Vëzhgim/Analizë

Nis puna për Eko Park, por mbetjet e Durrësit vazhdojnë të depozitohen në Porto Romano

29 maj 2020/ Esmeralda Keta/ Porto Romano/ Durrës

Vetëm 8 km larg qytetit të Durrësit, qindra familje në zonën e Porto Romanos, janë të detyruar të bashkëjetojnë me mbeturinat dhe ujërat e zeza të qytetit të Durrësit. E konsideruar si një bombë e vërtetë mjedisore, ndërsa ka nisur puna për Eko-park, projekti që synon ta transformojë Porto Romanon në një zonë të gjelbër, mbeturinat e Durrësit vazhdojnë të depozitohen aty, pasi nuk është gjetur ende një zgjidhje.

Eko park, mbeturinat e Durrësit ende pa zgjidhje

Puna për Parkun e Madh të Porto Romanos ka nisur, mirëpo ashtu siç edhe shihet me sy të lirë ajo po ecën me ritme të avashta, ku dhjetëra kamionë janë duke transportuar mbetjet nga një cep në tjetrin, për të krijuar relievin që projekti kërkon e që Porta Vendore e ka publikuar që në fazat e para të implementimit të tij, si dhe ka raportuar herë pas here situatën problematike të mbetjeve në këtë zonë.

Por pas shumë protestash nga vetë banorët e zonës dhe shoqëria civile, duket se Porto Romano po merr rrugën e duhur për sa i përket fushës së mbetjeve. Klinika Ligjore Durrës mbështeti banorët në proceset gjyqësore ndaj bashkisë, ku fitorja e parë ishte ndalimi i djegies së mbetjeve në këtë fushë, çka ishte kthyer në një gangrenë të vërtetë për jetën e qytetarëve, ndërsa fitorja e dytë e tyre ishte projekti ambicioz i një parkut të ri dhe modern, për tu ndërtuar në këtë zonë ku puna nisi menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit .

Në datën 7 dhjetor 2019, Rama inspektoi punimet në Porto Romano teksa kishte nisur edhe procesi i shndërrimit të kësaj zone nga një fushë mbetjesh në një Park Eko.

Inxhinierët i thanë kryeministrit Rama që të gjitha inertet që po vijnë nga shembjet e IKMT-së për shkak të tërmetit të 26 nëntorit po i sistemonin, këtu ndërsa ai kërkoi përshpejtim të procesit për krijimin e bazamentit me inertet që tërmeti i 26 nëntorit la pas.

“Nga një zonë kanceroze që ka 50 vite që vetëm prodhon helme dhe papastërti kthehet në një park model. Ndaj i kam kërkuar edhe policisë që të mos lejojë askënd që të marrë hekur tek inertet që materiali të çohet për skrap dhe atë fond të përfshihet në materialin e ndërtimit”, tha Rama nga Porto Romano.

Kur kryeministri Rama iu drejtua inspektorëve se për çfarë afati bëhet fjalë për pastrimin, ata u përgjigjën se: “Mendojmë se pastrimi i zonës dhe sistemimi i inertëve do të ketë përfunduar deri për krishtlindje. Ndërsa për të arritur deri tek pjesa e parkut, për 18 muaj mbaron. Pra në 1 qershor 2021 pritet të jetë gati Parku i madh i Porto Romanos”, i premtuan inspektorët Ramës.

Porta Vendore pyeti gjithashtu pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime se si po shkojnë punimet për Parkun e madh të Porto Romanos, meqë ky institucion është edhe kontraktori për këtë projekt. “Puna po ecën me ritme të larta 24/7. Puna ka nisur në prill kur edhe Bashkia Durrës bëri dorëzimin e fushës të mbetjeve. Megjithëse kontrata me kompaninë është për 18 muaj punime dhe de juro i bie që parku të jetë gati në shtator, sërish jemi shpresëplotë që parku do të jetë gati për tu përuruar në 1 qershor 2021, pra që gjithçka do të ketë përfunduar deri në muajin maj 2021”, tha burime zyrtare të AKUK.

