Ndodhi

Çezma e parë publike, projekti i dështuar në Kukës

12 qershor 2020/ Arben Vata/ Porta Vendore/ Kukës

Kukësi, i rrethuar nga të tre anët me ujë, mori një iniciativë shumë interesante, atë të ndërtimit të çezmës së parë publike në qytet, e cila pritej t’i shtohej projektit të ri të rikualifikimit urban, në atë pjesë që shumica tanimë e njohin me “Pedonalja” e qytetit. Me dëshirën e mirë për të ndryshuar qytetin, dhe i mësuar e lodhur mbase nga ankesat e kryetarëve të bashkive të qytetit ndër vite në çdo dalje publike, duke thënë që Kukësi është një bashki e varfër, një filantrop kuksian, që jeton e punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendosi për t’i bërë dhuratë qytetit të tij të lindjes, një çezme publike. Dhe këtu duket që nis problemi: menaxhimi i burimeve dhe puna “shkel e shko” e ndërtimit të saj.

Kukësi ka rezerva të mëdha ujore që përfaqësohen nga ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësorë, të cilat janë të shumta dhe të pashtershme. Hidrografia e rrethit të Kukësit përfaqësohet nga rrjedhja e poshtme e Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë, gjithashtu dhe degëve të tyre, si lumi i Lumës e i Bushtricës, përrenjve të shumtë dhe një numër i madh burimesh nëntokësore, kryesisht burime karstike. Por kjo sigurisht nuk është kriter dhe as standard që një çezmë të jetë aktive dhe funksionale. Sipas përgjigjes së dhënë nga Bashkia Kukës, synimi i ndërtimit të kësaj çezme është për të pirë ujë qytetarët dhe për të vaditur zonën e gjelbër përreth.

Këtë të fundit e ka treguar shpesh herë që ia ka dalë, madje dhe duke ujitur trotuarin sepse uji nuk ndalonte për shkak të rubineteve jo-automatik që ishin instaluar aty. Pamjet më poshtë e tregojnë qartë këtë. Shumë herë krijoheshin dhe pellgje përreth, duke bërë që këmbësorët të devijojnë nga trotuari e të dalin në rrugën e makinës. Sipas projektit, ndërtimi i saj ka përfunduar që në gusht të vitit 2019, por sot për problematika që nuk bëhen të ditura, çezma nuk është në shërbim të qytetarëve.

Pamja e çezmës në Pedonale ndryshon nga dita në ditë, nga mëngjesi në darkë.

Disa nëna të moshuara që qëndronin shpesh në stolat e parkut, duke tjerrë pambuk, shprehen se ai paska qenë një vend i nëmur, se nuk ka mundësi kaq mbrapsht. Grupi tjetër i inxhinierëve nuk preferonin të komentonin fare për të kur e shihnin që çezma nuk nxirrte ujë. E ndërsa familjarë të tjerë gëzonin me raste kur rubineti ishte automatik dhe fëmijët e tyre arrinin të mbushnin bidonin e vogël të ujit, pa u bërë qull. E më pas ditën tjetër çezma nuk ishte më e tillë: çezma as nuk jepte as nuk merrte.

Ne jemi mësuar me të por kam hallin e vizitorëve e turistëve të huaj. Kur diçka nuk punon, më mirë të mos ekzistoje. Është njëlloj si të mbash një dhëmballë të prishur në gojë ndërkohë që përveçse dhimbjes, që nuk do të kryej punën e saj ajo do të pengojë dhe të mos konsumosh ushqimin”, shprehet me ironi një qytetar.

Çezma në pedonalen e qytetit të Kukësit. Foto: A. Vata

“Hidrocentralet po dinë me i ndërtu në mënyrë precize e brenda afateve në kohë, dhe kur vjen halli për qytetarët, nuk ecin punët siç duhet asnjëherë madje dhe për një çezmë. Nuk ka ma marre”, përfundon për Portën Vendore i moshuari i indinjuar që kalon nga krahu tjetër i rrugës. Porta Vendore iu drejtua më një kërkesë për informacion Bashkisë Kukës për të marrë një informacion të plotë për këtë investim.

“Bashkia Kukës, si njësi e vetëqeverisjes vendore, ka mbështetur ndërtimin e këtij objekti, ku forma arkitektonike dhe kompozicionale e tij është harmonizuar me zonën ku është vendosur dhe është ideuar në përputhje me disa objekte të ngjashme në vende të tjera. Punimet për ndërtimin e kësaj çezme, kanë përfunduar në muajin gusht 2019, ku pika e furnizimit me ujë bëhet nga pusi ngjitur me objektin”, thuhet në përgjigjen e bashkisë, por kjo e fundi nuk jep detaje nëse janë marrë masa për parandalimin e vërshimit të ujit jashtë rubinetëve të çezmës. Porta Vendore kërkoi sërish një prononcim për shifrën e projektit dhe nëse Bashkia Kukës kishte bërë një tender për këtë investim, por nuk mori një përgjigje zyrtare. Ndërsa burime off record thonë se: “Çezma ka kushtuar diku tek 10 mijë euro dhe është ndërtuar me lekët e investitorit nën kujdesin dhe monitorimin e bashkisë, por pa asnjë tender nga na e bashkisë”.

Gjithsesi e rëndësishme është që çezma këto ditë është aty. Në momentin e publikimit të këtij shkrimi mundet dhe të jetë duke punuar. Nuk është ndonjë çudi. Kështu e ka ajo. ‘I mbetet hatri’ për një shkrim.