2 qershor 2020/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore
Teksa pritej që protokolli i sigurisë ndaj Covid 19 të dilte në fund të majit, pra javën që lamë pas, kjo gjë nuk ndodhi siç ishte premtuar nga institucionet shtetërore, duke i lënë kështu operatorët e transportit urban qytetas e ndërqytetas në pritje, ndërsa ditët i lënë vendin njëra-tjetrës.
Aktiviteti i transportit urban është ndërprerë që në datën 12 mars dhe në këto dy muaj e gjysmë aksesi i lëvizjes ka qenë i vështirë për mijëra qytetarë që marrin autobusin për të aksesuar vende të ndryshme. Porta Vendore i kushtoi një javë më parë, një artikull transportit urban qytetas ku kërkesat kanë qenë të shumta nga qytetarët e Tiranës për të lejuar këtë mjet transporti si e vetmja alternativë udhëtimi për shumicën prej tyre, ndërsa pritej edhe protokolli i masave nga Ministria e Shëndetësisë.
“Situata e transportit urban është tmerrësisht e vështirë, shkaku se ne kemi që nga data 12 mars që jemi pezulluar totalisht në bazë të urdhrit të ministrisë së shëndetësisë , kjo na ka rënduar ekonomikisht dhe nuk e kishim menduar se do të jemi kaq gjatë pa punë. Transporti urban është në limitet e kolapsit financiar duke qenë se jemi kundër kohës. Teksa kemi mbetur pa punë, detyrimet vijojnë, po vjen data mbarimit të dokumenteve, siguracionet, akt-vlerësimet, kolaudimet, etj. Çdo ditë që kalon është kosto e rënduar mbi ne”, rrëfen për Portën Vendore Dashnor Memaj , Kryetar i Shoqatës së Transportit Urban e Interurban Veri.
Shoqata e Memajt përfaqëson 75% të shoqërive në Veri me nisje dhe kthim nga Tirana dhe Durrësi, ku përfshihen Qarku Durrës, Tiranë, Shkodër, Kukës, Dibër etj. Sipas tij, aktualisht kjo është shoqata më e madhe në përfaqësi sa i përket transportit urban.
Por ashtu siç edhe pritej, pandemia globale e Covid-19 ka lënë pasoja të thella financiare edhe në këtë sektor, ku sikur të mos mjaftonin këto 2 muaj e gjysmë mbyllje, vonesa e urdhrit për hapjen e transportit urban po shkakton gjithashtu dëme të tjera financiare.
“Situata financiare për momentit mund të them që është tepër e vështirë dhe në prag falimentimi për rreth 60% të subjekteve, nëse kjo situatë vazhdon më tej dhe nuk merren masat e duhura për rimëkëmbjen financiare. Shumica e punëtorëve e kanë marrë pagën e luftës dhe një pjesë kanë përfituar nga paketa e dytë financiare shumën prej 40.000 lekë, por kjo është një shumë e pamjaftueshme parash për të kapërcyer kohën e qëndrimit të papunë për një periudhë gati 3 mujore. Kjo ishte një zgjidhje për momentin, por jo shpresë për të kaluar situatën. Shumica e tyre janë kryefamiljarë dhe janë të vetmit që çojnë të ardhura në shtëpi, e kjo e shton dhe më tej problematiken financiare të tyre. Në celularin tim ka çdo ditë telefonata me shqetësimet e tyre se kur do të nisim punë, pasi e kanë të pamundur jetesën e tyre në kushtet e papunësisë. Për subjektet është akoma dhe më e vështirë sepse nuk bëhet fjalë për të mbajtur familjen, por disa familje”, tregon Memaj për Portën Vendore duke shtuar se: “Sektori i transportit urban dhe ndërqytetas është një sektor ku nuk ka akumulim financiar për të përballur krizën për një kohë të gjatë , duke qenë se çdo subjekt është munduar të rinovojë flotën e mjeteve sipas kontratave”.
Janë më shumë se 45 linja ndërqytetase dhe 12 linja urbane, ndërsa numri i të punësuarve në subjektet që janë pjesë e kësaj shoqate janë mbi 1200 veta. Ndërkohë, janë të shumtë qytetarët që zgjedhin pikërisht këto linja të transportit urban për të shkuar në punë.