Projekti i Porto Romanos do të ketë ambienteve sportive, (përkatësisht; 3 fusha basketbolli, 1 fushë mini-futbolli dhe 2 fusha tenisi), parkim, kopsht botanik, mure kacavjerrës prej 28 metrash (climbing), kënde lojërash, hapësira dedikuar aktiviteteve sportive. Fusha aktuale e mbetjeve në Porto Romano, e cila pritet të rehabilitohet është rreth 155 000 metra katrorë. Ky projekt është fituar nga bashkimi i operatorëve ndërmjet kompanisë shqiptare “Victoria Invest International” dhe asaj italiane, “De Mare” srl”. Tenderi është zhvilluar me procedurën e prokurimit “me negocim, pa shpallje paraprake”, duke e argumentuar “për shkak të nevojës ekstreme në të cilën ndodhemi pas ngjarjeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 26.11.2019”. Në bazë të të dhënave zyrtare, vlera e tenderit ishte parashikuar 1.68 miliardë lekë (të reja) pa TVSH, një vlerë e përafërt me 15 milionë euro.

Po gjatë këtij inspektimit në Porto Romano kryeministri Rama kërkoi gjithashtu edhe koordinimin e mbetjeve. “Duhet menaxhuar situata e mbetjeve, në mënyrë që të mos shkarkoheshin më këtu, por të çohen në landfillin e Tiranës. Kruja, Durrësi, Kamza të shkojnë atje, tani ka kapacitet. Me pastrimin e inerteve kemi qenë mirë, sapo shemben nga IKMT direkt me mjete vijnë grumbullohen këtu”, u shpreh kryeministri Rama.

Por nga dhjetori e deri më tani problemi i grumbullimit të mbetjeve nuk mori një zgjidhje. E teksa kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga kjo deklaratë, mbetjet e Durrësit vijojnë të hidhen në fushën e mbetjeve të Porto Romanos.

Banorët thonë se çdo ditë vijojnë të vijnë me dhjetëra kamionë që shkarkojnë mbeturinat e Durrësit. “Çdo ditë vijnë 20 a 30 kamionë që sjellin mbeturinat e Durrësit, nuk e di se çfarë kanë ndërmend të bëjnë, por këtu vazhdojnë çdo ditë e sjellin mbeturina”, thanë banorët e zonës për Portën Vendore.

Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore, që në korrik të 2018-ës si pasojë e situatës problematike me mbetjet në të gjithë vendgrumbullimet e kësaj bashkie. Të gjitha forcat politike votuan pro shpalljes së emergjencës mjedisore, ku u kërkua gjithashtu pranë komitetit të mbetjeve që të mbyllej kjo fushë, por përsëri pavarësisht se duheshin marrë masa për një plan B për hedhjen e mbetjeve gjatë kësaj kohe, kjo nuk ka ndodhur, dhe ky pretendim i banorëve pranohet edhe nga Bashkia e Durrësit. “Ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare se ku do të derdhen mbeturinat për Bashkinë Durrës, jemi në bisedime, por deri sa të gjendet një zgjidhje mbetjet e Durrësit vazhdojnë të derdhen në Porto Romano”, na shpjegojnë burime zyrtare të bashkisë së qytetit bregdetar.

Porta Vendore pyeti gjithashtu pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime nëse po pengohet procesi i ndërtimit të parkut nga mbetjet e Bashkisë Durrës që vijojnë të hidhen aty. “Mbetjet janë në kompetencën e bashkisë, dhe kjo e fundit duhet të mendojë për menaxhimin e tyre. Pas kërkesës në komitetin e mbetjeve, duke nisur nga 16 janari, ky institucion nuk duhet të hidhte më mbetje, ju la porosi. Kjo normalisht që do të pengonte punën e kompanisë për ndërtimin e parkut, por deri më tani meqë edhe vetë puna ka qenë në fillesat e saj është toleruar ky aspekt”, thanë burimet zyrtare të këtij institucioni.

