3 qershor 2020/ Ola Mitre/ Porta Vendore
Disa nga bashkitë e mëdha në vend kanë rritur një sërë taksash e tarifash për territorin që kanë në administrim për vitin 2020. Porta Vendore analizoi paketat fiskale të Bashkisë Tiranë, Vlorë, Korçë, Fier, Lezhë dhe Shkodër, teksa rezultoi se vetëm kjo e fundit nuk kishte bërë ndryshime, duke ruajtur të njëjtin nivel taksash e tarifash.
Bashkia Tiranë
Bashkia e Tiranës krahasuar me vitin 2019 ka rritur tarifën e pastrimit për familjarët si dhe për çdo kategori biznesi, duke përfshirë edhe profesionet e lira, shoqatat, ambulantët apo edhe transportin. Kështu, për familjarët, për qytetin e Tiranës kjo tarifë bëhet 5750 lekë/vit, nga 5000 lekë që ishte më parë. Për familjet që jetojnë në njësitë Administrative Dajt, Kashar dhe Farkë, tarifa nga 2000 lekë/vit ka shkuar në 2300 lekë/vit, ndërsa për njësitë e tjera (Bërzhitë, Zall-Herr, Baldushk, Petrelë, Vaqarr, Pezë, Ndroq, Krrabë, Shën Gjergj dhe Zall Bastar) tarifa prej 1000 lekësh/vit është rritur me 115 lekë/vit, duke shkuar në 1150 lekë/vit.
Rritje të ndjeshme tarifa e pastrimit ka pësuar edhe për bizneset e vegjël dhe të mëdhenj. Kështu, për kategoritë e biznesit me pakicë me xhiro deri në 2 milionë lekë që tregtojnë mish, peshk, bar kafe, bulmet, fruta, perime, shitje produktesh farmaceutike, artikuj industrialë, etj., kjo tarifë është rritur në 5750 lekë/vit, nga 3500 lekë/vit që ishte më herët. Për këto kategori biznesesh, por me xhiro nga 2-8 milionë lekë, kjo tarifë ka shkuar në 11 500 lekë/vit nga 10 000 lekë/vit që ishte më herët. Tarifa e pastrimit është rritur edhe për biznesin e madh dhe atë VIP, sipas kategorive përkatëse ku ushtrojnë aktivitetin.
Ndërkaq, për shitjet me shumicë, për bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë, tarifa e pastrimit ka shkuar 5750 lekë/vit, nga 3500 lekë/vit që ishte më herët, ndërsa për bizneset me xhiro nga 2-8 milionë lekë kjo tarifë ishte 12 000 lekë/vit, ndërsa me paketën e re ka shkuar 13 800 lekë/vit. Ndërkohë për biznesin e madh nga 74 000 lekë/vit është rritur me 11 000 lekë, duke shkuar në 85 000 lekë/vit.
Situata është e njëjtë edhe për njësitë e prodhimit, sikurse janë përpunimi i duraluminit, drurit, metaleve, prodhimi i tullave, betonit, prodhimet ushqimore, bukë, ëmbëlsira, peshku, bulmeti, etj, ku për bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë, kjo tarifë shkon në 5 750 lekë/vit, nga 3 500 lek/ vit që ishte më herët, ndërsa për ata me xhiro nga 2-8 milionë lekë kjo tarifë ishte 10 000 lekë/vit, ndërsa tani shkon në 11500 lekë/vit.
Bashkia Vlorë
Edhe Bashkia e Vlorës, në paketën fiskale të vitit 2020 ka parashikuar rritjen e disa tarifave për familjarët dhe bizneset. Më konkretisht, kjo bashki, ka rritur tarifën për zënien e hapësirave publike në Bulevardin Vlorë-Skelë dhe pedonales te sheshi Pavarësia, duke përfshirë të dyja anët e trotuarit nga 30 lekë/m2/muaj që ishte një vit më parë, në 400 lekë/m2/muaj. Rritje kanë pësuar edhe tarifat e ndriçimit, pastrimit, gjelbërimit për familjarët dhe bizneset. Kështu, për restorantet, piceritë, fast-food, internet kafe, bare, disko, etj., me xhiro nga 0 deri në 8 mln lekë, me sipërfaqe deri në 50 m2, kjo tarifë nga 5 000 lekë/vit, shkon në 8 000 lekë/vit, për biznese me sipërfaqe 51-100 m2 shkon 12 000 lekë/vit nga 10 000 lekë/vit që ishte, ndërsa për sipërfaqe mbi 100 m2 bëhet 17 000 lekë/vit, nga 15 000 lekë/vit që ishte.
