Ngjarje/Personazhe

Kallmi, oazi i qetësisë, plazhi i dëshiruar nga të gjithë, që vuan për një rrugë

1 qershor 2020/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Durrës

Pak kilometra nga qendra e Durrësit, pasi përshkon zonën e Currilave, në perëndim të qytetit, mes një terreni kodrinor, ndodhet i vetmi plazh shkëmbor në Durrës, ai i Kallmit. Uji i kristaltë i detit, kodrat e gjelbëruara, në këtë pjesë të qytetit bregdetar janë së bashku si në asnjë vend tjetër. Dëshira për të pushuar në zona të paprekura, po kthehet në nevojë për shkak të situatës së pandemisë së COVID-19 këtë vit, ndaj dhe Kallmi është plazhi që ëndërrojnë të gjithë, por që vuan për një rrugë, ndaj dhe frekuentimi i tij, është sfidë. Bashkia e Durrësit, e ka shpallur zonën të gjelbër, por projektet për shndërrimin e saj në një atraksioni në shërbim të turizmit, kanë ngelur ende në letër.

Pasi ke përshkuar qendrën e qytetit të Durrësit dhe rrugën e njohur për të gjithë, atë të Currilave, përpara të shfaqet deti që të tërheq me blunë e tij më të thellë. Zona është një nga më tërheqëset për shkak të plazheve të shumtë, dhe çdo vit frekuentohet nga mijëra vizitorë vendas dhe të huaj. Por, ndërsa lë nga pas hotelet dhe restorantet, së bashku me rrugën e asfaltuar, një kthesë e vogël, të fton drejt një natyre tërheqëse, ku mbizotëron gjelbërimi. Rruga të çon drejt Kallmit, një zonë e njohur për plazhin e vetëm shkëmbor, ku nga ana e poshtme deti të fton me ujin tepër të pastër, dhe nga ana e sipërme kodrat me ullinjtë të moçëm bëjnë hije dhe ofrojnë qetësi.

Për të shkuar në Kallm, dikur një zonë ushtarake, të ndajnë vetëm tre kilometra rrugë nga pjesa urbane e qytetit, por ndërsa nis ta përshkosh atë, kupton se do të duhen jo pak minuta sfidë, mes gropave të mëdha që ndodhen në të gjithë gjatësinë e rrugës, pluhurit që ngrihet në qiell dhe papastërtisë.

Një kontejner i stërmbushur me plehra, ndodhet në anë të rrugës, ndërsa, makinat ecin me limitin e shpejtësisë për të shmangur gropat e mëdha.

Gjatë fundjavës, Kallmi është zgjedhja e parë për durrsakët, të cilët i njohin mirë cilësitë e këtij plazhi.

Gjendja e infrastrukturës rrugore të plazhit të Kallmit. Foto: E.Azizolli

Xhuljana dhe Ermira Dumani, dy kunata, nëna të reja durrsake, kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën së bashku me fëmijët në plazhin e preferuar, dhe pse për të ardhur deri këtu nuk e kanë pasur të lehtë.

Makina ime është goxha e ulët dhe me thënë të drejtën me frikë kam ardhur, se mund të kap dhe poshtë për shkak të gropave dhe jep defekte, por ia dola me pak vështirësi”, thotë Xhuljana për Porta Vendore.

Për të, Kallmi është plazhi që nuk e ndërron me asgjë tjetër, por për shkak të rrugës, është menduar dy herë për të ardhur.

Po jemi të qeta këtu, plus që uji është shumë i pastër, ndaj dhe e frekuentojmë çdo vit, përpara pushimeve të gjata, më shumë për të marrë rrezet e para të diellit, dy –tre fundjava, çdo vit, se më shumë nuk vijmë se prishet makina fare. Dhe sot me mëdyshje kam ardhur, mendova mos ishte përmirësuar diçka, por rruga ishte njësoj si vitin e kaluar”, thotë ajo.

Një plazh thuajse i virgjër, me shumë gjire, mes detit dhe kodrave, Kallmi është plazhi ku distancimi aq shumë i rekomanduar, gjatë kësaj kohe është i mundur, por që bëhet i aksesueshëm me vështirësi.

Pushuesit e parë për këtë sezon turistik në Kallm të Durrësit. Foto: E.Azizolli

Toka, kryesisht kodër e mbjellë me ullinj, i është kthyer ish pronarëve, por vetëm pak prej tyre e përdorin atë në favor të zhvillimit të turizmit, pasi zona është shpallur e gjelbër dhe ndërtimet janë të ndaluar, ndërkohë që në Kallm sfidë mbetet rruga.

Ardiani, një durrsak i vjetër dhe biznesmen në fushën e tekstileve, çdo vit, pavarësisht se ku pushon me familjen, vjen dhe në Kallm, pasi këtu merr rrezet e para të diellit dhe shijon ujin në ditët më të mira, siç është fillimi i verës.

Ky është oazi i qetësisë për ne durrsakët. Është kaq qetë, ke detin, kodrat, çdo gjë që do të dëshiroje në një ditë plazhi, ndaj dhe ne vijmë dhe pse jo pa vështirësi”, thotë ai për Porta Vendore.

