Ndodhi

Në qiell të hapur që në janar, por shembja dhe rindërtimi janë ende larg

8 qershor 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë

Me kërkesë të Bashkisë Lezhë në fund të muajit janar 2020, banorët e pallatit 4 katësh në lagjen “Skëndërbeg” vepruan me shpejtësi për të boshatisur apartamentin ku ka jetuar, pasi pallati u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pas vlerësimit të thelluar u vendos që të shembej.

Man Sinani largoi gjithçka nga apartamenti ku jetoi prej shumë vitesh për t’i hapur rrugë shembjes dhe rindërtimit, por sot, pas më shumë se 4 muajsh, pallati 4-katësh në lagjen “Skëndërbeg” vijon të jetë në këmbë dhe ende nuk ka nisur asnjë ndërhyrje.

“Pallati ku kam jetuar u dëmtua rëndë nga tërmeti dhe u shpall i pabanueshëm. Pas vlerësimit të thelluar që iu bë na thanë se është marrë vendim që të shembet dhe na u kërkua me shpejtësi që të heqim të gjitha materialet nga shtëpia. Menjëherë u vura në lëvizje dhe me ndihmën e të afërmve brenda ditës hoqa të gjitha orenditë nga shtëpia, madje edhe dyert e dritaret. Ashtu si unë bënë edhe fqinjët e tjerë dhe të gjithë iu gëzuam faktit se do të veprohet shpejt dhe do të nisë ndërtimi, duke qenë se na thanë se lekët e financimit janë siguruar” thotë Sinani, i cili i përket komitetit rom. Por nga ajo ditë e deri më sot nuk është bërë asgjë.

“Kanë ardhur disa herë përfaqësuesit e bashkisë dhe kanë thënë do shembet sot jo nesër, por asgjë nuk është bërë. Nuk e dimë arsyen pse nuk veprohet për të nisë sa më parë rindërtimi. Ne nxituam për të liruar shtëpitë me shpresën se po bëhet diçka, por me çfarë po shikoj asgjë nuk po bëhet. Tani që ka kap edhe virusi është harruar fare kjo punë dhe kam shumë pak besim se do të kem sërish shtëpinë time”, thotë Man Sinani për Portën Vendore.

Pasi doli nga palestra ku qëndroi i strehuar për gati 2 muaj, Man Sinani thotë se së bashku me familjen ka ngelur në mes të 4 rrugëve, pasi nuk mund të gjejë shtëpi me qira ku mund të strehohet përkohësisht.

“Menjëherë pas tërmetit të gjithë banoret e pallatit u strehuam tek palestra e shkollës së mesme. Pas dy muajsh na nxorën nga ty me argumentin se na kishin dhënë pagesën e bonusit të qirasë. Që prej fundit të janarit unë kam ngelur rrugëve së bashku me familjen sepse s’kam arritur të gjej shtëpi me qira. Për shkak edhe të ngjyrës, jemi të diskriminuar, s’na jep kush as banesa. Në këto kushte së bashku me 4 pjesëtarët e familjet jemi të strehuar tek njerëzit tonë sa tek njëri sa tek tjetrit”, vijon më tej Sinani.

Vonesa e tejzgjatur dhe mungesa e një vend strehimi ka detyruar 6 familje që të rikthehen sërish në apartamentet e shkatërruara. Mimoza Zyberi thotë se qëndrimi në këtë objekt është mjaft i rrezikshëm, por nuk ka zgjidhje tjetër.

“Kam kërkuar për shtëpi me qira, por nuk kam mundur të gjej. Kur na nxorën nga palestra ku ishim vendosur përkohësisht, u strehova për disa kohë tek të afërmit e mi me shpresën se pallati do të rindërtohet sa më shpejt sepse ashtu na patën premtuar. Por duke parë që s’po bëhej asgjë, s’mund të qëndroja pa fund tek të afërmit e mi, sepse ato janë në hall për vete. Ka disa javë që jam rikthyer tek shtëpia e shkatërruar së bashku me burrin. Këtu s’ka asnjë kusht sepse i patëm hequr edhe dyert e dritaret, ndërsa edhe qëndrimi këtu është mjaft i frikshëm, por s’kisha zgjidhje tjetër”, thotë Zyberi.

Banorët kanë përfituar bonusin e qerasë, por thonë që nuk kanë gjetur shtëpi.

Jemi 6 familje në rrënoja që është për tu shembur. Që po u shemb, ne nuk kemi ku t’i lejmë rrobat dhe ku të shkojmë pa gjetur një shtëpi. Nuk na jep kush shtëpi, bonusin e kemi marrë po është vlerë e vogël”, thotë një tjetër banor i këtij pallati.

Me 6 shkurt të këtij viti Këshilli Bashkiak i Lezhës miratoi shembjen e pallatit në fjalë, dhe të një tjetri në bllokut e banimit pranë lumit Drin në lagjen “Besëlidhja”. “Vendimmarrja u mor menjëherë pas vlerësimit të thelluar të këtyre objekteve, me qëllim që të niste sa më parë punë për rindërtimin e tyre, duke qenë se bashkia e kishte siguruar financimin për ndërtimin e tyre. Po pengesë për mosndërhyrjen është bërë mungesa e mjeteve logjistike, për të kryer shembjen e këtyre objekteve”, thotë nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj duke shtuar se:

“Duke qenë se kishim siguruar financimin ne vepruam shpejt për t’i hapur rrugë rindërtimit të dy pallateve të para që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Vendimi për shembjen e tyre është marrë që në shkurt dhe për shembjen e tyre kemi kërkuar mbështetjen e IKMT-së. Por duke qenë se IKMT ka pasur volum pune, ndërhyrja u vonua dhe më pas na kapi edhe situata e jashtëzakonshme e krijuar nga pandemia dhe u bllokuam”.

Nënkryetari i Bashkisë thotë se po shihet mundësia që të paktën për pallatin në lagjen “Skëndërbeg” të ndërhyjë vetë bashkia me mjetet e saj për ta shembur.

“Duke qenë se dinamika e punës është më e thjeshtë tek pallati në lagjen “Skëndërbeg”, po shohim mundësinë që të ndërhymë me mjetet tona për ta shembur me qëllim që t’i hapim rrugë menjëherë rindërtimit, duke qenë se dhe paratë i kemi siguruar. Janë rreth 2 milionë euro që kemi mbledhur nga donatoret dhe do përdoren për ndërtimin e dy pallateve dhe disa shtëpive private” tha Pacaj.

Pak ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Lezhës miratoi shembjen e 10 objekteve të tjera të dëmtuara nga tërmeti. Katër pallate në lagjen “Gurra”, tre pallate në lagjen “Besëlidhja”, një ndërtese 2-katëshe në lagjen “Skëndërbeg” si dhe shkolla e mesme “Llesh Nik Daka” në Shënkoll dhe shkolla 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” në qytetin e Lezhës, por as në këto objekte ende nuk ka nisur ndërhyrja për shembjen e tyre. Në bashkinë e Lezhë kanë ngelur rreth 400 familje të pastreha si shkak i dëmtimit të banesave nga tërmeti, ndërsa procesi i rindërtimit nga ngelur në vend numëro, kjo e diktuar dhe nga situata e jashtëzakonshme e krijuar nga pandemia COVID-19. Sipas të dhënave zyrtare, dëmi i shkaktuar nga tërmeti në këtë bashki është 35.6 milionë Euro ose 4% e totalit të dëmeve të shkaktuar në të gjithë Shqipërinë.