Edhe për njësi të tjera tregtimi, sikurse janë kancelaritë, bilardot, artikujt e përzierë, tarifa është rritur me 1 000 lekë/vit, ndërsa për tregtimin e mishit apo bulmetit me 2 000 lekë. Për tregtarët me shumicë, tarifa është rritur me 3 000 lekë/vit, duke shkuar në 18 000 lekë, ndërsa për përpunuesit e drurit, metalit, prodhimit e tullave, tjegullave apo edhe prodhimi i bukës, mishit, peshkut e bulmetit ka shkuar në 12 mijë lekë/vit, nga 10 mijë lekë/vit që ishte një vit më parë.
Ndërkaq, përveç biznesit, kjo tarifë ka pësuar rritje edhe për familjarët. Më konkretisht, në qytetin e Vlorës tarifa e pastrimit është dyfishuar duke u bërë 2 400 lekë/vit, nga 1 200 lekë/vit që ishte, ajo e ndriçimit rritet nga 500 në 600 lekë/vit, ndërsa e gjelbërimit nga 100 lekë në 300 lekë/ vit, duke arritur në një total prej 3 300 lekësh/vit, nga 1 800 lekë/vit që ishte më parë. Ndërsa për Orikumin tarifa e pastrimit shkon në 1 800 lekë/vit, e ndriçimit 500 lekë/vit dhe e gjelbërimit 100 lekë/vit, duke bërë një total prej 2 400 lekësh në vit, nga 1 800 mijë lekë që ishte më parë. Për njësitë e tjera administrative kjo tarifë nuk ka ndryshim, duke mbetur në nivelin 1 200 lekë/vit.
Bashkia Fier
Sikurse Tirana dhe Vlora, edhe Bashkia e Fierit ka rritur tarifat e pastrimit, ndërkohë që paralelisht janë bërë rritje edhe në drejtim të taksës bujqësore për të gjitha kategoritë e tokës. Kështu, për kategorinë I do të paguhet 5 600 lekë/ha/vit nga 3 920 lekë/ha/vit që paguhej një vit më parë, ndërsa për kategorinë II taksa ka shkuar 4 900 lekë/ha/vit, nga 3 430 lekë/ha/vit që ishte më herët. Për kategorinë III taksa ka shkuar 4 200 lekë/ha/vit, nga 2 940 lekë/ha/vit që ishte, ndërsa për kategorinë IV 3 600 lekë/ha/vit, nga 2 520 lekë që ishte në 2019-ën. Për kategorinë V taksa e re është fiksuar në 3 000 lekë/ha/vit, nga 2 100lekë/ha/vit, ndërsa për kategorinë VI 2400 lekë/ha/vit, 1 680 lekë/ha/vit që ishte një vit më parë. Për kategoritë VII-X taksa mbi tokën bujqësore është rritur në 1 800 lekë/ha në vit nga 1260 lekë/ha/vit, që ishte gjatë 2019-ës.