Së bashku me fëmijët, Ardiani zgjedh të kalojë një ditë të tërë në Kallm dhe ndihet i kënaqur, ndërkohë që ka bindjen se nëse rruga do të ishte në gjendje të mirë, plazhi do të kishte shumë herë më shumë vizitorë, aq sa nuk do të mund të gjendeshin hapësira të lira.

Tokën e kanë marrë ish pronarët, e kanë pasur tokë babe, janë dy-tre familje të vjetra durrsake, e kanë në pronësi, por nuk e kanë vënë në shërbim të turizmit, sepse këtu s’ka rrugë, pikë së pari, as kujdes, se nuk vë dorën askush, zona nuk pastrohet”, thotë Ardiani.

Ndonëse, nuk ka të dhëna se sa është numri i vizitorëve që çdo vit vijnë në Kallm, numri i tyre mendohet që është rritur nga viti në vit dhe do të ishte shumë herë më i lartë nëse do të kishte rrugë.

Por, fillimisht vinin vetëm durrsakët, më pas nisën dhe nga Tirana që të vijnë shumë, që e mësuan Kallmin nga miqtë, të afërmit e tyre, por vitet e fundit, po vijmë dhe të huaj që duan ecjen, natyrën, ata që eksplorojnë zonat e veçanta, si Kallmi”, rrëfen më tej Ardiani.

Emërtimi Kallm për durrsakët, lidhet me emërimin që vjen nga latinishtja, “kalm”, qetësi, paqe dhe i tillë është ai për ta, por jo vetëm.

Gjatë verës Kallmi, është shumë i vizitueshëm dhe pse mjetet veç gropave që gjenden në rrugë, përballen dhe me një tjetër vështirësi, shkëmbimin me njëra-tjetrën për shkak se është shumë e ngushtë.

Operatorët e turizmit, në këtë situatë tepër të vështirë, ku po përballen për shkak të interesit mjaft të ulët që po tregohet për pushime, si pasojë e frikës nga COVID-19, shprehen se Kallmi është plazhi ideal, por i pamundur të përfshihet nga agjencitë në guida.

Pranë “Dallupi Travel Agency” , rihapja e agjencisë, pas ditëve të pushimit si pasojë e situatës së Covid-19, nuk ka sjellë asnjë prenotim për sezonin e kësaj vere dhe administratori i saj është skeptik për ecurinë e këtij sezoni, ndërkohë që Kallmi, do të ishte zgjedhje e mirë, po të kishte rrugë.

Mund të shihni faqen e agjencisë, nuk ka asnjë prenotim pushimesh për muajt në vijim, as një biletë e prerë, që pas rihapjes. Ideal, si zgjedhje do të ishte Kallmi, po që dihet gjendja e rrugës për atje dhe vështirësitë që ka për durrsakët, se për tu përfshirë në guida, as që bëhet fjalë”, thotë Rexhep Dallupi, administrator i agjencisë, për Porta Vendore.

Me një ndërthurje mes plazheve ranore dhe atyre shkëmbore, me habitate ujore pa fund, diversitet të pasur, Kallmi nuk mund të ofrojë shumë vizitorë për shkak të gjendjes së rrugës.

Rruga totalisht e amortizuar në plazhin e Kallmit. Foto:E.Azizolli

Lida Veliu, është një prej të paktëve operatorë në fushën e turizmit në këtë zonë, e cila prej 15 vitesh drejton një bar-restorant të vogël, në një nga gjiret e shumta të zonës.

Pas një eksperience të gjatë pune në Itali, në fushën e turizmit, Lida u kthye dhe ndërtoi biznesin e saj, në tokën e trashëguar nga familja e bashkëshortit.

Një djalë i ri, punëtor pranë biznesit të familjes Veliu, ka nisur nga puna për riparimin e çadrave prej kashte, të cilat do të jenë në shërbim të vizitorëve këtu, kur plazhi të hapet.

Të vetmit që ndodhen në lokal janë pronarët dhe punonjësi i tyre, të cilët kryejnë çdo punë, me padurim për nisjen e këtij sezoni turistik, dhe janë shumë mikpritës.

Në oborrin gjithë lule, ndodhet dhe një bunker, dëshmi e kohës së kaluar, të cilin Lida e ka lyer me gëlqere të bardhë. Çdo gjë këtu është në harmoni të plotë me natyrën, ku thjeshtësia është bashkuar me fantazinë në ngjyrat e karrigeve, tavolinat, të gjitha prej druri, pranë natyrës dhe larg luksit që jemi mësuar të shohin në plazhet shqiptare.

Lida është plot shpresë për këtë sezon turistik, por ndërsa e pyet për rrugën e Kallmit, ajo thotë që kërkon vetëm një gjë, të jetë e kalueshme.

Këtu nuk bëhet fjalë për rrugë të asfaltuar. Sfida jonë është rruga, që sot vetëm emrin ka të tillë, pasi është thjesht shteg. Ne kërkojmë që të jetë të paktën e kalueshme që vizitori të vijë më lehtë”, thotë ajo për Porta Vendore.