Për ambientalistin Lavdosh Ferruni, zgjidhja për zhvendosjen e mbetjeve të Durrësit në Tiranë nuk është një ide e mirë. “Projekti për rehabilitimin e Porto Romanos është një projekt i mirë. Është një zonë mjaft e ndotur që po kthehet në një park dhe kjo është diçka e mundshme. E gjitha kjo është një gjë që duhet përgëzuar, por nga ana tjetër zgjidhja e menaxhimit të mbetjeve të Durrësit për të ardhur në Tiranë është e gabuar. Tirana vetë është një qytet i ndotur që menaxhon me vështirësi mbetjeve e veta, jo me të Durrësit, ndaj zgjidhja është e gabuar, si në distancë ashtu edhe në kosto”, thotë Lavdosh Ferruni ambientalist, ndërsa thekson se zgjidhja do të ishte gjetja e një vendi afër Durrësit.

Bashkëjetesa me ndotjen e dyfishtë, mes mbetjeve dhe ujërave të zeza

Kur Leze Gjergji zbriti 30 vite më parë nga Shkreli i Malësisë së Madhe në Porto Romano, toka që familja e saj bleu, rrethohej nga një fushë e madhe. Përpara kalonte një kanal me ujë vaditës, i sistemuar dhe i mbushur plot me lule në të dy anët. Ajo rrëfen se në këtë zonë nuk kishte asnjë shtëpi dhe gjithçka u duk se ishte më e mirë për të, familjen dhe të ardhmen e fëmijëve.

“Këtë shtëpinë kemi bërë gjithë jetesës, me mund dhe djersë, madje e shikoni si më ka mbetur pa përfunduar kati i dytë, gjysmë i ndërtuar? Ka 10 vite ashtu, që kur dy djemtë humbën jetën në një aksident në Greqi”, tregon Lezja, duke shtuar se familjet në këtë zonë janë të këputura nga ana financiare e ku burrat punojnë në punë kryesisht informale për të nxjerrë së paku bukën e gojës.

Lezja duke folur për Portën Vendore. Foto: E. Keta

“Ndaj s’na kanë marrë seriozisht neve, edhe kur jemi ankuar. Më vjen keq që jetojmë në këtë ambient të ndotur, neve ikëm, por fëmijët dhe nipërit. Djali im i madh u detyrua të shkojë në Spitallë, sepse këtu djali i vogël i vuante nga astma, kurse me të ndërruar ajër, u qetësua goxha”, dëshmon ajo për pasojat e ndotjes.

30 vite më pas, Porto Romano është shndërruar në një bombë të vërtetë mjedisore. Dikur e njohur për shkak të ish kimikes, fabrikës që la pas qindra tonë mbetjesh të rrezikshme, mijëra banorë që e populluan këtë zonë pas viteve 90-të janë të detyruar tanimë të bashkëjetojnë me tonelata mbeturina që vijnë çdo ditë nga qyteti i Durrësit, kanalit të ujërave të zeza të qytetit të Durrësit si dhe mbetjeve të rrezikshme që prodhojnë fabrikat e riciklimit në këtë zonë.

Vetëm 8 km larg Durrësit, zona nuk ka asnjë rrugë të shtruar dhe vuan mungesën e theksuar edhe të ujit të pijshëm.

Gjendja e kanalizimeve në Porto Romano. Foto: E.Keta

Aq e ndotur është zona sa që Lezja, ka vite që nuk guxon të hapë dyert e dritaret e shtëpisë për t’u ajrosur.

“Jeta na është bërë ferr. Ne nuk thithim ajër, ne thithim helm. Kur digjeshin mbeturinat, ishte e pamundur të merrje frymë. Tani kanali me ujërat e zeza që përshkon zonën mes për mes dhe ja kjo është puna jonë”, na thotë Lezja.

