Ndodhi

Pas Sukthit e Manzës, tashmë protestojnë për hedhjen e mbetjeve edhe qytetarët e Durrësit

11 qershor 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Këshilli Bashkiak i Durrësit zhvilloi mesditën e sotme një mbledhje të jashtëzakonshme, ku miratoi propozimin për shpalljen e emergjencës mjedisore për menaxhimin e mbetjeve në territorin e Bashkisë Durrës për shkak të mbylljes së vend depozitimit të Porto-Romanos. Edhe më 11 korrik 2018  Këshilli Bashkiak i Durrësit e miratoi këtë propozim, por nuk ju pranua nga Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve. Pushteti vendor në Durrës pas kësaj lëvizje mbetet në pritje të vendimeve të qeverisë qendrore. Ndërkohë pasditen e së mërkurës qindra qytetarë në Durrës protestuan për largimin e mbetjeve urbane nga rrugët e qytetit dhe menaxhimin e tyre. Pas gati një jave me kontejnerë të tej mbushur në rrugët e qytetit, menaxhimi i mbetjeve në Durrës ende nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare.

Qytetarët e nisën protestën-marshim përpara Bashkisë Durrës, me pankarta që mbanin mbishkrime si: “Largoni mbeturinat, mbroni jetën”, “Do pastrojmë apo do presim të na vijë krimbi” dhe “Mbyllni kanalet, hiqni mbeturinat”.

“Unë erdha si qytetare dhe ishte një organizim jo politik”, tregon Xhoana Duka. “Mbeturinat janë kthyer në një problem shumë serioz në Durrës sepse ndërkohë që ne duhet të mbrohemi nga koronavirusi mbetjet i kemi rrugëve”, përfundon e reja.

Me mbylljen e vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto-Romano për ta kthyer në park, Durrësi mbeti pa vend depozitim mbetjesh, duke mos mundur t’i tërheq nga kontejnerët në mungesë të një vend depozitimi. Porta Vendore i ka kushtuar një sërë shkrimesh kësaj problematike, ndërsa kujtojmë që Porta Vendore raportoi e para që plehrat po vazhdonin të hidheshin në Porto Romano, pavarësisht fillimit të punimeve për Eko-parkun.

Qytetarët marshuan në rrugët e qytetit duke apeluar për zgjidhje të problemit të mbetjeve. Foto: Geri Emiri

Qendra e qytetit të Durrësit dhe periferia u kthyen në kontejner mbetjesh urbane, teksa bashkia dështoi dy herë t’i dërgonte mbetjet në vend depozitimin e Sukthit dhe Manzës, duke u përballur me protestat e banorëve të zonës që kërkuan të mos kthehen në pikë grumbullimi për mbetjet e qytetit.

“Unë jetoj në Nishtulla dhe atje plehrat janë përhapur aq shumë sa i bie të shtrosh rrugën me plehra dhe jo me beton”, tregon Amarildo Arizaj. “Është shqetësim sepse aty çfarë nuk derdhet sidomos mbetjet e restoranteve dhe është një aromë shumë e rëndë”, përfundon 23 vjeçari.

Porta Vendore mësoi se situata ende nuk është zgjidhur zyrtarisht, teksa pushteti vendor i ka kthyer sytë nga qeveria qendrore. Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë një interviste televizive se së shpejti do të gjejë zgjidhje përmes një marrëveshjeje midis kompanisë koncesionare të inceneratorit në Sharrë dhe Bashkisë së Durrësit.

Qytetarët teksa protestuan pasditen e së mërkurës kërkuan një zgjidhje përfundimtare të problemit. Foto: Geri Emiri

Prej të paktën dy vitesh kjo është diskutuar që pas kërkesës së Këshilit Bashkiak Durrës për të shpallur Gjendjen e Emergjencës Mjedisore, por kosto vjetore në disa miliona euro në vit për transportin drejt Sharrës, ku gjendet edhe një icenerator për djegien e tyre e ka mbajtur peng zgjidhjen e problemit.

“Kjo është një situatë që vazhdon prej 30 vitesh, nis me problemin se mbetjet nuk diferencohen në burim dhe kontejnerët janë të hapur”, analizon Klaudio Hyseni. “Gjithashtu nuk ka një landfill për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve”, shton drejtuesi i Qendrës Durrësi Aktiv, një organizatë jofitimprurëse.

Të rinj dhe të reja ju bashkuan protestës qytetare duke kërkuar largimin e mbetjeve urbane nga rruga dhe përpunimin e tyre. Foto: Geri Emiri

“Në zonën e Arapajt për shembull mos grumbullimi i mbetjeve sidomos tek lagjet buzë kanaleve bujqësore ka sjellë ndotjen e tyre që më pas derdhen në det dhe janë kthyer në burim infeksioni”, përfundon Hyseni, që po zbaton projektin “Qytetarët e Durrësit aktorë dhe faktorë në vendimmarrjen lokale”, që mbështetet nga Lëviz Albania, në kuadër të të cilit po monitorohen kanalet bujqësore që ndoten përmes derdhjes në to të ujërave të zeza që më pas përfundojnë në det.

Protestuesit mbanin pankarta që ironizonin situatën e krijuar në raport me përgjegjësinë e institucioneve. Foto: Geri Emiri

Porta Vendore mësoi përmes aktivistëve për mbrojtjen e kafshëve të rrugës në Durrës se bashkia e ka kthyer në kosh mbetjesh fushën brenda së cilës gjendet qendra e trajtimit të kafshëve të rrugës në zonën e Nishtullës, ku dërgohen kafshët që pasi kapen, vaksinohen, sterilizohen dhe qëndrojnë aty për një periudhë kohe.

Protestës paqësore që përfundoi pa shoqërime në polici ju bashkuan qytetarë të shumtë, një pjesë të pajisur me maska dhe doreza, duke apeluar për një zgjidhje emergjente të problemit nga ana e Bashkisë Durrës dhe qeverisë qendrore.