Vëzhgim/Analizë

Bonusi i bebeve dhe neglizhenca e pushtetit vendor për lëvrimin e tij

11 qershor 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore

Kryeministri Rama njoftoi pak ditë më parë se përgjatë vitit 2020, janë 10.275 fëmijë që kanë përfituar bonusin e bebes prej 40,000 lekë nëse është fëmija i parë; 80,000 lekë fëmija i dytë dhe 120,000 lekë fëmija i tretë, por sipas të dhënave të Portës Vendore ende mbeten me qindra familje që nuk kanë marrë bonusin e bebes prej 5 mijë lekësh të reja që shpërndajnë bashkitë.

Pranë Platformës Porta Vendore kanë ardhur ankesa nga familje që kanë sjellë në jetë fëmijë që në vitin 2018, dhe deri më sot ende nuk e kanë marrë bonusin e bebes që shpërndajnë bashkitë. Kjo në fakt është një shqetësim në nivel kombëtar të bashkive, pasi Porta Vendore ka raportuar edhe më herët në lidhje me këtë problematikë në Bashkinë Dibër.

Për këtë arsye, Platforma Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informacion 7 bashkive kryesore në vend, për të kuptuar sesi paraqitet situata e këtij shqetësimi, por kërkesa e nisur në datën 7 maj mori përgjigje vetëm nga 3 bashki, ajo e Tiranës, Fierit dhe e Vlorës. Ndërsa bashkitë Shkodër, Durrës, Korçë e Elbasan nuk kthyen përgjigje ndaj këtij shqetësimi të ngritur prej Portës Vendore, pavarësisht se e kanë detyrim ligjor.

Në rubrikën Raporto të Portës Vendore erdhi një ankesë nga një qytetar i Vlorës për mosmarrjen e shpërblimit të lindjes për fëmijën e tij gjatë vitit 2018. Albano është babai i një fëmijë që po shkon dy vjeç e përsëri ende se ka marrë pagesën prej 5 mijë lekësh të reja nga pushteti vendor. “Ndërkohë që po jepen lekë për ata që lindin tani nga 40 mijë apo 80 mijë, s’ka për ata që duhet t’i marrin këto pagesa prej 5 mijë lekësh. Këtu në Vlorë ka shumë që pyesin për këtë problem. Unë kam nja dy-tre familjarë të mi nëpër qytete që s’e kanë marrë fare e që po i shkojnë fëmijët nga 5-6 vjeç”, tha Albano për Portën Vendore.

Majlinda, një tjetër prind nga Vlora tregon se ka sjellë në jetë vajzën e saj në vitin 2018, por ende nuk e ka marrë ndihmën financiare prej 5 mijë lekësh nga bashkia. Ajo pohon se mikesha të saj që kanë lindur fëmijë më vonë se ajo, kanë përfituar nga bonusi i ministrisë, pra 40 mijë lekë reja, ndërsa ajo vetë ende nuk e ka marrë ndihmën për beben, dhe informacioni që ka marrë nga bashkia është se nuk kanë para për të paguar.

Në qytetin e Vlorës nuk janë dhënë akoma bonuset e vitit 2018 dhe thonë që nuk ka lekë shteti, ndërkohë po jepen për ata që lindin tani nga 40 mijë apo 80 mijë lekë të reja, dhe s’ka për ata që duhet t’i kishin marrë këto 5 mijë lekë të reja”, thotë Majlinda.

Të njëjtën gjë thotë një tjetër banore e Vlorës. Luiza është një nënë fatlume pasi ka lindur dy fëmijë, një në 2018, dhe një në shkurt të këtij viti, por duke shprehur habi thotë se ka marrë menjëherë bonusin për lindjen e dytë dhe ende nuk e ka marrë bonusin e fëmijës së parë nga bashkia. “Me djalin dola e fituar se mora jo pak, por 800 mijë lekë se është fëmija e dytë që bëra tani në shkurt. Ndërsa me vajzën që lindi në maj të 2018 s’mora asnjë lek. Burri është interesuar pranë bashkisë por s’kemi lekë i kanë thënë”, pohon Luiza.

