6 qershor 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Një ndër objektivat kryesorë të reformës territoriale administrative, të ndërmarrë në vitin 2014 ishte një eficiencë më e lartë në përdorimin e fondeve nga pushteti vendor. 5 vite më pas, të dhënat zyrtare tregojnë se paratë e taksapaguesve shqiptarë ende nuk përdoren si duhet.
Raporti i Financave Vendore për vitin 2019, i hartuar nga Coplan dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxjerr në pah se pjesa dërrmuese të fondeve që bashkitë kanë në dispozicion, përdoren për paga dhe shpenzime të tjera operative dhe shumë pak shkojnë për investime për qytetarët. Kështu, sipas të dhënave të www.financatvendore.al, për çdo 100 lekë të shpenzuara nga pushteti vendor, 71 lekë shkojnë për mbulimin e shpenzimeve korrente, ku përfshihen paga dhe shpenzime të tjera të administratës dhe 29 lekë shkojnë për investime. Të dhënat e raportit të Financave Vendore tregojnë se në vitin 2019, numri total i punonjësve në 61 bashkitë në vend ishte afërsisht 32.213 punonjës. Bashkia Tiranë llogaritet të ketë numrin më të lartë të punësuarve, me rreth 19.6% të të punësuarve total, ndjekur nga Bashkia Durrës me rreth 5% të tyre. Në bashkinë Elbasan dhe Fier janë të punësuar respektivisht 4.1% dhe 4% e të punësuarve total në nivel bashkie.
“Një ndër argumentet e reformës administrative dhe territoriale ishte pikërisht rritja e eficiencës në përdorimin e burimeve financiare dhe ngushtimi i kësaj kategorie të shpenzimeve. Kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi ka një prirje në rritje të tyre nga viti në vit. Ndërkohë, studimet tregojnë se në perceptimin e qytetarëve pak ka ndryshuar në cilësinë e shërbimeve publike vendore”, shprehet Merita Toska, eksperte për financat publike vendore.
Sipas të dhënave të raportit, në total, 61 bashkitë në vend shpenzuan mesatarisht rreth 30,514 lekë për frymë përgjatë vitit 2019, në përmbushje të funksioneve dhe kompetencave të përcaktuara në ligj. Sipas burimit të financimit, shpenzimet me fonde të veta rezultojnë të jenë rreth 19.949 lekë për frymë (në rritje me rreth 15.7% në terma vjetorë) dhe me fonde të kushtëzuara rreth 10,564 lekë për frymë (-12.6% në terma vjetorë). Pavarësisht burimit të financimit, në funksion të qeverisjes vendore u shpenzuan rreth 85.4 miliardë lekë[i] në fund të vitit 2019, në rritje me rreth 4.0% në terma vjetorë.
Bashkitë të varura nga dy taksa
Bashkitë volën më shumë taksat dhe tatimet gjatë vitit 2019. Sipas të dhënave të Raportit të Financave vendore, totali i të ardhurave që bashkitë grumbulluan me burimet e veta vendore (taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asete dhe të tjera) regjistruan një vlerë prej rreth 25.6 miliard lekë, në rritje me rreth 5.5% në terma vjetorë, ose rreth 1.4 miliard lekë më të larta nga niveli i regjistruar vitin e mëparshëm. Por nga se ka ardhur kjo rritje e të ardhurave: nga rritja e taksave apo nga mirëadministrimi? “Rritja është efekt i dyfishtë, rritjes së taksave (taksa e ndërtesës) dhe mbledhja më e mirë e tyre, duke përdorur si agjente tatimore kompanitë e ujësjellës kanalizime. Me të dhënat në dispozicion nuk arrijmë të studiojmë në mënyrë specifike kontributin e secilit prej këtyre faktorëve”, shprehet Merita Toska, eksperte për financat publike vendore, hartuese e raportit.
Të dhënat e detajuara të raportit vjetor të Financave Vendore tregojnë se bashkitë janë të varura nga dy taksa të vetme: taksa e ndikimit në infrastrukturë, që është e lidhur me lejet e ndërtimit dhe taksa e pronës, që paguhet nga qytetarët për banesat e tyre dhe bizneset, për ambientet ku ushtrojnë aktivitet. Nga këto dy taksa mblidhen 85.5% e totalit të të ardhurave të pushtetit vendor.
