëm, i cili i bëri thirrje medias që të jetë më e kujdesshme dhe të mos bëjë raportime të detajuara të rasteve të përdhunimit.
Media, ajo që ‘ri-abuzon’ me viktimën
E quajtur si pushtet i katërt, media në fakt duhet të luajë rolin e watch dog, por jo gjithmonë funksionon kështu, pasi media tanimë është kthyer në gjuajtësen e lajmit, ku pa mëshirë denigron me ose pa dashje figurën e viktimës, duke e ‘dhunuar’ atë për të disatën herë radhazi.
Në të gjitha rastet e ndodhura gjatë 2 viteve të fundit , media ka rendur për të bërë publike inicialet e të miturës së abuzuar, shkollën, vendin ku banon, si dhe ka rrëmbyer si trofe, intervistën me një nga prindërit e viktimës.
“Media në Shqipëri raste të tilla i trajton jo gjithmonë me kujdesin e duhur. Ka raste ku media nuk eviton elementë të cilët nuk duhen prekur tek qenia njerëzore, sidomos kur flitet për vajzat. Media përtej lajmit duhet të vendosë në vëmendje edhe individin përveç fenomenit. Rastet e fundit si shok social duhet të tregojnë vëmendje edhe për vajzat e viktimizuara, për të mos lënë trauma në mendjen dhe zemrën e tyre. Duhen strategji më të mira në media, për të goditur fenomenet, duhet ruajtur privatësia e viktimave, duhen dëshmuar rastet, po me diplomaci informative kur kemi të bëjmë me fëmijë. Shembuj të tillë tregojnë se cilësia sociale e jona është tepër e ulët”, tregon për Portën Vendore pedagogia Helena Halilaj.
Porta Vendore foli me dy gazetarë të mediave tradicionale, të cilët kërkuan që emrat e tyre të mbeteshin anonim, por që merren me sektorin e kronikës së zezë prej shumë vitesh. Ata i thanë Portës Vendore që mania për sensacionalen është më shumë e gazetarëve të rinj, e drejtuar më së shumti nga dëshira për t’i rënë në sy shefit dhe kolegëve, dhe një mënyrë aspak etike për të afirmuar veten në përpjekje për të gërmuar lajmin. “Ne gazetarët e vjetër e kemi ruajtur gjithnjë identitetin e viktimës, madje megjithëse e kemi disponuar dosjen e plotë, sërish nuk kemi nxjerrë detaje, dhe të njëjtën këshillë i kemi dhënë edhe të rinjve që janë futur së fundmi në tregun e gazetarisë, por etika jo gjithnjë respektohet. Ne përpiqemi që aty ku ka ndodhur diçka të marrim shkas për të zbardhur ngjarjen, e pse jo duke shkuar edhe përtej asaj që ka ndodhur, nëse do të kishte raste të tjera si ai që zbuluam për shkollën në Babrru, që kishin pas edhe një rast tjetër në 2018. Kjo është gazetaria për ne ”, i thanë gazetarët Portës Vendore.
Shoqëria Civile: Kërkesë për reflektim
Edhe aktivistët e shoqërisë civile shprehen kritikë për trajtimin e këtyre çështjeve në media. “Shumë pak media e kanë trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe etikë, duke abuzuar edhe një herë me viktimën. Si bashkëthemeluese e një media komunitare përpiqemi çdo ditë të japim shembullin e trajtimit të kujdesshëm, me dinjitet për çdokënd. Media ka përgjegjësinë e saj në këtë pikë, ndaj mbetet të jemi vigjilent edhe ndaj saj”, shprehet Aurora Leka për Portën Vendore.
Ndërsa, Rrjeti i Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, shprehet se ka ndjekur me shqetësim rastet e fundit të bëra publike të dhunës seksuale ndaj vajzave dhe në këtë kuadër ka paraqitur një Kërkesë Publike për reflektim serioz të institucioneve dhe marrjen e masave urgjente, ne lidhje me parandalimin dhe mbrojtjen e vajzave dhe grave nga dhuna seksuale. Kërkesa u është drejtuar aktorëve si Kuvendi, KLGJ, KLP, qeverisë, policisë, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, AMA dhe Urdhrit të Psikologut.
Rrjeti i Monitorimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, i përbërë nga 48 organizata të shoqërisë civile, ka kërkuar marrjen e masave specifike nga secili prej institucioneve të listuara.
“Rrjeti vëren se fenomeni shqetësues i dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave kërkon reflektim serioz dhe të thellë nga institucionet shtetërore, i shoqëruar me një plan masash në terma afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë”, shprehet Rrjeti i Monitorimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore në kërkesën e vet, duke bërë dhe rekomandimet përkatëse për secilin institucion.