4 qershor 2020/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore
Më mijëra të rinj, aktivistë, vajza e gra, artistë e psikologë protestuan sot në Sheshin “Nënë Tereza”, për fëmijërinë e vjedhur. Ngjarja e ndodhur disa ditë më parë në periferi të Tiranës ka bërë bashkë sot mijëra njerëz për të kërkuar më shumë të drejta dhe më shumë drejtësi nga institucionet shtetërore ndaj këtyre rasteve, ku viktimë ka rezultuar të jetë një fëmijë, 15-vjeçarja u abuzua nga roja i shkollës.
Me pankarta në duar, si : “Vendi i vuajtjes së gruas” si dhe thirrje të tilla si: “Flisni me fëmijët|, “Mbajini afër fëmijët”, “Denonconi dhunën”, “Ti nuk je vetëm”, “Minifundet nuk përdhunuan”, “Jo më dhunë”, “Mos ki frikë, ngrije zërin”, “Pedofilët e kanë vendin në burg, jo në shkollë”, “Stop abuzimeve seksuale”, “Unë i përkas vetes sime”. Grumbullimi i madh i njerëzve marshuan nga Sheshi Nënë Tereza në drejtim të kryeministrisë.
“Shteti ka dështuar në këtë drejtim, siç kanë dështuar politikat arsimore. Vajzat dhe gratë e periferive duket se e pësojnë gjithmonë. Por edhe media e njohur si pushteti i katërt ka dështuar të mbrojë jetën e qytetarit dhe personalitetin e tij”, tha një vajzë e re e cila kishte dalë në protestën e sotme.
Ndërsa Era tha se ka dal në këtë marshim për të besuar se ai s është i fundit. “Pse në 2020 kaq shumë gra, motra e nëna duhet të jetojmë me frikë, vetëm se injoranca dhe instinktet kafshërore kanë mbytur shoqërinë tonë? Unë jam e bindur që po të ngrihemi të gjithë si sot, do t’ia arrijmë qëllimit për më shumë drejtësi”, tha ajo.

Ndërsa një tjetër protestuese tha se ka dalë në protestë për të kërkuar një qasje dhe ndërgjegjësim të shoqërisë shqiptare në këto raste abuzive.
“Drejtësia duhet vënë në vend medoemos sepse në vend të saj mund të isha unë, motra ime, kushërira ime ndaj duhet parë si diçka personale për këdo jo të mbetet në derën e atij që ndodh. Edhe Ministria duhet të dijë kë punëson sepse ngjarja ishte e tmerrshme”, tha Dona një studente që ka dalë për këtë kauzë në Sheshin “Nënë Tereza”.
Në protestë kishte edhe shumë fëmijë të cilët kishin ardhur me prindërit e tyre. Një vajzë i tha Portës Vendore se do të dalë gjithnjë në këto protesta për të ngritur zërin, megjithëse ende një fëmijë.

Iris Luarasi tha se është shumë emocionuese kur vetë qytetarët i thonë jo dhunës, e aq shumë dhunës seksuale që ka lidhje me fëmijët. “Është e pafalshme që të dëgjosh pjesëtarë që kanë jetuar në atë komunitet dhe e kanë ditur se çfarë po ndodhte. Nuk pati ndonjë që të denonconte atë çfarë po ndodhte, po thoshin shyqyr që i kemi mirë fëmijët tanë dhe kjo gjëja që po ndodh s’ka lidhje me ne. Arsyeja që pse ne u bashkuam për këtë marshim paqësor kishte lidhje pikërisht me këtë, viktima nuk ka faji. Si mundet që një 12 vjeçare të dojë vetë që të shkojë me një 65 vjeçare? Ai është një përdhunim i mirëfilltë dhe s’ka asnjë diskutim. Do të duhej një regjistër ndërkombëtare për të shkruar emrat e të gjithë atyre që janë pedofil, sepse ka ardhur kohë që të heqim dorë nga kultura e indiferentizmit. Pasi duhet të bashkohemi për kauza që janë të rëndësishme, kur këto sheshe plot zakonisht jemi mësuar ti shohim për politikën”, tha Iris Luarasi.
