Ngjarje/Personazhe

IKMT nis shembjet në Velipojë, përplasje me pronarët: Na vrisni më mirë

12 qershor 2020/ Porta Vendore/ Velipojë

IKMT ka vazhduar për dy ditë radhazi aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në plazhin e Velipojës, por ka hasur në kundërshtimin e pronarëve, duke shkaktuar përplasje të ashpra mes tyre, ku një vajze i ka rënë të fikët. Përplasja ka ardhur pikërisht për faktin se IKMT nuk ka nxjerrë për pronarët asnjë urdhër për prishjen e ndërtimeve pa leje, i kërkuar ky nga pronarët, të cilët njëkohësisht kanë pretenduar se ata janë në proces gjyqësor për këto ndërtime.

Që të mërkurën e 10 qershorit, IKMT mësyu në dy qytete për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonat e plazhit. Konkretisht, IKMT ndërmori aksion në Karaburun dhe në Velipojë. Në Karaburun, specialistët e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit prishën një lokal plazhi, por nuk hasën në kundërshtimin e pronarëve, ndërsa e kundërta ndodhi në Velipojë, ku banorët kërkuan kohë, pasi nuk ishin njoftuar për prishjen e objekteve të ndërtuara prej tyre.

*Video 1, aksioni në Karaburun

*Video 2, aksioni në Velipojë

IKMT mbylli aksionin në Karaburun, vetëm me një shembje, ndërsa në Velipojë u shemb një lokal, ndërsa një tjetër u çmontua nga pronarët. Të mërkurën u mbyll me kaq aksioni.

*Video 3, Heqja e materialeve nga lokali

Të enjten, më 11 qershor, IKMT u rikthye në Velipojë për prishjen e ndërtimeve të tjera pa leje.

*Video 4, në Velipojë mëngjesi i së enjtes

Por, veç IKMT, në Velipojë shkoi dhe Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila ka kërkuar nga IKMT një urdhër për aksionin e tyre, por që specialistët nuk ia kanë mundësuar, duke u justifikuar vetëm me disa procesverbale të bashkisë.

*Video 5, debati i kryebashkiakes së Shkodrës me specialistin e IKMT

Sipas kryebashkiakes së Shkodrës, ajo kishte diskutuar me ministrin Lleshaj dhe me kryeinspektoren Dallëndyshe Bici, që ky aksion të bëhej në shtator, por IKMT ka ndërhyrë, duke u bazuar në procesverbalet e bashkisë dhe jo një urdhër të nxjerrë nga kryeinspektorja.

*Video 6, Voltana Ademi video sinkron

Ndërsa pronarët kanë deklaruar se janë në proces gjyqësor dhe kanë kërkuar që ndërhyrja të bëhet në shtator, pasi po shkatërrohet biznesi dhe sezoni veror.

*Video 7, sinkron pronarët

*Video 7.1, diskutimi i pronarit me IKMT

Duke hasur në rezistencën e banorëve, por dhe kërkesën e vazhdueshme për një urdhër të lëshuar nga Kryeinspektorja Dallëndyshe Bici, IKMT nuk veproi deri në orët e pasdites, kur në përforcim të tyre shkuan Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat larguan me forcë banorët nga ndërtimet pa leje në plazhin e Velipojës.

*Video 8, FNSH përplasje me banorët

Nga kjo përplasje, një vajze të re i ka rënë të fikët dhe ajo është ndihmuar nga një punonjës policie për t’u përmendur. Një efektiv e mori në krahë dhe i ofroi ndihmën e parë.

*Video 9, vajza që i bie të fikët dhe ndihma që i jep polici

Pashuk Marku, një nga biznesmenët në Velipojë, të cilit i është planifikuar t’i prishet prona ka dalë para efektivëve duke ulëritur. Me zë të lartë para policëve që janë të pajisur me mjete mbrojtëse dhe me skafandër, Marku dëgjohet t;u thotë që më mirë ta vrasin.  “Më vraj mor më vraj, më nxirr automatikun dhe më vraj ma mirë,”– thotë ai.

*Video 10, Pashuk Marku, biznesmen në Velipojë

Përplasjet kanë vijuar për orë të tëra, ku shumë pronarë dhe familjarë të tyre, të dëmtuar nga gazi lotsjellës dhe me lot në sy janë detyruar të shohin shembjen e godinave.

*Video 11, personi i marrë në krahë nga të afërmit

Pasi hodhën në tokë gjithçka, IKMT është larguar, duke lënë pas rrënojat, që nuk dihet se kur mund të pastrohen, duke i shtruar një tjetër barrë biznesit në këtë zonë turistike, veç pandemisë, e cila po i çon drejt falimentit.

*Video 12, bizneset e rrënuara nga fadromat e IKMT-së