10 qershor 2020/ Gjergj Figuri/ Porta Vendore/ Lezhë
Quhet Pallat Kulture, por vetëm emrin ka të tillë, sepse prej tij prodhohet shumë pak art e kulturë. Kështu ndodh në Lezhë, me ambientin e vetëm kulturor të këtij qyteti, Pallatin e Kulturës “Dedë Ndue Lazri”. Kur flitet për shfaqje artistike, lezhjanët duhet të marrin masa shtesë krahas blerjes së biletës. Askush nuk mund ta mendojë situatën me të cilën do të përballet nëse nuk ka dijeni se për çfarë bëhet fjalë. Prej vitesh, degradimi thellohet në këtë tempull të kulturës për të ardhur deri më sot, kur mungojnë elementët më të domosdoshëm.
Rapsodi Llesh Gjin Prenga është një prej artistëve të këtij qyteti që ka marrë pjesë shumë herë në aktivitetet e organizuara në sallën e pallatit të kulturës, e po kaq shumë herë është sprovuar me vështirësitë që në fakt ka çdo artist që provon të ngjitet në skenën e tij. Sapo hymë në hollin e pallatit, Lleshi nis e tregon për këto peripeci dhe qesh ndërsa flet për gjëra që duket se janë trillime, nëse vërtet nuk e ke shkelur këtë godinë të artit lezhjan.
Prej 10 vitesh, ai herë pas here këndon për publikun lezhjan sepse ia do zemra të këndojë, por nuk e fsheh zhgënjimin për kushtet që nuk janë. “Salla len për të dëshiru, nuk ka të nxehtë e nuk ka fresk për verën, kurse na vijmë gjithmonë të veshun se nuk ka një vend për me ndrrue teshat”. Llesh Gjin Prenga ka akoma më shumë për të thënë dhe as vetë nuk e di nga t’ia fillojë për të treguar atë që i mungon pallatit të kulturës në Lezhë. Duke folur për Porta Vendore, ai shpjegon se ndërsa këndon në skenë i duhet të bëjë kujdes sepse dërrasat janë kalbur e mund të bjerë. Ambienti është i ftohtë dhe artistët dalin në skenë duke u dridhur në dimër e ndërsa në verë veshjet kombëtare e bëjnë akoma më të vështirë performancën e çdo artisti.
Duket si paradoksale të mendohet, por Lleshi nuk ngurron e flet edhe për një element që turpërisht i mungon këtij pallati, tualetet. Sipas tij, nuk mund të mendosh se do të shkosh të shohësh një aktivitet artistik, por që të duhet të marrësh masa dhe të planifikosh se aty nuk ka tualete. Fatmirësisht si për artistët ashtu edhe për spektatorët, pallati i kulturës ndodhet shumë pranë bareve, duke i parë ato si zgjidhjen e vetme për të shpëtuar nga halli, ndërsa mund të kesh menduar vetëm për tu argëtuar.
Janë këto kushte që ndikojnë edhe në uljen e performancës artistike duke sjellë për pasojë edhe bojkotin nga spektatori lezhjan. Rapsodi Prenga na thotë se shumë këngëtarë nuk pranojnë të dalin në skenë për shkak të temperaturave në dimër e verë, e po kështu duke munguar edhe spektatori, kanë krijuar një gjendje aspak shprese për artin lezhjan.

Vështirësitë dhe problematikën e paraqet edhe artisti Mjeshtër i Madh Mark Gjoka. Prej pak muajsh, ai është vendosur edhe në funksionin e Përgjegjësit të Pallatit të Kulturës “Dedë Ndue Lazri” në Lezhë, por nuk ngurron të flasë për degradimin e këtij institucioni arti.
Duke folur për Porta Vendore, Mark Gjoka shpjegon se ka gjetur një pallat kulture që nuk është funksional edhe pse ndërtimi i tij nuk është më larg se viti 1983. “Për kohën, ka qenë shumë i avancuar. Kishte ambiente provash për formacione të vogla dhe të mëdha, vokale dhe orkestrale, ansamble, estrada, teatër, bandë frymore dhe orkestër simfonike. Kishte një sallë koncertesh dhe skenë të pranueshme për kohën, tualete dhe ujë. Kishte një magazinë të kompletuar me kostumografinë e trevave etnografike të Lezhës, sallën e grupit të valleve dhe sallën e leksioneve. Kishte një orkestër simfonike të kompletuar me instrumente muzikore, një formacion të kompletuar me instrumente popullore, një orkestër të kompletuar me instrumente folklorike si çifteli, sharki, fyej, lahutë, lauri, llaut, etj”, tregon Marku i cili e njeh mirë këtë skenë sepse ka performuar shumë herë në të, ndaj sot di të thotë se çfarë i mungon.
