Vëzhgim/Analizë

Pandemia shton hallet e taksistëve dhe shkakton rritje të çmimeve

27 maj 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore

Pandemia Covid 19 solli një sërë masash shtesë për shërbimin taksi me qëllim për mos përhapjen e virusit, por bashkë me masat shtesë shkaktoi dhe një luhatje të fortë të çmimeve të këtij shërbimi, sidomos në lëvizjet ndërqytetase. Në rritjen e çmimit duket se më së shumti ka ndikuar mungesa e transportit ndërurban, ku vihet se rritja e çmimit të taksive shkon deri në 6 mijë lekë të reja për vendet e largëta. Por nga ana tjetër, taksistët ankohen se janë shtuar dhe hallet e tyre, pasi shumë prej tyre nuk kanë përfituar pagën e luftës dhe se fitimet janë ulur, pasi orari i shërbimit të tyre është kufizuar me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Taksistët dhe pandemia

Porta Vendore bisedoi me disa taksistë në qytete të ndryshme të vendit, edhe në Tiranë, për të kuptuar sesi po ofrohet ky shërbim në kohë pandemie, si një nga aktivitetet e para që u hap pas përhapjes së pandemisë.

Aureli, një taksist profesionist në Gjirokastër tregon për Portën se ai ka shumë vite që ushtron këtë profesion dhe më 25 prill, pas vendimit për rihapjen e aktivitetit, ai është rikthyer në punë. “Sapo Ministria dhe urdhrin, unë mora të gjitha masat sipas protokollit të vendosur dhe dola në punë. Sipas protokollit, unë përdor dorezat, maskën dhe para dhe pas çdo pasagjeri dezinfektoj mjetin. Megjithatë, punë ka shumë pak, krahasuar me periudhën para pandemisë”, shpjegon Aureli.

Por, si Aureli është edhe Xhemili në Vlorë, i cili tregon se masat i ka respektuar, por sipas tij nuk ka punë. “Një rrugë, dy rrugë, nuk ka më shumë. Pastaj kur janë edhe njerëzit me orare të caktuara, normal që nuk do ketë punë. Nëse vazhdon kështu nuk ka të ardhme fare kjo punë”, shprehet ai. Ndërsa një koleg i tij shpjegon se tashmë dhe njerëzit janë pak të frikësuar të përdorin taksi. “Preferojnë që të dalin më shumë shëtitje në këmbë sesa në makinë. Sikur edhe hall të kenë preferojnë më shumë të shkojnë në këmbë se me makinë”, shpjegon taksisti vlonjat.

Por, situata mbetet e njëjtë në çdo qytet, ndërkohë që me sa më shumë taksistë të flasësh, aq më shumë halle të tregojnë. “Unë punoj taksist te Ring, nga grupi jonë prej katër vetëve që qëndrojmë në këtë stacion, tre u ka ardhur përgjigje negative, ndërsa njërit i ka ardhur përgjigje pozitive që të marrë lekët se është te bizneset që nuk lejohet të punojnë, ndërsa ne të tjerët lejohemi. Nuk mendoj se ka logjikë, veçse është një absurditet i administratës shtetërore të paaftë”, shprehet Xhaviti.

Ndërsa Arjani, i cili punon taksist në Lezhë tregon se për të marrë pagën e luftës, i është dashur që fillimisht të paguajë para kohe sigurimet. “Na është kërkuar të paguajmë sigurimet shoqërore të marsit, që sigurimet shoqërore në kohë paqeje paguhen deri më 20 prill, kurse në kohë lufte, i paguajmë më 1 prill për arsye se nuk plotësoheshin dokumentet për pagë lufte nëse nuk paguheshin sigurimet e muajit mars”, thotë Arjani.