Në fakt ky nuk rasti i parë, por në harkun kohor të 2 viteve kanë ndodhur rreth 10 raste, ku më i fundit i bërë publik ishte rasti i adoleshentes 13 vjeçare në Kavajë e cila u përdhunua në grup nga shokët e shkollës.
Shoqëria civile i është bashkuar kësaj nisme të iniciuar nga vetë vajzat për t’i dhënë më tepër fuqi zërit të tyre. Ndërsa në protestë u kërkua gjithashtu që të firmosej një peticion për Kastrimin e Pedofileve. Ndërsa protestuesit u nisën drejt Ministrisë së Arsimit për të vijuar protestën pranë këtij institucioni që ata e quajnë përgjegjës për këtë situatë.
Sociologia Marsida Simo tha për Portën Vendore se: “Sot pashë shumë vajza dhe gra por edhe djem që kishin dalë në protestë. Kjo do të thotë që po formohet kultura e protestës. Është një zë i përbashkët që ngrihet për këtë realitet i cili ende është dhunues dhe shtypës për vajzat dhe gratë. Vajzat ende etiketohen si fajtore madje edhe kur janë viktima. Ato kanë frikë të flasin, sepse ndjejnë peshën e paragjykimit, mund të ndihen të vetme dhe pa përkrahje. Ndaj këto protesta le të shërbejnë si zë edhe për to madje edhe për shumë të tjera që kanë përjetuar ose po përjetojnë çfarë do lloj dhune. Turp duhet të ketë dhunuesi jo e dhunuara. Madje dhe një tjetër thirrje që u përmend në protestë ishte për prindërit që duhet të edukojnë fëmijët e tyre pa stereotipe. Pa harruar edhe thirrje për të gjitha institucionet përgjegjëse, të cilat duhet të japin dënimin e tyre për këto vepra penale tepër të rënda”.
Marshim dhe në Durrës
Këtij marshimi të organizuar nga shoqëria civile në Tiranë i janë bashkuar me dy protesta simbol dhe qytetarët në Durrës dhe Lezhë.
Me pankarta në duar, dhjetëra qytetarë në Durrës i janë bashkuar thirrjes kundër dhunës dhe përdhunimit në të njëjtën orë me organizimin në Tiranë. Ata janë mbledhur në sheshin “Liria” duke marshuar drejtë Bashkisë Durrës në shenjë proteste për ndërgjegjësimin e institucioneve. Pjesëmarrësit kërkuan t’i jepet fund dhunës ndaj gruas dhe abuzimit ndaj të miturve, ndërsa kërkuan nga institucionet angazhim maksimal në zbulimin e rasteve të ngjashme. Ata kanë zgjedhur që të flasin vetëm me pankarta në duar, me sloganet “Nuk luhet përdhunimesh”, “Mos më thuaj mua si të vishem, thuaju atyre të mos përdhunojnë” e shumë mesazhe të tjera, që ishin përgatitur nga të rinjtë. Ata nuk kanë zgjedhur të flasin me fjalë, kjo edhe për faktin se për këtë marshim nuk kishin kërkuar një leje paraprake në polici dhe nuk mund të qëndronin shumë gjatë në aktivitetin e organizuar në sheshin “Liria” në Durrës.

“Lezha denoncon pa frikë”
Po ashtu, me thirrjet “Lezha Denoncon pa frikë”, “Unë denoncoj çdo dhunë”, dhjetëra qytetarë, të rinj, psikologë, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile, marshuan përgjatë rrugëve të qytetit të Lezhës me sloganin “Marsho për Fëmijërinë e Vjedhur”.