“Sot kemi një pallat që ka vetëm një sallë koncertesh jo funksionale, pa sistem fonik, pa sistem ndriçimi, pa sistem ngrohje dhe ftohje, pa skenë të kompletuar profesionalisht, pa ujë dhe pa tualete. Me ulëse shumë të amortizuara për spektatorët. Pa kurim akustik të skenës dhe sallës, pa dhoma veshje për artistët, pa dhomë make-up. Vetëm një piano, pa asnjë instrument tjetër muzikor folklorik, popullor, apo i kultivuar. Një pallat kulture së fundmi i plasaritur shumë, pothuaj jashtë përdorimit nga tërmeti i nëntorit 2019”, tregon ai kontrastin në këtë pallat kulture për Portën Vendore.
Vetëm 15 vite më parë, në skenën e pallatit të kulturës në Lezhë viheshin më shumë se 15 shfaqje, rreth 50 aktivitete e plot takime tematike, por si janë shifrat sot. Specialistë të kulturës në Bashkinë e Lezhës na bëjnë me dije se tashmë ky rendimet dhe dëshira e artistëve për skenën e Lezhës ka rënë shumë. Jo më shumë se 3 shfaqje në vit, 12 aktivitete dhe ndoshta 10 takime tematike janë gjithçka që debuton sot ky institucion artistik në Lezhë. Prej rreth 15 vitesh, kjo godinë vetëm tretet nga brenda dhe mbetet fasada e lyer nga jashtë. Degradimi i saj vijon dhe ndërhyrjet sporadike nuk kanë bërë asgjë më shumë se arnime pa vlera për të ndryshuar fatin e “Shtëpisë së Artit” në Lezhën e Ansamblit Çiftelia, grupit Djemtë e Detit dhe shumë artistëve që e dëshironin vazhdimisht këtë skenë.

Ndërsa hymë në brendësi kupton hallin e artistëve dhe spektatorëve lezhjanë, e sigurisht me lehtësi kupton rënien e aktiviteteve artistike. Stolat e veshur me të kuqe vetëm sa fshehin shkëlqimin që kanë pësuar nga vitet, e në fund të sallës, ato do t’i gjesh të përmbysur mbi dysheme. Dikur kishte rreth 350 vende në sallë dhe rreth 50 vende në lozhë, ndërsa sot asnjë vend në lozhë e ndoshta 200 poltrone me shumë sakrificë në sallë. Ndriçimi i skenës është i sajuar nga specialisti që merret me skenën Theollor Bllahova, ndërsa fonia as që ekziston. Riparimet e vazhdueshme prej tij thjesht i kanë zgjatur jetën pallatit të kulturës, por larg normales për një institucion të tillë.
Dyert tregojnë moshën e tyre, dritaret diku pa kapakë e diku me xhama të thyer, janë dëshmi për problematikën që e shoqëron vizitën tonë e ku sigurisht ka shumë lagështi. Vendet ku dikur vendoseshin prozhektorët, sot duken si zgavra të hapur dhe pa asgjë brenda, shumë errësirë dhe pak ambiente që shfrytëzohen për artin. Edhe tërmeti i 26 nëntorit ka dhënë “kontributin” e tij. Çarjet në disa pjesë janë të thella, aq sa mund të mendosh se përbëjnë edhe rrezik. Thuajse në çdo pjesë të tij ka nga një të çarë që e përkeqëson akoma më shumë situatën në këtë pallat kulture. Tre katet e tij dhe hapësirat kaq të mëdha janë vuajtja shpirtërore e artistëve që e shohin çdo ditë rrënimin e tij. Për këto arsye të renditura sot, por që kanë nisur prej gati dy dekadash, shumë artistë i janë larguar tashmë Lezhës.
“Unë kam konstatuar gjatë këtyre viteve se janë larguar shumë artistë, por edhe spektatorët ose thënë më mirë artdashësi lezhjan është shumë i zhgënjyer duke parë degradimin e pallatit të kulturës dhe mungesën e vëmendjes. Edhe po doli ndonjë këngëtar apo instrumentist që të performojë, nuk vjen më publiku” thotë Prenga dhe këtu sigurisht artisti ka të drejtë. Kush do të dëshironte vuajtjet ndërsa ka menduar se duhet të argëtohet?!
“Ka 30 vite që artistët ndjehen të lënë pas dore”, thotë Mark Gjoka duke folur si një artist që e dashuron artin. Ai thotë se me tranzicionin, pallati i kulturës u “pushtua” nga individë, parti dhe shoqata që nuk kishin lidhje me artin dhe kulturën e Lezhës. “Që arti dhe kultura lokale kaloi një tranzicion shkatërrues duke u shkëputur totalisht në mënyrën më të çorganizuar nga Ministria e Kulturës, Instituti i Kulturës, Universiteti i Arteve, Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera kombëtare të specializuara dhe të profilozuara në fushën e artit dhe të kulturës. U vodhën, shpërdoruan dhe u shkatërrua e gjithë baza materiale e institucionit”, tha Gjoka për Portën Vendore.