Ndërsa taksisti Bilbil Cara, i cili njëkohësisht është kreu i sindikatës shqiptare të taksive shpjegon se shumë veta e kanë marrë pagën e luftës dhe është një numër shumë i vogël që nuk e ka përfituar ende, megjithëse kanë shpresë se edhe ata do ta marrin. “Biznesi jonë si shërbim publik TAKSI, pas izolimit të pandemisë u fut në listën e pagës së luftës, ku patëm shumë probleme nga një hendek i krijuar në mes Qeverisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.  Qeveria na jepte të drejtën për pagën e luftës dhe Tatimet na e refuzonin si aktivitet i hapur. Pas shumë përpjekjesh nga ana e Sindikatës dhe unë si kryetar personalisht me takime virtuale, arritëm pas shumë kohëve mos të themi biznesi i fundit, morëm pagën e parë. Mbi 50% kanë marrë dhe pagën e dytë pas refuzimit nga tatimet dhe  tani presim të tretën sipas ligjit. Por ka një përqindje të vogël të taksive që s’kanë marrë pagën e parë akoma për arsye të ndryshme, si psh. nuk kanë bërë përditësimin në QKB ose ka nga ata që kanë dërguar numrat e llogarive gabim e probleme të tjera, por në takimin me drejtoreshën e Tatimeve na është thënë se të gjithë taksitë do ta marrin pagën e luftës”, shprehet Cara. Sipas tij, masat kundër pandemisë kanë rritur koston për taksitë dhe kjo ka bërë që shumë taksi të fitojnë më pak se më parë.

Rritja dhe kaosi i çmimeve qytetas dhe ndërqytetas

Taksistët pranojnë se në përgjithësi ka pasur rritje të cmimeve. Por, kjo varet nga qyteti në qytet.

Për të pasur një panoramë më të qartë sesi janë çmimet e taksive, Porta Vendore pyeti në 12 qendrat e qarqeve në vend dhe në dy qytete turistike, si Pogradeci dhe Saranda, që tashmë me afrimin e stinës  së verës, shtohet dhe numri i vizitorëve. Sipas të dhënave të mbledhura rezulton se për lëvizjet brenda një qyteti të caktuar, çmimi i taksive është rritur, pavarësisht se rritja ka qenë me 50-100 lekë të reja dhe kjo nuk është vënë re nga qytetarët. “Rritje të vogël ka pasur, pasi ku t’i nxjerrim shpenzimet e dorezave dhe maskave, që kërkon qeveria”, shprehet me ironi një taksist, i cili qëndron te Shallvaret në Tiranë, pa dashur të identifikohet. Por, aty ku vihet re dhe më shumë rritja e çmimit është kur lëviz nga një qytet në tjetrin, pikërisht në kohën kur shërbimi taksi mund të kërkohet më shumë për shkak të mungesës së transportit publik. Për të kuptuar më mirë sesi kanë lëvizur çmimet, Porta Vendore pyeti për çmimet e taksive nga Tirana drejt qyteteve të tjera, por dhe anasjelltas. Ajo që vihet re është se cmimi i transportit ndërqytetas është rritur për të 14 qytetet që Porta Vendore vëzhgoi, krahasuar me periudhën para pandemisë. Për më tepër, pothuajse në çdo rast, çmimi i taksisë është më i lartë po të nisesh nga Tirana drejt një qyteti të caktuar, sesa nga ky qytet drejt Tiranës, pavarësisht se km janë të njëjtat, me përjashtim të qytetit të Kukësit.

Në foto: Tabela me çmimet e taksive (në lekë) nga Tirana drejt qyteteve kryesore dhe anasjelltas para dhe pas Covid-19

Çmimi më i lartë për një itinerar të caktuar nga qyteti në qytet është Tiranë-Gjirokastër, pikërisht 26 mijë lekë të reja, aq sa është edhe vlera e një page minimale mujore në Shqipëri. Ndërsa Gjirokastër-Tiranë, çmimi është 13 mijë lekë ose 100 euro, pra sa gjysma e çmimit për të udhëtuar në kah të kundërt. Taksistët tregojnë se çmimi ka lëvizur ndjeshëm, pasi para Covidit ka qenë vetëm 15 mijë lekë të reja.

Ndërkohë për nga çmimi i lartë, pas Gjirokastrës vjen Saranda. Sipas çmimeve të marra nga taksistët, për lëvizje Tiranë-Sarandë, çmimi është 23 mijë lekë, ose 200 dollarë, ndërsa në kahun tjetër çmimi është 18 mijë lekë. Megjithatë, taksistët tregojnë se çmimi është i njëjtë me kohën para pandemisë dhe nuk ka lëvizur.