Pak çadra në breg, një zonë e pastër që bën diferencën me pjesën tjetër të mbushur me plehra, Lida përpiqet të shohë me optimizëm faktin se në Kallm vijnë ata që i tërheq natyra dhe pse nuk janë të shumtë ata që vijnë këtu në këmbë.

Kanë nisur që të vijnë dhe në këmbë, me ecje të lirë, por këtu as ndriçim nuk ka për në mbrëmje, ndaj kjo është sfidë, por ne shpresojmë që t’ia dalim në punën tonë dhe pse nuk e kemi të lehtë’, thotë ajo.

Lida, e cila kryen çdo punë në biznesin e saj, duhet të mendojë dhe për largimin e plehrave, për pastrimin e zonës, ndërkohë që vetë duket e mësuar me gjendjen e rrugës që e bën disa herë në ditë, në shërbim të punës.

Përpiqemi të përdorim dhe prodhimet tona bio si perimet e bahçes, por kërkesat janë për shumë produkte, ndaj e bëj rrugën për në Durrës shumë shpesh gjatë një dite, me ngadalë për të ruajtur mjetin, pasi ajo nuk është rrugë”, thotë ajo.

Pak çakëll i hedhur nga vetë pronarët e tokave këtu, që kanë ullishtat e tyre dhe ato dy tre biznese, janë të vetmet përpjekje për përmirësimin minimal të gjendjes së rrugës, por që nuk shkon gjatë.

Disa herë hedhim çakëll, në gropat më të mëdha të rrugës, por ujërat që zbresin nga kodrat pas shirave e marrin me vete dhe nuk shkon gjatë”, tregon Lida.

Një operator privat që ushtron aktivitetin e turizmit familjar, në zonën e Kallmit. Foto: E.Azizolli

Në lidhje me gjendjen e infrastrukturën rrugore në zonën e Kallmit, burime zyrtare të Bashkisë së Durrësit, bën me dije se për ta ruajtur Kallmin, bashkia synon realizimin dhe financimin e një parku natyror, ku të ndërthuret turizmi detar me atë të sporteve të aventurës, por që bashkia me të ardhurat e saj e ka të pamundur që ta realizojë.

Kallmi është zonë e gjelbër, si e tillë, është e ruajtur dhe nuk lejohen ndërtimet. Bashkia synon të realizojë projektin “Vija e Kaltër”, i cili është vizioni i së ardhmes, që parashikon ofrimin e plazheve, zhvillimin e sporteve të aventurës, nëpërmjet eksplorimit të shtigjeve dhe në dispozicion të tyre do të jetë dhe rruga që nuk parashikon shtrimin me asfalt, për të qenë në sinkron me atë se çfarë do të ofrohet”, bëri me dije për Porta Vendore, Zyra e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median.

Por, përtej projektit ambicioz të Bashkisë së Durrësit, ku vetë institucioni pranon faktin që do të realizohet vetëm me mbështetje të qeverisë, pasi të ardhurat e saj nuk do ta realizonin kurrë atë, sot Kallmi përballet me shumë vështirësi.

Zona pastrohet si çdo pjesë tjetër e qytetit, por dhe ndërgjegjja e qytetarëve mungon, pasi shpesh kur shkojnë në Kallm, plehrat lihen në plazh ose rrugëve, ndaj dhe kërkohet ndërgjegjësim”, u shpreh Bashkia Durrës, që me Kallmin shikon zhvillimin e mëtejshëm të turizmit elitar.

Plehrat në anë të rrugës, në zonën e Kallmit. Foto: E.Azizolli

I njohur nga durrsakët, por dhe vizitorët e huaj që eksplorojnë natyrën, të cilët vitet e fundit nuk kanë munguar, Kallmi do të ishte pa frikë destinacioni kryesor i këtij sezoni turistik, i cili ende nuk dihet se si do të shkojë.

Pranë Bashkisë së Durrësit, po punohet për një plan masash që do t’iu prezantohen operatorëve të turizmit, ndërkohë që kanë nisur dhe kërkesat për hapësira të lira në plazhe nga biznese që operojnë vetëm gjatë sezonit, ku nuk bën përjashtim as Kallmi.

Situata e turizmit nga kjo pandemi është e vështirë, me ende shumë pikëpyetje. Jemi duke hartuar një plan masash për subjektet, të cilat do t’i kërkohen operatorëve të turizmit, me qëllim parandalimin e epidemisë gjatë sezonit”, thotë për Porta Vendore, nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri.

Por, me gjithë të panjohurat që shoqërojnë këtë sezon të ri turistik në Durrës, duket se dhe në këtë vit, plazhi i Kallmit do të vijojë të mbetet plazhi i dëshiruar për të gjithë, por që do të frekuentohet shumë herë më pak, për shkak të mungesës së një rruge të kalueshme, realizimi i së cilës, sipas Bashkisë së Durrësit, është vetëm një pjesë e një projekti ambicioz, por aktualisht mbetet vetëm në letër.

Papastërtia në bregun e plazhit të Kallmit. Foto: E.Azizolli