Për artistin Mark Gjoka, në këtë institucion u afruan njerëz jashtë profilit, duke detyruar specialistët dhe profesionistët të iknin jashtë Shqipërisë. Duke stopuar, por dhe shkuar në regres, të gjitha mënyrat dhe format e edukimit të brezit të ri të artistëve si dhe jetës artistike dhe kulturore të komunitetit u shpërbenë. “Për 30 vite kemi mbështetje shumë të vogël dhe shumë herë sporadike financiare. Rikonstruksioni i pallatit do të ishte një zgjidhje e mirë për të ndryshuar edhe raportet në art dhe për të kthyer spektatorët në salla”, tregon artisti Prenga, zemra e të cilit “qan” për një pallat të denjë kulture. Llesh Gjin Prenga shpreh dëshirën e tij për të pasur gjërat më elementare, sisteme ajrimi dhe kondicionimi, dhoma ndërrimi, tualete, një skenë dinjitoze dhe stola për spektatorët dhe shpreson se kjo do të realizohet një ditë.
Duke vijuar më tej, Marku shkon përtej dëshirës së kolegut të tij. Duke folur për nevojën e ndërtimit të një pallati “të ri” dhe me parametra europianë ai thotë se nëse është e mundur, duhet i ri, nëse jo, të ristrukturohet krejtësisht ekzistuesi.
“Një pallat që të ketë sallë koncertesh të kompletuar me sistem modern fonie, ndriçimi dhe miksimi, tualete dhe ujë, sistem kondicionimi, sisteme kundër zjarrit, sallë të muzikës klasike, studio provash për të gjitha gjinitë dhe grupet muzikore dhe të teatrit, studio miza skenimi, make up etj”, thotë emocional ai.
Me doza të shtuara emocioni, Mark Gjoka shpjegon se janë edhe disa nevoja që lidhen me pasjen e magazinave të kostumografisë, e cila duhet të përfshijë të gjitha trevat që sot kanë komunitet në Lezhë, por edhe me gjerë, të instrumenteve të folkut. “Një pallat ku të ketë hapësira për zhvillimet artistike të Lezhës së sotme. Një pallat që ka një sallë mbledhjesh dhe një muzeum etnografik me parametra, por që duhet të ketë edhe një Galeri të Arteve”, shton ai.
Duket se edhe kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, qëndron krah me artistët kur flitet për rinovimin e Pallatit të Kulturës në Lezhë. Ai ka folur për këtë çështje në 54-vjetorin e themelit të Ansamblit Çiftelia. I ndodhur para artistëve ka folur edhe për brengën e tyre, Pallatin e Kulturës. Ka pasur një premtim për ta dhe sigurisht që do të jetë i monitoruar sepse flitet për diçka të madhe dhe të pritshme prej 3 dekadash, rikthimin e ambienteve në funksion të plotë të artit dhe kulturës.
“Unë do të bëj çmos që të tjetërsohet ai pallat. Ai është një dhimbje koke për bashkinë dhe nuk mund të bashkëjetojmë me të në këto kushte që ndodhet. Pikë së pari duhet një projekt që nuk ekziston. Do të rialokojmë fonde për të realizuar një projekt ambicioz dhe konkurrues mbi të gjitha për atë pallat. Nëse do të bëjmë me qeverinë, me donatorë apo me fonde bashkie këtë s’e dimë akoma, por dimë që ai pallat nuk mund të qëndrojë më ashtu siç është tani, në atë lloj gjendje”, tha kryebashkiaku Ndreu.
Shumë artistë këtë deklaratë e morën me rezervë, sepse ata e dinë që duhen shumë para. Duke parë këtë stepje të të pranishmëve në sallën e QKF-së ku ndodhej për të ndarë certifikata mirënjohje për disa prej tyre që kanë kontribuar në artin e Lezhës, kryeqytetari i saj Pjerin Ndreu vijoi duke theksuar se ai pallat duhet të sillet në normalitet, pasi duhet të jetë një vend që rrezaton kulturë vetë si objekt dhe më pas edhe të realizohen aktivitete kulturore. “Një vend ku shkohet për të parë një shfaqje dhe duhet të marrësh batanije me vete është anormale dhe e papranueshme. Unë di të them se do ta bëjmë, dhe do të nisim të vendosim që tani themelet duke realizuar së pari projektin e munguar e për të vijuar në sigurimin e fondeve. Ndërtimi i këtij objekti kulture në themelet e tij do të jetë një sfidë, por ky është një detyrim për artin lezhjan, brezat e artistëve që na lanë ne kaq shumë trashëgimi, por edhe për të rinjtë e brezat që po rriten në këtë qyte,t edhe falë shkollës së muzikës që po funksionon prej 5 vitesh në këtë qytet. Ne mendojmë se do të gjejmë shumë mbështetje për të realizuar këtë qëllim”, tha ai.
Pallati i kulturës “Dedë Ndue Lazri” në Lezhë vazhdon të lëngojë, dhe ndoshta është një moment që krahas bashkisë edhe Ministria e Kulturës duhet të kuptojë se vërtet ky qytet e ka këtë nevojë për ta zgjidhur sepse nuk mund të konceptohet sallë koncertesh pa kushtet minimale, pa tualete, pa ulëse stolash, pa foni e pa ndriçim, pa ngrohje e ftohje, thjesht pa asgjë.