Ndodhi

Durrësi kthehet në pirg mbeturinash, Porto-Romano mbylli dyert për mbetjet

9 Qershor 2020/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Qyteti i Durrësit prej më shumë se një jave përballet me mbetjet që kanë tej mbushur kontejnerët dhe kanë zënë trotuaret si rrjedhojë e mbylljes së fushës së depozitimit të mbetjeve në Porto-Romano. Shërbimi komunal i Bashkisë Durrës nuk ka mundur të tërheqë mbetjet si rrjedhojë e mungesës së një vend depozitimi për t’i dërguar. Porta Vendore ishte e para media që zbuloi se Bashkia Durrës vijonte derdhjen e mbetjeve në Porto Romano, ku pas publikimit të shkrimit, filluan të gjendeshin forma të tjera alternative përqark Durrësit. Ndërsa bashkia gjithashtu është përballur me protestat e qytetarëve në Sukth e Manzë.

Bashkia po përballet me mungesën e financave për t’i dërguar mbetjet në landfillin më të afërt, që mendohet të jetë ai i Sharrës, në Tiranë, teksa i ka kërkuar ndihmë financiare qeverisë qendrore, megjithëse situata ishte e njohur që herët nga autoritetet.

 “Jemi në bisedime me qeverinë shqiptare për të zgjidhur përfundimisht problemin se ku do të depozitohen mbeturinat”, shpjegoi bashkia në një përgjigje zyrtare. “Po kështu bashkia i ka kërkuar Ministrisë së Financave një fond të posaçëm që do të bëjë të mundur depozitimin e mbetjeve në vend depozitimin më të afërt me Durrësin”, përfundon sqarimi zyrtar.

Mbetjet urbane kanë pushtuar rrugët e Durrësit teksa bashkia nuk i tërheq në mungesë të një vend depozitimi pasi qeveria mbylli atë në Porto-Romano. Foto: Geri Emiri

Tentativa e bashkisë për t’i dërguar mbetjet në vend depozitimin e Sukthit u pengua nga protesta e banorëve të zonës, që kundërshtuan zgjidhjen provizore të bashkisë. Paraditen e së shtunës një pjesë e mbetjeve të qytetit u depozituan në vendgrumbullimin e Manzës, veprim të cilin e kundërshtuan banorët e zonës. Protesta e tyre ka vijuar edhe gjatë mbrëmjes së të martës të 7 qershorit. Ndërsa më herët në lidhje me të njëjtën problematikë protestuan edhe banorët e Sukthit.

Teksa qeveria bën thirrje për marrjen e masave mbrojtëse ndaj COVID-19, banorët e Durrësit po përballen me rrezikun e infektimit nga mbetjet urbane. “Kjo situatë nuk jep sëmundje akute por lë pasoja sepse bie imuniteti i trupit për shkak të mikrobeve që përmbajnë mbeturinat”, analizon Baki Myrtollari, me profesion veteriner.

Bakiu jeton prej 17 vitesh në zonën e ish-Kënetës. “Ky është një problem me të cilin ne përballemi prej vitesh, i kam dërguar kërkesë nga kryeministri tek bashkia”, shpjegon Baki Myrtollari. “Kjo ishte një situatë e paralajmëruar dhe duhen marrë masa menjëherë për zgjidhjen e saj”, përfundon 59 vjeçari.

Mbetjet urbanë kanë përfunduar në kanalet bujqësore të cilat derdhen në Detin Adriatik. Foto: Geri Emiri

“Kjo është një bombë mjedisore dhe shëndetësore”, analizon Klaudio Hyseni. “Qyteti nuk ka arritur të zhvillohet në zonën e Porto-Romanos sepse askush nuk do të shkojë atje dhe po e kthen qytetin në shterpë”, përfundon drejtuesi i Qendrës Durrësi Aktiv, një organizatë jofitimprurëse.

Hyseni shpjegon se po zbaton projektin “Qytetarët e Durrësit aktorë dhe faktorë në vendimmarrjen lokale”, që mbështetet nga Lëviz Albania, në kuadër të të cilit po monitorohen kanalet bujqësore ku derdhen ujërat e zeza që më pas përfundojnë në det, dhe një pjesë e mbetjeve urbane nga kontejnerët e tej mbushur kanë përfunduar në këto kanale.

Projekti i qeverisë shqiptare për ndërtimin e “Eko-Park” në vendgrumbullimin e mbetjeve në Porto-Romano parashikon që në fushën prej 155 mijë metrash katrorë të ndërtohen ambiente sportive, me 3 fusha basketbolli, 1 fushë mini-futbolli dhe 2 fusha tenisi, parkim, kopsht botanik, mure kacavjerrës prej 28 metrash (“climbing”), kënde lojërash dhe hapësira dedikuar aktiviteteve sportive.

Mungesa e një plani efikas për tërheqjen e mbetjeve, dhe dërgimi i tyre në një vendgrumbullim të ri pas mbylljes së fushës së mbetjeve në Porto-Romano, ashtu sic ka raportuar edhe Porta Vendore, ishte paralajmëruar që me shpalljen e gjendjes së emergjencës mjedisore nga Këshilli Bashkiak i Durrësit, më 11 korrik 2018.