Ngjarje/Personazhe

Të jetosh me artizanat

3 qershor 2020/ Mariglen Bita/ Porta Vendore/ Fier

Punën e dorës dhe artin artizanal të thurjes kanë zgjedhur disa gra në qytetin e Fierit, për t’u vetëpunësuar dhe për të siguruar disa të ardhura për familjet e tyre. Prej dhjetë vitesh tashmë, 10-11 gra mblidhen në sheshin pranë xhamisë së qytetit, ku thurin dhe praktikojnë artin e punës së dorës, me shpresën se mund të shesin produktet e tyre artistike.

Iniciativa e këtyre zonjave është diçka mjaft e veçantë. Nëpërmjet punës së tyre të palodhur dhe pasionit për të bukurën, ato dëshmojnë dhe shpalosin para njerëzve traditën e trashëguar të punës së dorës dhe pasurinë artizanale. Janë diku 10-11 gra, të cilat kanë këtë pasion të trashëguar nga nënat dhe gjyshet e tyre. Ato nuk e kanë harruar këtë zanat, madje me të kanë mundur që të nxjerrin jetesën. Megjithatë, ajo që vështirë se gjen në një dyqan, është pikërisht arti autentik dhe dizajni i krijuara nga këto gra. Disa prej tyre të trashëguara në shekuj, dhe të tjera produkt i fantazisë dhe kulturës së zonës ku ato jetojnë.

Pasioni është diçka e bukur e tërheqës kur e praktikon në jetën e përditshme, por ai e humbet disi magjinë e vet kur kthehet në një punë gati të detyrueshme, për të nxjerrë të holla e për të mbijetuar. Ky konstatim vjen natyrshëm kur sheh kushtet, në të cilat këto gra punojnë çdo ditë. Pavarësisht motit, të pajisura me një stol të vogël druri apo shpesh me ndenjëse të improvizuar me gur e karton, këto gra e zonja vazhdojnë punën e tyre të heshtura. Shpresa se mund të shesin një fanellë, një çentro, apo një palë çorape të leshta e të ngrohta i mban të ngulitura aty, si një vend më të cilin identifikohen.

Me një turrë të leshtë nën sqetull dhe sytë e ngulitur tek shtizat, Sania pret që dikush të afrohet e të pyesë për të blerë diçka. Është në pension dhe 7 mijë lekët që merr nuk i dalin edhe për gjërat më elementare, ujë, drita, ilaçe, bukë e qumësht, ndaj del këtu çdo ditë me shoqet e saj. Duke parë interesimin tim për punën e saj tregon: “Shtizat m’i ka mësuar nëna ime, po ashtu edhe punën me grep. Kam që fëmijë që punoj, po nuk e dija që do dilja këtu për t’i shitur punët e mia. Më parë punën e dorës e bënim për nevojat e familjes e për të zbukuruar shtëpinë, po tani punojmë për njerëzit, që të nxjerrim diçka e të ndihmojmë familjen. Më kanë thënë se jashtë vendit e vlerësojnë shumë, po këtu tek ne, jo dhe aq. Gjërat i shesim lirë, pavarësisht se na merr goxha kohë që t’i bëjmë”, tregon ajo për Portën Vendore.

Shpresa duke punuar një triko leshi. Foto: Mariglen Bita.

Ndryshe nga shumë shoqe të saj, Drita e ka mësuar punën e dorës në një moshë më të madhe. Pas ardhjes në qytet për t’i dhënë fëmijëve një mundësi më shumë siç rrëfen vetë ajo, i shoqi mbeti pa punë dhe e kishte të vështirë të gjente diçka të qëndrueshme, pasi nuk kishte profesion. Teksa qëndronte në shtëpi duke u kujdesur për familjen e duke gatuar, Drita shqetësohej sesi mund të ndihmonte familjen për të siguruar të ardhura. Një shoqe i sugjeroi të bënte punë dore me porosi, pasi kishte dëgjuar se kishte kërkesa nga emigrantët, që i merrnin me vete për t’i përdorur apo si suvenir. Drita s’e harron shoqen e saj se i hapi një dritare. Nisi të mësojë të thurë me shtiza dhe me grep, ndërsa porositë nisën të vijnë dhe ajo filloi të ndihmonte familjen me lekët që fitonte. “Kur dola për herë të parë këtu në shesh më vinte turp dhe ndihesha në siklet,- thotë ajo,- po shoqet më dhanë kurajë dhe më thanë se puna nuk është turp, por nder. ‘Pavarësisht se jemi jashtë’ – thoshin shoqet – ‘njerëzit na respektojnë dhe shfaqin kureshtje, sidomos gratë, se artizanati është diçka e bukur’. Më shumë kemi shpresë të punojmë në periudhën kur vijnë emigrantët, në verë ose për festa. Fitimi nuk është i madh, se duhet të blejmë dhe materialet që punojmë. Fije të leshta, deve, pambuk dhe penj. Dal çdo ditë me shpresën për të shitur diçka që të kem mundësi të përballoj jetën. Tani u mësova dhe gëzohem kur ata që kanë blerë njëherë kthehen të marrin diçka për miqtë apo familjarët, se kjo punë është dhe pasion”, tregon ajo.