Sa i takon tarifës së shërbimit për komunitetin, ku përfshihet tarifa e pastrimit, e ndriçimit dhe gjelbërimit, për banorët e bashkisë ajo ishte 2 400 lekë në vit, ndërsa me paketën e re fiskale ka shkuar 3 600 lekë/vit. Ndërkohë që, për njësitë administrative kjo tarifë ishte 1 200 lekë/vit, ndërsa ka pësuar një 2-fishim duke shkuar në 2 400 lekë/vit. Kjo tarifë ka pësuar rritje edhe për biznesin, teksa është bërë një rishikim i kategorizimit të bizneseve sipas llojit të aktivitetit. Për shembull, profesionet e lira, sikurse janë avokatët, noterët, përkthyesit, mjekët, stomatologët, farmacistët, kontabilistët e etj. tashmë do të paguajnë 25 000 lekë/vit, nga 15 000-25 000 lekë/vit, që pagunin një vit më parë. Ndërkaq, një prodhues buke, nëse kategorizohet si biznes i vogël, pa TVSH në qytetin e Fierit paguante deri më tani 18 000 lekë/vit, ndërsa tashmë do të duhet të paguajë 25 000 lekë/vit. I njëjti biznes, nëse futej në kategorinë me TVSH paguante 25 000 lekë/vit, ndërsa tashmë duhet të paguajë 35 000 lekë në vit. Ndërkaq, nëse bëhet fjalë për një biznes të madh atëherë tarifa kapërcen në 85 000 lekë në vit nga 45 000 lekë/vit që paguhej në paketën e shkuar fiskale. Paralelisht, Bashkia Fier ka ulur tarifën e zënies së hapësirës publike, që është një tarifë për qëllime biznesi. Për bashkinë kjo tarifë do të jetë 300 lekë/m2/muaj, ndërsa për njësitë administrative 100 lekë/m2/muaj. Ndërkohë që, deri më tani për bashkinë paguhej
1 000 lekë/muaj, ndërsa për njësitë e tjera 500 lekë/m2/muaj.
Bashkia Lezhë
Ndryshime taksash e tarifash ka bërë edhe Bashkia e Lezhës, por përveç rritjes, për disa kategori është parashikuar edhe ulje e barrës financiare. Kështu, në paketën e re fiskale është parashikuar rritje e taksës për kalimin e pronësisë “ndërtesa për tregti e shërbime” nga 600 lekë/m2 që ishte në 700 lekë/m2 , ndërsa për “ndërtesa të tjera” nga 400 lekë/m2 është rritur në 500 lekë/m2. Për ndërtesat e banimit, kjo taksë nuk ndryshon. Ndërkaq, kjo bashki ka bërë një unifikim të tarifës për shërbime publike për tre zonat (A,B,C) për të gjithë bizneset që ushtrojnë aktivitetin në territorin e saj. Ky unifikim nuk reflekton rritje tarifash për bizneset që operojnë në zonën A (Lezhë, Shëngjin, Shënkoll), por për bizneset e zonës B (Kolsh, Zejmen, Balldre) dhe C (Dajç, Blinisht, Ungrej, Kallmet) ka një rritje të ndjeshme. Për shembull, një bar-kafe pavarësisht vendit se ku ushtron aktivitetit sipas paketës së re fiskale do të duhet të paguajë 9 000 lekë/vit nëse ka një xhiro vjetore nga 0-8 mln lekë dhe për xhiro mbi 8 mln lekë duhet të paguajë 32 mijë lekë në vit. Ndërkohë që, më herët nëse ky aktivitet ushtrohej në zonën B, atëherë tarifat ishin respektivisht 5 000 lekë dhe 15 000 lekë/vit, ndërsa nëse ishte në zonën C më parë paguante 3 000 lekë dhe 10 000 lekë/vit. Po ashtu, për prodhimin e bukës, ëmbëlsirave, bulmetit, etj. Sipas paketës fiskale 2020, të gjitha këto biznese do të paguajnë 10 000 lekë/vit, nëse kanë një xhiro deri në 8 mln lekë dhe 50 000 lekë/vit nëse kanë xhiro vjetore mbi 8 mln lekë. Më herët, ky nivel tarife paguhej vetëm për bizneset që ushtronin aktivitet në zonën A, ndërsa për zonën B ishin respektivisht 7 000 lekë dhe 25 000 lekë/vit, ndërsa për zonën C, 5 000 lekë/vit dhe 15 mijë lekë/vit. Për profesionet e lira, sikurse janë noterët, avokatët, stomatologët, inxhinierët, etj. ka një favorizim për ata që ushtrojnë aktivitet në Zonën A, pasi me tarifat e unifikuara ata me xhiro deri në 8 mln lekë do të paguajnë 4 mijë lekë/vit, ndërsa ata me xhiro mbi 8 mln lekë, 15 mijë lekë/vit. Vitin e kaluar ata paguanin respektivisht 5 mijë dhe 17 mijë lekë/vit. Por, tarifa për shërbimet publike rritet për ata profesionistë që ushtrojnë aktivitet në zonat B dhe C, ku deri më tani paguanin 5 000 dhe 10 000 lekë/vit për zonën B dhe 3 000 dhe 7000 lekë/vit në zonën C.