Por më keq se mali i mbeturinave që i është afruar dhunshëm shtëpive në këtë zonë me kalimin e viteve, për banorët probleme mbetet kanali ku derdhen mbetjet e një fabrike riciklimi dhe ujërat e zeza të Shkozetit.

Kur kam ardhur unë, ai ka qenë me ujë vaditës dhe me lule në të dy anët, tani ky është më keq se edhe mbeturinat dhe madje edhe se kanali i ujërave të zeza. Ky është gjithë sëmundje”, na pohon Lezja, e cila po ashtu tregon se prej vitesh ai kanal duhet të ishte mbuluar dhe jo të lihej i hapur.

Edhe për familjen e Marte Cukës, jetesa në këtë zonë është shumë e vështirë. Të vetmet të ardhura janë ato që fitojnë nga shitja e derrave dhe ndonjë perime nga kopshti.

“Këtu nuk ka asgjë, përveç sëmundjeve. Madje edhe tokën ku mbjellim pak kopsht, e kemi blerë dheun dhe e kemi mbushur sepse kjo ka qenë kënetë e nuk prodhonte asgjë”, tregon ajo për Portën Vendore.

Kurse Kristjana, një adoleshente 14-vjeçare, është lindur e rritur buzë këtij kanali të ujërave të zeza të Durrësit.

Kristjana duke folur për Portën Vendore. Foto: E. Keta

E mësuar me erën e rëndë që kundërmon nga të gjitha anët në këtë zonë, asaj nuk i bën përshtypje asgjë. “Po ne mirë jemi, shkollën e kemi afër, vetëm ujë e rrugë nuk kemi”, na thotë ajo, ndërsa bën vazhdimisht mes pluhurit xhiro me biçikletë.

Por pyetja që të vjen natyrshëm kur shikon një projekt ambicioz siç është Parku i madh i Porto Romanos është: A do t’i shpëtojë ndonjëherë Porto Romano ndotjes, apo do të mbetet një vend ku banorët do të jenë të destinuar për të jetuar në bashkëjetesë me ndotjen?

Do të shpëtojë, por jo plotësisht, për sa kohë sa nuk ka një vëmendje për të sensibilizuar vetë kompanitë për të respektuar ligjin dhe për sa kohë që shteti nuk e ka në vëmendje këtë skemë të ndotjes. Pra do të kemi një Durrës ndryshe, por nëse nuk vijohet me projekte, Porto Romano nuk do t’i shpëtojë dot ndotjes”, shprehet ambientalisti Ferruni për Portën Vendore.

E kontaktuar nga Porta Vendore, kompania e përpunimit të kartonit në këtë zonë, nuk pranoi të fliste lidhur me këtë situatë, duke thënë thjesht që ndotja e kanalizimeve nuk është shkaktuar nga kartoni.

Por teksa shpresat janë të pakta për të ndryshuar diçka në erën që i shoqëron çdo ditë nga uji i kanalizimeve që kalojnë buzë shtëpive të tyre, zëri i banorëve të zonës ka shkuar hera herës edhe tek njësia administrative, me shpresën se do të dëgjohen.

Problematikë ka qenë kryesisht për kanalizimet, por pavarësisht se zërin dhe ankesat e banorëve i kam deleguar në bashki sërish do të duhej një shumë marramendëse që t’i jepej zgjidhje kësaj situate. Kanalizimet kur të bëhen, nuk do të bëhen vetëm për Porto Romanon por për gjithë zonën e njësisë 4”, tha për Portën Vendore administratorja e kësaj njësie zonja Davide Ndoi.

Porta Vendore pyeti pranë Bashkisë Durrës për problematikat që shqetësojnë komunitetin. Ndërsa kjo e fundit shpreson se kjo zonë do të marrë frymë lirisht pas zbatimit të projektit të qeverisë, i cili synon ta shndërrojë Porto Romanon nga një zonë të nxehtë mjedisore në një Park të madh.