Në fakt Bashkia e Vlorës thotë se fondi i fundit për bonusin e bebeve është miratuar në fund të vitit 2018, ndërkohë që në këtë qytet figurojnë jo pak por 1,618 familje që ende nuk e kanë përfituar këtë bonus, pra që janë në listë-pritje. Kjo pasi bashkia nuk disponon fonde të tjera. Bashkia pohon se i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Brendshme për fonde të tjera. Kërkesa sipas saj është dërguar në 12 shkurt të viti 2020 dhe ende nuk ka marrë përgjigje. “Në listë pritje janë 1.618 fëmijë që duhet të përfitojnë bonusin, pra në total 8.090.000 (tetë milion e nëntëdhjetë mijë) lekë, fond për të cilin është bërë disa herë kërkesë nga ana jonë Ministrisë së Brendshme nga e cila akordohen këto fonde, ku kërkesa e fundit është bërë me Nr.1504 Prot. Datë 12/02/2020”, sqaron Bashkia Vlorë. Kurse për periudhën nga 1 Janari 2019 e në vazhdim, bonusi i bebeve shpërndahet nga Ministria e Shëndetësisë, pra bebet përfitojnë 40 mijë lekë të reja e lart, sipas numrit të lindjeve.

Por si në Vlorë, problemi qëndron dhe në Fier. Gleni është nja baba i ri nga qyteti i Fierit. Ai tregon për Portën Vendore se nuk i është dhënë shpërblimi për beben, ndërkohë që vajza ka lindur pas tërmetit të 26 nëntorit. “Në fillim mendova se ishte një shtyrje afati për shkak të situatës që po kalonte vendi, pasi nuk kisha dijeni që kjo ndodhte rëndom. Mbaj mend që kryeministri ka thënë që bebet do të marrin dy shpërblime duke nisur nga 1 janari 2019, një nga qeveria dhe që ishte ai prej 40 mijë lekësh për ne, që e kishim fëmijën e parë dhe një nga pushteti vendor, ndaj s’e kuptoj pse nuk e lëvrojnë akoma shpërblimin e vajzës time. Si unë ka me mijëra të tjerë në Fier, por kur shkojmë në zyrat e gjendjes civile ato punonjëset na përcjellin duke na thënë që nuk ka dalë ende fondi”, tha Gleni për Portën Vendore, ndërsa shprehet i bindur se do t’i shkojë kësaj çështjeje deri në fund, më shumë për rëndësinë dhe domethënien që ky shpërblim ka për të, sesa për vlerën monetare.

Ligji Nr. 10 129, datë 11.5.2009 PËR GJENDJEN CIVILE thotë qartësisht në pikën 4 dhe 5 se:

“Kur regjistrimi i lindjeve kryhet brenda 60 ditëve, për lindjen brenda vendit dhe brenda 90 ditëve, për lindjen jashtë vendit, nëna përfiton shpërblim në masën 5 000 (pesë mijë) lekë. Fondi për shpërblimin e përmendur në pikën 4 të këtij neni, përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe

tërhiqet pranë bashkisë/njësisë bashkiake/komunës përkatëse.”

Edhe Anila tregon se për dy fëmijët e fundit, lindur konkretisht në vitin 2014 dhe 2019 nuk ka marrë bonusin e bebes. “Fëmijët e mi janë rritur, djali mbushi 5 vjeç e vajza po afron 2 dhe s’kemi marrë asnjë bonus. Nuk di se ça bëhet kështu. Po ajo pagesa edhe na vlen se blen diçka, nuk është pak, pastaj shumëzim dy, i thonë 100 mijë lekë të vjetra. Ajo është pagesa e bebes dhe do të vlente për të në çdo rast, por nëse deri para disa kohësh i kisha shpresat që do t’i merrnim ato lekë, tani i kam humbur fare”, tha ajo për Portën Vendore, ndërsa thekson se ka marrë bonus vetëm për vajzën e madhe, 8 vite më parë.