Ndërkaq, Bashkia e Lezhës ka rritur edhe tarifat e parkimit. Kështu, të gjithë autobusët me paketën e re fiskale do të paguajnë 30 mijë lekë/vit për vend parkime të miratuara, ndërkohë që më herët autobusët e linjave ndërqytetëse paguanin 25 000 lekë/vit, autobusët e linjave rrethqytetëse 15000 lekë/vit, ndërsa autobusët e linjave të rregullta të specializuara paguanin 10 mijë lekë/vit. Taksitë 8+1,6+1 dhe 4+1 për parkim të rezervuar (vija e verdhë) gjatë 2020-ës do të paguajnë 36 000 lekë/vit, ndërkohë që një vit më parë taksitë 4+1 paguanin 8 000 lekë/vit, ndërsa ato 8+1 10 000 lekë/vit.
Paralelisht, në paketën e re fiskale parashikohet, ulje e taksës së fjetjes në hotel në 125 lekë/natë për hotele me 4-5 yje dhe 50 lekë/natë për hotelet e tjerë, nga 140 lekë/natë/person dhe 70 lekë/natë/person që ishte një vit më parë. Bashkia e Lezhës ka aplikuar ulje edhe për taksën e tabelës që paguajnë bizneset.
Gjithashtu, kjo bashki ka ulur tarifën vendore për shërbime publike për familjarët. Kështu, për familjarët e Zonës A kjo tarifë është bërë 2 400 lekë/vit, nga 3000 lekë/ vit, që ishte më herët. Ndërsa, për banorët e zonës B dhe C tarifa është ulur në 1 200 lekë/vit, nga 1 800 lekë/vit që ishte një vit më parë.
Bashkia Korçë
Bashkia e Korçës ka rishikuar disa tarifa, ndërkohë që për herë të parë është shtuar një tarifë parkimi për rezidentët, e cila do të jetë 1 200 lekë/vit. Deri një vit më parë, banorët që parkonin automjetet e tyre pranë banesave nuk paguanin asnjë tarifë. Gjithashtu, në këtë bashki kanë pësuar rritje edhe tarifat që paguhen për kopshtet dhe çerdhet e qytetit. Kështu, sipas paketës së re fiskale kosto ditore për prindërit bëhet 125 lekë/ditë, nga 91 lekë në ditë që ishte një vit më parë. Thënë ndryshe prindërit do ta paguajnë rreth 27% më shtrenjtë dërgimin e fëmijëve në kopshte apo çerdhe.
Paralelisht, në paketën fiskale 2020 është shtuar edhe një tarifë për depozitimin e inerteve, që është në masën e 60 lekë/m3. Ndërkohë që, për herë të parë janë përcaktuar edhe tarifat e pastrimit dhe gjelbërimit për kazinotë e vendosura në hotele me 5 yje. Më konkretisht, tarifa e gjelbërimit për këto subjekte do të jetë në masën e 25 mijë lekëve/vit, ndërsa tarifa e gjelbërimit do të jetë 150 000 lekë/vit.
Bashkia Shkodër
Familjet dhe bizneset në Bashkinë e Shkodrës do të paguajnë të njëjtin nivel taksash dhe tarifash sikurse një vit më parë. Kështu, tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave për familjarët në qytetin e Shkodrës është në masën 3 450 lekë/vit, ndërsa njësitë e tjera administrative, me përjashtim të Njësisë Shosh dhe Shalë do të paguajnë 1 950 lekë/vit. Ndërkohë që, kjo tarifë varion sipas llojit të veprimtarisë për bizneset, ku përshembull një biznes i vogël bar/restorant me sipërfaqe 301-500 m2 në Shkodër apo Velipojë paguan 16 000 lekë/vit. Nëse ndërtesa është mbi 500 m2, tarifa shkon në 20 000 lekë/vit. Ndërkohë që, nëse këto biznese klasifikohen si biznes i madh, atëherë paguajnë respektivisht 43 000 dhe 50 000 lekë/vit. Për tarifën e ndriçimit familjet në Shkodër dhe Velipojë Plazh tarifohen me 1 200 lekë/vit, ndërsa në njësitë e tjera 480 lekë/vit. Për bizneset e vegjël kjo tarifë varion nga 1 000-2 000 lekë/vit dhe nga 2 000-7 000 lekë/vit për biznesin e madh. Për tarifën e gjelbërimit, familjet e Shkodrës paguajnë 600 lekë/vit, ndërsa biznesi i vogël 2 000 lekë/vit. Për biznesin e madh tarifa e gjelbërimit varion nga 5 000 lekë/vit – 15 000 lekë/vit, në varësi të llojit të biznesit.