“Duke e shndërruar këtë zonë në Eko-park, do të gjejnë përfundimisht zgjidhje problemet e mëdha mjedisore që e kanë shoqëruar këtë zonë për vite të tëra. Bashkia e Durrësit, por mbi të gjitha banorët e kësaj zone do të jenë përfituesit kryesor”, shprehen përfaqësuesit e Bashkisë Durrës për Portën Vendore.

Porta Vendore iu drejtua gjithashtu Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime si organi qendror që merret me këtë problematikë, por kjo e fundit nuk ka një projekt të dorëzuar nga bashkia që do të synonte zgjidhjen e kësaj situate për banorët e njësisë 4 në qytetin e Durrësit.

“Agjencia ka për detyrë të shikojë sektorin e ujit dhe kanalizimeve në 61 bashki. Buxheti që ne kemi vënë për mbulimin e disa problematikave duke i prioritizuar. Një bashki mund të sjellë edhe 30 projekte, por fokusi dhe objekti qendror i jonë është uji i pijshëm”, thanë përfaqësues të këtij institucioni.

Për Klaudio Hyseni, përfaqësues i organizatës “Durrësi aktiv”, i cili ka nisur një projekt për vlerësimin e ndotjes në mjedis dhe ekosistemin detar që shkakton ish- kanali vaditës i kthyer në kanal ujërash të ndotur, rruga e zgjidhjes është e vështirë.

“Aty situata është vërtetë shumë problematike”,  thotë për Porta Vendore Hyseni. – Ky kanal, që dikur ka qenë kanal kullues, tashmë mbledh ujërat e zeza të Spitallës, Shkozetit e Kënetës, pasi e gjithë zona nuk ka kanalizime, ujërat e shiut dhe të gjitha shkarkimet e tjera i depoziton në det. Problemi është se ai është një kanal i hapur që ndot jo vetëm ekosistemin detar, por edhe të gjithë mjedisin ku kalon”.

Klaudio sqaron se shumë shpejt ata do të nisin punën për hartimin e një raporti për ndikimin në mjedis të këtij kanali ndotës.

Do të bëjmë një vlerësim të ndikimit në mjedis, në disa pika përgjatë gjithë gjatësisë së këtij kanali si dhe në ekosistemin detar, që ne të dimë realisht se çfarë efektesh ka”, shprehet Klaudio, ndërkohë është dyshues se i përket mundësisë për një zgjidhje në kuadër të Eko-parkut, projektit që po realizohet në këtë zonë. “Nëse ky kanal do të ishte përfshirë në këtë projekt, atëherë AKUM patjetër që duhet të ishte dakordësuar me Bashkinë Durrës, që e ka nën administrim këtë zonë dhe është përgjegjëse edhe për infrastrukturën. Sa kohë që në Bashkinë Durrës nuk ka mbërritur asnjë projekt, apo kërkesë për bashkëpunim, atëherë nuk ka shpresë që ky kanal të jetë pjesë e ndërhyrjes që do të realizohet tek fusha e vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto-Romano”, sqaron ai.

“Durrësi Aktiv”, me konsulencën e klinikës ligjore të Durrësit, ashtu siç edhe Porta Vendore ka raportuar më parë, ka rreth një vit që kanë nisur ‘betejën’ ligjore me institucionet përgjegjëse për të ndërhyrë në këtë kanal. Në letërkëmbimin e gjatë që “Durrësi Aktiv” ka këmbyer me institucionet, Ujësjellësi i Durrësit shpjegon se nuk ka fonde për të zgjidhur përfundimisht ndotjen që krijon ky kanal, por duket se një segment i këtij kanali do të gjejë zgjidhje.

Shpresojmë që së paku të mbyllet rreth 1.2 km e këtij kanali, pasi Bashkia e Durrësit e ka bërë projektin dhe azhornimin. Presim vetëm të miratohet projekti e të nisë puna për mbylljen e tij, por gjërat po ecin më ngadalë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid19. Sigurisht që kjo do të ishte një fitore e vogël, por gjithsesi është një shenjë e mirë që gjërat të fillojnë të lëvizin”, shpjegon ai.