Gratë artizane teksa reklamojnë punën e tyre në sheshin pranë xhamisë së qytetit të Fierit. Foto: Mariglen Bita.

Për shkak se qyteti i Fierit ndodhet i rrethuar nga Fusha e Myzeqesë dhe Kodrat e Mallakastrës, banorët e fshatrave që e vizitojnë janë të shumtë, ata janë shpesh edhe klientët më të zakonshëm të këtyre zonjave, që krijojnë në artizanat. Fanellat e leshta përdoren ende nga banorët e moshuar ndërsa papuçet me dizenjo unike pëlqehen nga nënat, vajzat e fëmijët. Klientët e qytetit gjithashtu shfaqin interes, veçanërisht për modelet e çentrove dhe dantellat zbukuruese. Turistët janë të rrallë, gjithsesi sipas grave që thurin tek zona e xhamisë çdo ditë, ata tërhiqen nga motivet nacionale që pasqyrohen tek zbukurimet e punëve të dorës. “Nëse do të ishim një zonë turistike ndoshta do kishim më shumë punë”, thonë ato.

Si shumë zonja e gra të tjera fierake, Neta ka nisur ta mësojë herët punën e dorës. Padyshim, nevoja ekonomike është ajo që e ka nxjerrë përkrah shoqeve me synimin për të fituar bukën e gojës. Megjithatë siç thotë vetë ajo artizanati i ka pëlqyer gjithmonë dhe nuk do rrinte dot pa punuar. “Kur isha e re punoja falas. Shoqet më sillnin materialin dhe unë bëja atë që më kërkonin. Më shumë zbukurime për orenditë shtëpiake, dritaret, por edhe ndonjë bluzë a shall. Më vonë kur porositë ishin të mëdha dhe merrnin shumë kohë për t’u realizuar, nisa të merrja ndonjë lek. Tani jeta e solli që të ushqehem me këtë punë. Kam 9 vjet që dal këtu e punoj. S’e di si do shkojë më vonë, po këtë zanat nuk e lë. Më ka mbajtur me bukë edhe pse me shumë lodhje e mundim. Ja kam mësuar edhe vajzës sime, le ta ketë, ku i dihet. Tani edhe shkolla s’po pi më ujë”, rrëfen ajo.

Gratë artizane teksa punojnë e shesin produktet e tyre. Foto: Mariglen Bita.

Ajo që i bën bashkë këto gra, është nevoja për punë dhe pasioni për të bukurën, megjithatë ato nuk janë të organizuara në ndonjë formë tjetër, si shoqatë apo bashkim kulturor. Kjo do t’u jepte ndoshta më shumë njohje dhe promovim, do t’u mundësonte pjesëmarrje në panaire, ndoshta dhe pak fitime më shumë. Ndonëse në këto kushte jo shumë stimuluese, ato nuk qahen. Në fillimet e tyre u duhej të fshiheshin dhe të lëviznin me punët e tyre në duar, pasi nuk lejoheshin nga policia bashkiake. Megjithëse ajo që bënin ishte art dhe synim ishte mbijetesa, qetësia për të punuar mungonte, derisa ato vetë bënë një takim në Bashkinë e Fierit me qëllim lejimin e tyre në sheshin pranë xhamisë, ku ato dalin për të punuar. Prej atij takimi, askush nuk ka ardhur t’i shqetësojë, por për kushtet e punës në qiell të hapur, asgjë nuk është bërë. Nën zë, ato pranojnë se po të kishin një tendë apo një kioskë druri, ku të mbrohen nga shiu e dielli, do ishte një mundësi e shkëlqyer. Ato jetojnë me shpresën se dikush kujtohet, se krahas punës për familjen dhe mundësisë për të siguruar pak të ardhura, këto gra i japin jetë edhe artizanatit shqiptar, i cili rrezikon zhdukjen. Këto zonja ruajnë të gjallë traditën dhe kulturën tradicionale të zonës por edhe atë shqiptare.

Bashkia e Fierit ka bërë ndërhyrje të shumta në infrastrukturë, ndaj krijimi i kushteve më dinjitoze të kushteve të punës për këto zonja, duket diçka e realizueshme, nëse vullneti nuk mungon. Kjo është një thirrje qytetare për të respektuar pak më shumë artin, që shpesh krijohet mes nesh, në anonimat, por me një mjeshtëri e thjeshtësi që na bën krenarë të gjithëve për kulturën tonë. Le t’i respektojmë këto iniciativa, që shpalosin dëshirën për punë teksa pasqyrojnë gjithashtu, pjesë të rëndësishme të identitetit lokal dhe atij kombëtar.

Në lidhje me zonjat artizane që ushtrojnë punën e dorës burime pranë Bashkisë Fier pohojnë se për momentin ato nuk janë pjesë e ndonjë nisme apo projekti të bashkisë, por nga ana tjetër ato janë ftuar të marrin pjesë në panairet e organizuara dedikuar artizanatit. Gjithashtu burime zyrtare shprehet për Portën Vendore se nga ana e grave nuk ka patur ndonjë propozim konkret për përmirësim të kushteve apo zhvillim projekti.