“Në tre vitet e fundit, performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elementë: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall). Ndërkohë që pesha e kësaj të fundit është tkurrur, pesha e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtime të reja është rritur me ritme të përshpejtuara. Në vitin 2019, këto dy lloje taksash përfaqësuan 85.8% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore. Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan tkurrjen edhe përgjatë vitit 2019. Gjithashtu, seria e të dhënave për taksat vendore përjashtuar Bashkinë Tiranë tregon për një prirje rritëse të moderuar të të ardhurave nga taksat vendore për 60 bashkitë përgjatë periudhës 2010-2019”, theksohet në raport.
Ekspertët shpjegojnë se një varësi e tillë e bashkive ndaj dy taksave të vetme dhe veçanërisht nga ajo e ndikimit në infrastrukturë që është e përkohshme është një problem për financat vendore. “Varësia financiare sigurisht është një dobësi e madhe për bashkitë, pasi nuk kanë burime dhe mundësi të ndërmarrin politika dhe të kryejnë investime në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetesës së komuniteteve në mënyrë të pavarur. Taksa e ndërtesës duhet të ketë peshë më të madhe dhe të mblidhet efektivisht, kjo duhet të mbajë peshën më të madhe në buxhetin vendor në terma afatgjatë. Në të kundërt, taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja ka natyrë ciklike, varet nga kërkesa për zhvillime te reja, presion i cili paraqet diferenca të theksuara ndërmjet bashkive”, shprehet Merita Toska, eksperte për financat publike vendore, hartuese e raportit.
Shpenzimet vendore: Si i përdorën bashkitë paratë?
Përdorimi i burimeve financiare në dispozicion përbën anën tjetër të rëndësishme në menaxhimin financiar publik vendor. Rëndësia e qeverisjes vendore në terma të shpenzimeve rezulton të jetë rritur duke filluar prej vitit 2015. Treguesi i shpenzimeve të kryera me fonde të veta ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto shënoi rritje nga rreth 2.3% në 3.3% në fund të vitit 2019. Të dhënat e raportit të Financave Vendore 2019 tregojnë se qeverisja vendore kanalizon 71% të burimeve financiare totale për mbulimin e shpenzimeve korrente dhe rreth 29% për shpenzime kapitale ose ndryshe investime. “Përmirësimi i performancës në kahun e të ardhurave u pasqyrua në rritjen e shpenzimeve të bashkive. Në këtë drejtim, zgjerimi i shpenzimeve vendore u përcaktua kryesisht nga rritja e shpenzimeve korrente. Ndonëse në rritje shpenzimet kapitale mbeten në nivel relativisht të ulët dhe u vlerësuan në 1.5% të PBB-së”, shprehet Toska.
Sipas të dhënave të raportit, në fund të vitit 2019, mjetet financiare të kanalizuara nga 61 bashkitë në vend, regjistruan një vlerë prej rreth 85.1 miliardë lekë, shifër kjo rreth 4% më e lartë se ajo e regjistruar në vitin e shkuar. Përjashtuar shpenzimet e kryera me fonde të trashëguara nga viti i mëparshëm, rezulton se bashkitë kanë shpenzuar në vitin 2019 rreth 81.1 miliardë lekë, rreth 0.6% më shumë se një vit më parë. Shpenzimet me fondet e veta të bashkive regjistruan një nivel prej rreth 55.9 miliardë lekë në fund të vitit 2019, duke shënuar një rritje prej 15.7% krahasuar me vitin e mëparshëm. Shpenzimet e kryera me fonde të kushtëzuara shënuan një vlerë prej rreth 29.6 miliardë lekë, në ulje me rreth 4.2 miliardë lekë në terma vjetorë apo me rreth 12.6%. Në terma strukturorë, rreth 65.4% e shpenzimeve u krye me fonde të veta, ndërsa 34.6% e tyre me fonde të kushtëzuara.