Ndërkaq Bashkia Fier nuk jep shifra sesa bebe janë në listë pritje në këtë qytet për të përfituar bonusin e bebeve, por duke nisur nga viti 2019, ajo e ka hequr bonusin për nënat e reja që jepet nga organet e qeverisjes vendore, me pretekstin se shpërndahet nga Ministria e Shëndetësisë. “Për vitin 2019 dhe 2020 Bashkia Fier nuk është e përfshirë në shpërblimin prej 5 000 lekësh pasi me Vendim nr. 740, datë 12.12.2018 për përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura dhe procedurën e dhënies së tij, gjithçka kalon nga Ministria e Shëndetësisë. Bashkia referuar ligjit nuk raporton dhe nuk kërkon fonde për shpërblimin prej 5000 lekësh”, sqaron Bashkia Fier, duke mos iu përgjigjur pyetjes së Portës Vendore se sa është numri i përfituesve për vitin 2019 dhe sa është për vitin 2020 deri tani. Megjithatë, nëse i referohemi ligjit në asnjë rast nuk shkruhet se meqenëse Ministria e Shëndetësisë do shpërndajë një bonus financiar për bebet e sapolindura, bashkitë të heqin dorë dhe të mos e shpërndajnë më këtë bonus.

“Ky është një detyrim ligjor prej 2008 në bazë të ligjit 9929 megjithëse në shumë qytete ky bonus nuk ka vijuar të disbursohet që prej 2016”, thonë juristët e Klinikës Ligjore.

Pra ky ligj nuk ia heq këtë detyrim bashkive. Madje edhe në emailin që Ministria e Shëndetësisë ka dërguar në datën 1 janar 2019, dhe që Porta Vendore e disponon, ky argument i përdorur nga Bashkia Fier nuk ekziston i shkruar.

“Nga sot, nis të zbatohet politika e re sociale e Qeverisë që mbështet familjet e reja, me pagesën universale të Bonusit të Bebes, e cila jepet për çdo familje, pavarësisht statusit social-ekonomik. Pagesa për lindjen e fëmijës së parë është 40 mijë Lekë; Për fëmijën e dytë 80 mijë Lekë; Për fëmijën e tretë, të katërt e në vijim bonusi i bebes është 120 mijë Lekë për çdo fëmijë; Për nënat që lindin binjakë masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë lekë) për secilin fëmijë; Për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përftimit do të jetë në masën 120 000 (njëqind e njëzetë mijë lekë) për secilin fëmijë. Duke filluar nga sot, prindërit e kryejnë regjistrimin e fëmijës së porsalindur në Maternitet në sportelet e gjendjes civile të hapura në 37 maternitete të vendit, duke lehtësuar dhe procedurën e regjistrimit fillestar të të porsalindurve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kujdesit Social.

Edhe Tirana ka pasur probleme në shpërndarjen e bonusin. Dario, një baba i ri, familja e të cilit u shtua një vit më parë me një djalë, i tha Portës Vendore se pavarësisht se djali po shkonte një vjeç e gjysmë sërish nuk e ka marrë bonusin prej 5 mijë lekësh nga bashkia.

 “Është fëmija i tretë, më vjen keq që djali im sot po shkon 1 vjeç e ca dhe ende nuk e ka marrë atë shpërblimin që i takon. Kam shkuar disa herë tek njësia administrative për të marrë dokumente të ndryshme familjare, hera e fundit ishte para pandemisë ku mora një certifikatë lindjeje të bebes dhe ende nuk kishte dalë asnjë lloj bonusi, madje ato recepsionistet më thanë që nuk jam i vetmi, pasi radha është e gjatë. Nuk është puna tek ai 5 mijë lekshi, më kupto, por më shumë tek ideja që një shpërblim që na takon duhet ta marrim medoemos, ashtu sikurse shteti na merr me çdo kusht taksat dhe tarifat që shtohen dita-ditës duke shtrenjtuar jetesën tonë”, tha Dario, një prind i ri rreth të 35-ve, i cili ka dy vajza dhe një djalë.

E pyetur nga Porta Vendore, Bashkia Tiranë njoftoi se ka likuiduar çdo muaj bonusin e bebeve për të sapolindur dhe për vitin 2019 kanë përfituar 8,285 të porsalindur, ndërsa për vitin 2020 ka likuiduar shpërblimin për 1,106 të sapolindur.

Në muajin shkurt të këtij viti, kryebashkiaku Veliaj njoftoi vendimin që çeku prej pesë mijë lekësh në formën e një bonusi për çdo jetë të re që i shtohet qytetit, të zëvendësohet me një shportë me produkte që do të blihen nga bashkia. Konkretisht më 5 shkurt Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin “për shportën e bebes”, dhe u tha se shporta do të përmbante gjërat elementare që i duhen një bebeje të sapolindur si pelenat njëpërdorimshme, letrat e lagura, kremin, vajin, biberonin fals e deri te libërthi për kujdesin ndaj fëmijës në vitin e parë të jetës.

