Ngjarje/Personazhe

Operatorët e transportit urban, gati për hapjen. Qeveria: Këtë javë, protokolli

26 maj 2020/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë

Pavarësisht hapjes graduale të bizneseve, transporti urban megjithëse ishte menduar i fundit në listën e hapjes pas pandemisë, ende për këtë shërbim nuk është dhënë asnjë sinjal ose datë që njofton fillimin e tij, ndërsa pritet fillimisht të dalin detajet nga protokolli i masave të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Në fillim të majit pati zëra se gjithçka do të ishte e hapur deri në fund të këtij muaj, por prapëseprapë ende nuk është përpiluar një protokoll masash që operatorët e transportit publik do të ndjekin.

“Brenda kësaj javë do të jetë gati protokolli i masave për transportin dhe më pas do të mendohet hapja e tij”, tha në një komunikim live në facebook mbrëmjen e datës 24 maj kryeministri Rama, ndërsa foli se si do të jenë masat pas 1 qershorit e tutje.

Janë rreth 700 familje në të gjithë Shqipërinë që ushqehen nga ky sektor, dhe qindra mijëra të tjerë që presim me padurim që transporti publik të fillojë punën e tij, pasi hasin vështirësi kryesisht në aksesin e vendit të punës.

Shumica e punëtorëve e kanë marrë pagën e luftës.

Operatorët, por edhe shoqatat e transportit qytetas dhe ndërqytetas tregojnë se janë gati e po presin vendosjen e datës dhe protokollin nga Ministria e Shëndetësisë për të marra masa për mbarëvajtjen e këtij shërbimi.

Konstandin Foni, drejtor në sektorin e transportit në Shega Trans i tha Portës Vendore se punëtorët janë ata që janë prekur më shumë nga kjo situata se sa vetë biznesi, duke pasur parasysh që ky operator merret edhe me transporte të tjera nëpërmjet artilerisë së kamionëve që disponojnë.

“Ne kemi 165 punonjës në total, që përfshihen fatorinot, shoferët, punonjësit e parkut e administrata. Me thënë të drejtën s’është aspak pozitive për ta e gjithë kjo situatë që na është dashur të kalojmë, sepse normale kanë qenë pa punë dhe vetëm me pagën e luftës, të cilën e morën para 1 jave. Ndërsa kompania i ka likuiduar, jo vetëm për ditët e punës në mars por për të gjithë muajin dhe ata normalisht mezi kanë pritur, sepse janë familjarë. Punonjësit janë shumë të rëndësishëm për ne dhe i konsiderojë asete”, tha ai.

Por përveç punëtorëve të këtij sektori edhe vetë operatorët kanë pasur vështirësitë e tyre kundrejt këtyre 2 muajve e gjysmë që kanë mbetur pa punë.

“Amortizimi i mjeteve është më i madh, kur ato qëndrojnë pa lëvizur në një vend. Pjesa financiare vijon të mbetet problematike për operatorët që mund të kenë pasur kredi bankare për të paguar, sepse kreditë nuk janë ndërprerë”, vijon Konstandin Foni drejtor transporti i Shega Trans duke shtuar se për sa i përket protokollit të masave nga vetë operatorët do të bëhet maksimumi.

“Parimisht duhet të dimë ça do të bëhet dhe çfarë do të duhet ne si operatorë të reflektojmë. Në Tiranë është shumë e vështirë të respektohet 100%, pavarësisht se në dëshirën tonë do të jetë i madh kujdesi. Por nëse nuk ka policë bashkiakë, nuk mund ta kontrollojmë ne të gjithë këtë”, thekson ai.

Por për aq kohë sa operatorët do të punojnë me gjysmën e kapacitetit ose shumë më pak se kaq, atëherë ata e shohin të udhës që të ketë një subvencion nga shteti, qoftë ky nga pushteti vendor ose qendror.

Nuk kemi asnjë subvencion, prandaj e kanë shtyrë kaq shumë këtë proces që të mundësohet edhe mbulimi i shpenzimeve sepse me aq pasagjerë dhe abone sa mund të kemi ne, është e pamundur që të heqim detyrimet se nuk po flasim këtu fare për fitime”, shpjegon më tej zoti Foni për Portën Vendore.

Tirana si kryeqytet i Shqipërisë ka edhe numrin më të madh të operatorëve, autobusëve dhe linjave, ku sipas të dhënave në faqen e Bashkisë Tiranë numërohen 16 linja urbane, brenda unazës dhe në zonat lidhëse përreth.

Megjithatë, bizneset rrëfejnë për Portën Vendore se pavarësisht se protokolli pritet të dalë gjatë kësaj jave mbi masat që do të aplikohen në transportin urban sërish ata nuk janë thirrur si grup interesi në të gjithë këtë që të mund të diskutojnë për të mirën e përbashkët.