Të rinjtë ishin ata që gjatë këtij marshimi paqësor përcollën masazhin e tyre në mbështetje të bashkëmoshatarëve të tyre, ndaj theksuan se janë mbledhur shumë pak.
“I bëj thirrje qytetit tim, megjithëse sot jemi mbledhur shumë pak, unë kam besim se nëse qyteti im, dëgjon thirrjen time, ne do të bëhemi më shumë, që t’iu dalim përballë këtyre padrejtësive që t’i ndalojmë. Ju bëj thirrje të gjithëve, bashkohuni me ne në këtë thirrje, në këtë marshim që të ndalojmë padrejtësitë që janë shumë e më shumë, ju lutem t’i ndalojmë sepse ne mund të bëjmë një vend më të mirë”, tha një gjimnaziste, e cila foli para të pranishmëve. Ndërsa disa të rinj të tjerë zgjodhën që mesazhin e tyre ta japin nëpër krijimeve në prozë dhe në poezi. Psikologët, por edhe aktiviste të tjera fajësuan institucionet, por edhe vetë prindërit si bashkëfajtorë në situata të tilla. Ata zgjodhën të flisnin para të pranishmëve me mesazhet e tyre, pa dashur të prezantohen me qëllim shmangien e protagonizmit.
“Ku janë institucionet shtetërore, ku janë prindërit, ku janë nënat, që sot nuk guxojnë të dërgojnë fëmijën e vet në shkollë. Roja është pasqyra e një shkolle, roja është pasqyra e një institucioni. Ju pyesni, kur roja përdhunon fëmijën tim, pse do guxoj unë ta dërgoj më tutje. Kush është aty që e pret që çfarë bën?! Për katër vite me radhë çfarë pret të ndodhë me fëmijën tënd. Kështu nuk duhet të presim ne. Madje, tani që po vija këtu, pashë njerëz, që ndoshta ju nuk i vini re, por profesioni më bën t’i shoh. Pashë njerëzit që qeshnin me parullat dhe ja çfarë shkruajnë parullat. Ata qeshnin, duke ngarë makinat. Të gjithë ata janë prindër, mund të jenë dhe lloji i atij dhe shumë të tjerëve që nuk janë zbuluar. Rastet janë shumë pak të zbuluara”, tha një aktiviste me profesion psikologe para të pranishmëve.
Ndërsa një tjetër aktiviste u shpreh se vajza e përdhunuar mori dënimin më të keq të mundshëm për një vajzë apo grua shqiptare. “Brezit të ri po i trashëgojmë antivlera të maskuara si vlera. Të gjithë ne po kontribuojmë, duke mos reaguar dhe duke e ditur gjithashtu se nesër do të kemi rastin e radhës. Me qan zemra për arsimin në vendin tonë sepse është arteria kryesore e ekzistencës tonë kolektive si popull”, shtoi ajo.

Solidarizimi në këtë marshim paqësor ishte shumë i vogël, kështu që organizatoret e marshimit dërguan një mesazh dhe për atë që nuk reagojnë. “Unë erdha këtu sepse besoj se fëmijët tanë nuk meritojnë këto sjellje ose këto ndodhi të shëmtuara që po ndodhin në shoqërinë tonë. Jam e revoltuar nga këto ngjarje që po ndodhin. Jam e revoltuar dhe me shoqërinë tonë, arsimin tonë, mësuesit tanë që nuk denoncojnë këto akte makabre. Besoj se fëmijët tanë kanë nevojë të rriten në ambiente të gëzueshme dhe unë nuk mund të toleroj që komuniteti i lagjes së Babrrusë të reagojë në atë formë të shëmtuar që ka reaguar, duke e persekutuar vajzën, familjen e saj, viktimën. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve, nxënësve, prindërve, shoqërisë civile, mësuesve, psikologëve, reagoni ndaj ngjarjeve të shëmtuara sepse shoqëria jonë meriton më shumë”, u shpreh një nga organizatoret e marshimit.