E treta në radhë është Korça. Për itinerarin Tiranë-Korçë rezulton se çmimi i një taksie është 15 mijë lekë të reja, ndërsa për Korçë Tiranë, çmimi është 10 mijë lekë. Taksistët thonë se çmimi është rritur me 1 mijë lekë.

Po më të njëjtin çmim si Korça është edhe Vlora, pasi për rrugën Tiranë-Vlorë çmimi është 15 mijë lekë, ndërsa anasjelltas 10 mijë lekë. Ndryshe nga Korça, vlonjatët shpjegojnë që para pandemisë, çmimi ka qenë 2 mijë lekë më i lirë.

Një tjetër zonë, ku Porta Vendore pyeti për çmimin e taksive është edhe ajo e zonës turistike të Pogradecit. Nga informacionet e mbledhura pranë taksistëve rezulton se për të shkuar nga Tiranë në Pogradec, një destinacion i pëlqyer shumë nga kryeqyteti, çmimi i një taksie është 10 mijë lekë. Ndërsa për të njëjtën rrugë, por në kah të kundërt, çmimi është 8 mijë lekë. Sipas të dhënave, çmimi është shtuar me 1 mijë lekë gjatë kohës së pandemisë.

E njëjta situatë me lëvizjen e çmimeve është edhe në veri të Shqipërisë. Për itinerarin Tiranë-Shkodër mësohet se çmimi i taksisë është 8.5-9 mijë lekë të reja, ndërsa anasjelltas, çmimi është 6.5 mijë lekë. Taksistët tregojnë se çmimi ka lëvizur me 2.5-3 mijë lekë.

Çmimi është rritur dhe për Lezhë-Tiranë, por vihet re se ka pothuajse të njëjtën vlerë në të dy drejtimet, konkretisht 5 mijë lekë. Para Covid-19 mësohet se çmimi ka qenë 4 mijë lekë, duke shënuar një rritje prej 1 mijë lekësh.

Ndërkohë për të udhëtuar nga Fieri ose Berati drejt Tiranës dhe anasjelltas, çmimi është i njëjtë për këto qytete, 6 mijë lekë. Ndërsa në drejtimin nga Tirana drejt këtyre qyteteve është 2 mijë lekë më i shtrenjtë. Shoferët e taksive rrëfejnë se para Covid-19, çmimi ka qenë më i lirë, por ka pasur një rritje nga 1 mijë lekë në drejtim të Tiranës deri në 2 mijë lekë në drejtim të Beratit dhe Fierit.

Kurse Tiranë-Durrës dhe Tiranë Elbasan, ose anasjelltas, çmimi i taksive vazhdon të jetë pothuajse i njëjtë si para Covid-19, madje është i njëjtë dhe për të dy drejtimet. Konkretisht Tiranë-Elbasan dhe anasjelltas është 3-4 mijë lekë, ndërsa për Tiranë-Durrës dhe anasjelltas është 2.5-3 mijë lekë të reja.

Rasti përjashtimor është ai i Kukësit. Sipas të dhënave, çmimi i një taksie, nga Tirana në Kukës është rreth 12 mijë lekë, por po të udhëtosh nga Kukësi në Tiranë, çmimi është 16 mijë lekë, pra 4 mijë lekë më shumë. Madje, nga informacionet e mbledhura pranë taksistëve, kjo rritje e çmimit, nga Kukësi në Tiranë ka ndodhur pas pandemisë, pasi para saj çmimi ka qenë vetëm 10 mijë lekë. Ndërsa për Tiranë-Kukës, çmimi nuk ka ndryshuar.