Sa i takon tarifave për zënien e hapësirës publike, tarifat ndryshojnë në varësi të vendndodhjes, ku përshembull në qendër të qytetit të Shkodrës ajo shkon në 350 lekë/m2/muaj, ndërsa në pjesën tjetër të qytetit ajo ulet në 300 lekë/m2/muaj.
E pandryshuar mbetet edhe taksa vjetore mbi tokën bujqësore, ku për kategorinë e parë paguhet 2 940 lekë/vit, për kategorinë II 2 450 lekë/vit, ndërsa për kategorinë e III, 1960 lekë/vit. Për kategorinë IV të tokës bujqësore taksa vjetore është 1 610 lekë/vit, për kategorinë V, 1330 lekë/vit, për kategorinë VI, 1 120 lekë në vit, ndërsa për kategoritë VII-X, 980 lekë/vit.
Ekspertët: Rritja e tarifave rëndon qytetarët
Duke parë rritjen e tarifave në këto bashki, ku në shumë raste është dyfishi i një viti më parë, ekspertët mendojnë se kjo po rëndon xhepat e qytetarëve dhe që ky është një keqmenaxhim i bashkive. Eksperti i ekonomisë Pano Soko deklaron se çdo rritje taksash apo tarifash, sidomos në këto momente pandemie, rëndon shumë mbi supet e qytetarëve. “Buxhetet e familjeve të rënduara nga kriza ekonomike që po ravijëzohet dita ditës, nga mungesa e punës, nga shkurtimi i të ardhurave, po hasin tashmë edhe në rritjen e taksave dhe tarifave dhe kjo e çon situatën në tejet kritike. Duhet pasur parasysh që tarifat vendore zënë një pjesë të konsiderueshme në kostot e biznesit lokal që më pas transferohen te çmimet e produkteve, duke goditur direkt masën e gjerë të popullsisë”, shprehet Soko. Ndërsa Zef Preçi mendon se pavarësisht se ligji ka lënë hapësira që Bashkia të vendosë mbi taksat apo tarifat, e vërteta është që për shkak të akumulimeve të shpenzimeve që kanë, bashkitë marrin vendime për rritje taksash dhe tarifash, ku në fakt ka një keqmenaxhim.
Taksat dhe eficienca e bashkive
Megjithëse rritja e taksave dhe tarifave vendore është në tagrin e pushtetit vendor, çështja qëndron sesa eficiente janë bashkitë me fondet e mbledhura nëpërmjet sistemit të taksimit. Një nga pyetjet e ngritura mbetet nëse rritja e taksave dhe tarifave përkthehet në investime në zonë. Sipas ekspertit Pano Soko, eficienta është pikërisht problemi më i madh me taksimin në vendin tonë, duke përfshirë dhe taksimin lokal. “Buxheti i akumuluar nga taksat nuk përdoret me eficiencë. Pra qytetari nuk merr mbrapsht të përkthyera në shërbime apo produkte lekët që paguan në formë taksash, ose në rastin më të mirë merr një vlerë disproporcionale. Kjo ndodh për disa arsye, por që kryesoret janë korrupsioni, i cili minimizon fondet për shërbimin apo produktin, pasi i kanalizon një pjesë të mirë të tyre në xhepat e pushtetarëve vendimmarrës dhe projektet jo rentabël, te cilat i kanalizojnë lekët e taksave në shërbime apo produkte që s’janë të vlefshme, nuk i shërbejnë qytetarit, apo i shërbejnë shumë pak”, shprehet Soko. Ndërsa eksperti Zef Preçi e shikon harxhimin e buxhetit të bashkive në një tjetër këndvështrim, duke vënë theksin te administratat e fryra të qeverisjes vendore. “Shqipëria ka shumë administratë që mund të jenë edhe emigrantë jashtë shtetit por që marrin rrogë pa u paraqitur në punë. Kanë rritur personelin pa pasur nevojë për të. Në shumicën e rasteve krijohet edhe një situatë e tillë për tenderë, ku bashkitë detyrohen t’i marrin para borxh qeverisë. Pra ka keq menaxhim dhe abuzim të fondeve. Ndaj kjo rritje çon doemos në rëndesën e xhepave të qytetarëve”, shpjegon Preçi.