Shpërndarja e shpenzimeve sipas funksioneve të ushtruara nga qeverisja (vendore apo qendrore) tregon sesi qeverisja vendore dhe ajo qendrore ndajnë mes tyre ushtrimin e funksioneve dhe të kompetencave. Duke përjashtuar mbrojtjen, si një funksion i ushtruar ekskluzivisht në nivel qendror, në funksionet e tjera pesha e qeverisjes vendore rezulton ndjeshëm më e ulët se ajo e qeverisjes qendrore. Bashkitë ushtrojnë kompetenca më të zgjeruara në funksionin e strehimit dhe komoditeteve të komunitetit (rreth 45.7% e shpenzimeve kryhet nga qeverisja vendore) dhe në funksionin e argëtimit, kulturës dhe çështjeve fetare (rreth 39.0% e shpenzimeve kryhet nga qeverisja vendore). Gjithashtu, në vitin 2019 rreth 63% e shpenzimeve në funksionin e mbrojtjes së mjedisit u krye nga qeverisja vendore.
Detyrimet e prapambetura: sa rëndojnë në buxhetet e bashkive?
Detyrimet e prapambetura të bashkive u evidentuan në mënyrë sistematike duke filluar prej vitit 2015 në vijim të miratimit të VKM nr. 50/2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të planit të veprimit” dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave nr. 5/2014 “Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura”. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në fund të vitit 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura ishte rreth 12.1 miliardë lekë, vlerë kjo shqetësuese si në nivel vendor ashtu dhe në nivel qendror. Shlyerja u këtyre detyrimeve, pjesërisht të krijuara nga ish-komunat që iu bashkëngjitën bashkive të reja në vijim të reformës administrative dhe territoriale, përbën barrë të konsiderueshme për buxhetet vendore.
Në këtë kuadër, qeveria qendrore merr përsipër vetëm “shlyerjen e detyrimeve për punimet e kryera, por të papaguara në kuadër të financimeve nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, si edhe transfertat për përfitimet e paaftësisë. Të gjitha detyrimet e tjera financiare të njësive të qeverisjes vendore, që nuk përfshihen në sa më sipër, duhet të parashikohen në vetë buxhetet e njësive të qeverisjes vendore”. Raporti i Financave Vendore evidenton se duke filluar prej vitit 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura u tkurr në mënyrë progresive, duke regjistruar një nivel prej rreth 6.8 miliard lekë në fund të vitit 2018. Ndërkohë që stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2019 shënoi një nivel prej rreth 8.2 miliardë lekë. Krahasuar me stokun e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2018, stoku aktual rezulton të jetë zgjeruar me rreth 1.4 miliardë lekë, ose me rreth 20.7%. Zgjerimi i detyrimeve të prapambetura dhe që do të duhet të shlyen në periudhën afatmesme, rezulton të ketë ndodhur në 66% të bashkive (ose 40/61 bashki) dhe veçanërisht në bashkitë: Kavajë, Kukës, Berat, Roskovec, Kamëz etj. Në të kundërt, rreth 34.4% e bashkive (ose rreth 21 bashki) rezultojnë të kenë kontribuar në kahun ulës të stokut të detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2019 krahasuar me nivelin e tij në fund të vitit 2019. Rënie e qenësishme e detyrimeve të prapambetura vihet re në bashkitë Tiranë, Vlorë dhe Durrës.
“Borxhi i bashkive është i ulët dhe po shlyhet nga bashkitë, por stoku i detyrimeve të prapambetura është shumë herë më i lartë dhe shqetësues. Kjo bëhet akoma më e rëndë, në kushtet kur pritshmëritë për vitin 2020 janë shumë pesimiste”, shprehet Merita Toska, eksperte për financat publike vendore, hartuese e raportit.
Në nivel bashkie, rreth 55.4% e stokut të detyrimeve të prapambetura mbartet nga 8 bashki. Niveli më i lartë i stokut të detyrimeve të prapambetura u regjistrua në bashkinë Tiranë me rreth 1.7 miliardë lekë, ose 21.5% ndaj stokut total në fund të vitit 2019. Krahasuar me një vit më parë, stoku i detyrimeve të prapambetura i bashkisë Tiranë, rezulton të jetë tkurrur me rreth 12.0% në fund të vitit 2019. Bashkia Kavajë renditet e dyta për nga niveli i detyrimeve të prapambetura, me rreth 766.2 milionë lekë, ose rreth 9.4% ndaj totalit. Gjatë vitit 2019, bashkia Kavajë regjistron zgjerim të stokut të detyrimeve të prapambetura me rreth 377.3 milionë lekë ose rritje vjetore me rreth 97%. Gjithashtu, në rritje rezulton edhe stoku i detyrimeve të prapambetura në bashkitë Kamëz, Kukës, Roskovec etj.