Mungesa e ujit të pijshëm, një refren që përsëritet

Porto Romano bën pjesë në njësinë administrative numër 4 dhe përfshin 3 lagje të mëdha, përkatësisht 15, 18 dhe 8, ku vetëm ajo e Porto Romanos, e njohur ndryshe si lagja 15, ka rreth 60 mijë banorë. Sikur të mos mjaftonte problematika e mbetjeve dhe ajo e kanalizimeve, banorët tregojnë gjithashtu se prej vitesh në këtë zonë mungon edhe uji i pijshëm. Pasi pritën gjatë viteve të demokracisë, durimplotë se kjo çështje do të zgjidhej njëherë e mirë, dhe do të shpëtonin nga puset, uji i pijshëm mbërriti më në fund në shtëpi thuajse 5 vite më parë, por në kohë mjaft të kufizuar, pasi më shumë nuk kanë ujë se sa kanë.

U bënë thuajse një javë që nuk kemi asnjë pikë ujë. Po çfarë uji është ky që na vjen, më shumë nuk ka se sa ka ujë këtu”, na thonë banorët. Ata shpjegojnë se ujin e pijshëm e blejnë në dyqan, ndërsa për të plotësuar nevojat e shtëpisë për ujë, kanë vendosur pompa në puset e kohës së monizmit që ishin hapur për vaditje.

Po çfarë uji moj rrezike, – thotë Leze Gjergji, duke shtuar – ne akoma nga puset e Enver Hoxhës marrim ujë. “Ja ku janë pompat”, na thotë ajo, ndërsa na tregon tubat e ujit që kalojnë mbi kanalin e ujërave të zeza të Durrësit.

Tubat e ujit kalojnë pranë kanalit të ujërave të zeza. Foto: E. Keta

Ndërsa banorët rrëfejnë se problem të madh kanë edhe ujin vaditës, pasi pa të nuk ka jetë bujqësore në zonë, megjithëse këtu prodhohet sa për vete.

Institucionet e Durrësit kur vjen puna për të dhënë llogari për mungesën e investimeve në ujë të pijshëm dhe kanalizime në këtë zonë e kanë më të lehtë t’ia hedhin topin njëri-tjetrit, se sa të zgjidhin hallin real të këtij komuniteti, që vuan prej vitesh nga ndotja, me shpresën e pakët që gjërat do të ndryshojnë.

Bashkia Durrës, e pyetur nga Porta Vendore për këtë problematikë të tretë që shqetëson komunitetin prej vitesh, tha se uji i pijshëm dhe kanalizimet janë në kompetencën e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës. Ndaj Porta Vendore iu drejtua për një prononcim lidhur me këto çështje edhe Ujësjellësit Durrës, ku ky i fundit e pranon se zona është problematike në furnizimin me ujë të pijshëm.

Kjo zonë ka pasur defekt, dhe prej 5 ditësh kemi problem jo vetëm aty por edhe në Spitallë, – na thonë burime zyrtare pranë Ujësjellësit të Durrësit, – por po punohet për zgjidhjen e situatës. E vërteta është se kjo zonë ka qenë gjithmonë problem, pasi konsiderohen pikat fundore dhe kemi vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm”, pranojnë ata.

Sa i përket zgjidhjes së kanalit të ujërave të zeza, ujësjellësi thotë se është Bashkia e Durrësit ajo që miraton projektet e ndërhyrjes në infrastrukturë.

“Ujësjellësi administron rrjetin e Ujësjellës kanalizimeve, por që ajo zonë ka nevojë për ndërhyrje serioze në të gjithë këtë infrastrukturë dhe kjo është kompetencë e bashkisë”, na thonë të njëjtat burime nga Ujësjellësi Durrës, duke e kaluar kështu topin përsëri tek Bashkia Durrës.