“Që nga data kur është mbyllur transporti e deri sot, numri i qytetarëve që më kanë kontaktuar është tepër i madh, pjesa më e madhe e tyre janë frekuentues të rregullt të linjave urbane e ndërqytetase, se është e vetmja mënyrë që ata të shkojnë në punët e tyre e me të drejtë shqetësimi i tyre ka baza. Ka pasur shumë qytetarë që kanë humbur dhe vendin e punës për shkak se s’kanë pasur mundësi të udhëtojnë”, shpjegon Dashnor Memaj, Kryetar i Shoqatës së Transportit Urban e Interurban Veri.
Memaj shprehet se jo vetëm linjat e Veriut, por i gjithë transporti urban në Shqipëri është gati të rifillojë, dhe t’i përmbahet rregullave që do të vendosen. Madje dezinfektimi dhe blerja e masave mbrojtëse është bërë me kohë, me shpresën se 1 qershori do t’i gjente tashmë në punë.
“Gjatë gjithë kohës që ne kemi pasur kontakte me instancat na është thënë se mundësia e hapjes me 1 qershor ishte e madhe, e ku po përgatiteshin dhe stimujt financiarë për këtë sektor, por dalja e kryeministrit dhe lënia anash e transportit i ‘preu’ shpresat për një rifillim. Kjo i tronditi administratorët e subjekteve, dhe kërkuan takim urgjent me ne për marrjen e veprimeve dhe kërkesave që do të parashtronim”, tha ai.
Por teksa është dëgjuar shumë të flitet për një sërë skenarësh që do të përfshijë protokolli i masave për transportin urban anti-covid 19: udhëtarët do të jenë të pajisur me mska dhe doreza pëndryshe nuk do të lejohen në autobus. Dezinfektim i mjetit dy herë në ditë, teksa për linjat ndërqytetase është menduar dhe matja e temperaturës së udhëtarëve , vendosja e tuneleve dezinfektues në terminale, pajisja me maska dhe doreza e çdo udhëtari etj.
Por edhe pse ato ende nuk janë bërë publike, operatorët kanë rezervat e tyre lidhur me mirëfunksionimin e këtij procesi, ku ankesat janë të shumta sa i përket kapaciteteve, pasi sipas tyre nuk mund të punohet kurrsesi me 30% të kapacitetit, sepse nëse do të ndodhte kështu, e gjitha kjo do të ishte pa leverdi.
“Absolutisht nga ne e nga asnjë subjekt që ne përfaqësojmë nuk pretendohet një rritje të çmimit të biletës. Do ishte e padrejtë për qytetarët e këtij vendi të kërkohet një gjë e tillë, sepse situata ekonomike nuk është e mirë. Por ne kemi kërkuar një sërë gjërash të tjera shtetit si psh: Heqjen e akcizës së naftës, ku kjo është lënda bazë për operimin ekonomik tonin, kjo do t’i jepte një frymëmarrje të madhe transportit dhe mundësi reale për kapërcimin e krizës e vazhdimin normal të punës. Theksoj se kjo nuk do të jetë një barrë e madhe për shtetin sepse ne dimë që ankorohen jahte super luksoze dhe marrin qindra mijëra litra nafte pa akcize, dhe shteti po e përballon e ndërsa ne që e kemi të domosdoshme nuk na ofrohet një gjë e tillë. Gjithashtu uljen e pragut të TVSH-së në shitje sikurse është për hoteleritë në 6%, ose minimalisht në 10%, njohjen e TVSH-së së naftës në masën 100%, ku aktualisht njihet 43% e shitjeve, e ku kjo e vështirëson më shumë situatën tonë ekonomike. Këto janë disa nga kërkesat që ne parashtrojmë për fillimin e aktivitetit dhe rimëkëmbjen ekonomike”, shpjegon Memaj.
Situata e transportit urban qytetas dhe ndërqytetas pritet të sqarohet në ditët në vijim kur pritet të dalë edhe protokolli i masave që çdo operator e qytetar duhet të respektojë, si dhe subvencioni që vetë shteti duhet të bëjë për të mos çuar në faliment këtë sektor, ku janë të punësuar më mijëra punonjës. Ndërsa më pas pritet edhe data e rifillimit, teksa operatorët presin të hënën e dytë të qershorit si data për ristartimin e punës së tyre, të shumëpritur tashmë prej kohësh.