Ngjarje/Personazhe

Turistë në kohë pandemie

24 maj 2020/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër

Mbyllja e kufijve, izolimi dhe karantinimi preku drejtpërdrejt turizmin dhe aktivitetin kryesor në vend, duke mbajtur larg turistët vendas e të huaj. Këta të fundit e kanë tashmë të pamundur të vizitojnë aktualisht Shqipërinë. Por një familje gjermane, e mbetur në Shqipëri prej pandemisë, po shijon sitet turtistike shqiptare, duke qenë turistët ‘ekskluzivë’ të zonës.

Turistët e fundit u larguan nga Shqipëria menjëherë sapo u dha njoftimi për mbylljen e kufijve. Por nuk ndodhi kështu me të gjithë. Krejt rastësisht, të shtunën e 9 majit, që përkon edhe me Ditën e Evropës, një familje gjermane zgjodhi ta kalojë ditën në Gjirokastër. Dhe ndryshe nga sa ndodh zakonisht në Gjirokastër, ku turistët janë diçka e zakonshme në këtë periudhë, kësaj here ata nuk kaluan pa rënë në sy.

Mandy, Peter dhe Eric janë ndoshta turistët e vetëm në Shqipëri në këtë kohë izolimi. Ndonëse kjo është periudha kur rrugët e zonës muzeale në Gjirokastër dhe në Qafën e Pazarit mbushej me turistë, tre anëtarët e familjes Hoffmanns janë të vetmit që kanë shijuar bukuritë e qytetit të gurtë. Ata kanë shëtitur nëpër kalldrëmet e zbrazëta pa mundur të marrin me vete hijeshinë e ngjyrave të shumta të objekteve që zakonisht ekspozohen jashtë dyqaneve të vogla të Qafës së Pazarit. Në vend të zhurmës së zërave të shumtë dhe gjuhëve nga më të ndryshmet, ata shijuan heshtjen e gurtë të qytetit gri dhe aromën e pranverës që mbizotëron kudo.

Familja që vjen nga Munih mbërriti në Shqipëri nga Greqia në datën 12 mars dhe prej asaj dite ata kanë qëndruar për plot 8 javë të izoluar në Përmet.

“Ndërmorëm një tur nëpër Evropë bashkë me djalin tonë të vogël që këtë vit fillon shkollën. Kemi qenë në Rumani, Bulgari, Poloni, Greqi dhe prej andej në Shqipëri. Nuk e kishim planifikuar të qëndronim kaq gjatë këtu” tregon Mandy për Portën Vendore.

46-vjeçarja na rrëfen se qëndrimi i gjatë në një vend u dha mundësinë të njihen më tepër me traditat, kulinarinë dhe vendet e paeksploruara më parë.

“Kjo periudhë e gjatë qëndrimi në një vend na dha mundësinë të njiheshim me njerëzit, traditat, kulinarinë. Kjo është një periudhë e keqe për njerëzit, por për ne rezultoi e mirë pasi na dha mundësinë të rrimë gjatë në një vend e ta njohim më mirë, ndryshe nga eksperiencat tona të mëparshme kur ne rrinim për pak ditë në një vend dhe zhvendoseshim”, vijon më tej ajo.

Peter na tregon se me kamperin e tyre u vendosën në një kamping në Përmet. “Tetë javët e izolimit nuk kanë qenë të vështira. Jemi ndier të mirëpritur nga banorët e zonës, kemi shkëmbyer receta dhe kemi provuar rakinë që e kemi përdorur edhe për t’u dezinfektuar”, thotë ai quke qeshur.

Mandy Hoffmann, turisti gjerman i mbetur në Shqipëri në kohë pandemie. Foto: Brikena Metaj

Futja e Qarkut të Gjirokastrës në listën e zonave të gjelbra lehtësoi edhe qarkullimin mes qyteteve. Hoffmanns-ët e shfrytëzuan këtë për të nisur eksplorimin e tyre në Gjirokastër. Nën shoqërinë e Vikit, ata mundën të njohin nga afër qytetin e UNESCO-s.

“Ishte thjesht rastësi takimi me ta, – tregon Viki e cila i shërben si guidë. Ata erdhën në zyrën e ‘Explore Gjirokastra’ dhe sigurisht ne ishim të gatshëm t’i ndihmonim. Për më tepër këta janë turistët e parë për mua që prej nisjes së izolimit, dhe të dytët për këtë vit, që realisht ka qenë tepër i vështirë” shpjegon ajo.

Viki, vajza që punon prej vitesh si guidë për shumë nga turistët e huaj që vijnë të vizitojnë qytetin e Gjirokastrës. Foto: Brikena Metaj

Ndalesa më e gjatë e familjes ishte në punishten e Viktorit ku ata zhvilluan një minikurs të vogël të gdhendjes në dru. Në përfundim morën me vete një kornizë druri të gdhendur e të punuar me duart e tyre.

Mentori i tyre i kësaj veprimtarie, mjeshtëri i drurit Viktor Nurçe, thotë se mjeshtëria e punimeve tradicionale është një nga kategoritë më të goditura nga situata e pandemisë. Pazari historik i Gjirokastrës njihet për tregtimin e punimeve të dorës, por artizanët tashmë janë në mbijetesë.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm se e humbëm sezonin dhe turistin e huaj, ndaj po përpiqemi të përshtatemi me kërkesat e turistit vendas. Këtë periudhë e kam shfrytëzuar për të përfunduar punët e lëna në mes, por nëse situata vazhdon, do të jetë e vështirë mbijetesa”, shton ai.

Qendra historike e Gjirokastrës, pasuri botërore e UNESCO-s vizitohet çdo vit nga mijëra turistë. Periudha nga Marsi në Tetor është koha kur turizmi zhvillon aktivitetin e vet të plotë në këtë qytet. Situata e pandemisë ka vendosur në vështirësi të mëdha njësitë e tregtimit dhe zinxhirin e bashkëpunëtorëve të tyre, pasi për më shumë se dy muaj kanë ulur qepenat dhe kanë ndërprerë aktivitetin, ashtu siç edhe Porta Vendore ka raportuar më herët. Tregtarët ngrenë pikëpyetje të shumta mbi ecurinë e veprimtarive të tyre edhe pas hapjes. Nga ana tjetër, Bashkia e qytetit në bashkëpunim me shoqatat turistike po bashkëpunojnë për hartimin e një plani rimëkëmbjeje për turizmin në zonë, duke iu përshtatur kushteve të reja.