Megjithatë ka edhe raste që nuk ofrohet shërbimi taksi në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas. Këtu bëhet fjalë për Dibrën. Si në Peshkopi, ashtu dhe në Tiranë, Porta Vendore pyeti disa taksistë për të kuptuar sesa kushton rruga në këto dy drejtime, por ata na vunë në dijeni se asnjë nuk e bën si rrugë, vetëm në raste shumë të veçanta dhe prandaj nuk ka një çmim të përafërt. Nga ajo që mësuam ishte fakti se zakonisht nga Tirana nisen taksi vetëm deri në Mat dhe çmimi për një rrugë të tillë është 8 mijë lekë. Po ashtu, Porta Vendore pyeti dhe në Mat sesa kushton një taksi deri në Tiranë, por ky shërbim nuk ofrohej

Shoqata e taksive: Rritja e çmimit, abuzim. Cilët janë faktorët

Çmimet e rritura dhe kaosi i çmimeve nga një qytet drejt Tiranës, krahasuar me lëvizjet nga Tirana drejt këtyre qyteteve, sipas Sindikatës së Taksive, ndodh vetëm për shkak të abuzimeve. Kryetari i Sindikatës së Taksive, Bilbil Cara deklaron se kjo çështje është trajtuar si me taksistët nëpër Shqipëri, por dhe me kryetarët e degëve në rrethe. “Pas diskutimeve, kemi dalë në përfundim se pavarësisht rritjes së kostos tonë personale, për të mos humbur klientelën, të punojmë nën kosto dhe po vazhdojmë të punojmë ato pak rrugë që dalin sot në këtë kohë pandemie, sepse një Taksi nuk po bën xhiro me shumë se 2000 lekë në ditë. Duke llogaritur kohën e shpenzimet e tjera, kjo xhiro është e papërfillshme. Vetëm ata që dalin jashtë rrethit, ku edhe aty çmimi është shumë i diskutuar”, shprehet Cara për Portën Vendore. Po ashtu, ai u pyet dhe në lidhje me fenomenin se çmimi i taksive për të shkuar nga Tirana drejt një qyteti tjetër është më i lartë se anasjelltas, por për të ky fenomen është abuzues.

Duke përjashtuar abuzuesit, të gjithë taksitë e tjera po punojnë nën kosto, me kaq sa kam informacion unë dhe Sindikata nga Kryetarët e degëve, por nëse ndodh ky fenomen, abuzuesit duhet të ndëshkohen sipas ligjit në fuqi deri në heqjen e Licencës Taksi 4+1. Duhet të keni parasysh që ka shumë njerëz që ‘marrin taksi”, e që janë piratë që punojnë në të zezë dhe ai thotë mora taksi. Kjo ndodh e ka ndodhur edhe gjatë kohës pandemisë, duke na prishur emrin dhe dinjitetin e një taksisti shërbim publik”, shprehet Cara, i cili shpjegon se ka 4 faktorë që ndikojnë në informalitet.

“E para është një konkurrencë e pandershme brenda llojit taksi, që janë individë me taksi kompanie, ku faktikisht jemi të njëjtë, por me standarde të ndryshme se mbrohen nga autoritetet shtetërore. E dyta taksitë që kanë marrë licencën para 20 vitesh e s’kanë paguar kurrë një tatim në këtë shtet dhe thonë ‘jam taksi; dhe na konkurrojnë drejtpërdrejtë tek vendi i punës, se nuk ka polici që ta kontrollojë. E treta, një konkurrencë e pandershme që na godet shumë janë makinat me ngjyrë të verdhë e me targa të bardha, dhe e katërta janë makinat personale të blera nga qytetarët për nevojat e tyre dhe për të shkuar në punë dhe na ‘ndihmojnë’ ne si Taksi se nuk i përballojmë punën e madhe. Kështu, ne që paguajmë taksa ndaj shtetit, rrimë duke fryrë sytë e numërojmë rrugët e këtyre piratëve, që kryesisht janë oficerë në lirim”, deklaron kreu i shoqatës së taksive.

Sipas tij, një fenomen tjetër që ka ndodhur gjatë pandemisë ka qenë edhe abuzimi, pasi janë mbyllur taksitë e verdha. Ai shpjegon se më 11 mars janë mbyllur të gjitha taksitë e verdha, por që vazhdonin dhe dilnin në punë taksitë në të zezë dhe me çmime të kripura për njerëzit, të cilët ishin të detyruar t’i merrnin për shkak të mungesës së transportit publik.