Por, ndryshe nga sa shprehet bashkia, shumë qytetarë të kryeqytetit shprehen se nuk e kanë përfituar këtë bonus. Ermali, i cili është bërë prind për herë të parë në muajin gusht të vitit 2019, shpjegon se shpërblimin prej 40 mijë lekësh e ka marrë direkt me çek në maternitet, por atë të bashkisë nuk e di se kur do ta marrë. “Kam shkuar deri në muajin dhjetor dhe jam interesuar pranë gjendjes civile në njësinë nr. 2 bashkiake në Tiranë, kur më duhej të merrja dhe një certifikatë personale për beben, por që shpërblimi as që dukej në horizont. Punonjësja e gjendjes civile më tha se ende nuk ka dalë asgjë. Për mua është i çuditshëm fakti që të ndodhë kjo dhe në Bashkinë Tiranë, që është bashkia me të ardhurat më të mëdha në vend”, shpjegon Ermali.

Kurse Ina, po nga Tirana, e cila është bërë nënë prej dy muajsh tregon se ka përfituar në maternitet bonusin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe se nga bashkia nuk ka marrë asnjë shporte ndihme, por as shpërblimin prej 5 mijë lekësh.

“Mua më qëlloi pak keq sepse linda në fillim të marsit. Sapo ishte shpallur gjendja e famshme e luftës dhe me thënë të drejtën nuk e kemi pasur shumë mendjen tek shporta e bebes apo te bonusi. Por fatmirësisht atë 400 mijë lekëshin e mora, ndërsa tjetër gjë jo. Jemi ruajtur nga koronavirusi se kishim shumë frikë ato ditët e para dhe kaq, po mirë do kishte qenë ta kisha marrë një shportë me produkte bebe se me thënë të drejtën fëmija ka shumë shpenzime dhe duhet ndihmë nga shteti”, tregon Ina për Portën Vendore.

Por në përgjigje të pyetjeve drejtuar nga Porta Vendore, Bashkia Tiranë njofton se për shkak të situatës së krijuar nga pandemia covid-19, Bashkia e Tiranës ka pezulluar shpalljen e procedurave për prokurim publik dhe si rrjedhojë fëmijët që kanë lindur nga muaji shkurt deri në maj të këtij viti nuk kanë përfituar as bonusin prej 5 mijë lekësh dhe as shportën me produkte të premtuara nga bashkia.

Por si Ermali dhe Ina ka dhe shumë qytetarë të tjerë që ende nuk e kanë përfituar bonusin, ndaj Porta Vendore pyeti Bashkinë Tiranë për një shifër mbi familjet që janë në listë pritje. “Për sa i përket numrit të familjeve që janë në pritje të këtij bonusi nuk mund ta përcaktojmë dot sepse është në varësi të numrit të lindjeve të banorëve të Tiranës”, theksoi Bashkia Tiranë, duke mos dhënë një përgjigje konkrete në lidhje me listë-pritjen aktuale.

“Deri në qershor të vitit 2019, qeveria kishte ende rreth 293 milionë lekë, apo rreth 2.3 milionë euro detyrime të pashlyera në zërin e shpërblimeve të lindjes. Ky zë përfshin 5000 lekëshin që duhet të kishin përfituar bebet e lindura në të gjithë vendin, sipas skemës së vjetër dhe që ende nuk iu është dhënë familjarëve, pavarësisht se fëmijët janë regjistruar. Të dhënat zyrtare tregojnë se Ministria e Brendshme ka raportuar një borxh total të sajin prej 713 milionë lekësh, nga të cilat më pak se 1/3 është pikërisht pjesa e shpërblimeve të lindjes të pashpërndara”, raporton revista Monitor. Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Brendshme por megjithëse kaloi afati 10 ditor nuk mori një përgjigje. Gjithashtu kontaktuam edhe zëdhënësin e këtij institucioni, por sërish Ministria e Brendshme nuk ndau asnjë informacion mbi fatin e shpërblimit të bebeve që pritet nga mijëra qytetarë në vend.