Porto Romano e harruar dhe në varfëri

Por pavarësisht kësaj situate, banorët sërish shprehen se kanë bërë zgjedhjen e duhur për të ardhmen e fëmijëve, duke lënë shtëpitë e tyre në zonat e thella të Pukës, Tropojës, Kukësit e Malësisë së Madhe e për tu vendosur në Porto Romano.

Kur e mendoj kam bërë mirë që kam ardhur për fëmijët. Të paktën shkollën e kanë afër, ndoshta do të mund të gjejnë edhe ndonjë punë, kurse atje në fshat çfarë do të bënim? Shkolla nuk kishte, rrugë jo e jo. Për fëmijët është më mirë këtu”, rrëfen Maria.

Mjerimi në këtë zonë është ulur këmbëkryq. Të harruar nga çdo pushtet, banorët e kësaj zone përpiqen të ndërtojnë të ardhmen edhe në mes të asaj “bombe mjedisore” ku jetojnë.

Shtëpinë e Juljanës nuk e ndajnë as 300 metra nga fusha e mbeturinave ku aktualisht po punohet me kapacitet të plotë për ndërtimin në kohë të Parkut të Madh të Durrësit. 19-vjeçarja, ka mbaruar shkollën e mesme dhe tashmë shpreson të gjejë ndonjë punë në qytetin e Durrësit.

Shtëpia e Julianës vetëm pak metra larg fushës së mbetjeve. Foto: E. Keta

Por ndërsa Juliana kujdeset për shtëpinë, babai i saj ka disa ditë që ka nisur punë në fushën e mbeturinave. Ai është i vetmi që punon në familjen prej 4 anëtarësh.

Nuk ka shumë që ka filluar punë te parku, por të paktën është një mundësi për punë”, shprehet ajo.

Edhe bashkëshorti i Maries, prej disa ditësh ka nisur punën tek vendgrumbullimi i mbeturinave. Por ndonëse ata nuk ankohen, vetë banorët shprehen se po i shfrytëzojnë.

“Punojnë nga ora 6 e mëngjesit deri në 6 të darkës, në mes të pikut të diellit dhe në mes të helmeve, dhe u japin 10 mijë lekë të vjetra dita. Pse punë është kjo? Kjo është me ta vënë këmbën në fyt, por njerëzit janë hallexhinj e shkojnë”, na thotë një grup grash që takojmë pranë fushës së mbetjeve në Porto Romano.

Ndërsa varfëria në këtë zonë vijon të mbetet e madhe, ku sipas çiftit Haxhiaj, që administron një market të vogël në zonë, familjet e Porto Romanos sa vijnë e futen edhe më shumë në batakun e skamjes dhe lista e borxheve zgjatet me emra të rinj nga viti në vit.

“Kemi disa familje që i kemi komshinj e marrin ushqime me lista nga pamundësia. Por kryesisht janë korrektë, sapo kanë ndonjë lek ose marrin rrogën, i sjellin. Po kryesisht marrin produktet bazike, vaj, miell, oriz e sheqer. Por ama situata ekonomike e zonës është shumë e keqe, kjo nëse do ta krahasonim me 2-3 vite më parë. Pale pastaj me këtë koronavirusin që shumë familje për shkak të punës në të zezë mbetën pa punë fare”, tregon e moshuara, pronarja e marketit të vogël, i pozicionuar në rrugën kryesore të Porto Romanos.

Banorët në Porto Romano. Foto: E. Keta

Por ndërsa askush nuk kujtohet të investojë në infrastrukturën e kësaj zone, të gjitha partitë politike nuk harrojnë asnjëherë të vijnë këtu kur vjen kohë për t’iu kërkuar votën.

Për Zotin sa herë ka zgjedhje nuk harrojnë asnjëherë me ardh e ma na kërku votën, – na thonë banorët, – por kur ne kërkojmë që të na rregullohen rrugët, të kemi ujë të pijshëm, apo të zgjidhet kjo puna e ndotjes, bëjnë sikur ne nuk ekzistojmë”, përfundojnë të indinjuar ata.