Transparenca për paketën fiskale
Por ndonëse ligji parashikon konsultime nëpërmjet dëgjesave publike për paketën fiskale dhe buxhetin, qytetarët shpesh herë ankohen se nuk marrin pjesë, ose vihen në dijeni për rritje taksash e tarifash vendore, vetëm kur shkojnë për të paguar faturat dhe shikojnë se vlera totale, ku paguhen dhe tarifat vendore është rritur krahasuar me një muaj më herët. Sipas ekspertëve, rritja e taksave dhe tarifave vendore duhet të jetë një proces tejet transparent dhe t’u shpjegohet me detaje qytetarëve, pasi nuk është lehtësisht i kuptueshëm. “E gjitha kjo duhet parë në dy aspekte: I pari duhet bërë konsultim publik bashkë me buxhetin e paketës fiskale për vitin pasardhës, si dhe e dyta, këshilli bashkiak duhet të zhvillojë mbledhje të hapura ku qytetarët të marrin pjesë dhe ta dinë se çfarë do të ndodhë me taksat e tarifat e tyre, jo ta marrin vesh kur i vjen fatura në shtëpi . Kështu është cenuar dhe cenohet statusi social-ekonomik i tyre”, shprehet eksperti i ekonomisë Zef Preçi.
Ndërkohë, Pano Soko vë në dukje se transparenca është komponenti më i rëndësishëm ne menaxhimin e jetës publike, por që sipas tij në Shqipëri nuk ndodh. “Informimi, diskutimi, konsultimi me qytetarët duhet të jetë prerrogative e çdo iniciative ku përfshihet marrëdhënia ekonomike mes qytetarëve dhe institucioneve. Por ne e dimë që në Shqipëri, kjo gjë nuk ndodh. As në nivel qendror e aq më pak në nivel lokal. Arsyet se pse nuk ndodh janë nga më të shumtat, por në themel qëndron sistemi politik që sot qëndron në themel të arkitekturës së shtetit tonë. Qytetarët nuk zgjedhin, sot qytetarët votojnë. Askush nuk zgjedh sot anëtarët e këshillave bashkiakë. Ata emërohen nga kryetarët e partive prandaj dhe llogaridhënia e tyre nuk i dedikohet qytetarit, por kryetarit të partisë. Ky është burimi i handikapit. Në sistemin check&balance, mungon check-u”, deklaron Soko.
Taksat, në kohë pandemie
Por Covid-19 prishi planin e bashkive për paketën fiskale. Disa bashki hoqën disa taksa, ndërsa disa të tjera i pezulluan ato. Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti se asnjë nga tarifat e rritura në paketën fiskale të vitit 2020 nuk është hequr gjatë kohës së pandemisë, por vetëm është shtyrë afati për pagesën e tyre. Sipas të dhënave, gjatë kohës së pandemisë, Bashkia Tiranë, Korçë dhe Lezhë kanë hequr vetëm tarifën e hapësirës publike. Ndërsa tarifat e tjera, vetëm është shtyrë afati për pagesën. Porta Vendore, më herët ka raportuar se cilat ishin premtimet e disa prej kryetarëve të bashkive për faljen e taksave dhe në deklaratat e tyre, vihet re se është premtuar vetëm shtyrje dhe jo falje. Nga ana tjetër, kryeministri Rama deklaroi se për shkak të Covid-19 do të falen taksat për biznesin e vogël. Por, ashtu siç Porta Vendore ka raportuar më herët, biznesi i vogël u shpreh se taksat e falura nga Rama nuk i ndihmojnë ata, pasi nuk preken taksat dhe tarifat vendore. Pra, megjithëse qeveria dhe kryeministri reklamojnë shtyrje apo heqje të taksave, në fakt, bashkitë kanë rritur relativisht ndjeshëm një pjesë të tyre.