Rixhild Qoshja, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas si dhe menaxher i Albatrans tregon për Portën Vendore se autobusët janë gati për të pritur qytetarët, të cilët gjatë kësaj kohe kanë qenë të shumtë në numër ata që janë interesuar edhe tek veta këta operatorë për hapjen e transportit urban.

Dezinfektimi dhe larja e autobusëve është bërë që në fillim të pandemisë, pra kur ndodhi edhe mbyllja e bizneseve dhe nisja e karantinës për të gjithë ne. Tani po presim sy e vesh se si do të procedohet, çfarë plan masash do të përcaktohen”, tha Qoshja për Portën Vendore, duke theksuar se i vetmi problem do të jenë punëtorët që duhen ri-mbledhur. “Ne gati jemi, por do të duhet që thjesht të mbledhim njerëzit, pasi disa kanë filluar punë në vende të tjera për shkak të nevojës së madhe. Vetëm 95% e punonjësve e kanë marrë atë pagën e luftës prej 40 mijë lekësh të qeverisë, megjithëse gjykoj se nëse nuk do të nisë puna duhet edhe një pagë tjetër për punonjësit”, tha ai.

Sipas operatorëve, sektori i transportit publik edhe para pandemisë po përballej me krizën financiare, por Covid 19 thjesht dhe vetëm e evidentoi edhe më shumë atë.

“Krizë pa diskutim që ka, pasi kompanitë kanë disa shpenzime operative, kështu që kanë pësuar humbje. Ndaj ne nuk mund të pranojmë të fillojmë dot vetëm me 25% të kapacitetit pavarësisht se janë të shumtë njerëzit që na kanë kontaktuar duke na pyetur të shqetësuar se kur do hapemi”, përfundon Qoshja Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas.

Por në të njëjtën varkë me transportin qytetas ndodhet edhe ai ndërqytetas, ku së fundmi është kërkuar edhe një shtim bilete prej 30 lekësh, pasi me rifillimin e këtij shërbimi shoqata e transportit ndërqytetas ka frikë se nuk do të mund të përballojë dot kostot dhe shmangia e falimentimit nga operatorët e transportit urban nuk do të jetë e lehtë.

Kujtim Mema Kryetar i Shoqatë së Transportit Urban Ndërqytetas e ka ngritur shpesh zërin në media kohëve të fundit për kërkesat që ka kjo shoqatë për të shpëtuar kështu operatorët nga kriza e thellë që mund t’i kaplojë për shkak të pandemisë së Covid 19, pandemi e cila e la sektorin e transportit urban prej më shumë se dy muajsh e gjysmë pa punë dhe rrjedhimisht edhe pa të ardhura.

Ne kërkojmë atë që duhet të jetë normale, pasi ne nuk mund të shkojmë me gjysmën e kapacitetit. Kështu nuk do të mund të përmbushnim dot pagesat e naftës, e të taksave por as pagat e punëtorëve që punojnë për të mbajtur familjet e tyre. Kryeministri ka folur për një reformim, por që është akoma në letra. Në këtë kohë nuk mund të ketë një reformim”, tha Mema për Portën Vendore, duke shtuar se në situatën aktuale në të cilën ndodhemi ende nuk është artikuluar një datë për t’i hapur dritën jeshile transportit urban, qoftë ky qytetas ose ndërqytetas.

Jemi në negociata dhe kemi diskutuar për hapat që do të ndërmerren, sepse normalisht duhet të ketë një ndërhyrje nga qeveria ose bashki në taksa dhe naftë. Ne kemi thënë që do të ketë rritje të biletës, nëse qeveria nuk reflekton normal që do të ketë rritje”, vijon Mema Kryetar i Shoqatë së Transportit Urban Ndërqytetas.

Përsa i përket protokollit të masave, Mema thotë që do t’i përshtaten, por do të duhet gjithashtu ndihmë për mbarëvajtjen e procesit. Mema gjithashtu ashtu sikurse edhe vetë operatorët e pranon krizën që është duke kaluar sektori i transportit urban, madje ai tregon për Portën Vendore se shoqata e transportit ndërqytetas ka kërkuar gjithashtu një pagë të dytë lufte për punonjësit e këtij sektori, të cilët po mbushim avash-avash 3 muaj që janë pa punë për shkak të pandemisë globale të Covid 19.

“Është kërkuar që punonjësit e këtij sektori të marrin një pagë të dytë lufte. Meqë ne ishim tek pjesa e paketës së dytë, pra përfitues të 40 mijë lekëve. Kemi besim se në paketën e tretë financiare që pritet të dalë së shpejti nga qeveria e që do të vijojë ndihma në aspektin social të njerëzve të jetë edhe ky sektor pjesë, pasi realisht ka shumë nevojë për aq kohë sa edhe hapja e transportit urban qytetas e ndërqytetas po vonon”, përfundon për Portën Vendore, Kujtim Mema Kryetar i Shoqatë së Transportit Urban Ndërqytetas.