Ndodhi

Një lagje pa ujë në Vlorë, ujësjellësi e mohon. Banorët irritohen: Do bllokojmë rrugën

2 qershor 2020/ E. Gjerani/ Porta Vendore/ Vlorë                                                  

Prej më shumë se tre muajsh, qindra familje në lagjen “Partizani” të Vlorës, vuajnë mungesën e furnizimit me ujë, ndërkohë që problematika e cila mbetet pa një zgjidhje afatgjatë përsëritet herë pas here, duke i irrituar kështu banorët për cilësinë e shërbimin që u ofrohet nga ujësjellësi i qytetit bregdetar. Mungesa e ujit ka nisur që para pandemisë, ndërkohë që banorët shprehen se për të pirë e blejnë, për të gatuar ua sjellin të afërmit me bidonë, ndërsa për t’u larë kanë vetëm detin.

Irsid Gjondedaj është një i ri nga qyteti bregdetar, i cili paraqiti te Rubrika “Raporto” e Portës Vendore, shqetësimin e tij mbi këtë problem. Ai tregoi se ky i sivjetmi është sezoni i tretë veror që në lagjen “Partizani”, një nga lagjet më të vjetra të Vlorës nuk kishte ujë.

Para ca ditësh, pas ankesave tona erdhën nga ujësjellësi dhe ndërhynë. Por në vend ta rregullonin defektin dhe çezmat tona të kishin ujë, edhe atë pak ujë që ekzistonte deri atë ditë nuk erdhi më. Dhe aktualisht jemi pa ujë. E njëjta situatë ka ndodhur edhe një vit më parë, kur pas ankesave tona të njëpasnjëshme erdhën inspektorët, por uji jo. Tani jemi ankuar sërish dhe presim grupet e punës, u bënë ditë në fakt që po i presim, pasi situata është shumë emergjente se nuk jetohet pa ujë dhe duhet një zgjidhje sa më e shpejtë, por sërish nuk duket se kemi gjë në vijë. Ditët po kalojnë njëra pas tjetrës pa mundur të vijë dot asnjë grup inspektimi për t’i dhënë zgjidhje problemit tonë me ujin”, tregon Irsidi, ndërsa rrëfen për Portën Vendore se ky në fakt është më shumë një problem i familjes së tij dhe komshinjve që përballen çdo ditë me këtë situatë, pasi ai vetë është student në Tiranë.

Përsa i përket ujit, Irsidi tregon se gjithë ky insistim për të pasur ujë është për larje e shpëlarje, sepse për të pirë e blejnë gjithmonë.

Ujin e pijshëm e blemë, u bë vite. Por edhe ky ujë është po aq jetësor sa ai i pijshmi. Mungesa e ujit nga ujësjellësi i Vlorës ka ndodhur herë pas here në pallatin tonë, por edhe në pallate të tjera të lagjes, sepse pallate të ndryshme furnizohen nga furnizues të ndryshëm”, vijon ai.

Ai tregon se janë ankuar vazhdimisht si banorë tek ujësjellësi, por jo në strukturat e Bashkisë Vlorë.

“Tek ujësjellësi po jemi ankuar vazhdimisht për zgjidhjen e problemit dhe në dijeninë tonë nuk ka pasur asnjë investim viteve të fundit për përmirësimin e kësaj situate dhe zgjidhjen e problemit për qindra familje”, përfundon Irsid Gjondedaj, banor i pallatit nr. 560.

Në këtë zonë, nëse gjatë muajve të tjerë, uji vjen me orar, gjatë kësaj periudhe mungesa e ujit zgjat me ditë të tëra.

Unë që kur kam ardhur në këtë pallat, uji nuk ka ardhur dy herë në ditë. Këto tre muaj, ujin për të pirë e blejmë, kur vjen boti poshtë pallatit, ndërsa për të gatuar po na e sjellin me bidonë të afërmit. Kurse për t’u larë na ka mbetur vetëm deti”, shpjegon Izmiri.

Porta Vendore pyeti në lidhje me këtë situatë të krijuar në disa nga pallatet e lagjes “Partizani” në Vlorë edhe pranë Ujësjellësit ku drejtori i këtij institucioni Dorian Xhelili tha se: “Në dijeninë time nuk ka pasur raste që kanë shfaqur problematikë në furnizimin me ujë, jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por edhe më gjerë. Ndërkohë, nuk ka fare zona problematike në Vlorë që kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, qoftë ky problem ditor, qoftë problem me mungesën e furnizimit disaditor”, tha ai.

Ujësjellësi Vlorë

Por teksa ujësjellësi i Vlorës nuk pranon se ka problem në furnizimin me ujë të pijshëm të kësaj lagje, dhe thekson se gjatë kësaj periudhë nuk po merren me riparime, çfarë mund të sillte shkëputje të furnizimit, qytetarët e lagjes “Partizani” thahen për ujë.

Ashtu si Irsidi, mungesën e ujit e pranojnë dhe banorë të tjerë të kësaj lagjeje, ndonëse në pallate të ndryshme. “Kemi tre muaj pa ujë, që kur hyri ky virusi. Vjen një herë në dhjetë ditë, vjen një herë në javë dhe më s’ka ujë. Ata të ujësjellësit, kanë ardhur, kanë parë, asnjë veprim s’kanë bërë. Kemi bërë ankesa dhe asgjë nuk është bërë. Ka ardhur inxhinierja dhe e ka kontrolluar, por nuk vjen ujë. Nuk vjen ujë që nga tubacioni kryesor. Ai manovruesi, siç duket nuk e hap ujin. Është e turpshme, i paguajmë të gjitha taksat dhe faturat dhe nuk na vjen ujë”, shprehet Xhemili, banor i një tjetër pallati në lagjen Partizani.

Ndërkohë, Rrapo, i cili përfaqëson banorët, shprehet i zhgënjyer me përgjigjen e drejtorit të ujësjellësit. Ai shprehet se ka shkuar disa herë në drejtori dhe i ka takuar personalisht drejtuesit, por që nuk i kanë dhënë asnjë zgjidhje. “Do vijmë sot, do vijmë nesër dhe asgjë nuk është bërë. Më vjen keq që drejtori i ujësjellësit shprehet se nuk ka asnjë problem me ujin e pijshëm, pasi edhe këtë javë kam qenë në takim te drejtoria, duke kërkuar zgjidhjen e këtij problemi, por siç duket për ta nuk qenka problem. Ne nuk dimë ç’të bëjmë tjetër, vetëm ta dalim e të bllokojmë rrugën, që ta kuptojnë se nuk kemi ujë”, shprehet Rrapo.

Banorët paralajmërojnë se do të organizojnë protesta, të indinjuar dhe nga përgjigjja e drejtorit të ujësjellësit, ndërkohë që mungesën e vëmendjes e lidhin dhe me aktin se lagjja Partizani është një nga lagjet më të vjetra të Vlorës, por dhe ndër më të varfrat.