23 maj 2020/ Ola Mitre/ Porta Vendore
Bashkitë e Tiranës, Korçës, Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit lanë jashtë konsultimit banorët për disa nga projektet më të kushtueshëm, ndonëse ligji “Për vetëqeverisjen vendore” dhe ai “Për njoftimin dhe konsultimin publik” i detyron të garantojnë pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes. Banorët e këtyre qyteteve ankohen se shumë prej projekteve s’kanë sjellë asnjë ndryshim në jetën e tyre, duke kërkuar që paratë publike të administrohen më mirë dhe me efektivitet.
Korça
“Po kush na pyet ne?! As na pyet njeri fare. . .”, thotë Kristaqi, një banor i qytetit të Korçës teksa e pyesim nëse i është marrë ndonjëherë mendimi si qytetar mbi projektet që financohen nga bashkia. I habitur, ai thotë se nuk e di se kur zhvillohen dëgjesat me publikun e aq më pak të ketë marrë pjesë dhe të ketë dhënë edhe ndonjë sugjerim. Kjo vlen edhe për projekte që kanë kushtuar miliona euro për Bashkinë e Korçës, sikurse është ndërtimi i kompleksit multifunkional sportiv e kulturor, ndërtimi i qendrës multifunkionale dhe të shërbimeve apo edhe sheshi e rrugicat te kulla “Panorama”. Vetëm për këto 3 projekte, nga buxheti i bashkisë janë shpenzuar rreth 1.16 miliardë lekë ose rreth 9.3 milionë euro. Nga verifikimi i bërë dhe pranë faqes zyrtare të Bashkisë Korçë rezulton se për asnjë prej këtyre tri projekteve nuk është zhvilluar konsultim publik. Sipas kërkimeve në faqen zyrtare bashkiakorce.gov.al dëgjesa publike janë bërë vetëm për planin e përgjithshm vendor. Ndërkohë, edhe banorë të tjerë të Korçës ankohen se askush nuk i pyet sesi shpenzohen paratë që mblidhen nga taksat që ata paguajnë. “Ne nuk na pyet fare bashkia”, thotë Laver Adili për Portën Vendore. “As nuk e dimë se çfarë bëjnë, s’ka ardhur njeri të trokasë, vetëm votën duan. Madje tani as për votën s’po vijnë më se e kanë të sigurt fitoren”, shton 70-vjeçari. Kristaqi dhe Laveri thonë se paratë e buxhetit duhet të shkojnë në investime që ndikojnë te të gjithë qytetarët. “Ne duam që të administrohen mirë paratë publike dhe të shkojnë edhe te fukarai. Duhet të shikohet më shumë ekonomia, bizneset e vegjël”, thotë Kristaqi. “Unë kisha një dyqan ku rregulloja këpucë. Ndonëse mbusha moshën për pension, edhe mund të kisha punuar, por nuk përballoja dot taksat dhe tarifat. Nuk ia vlente sepse i binte të punoja për shtetin. Këto gjëra duhen parë”, shton ai. Edhe Laveri thotë që vëmendja duhet të jetë te investime që sjellin punësim. “Kam nusen pa punë, djalin pa punë. Ka bërë shkollën. Unë vetë marr 100 mijë lekë pension, gruaja 90 mijë lekë, por askush nuk mendon për ne”, thotë 70-vjeçari. Në fakt, edhe vetë Bashkia e Korçës pranon se nuk ka realizuar dëgjesa me publikun për projektet e sipërpërmendur. “Ju bëjmë me dije se për objekte të veçanta ligji nuk parashikon dëgjesa publike, por janë pjesë e studimeve urbanistike, për të cilat janë kryer të gjitha procedurat, përfshirë dhe konsultimin me publikun”, thuhet në një përgjigje të bashkisë për Porta Vendore, pasi u kërkua informacion mbi dëgjesat e zhvilluara, procesverbalet e mbajtur dhe fotografi që dokumentojnë zhvillimin e tyre.
Por, kjo bie në kundërshtim me ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” dhe ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. I pari i dedikon një kapitull të veçantë transparencës, konsultimit dhe pjesëmarrjes qytetare, duke theksuar se “organet e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara të garantojnë pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes”. Sipas procedurës normale, për financimin e projekteve të mësipërm është miratuar edhe buxheti i bashkisë për vitin përkatës, por hartimi i tij mesa duket nuk është përqendruar të diskutimet konkrete mbi projektet që do të financohen nga paratë publike. Nga ana tjetër, edhe ligji “Për njoftimin dhe konsultimin publik” thotë që “organet publike janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të krijojnë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik. “Organi publik, pas publikimit të njoftimit në regjistrin elektronik, mund të organizojë konsultime të drejtpërdrejta dhe takime publike me palët e interesuara”, thuhet më tej në ligj, duke saktësuar se këto konsultime dokumentohen me procesverbal, që konsiderohet një dokument zyrtar.
Elbasani
Situata është e njëjtë edhe në qytetin e Elbasanit, ku për një sërë projektesh nuk ka pasur konsultime me publikun. Kjo bashki ka shpenzuar rreth 380 milionë lekë apo rreth 4 milionë euro për disa projekte sikurse janë: Rikualifikimi urban i parkut qendror “Rinia”, suvatimi dhe lyerja e fasadave në rrugët kryesore për 100 banesa kolektive apo rehabilitimi urban i sheshit “Zaranika” dhe Bulevardi “Aqif Pasha”, por gjithsesi ka shmangur konsultimet me publikun.
“As na pyet njeri”, thotë Avdurahman Lumi, ndërsa luan domino pranë parkut “Rinia”. “Kanë bërë këtë investim në park e nuk ka asnjë banjë ku të shkojnë njerëzit. Ne jemi të detyruar të hyjmë në klub, ndërsa njerëzit po detyrohen të ndotin parkun dhe vjen erë e keqe”, shton ai. Edhe Ardian Sulovari pohon se banorët e qytetit nuk pyeten për investimet e kryera. “Në park duhen edhe më shumë stola. Unë kam marrë edhe mendimin e të tjerëve: kanë bërë stola kolektivë, por njeriu ka privatësinë e vet. Ndërsa pjesa tjetër nuk ka fare stola”, thotë Sulovari. “Unë s’kam dëgjuar asnjëherë të ketë bërë konsultime bashkia. Ja për shembull këtë ankesë që ne kemi tani, do e kishim thënë aty”, shton ai, duke theksuar se gjithsesi duhet të ketë më shumë investime në qendra për moshën e tretë. Gjithçka konfirmohet edhe nga vetë Bashkia e Elbasanit. Pyetur nga Porta Vendore mbi konsultimet publike të realizuara, ky institucion thotë se “projekti për rivitalizimin urban të parkut ‘Rinia’ nuk ka pasur dëgjesa publike, pasi është trajtuar si rivitalizim i parkut, pa tjetërsim funksioni dhe destinacioni të hapësirës. Po ashtu për suvatim dhe lyerje fasadash në rrugët kryesore për 100 banesa kolektive, sqarojmë se nuk ka pasur dëgjesa publike, pasi trajtohet gjendja ekzistuese dhe nuk ka ndryshime funksionesh pasi projekti përfshin vetëm lyerje fasadash të objekteve ekzistuese”, shtohet më tej në përgjigjen e bashkisë. Për rehabilitmin e sheshit “Zaranika” dhe bulevardit “Aqif Pasha” Bashkia e Elbasanit tha se “ky segment rruge është hartuar mbi bazë të studimit pjesor urban të qendrës së qytetit të miratuar në KKT, mbi një proces që ka kaluar tashmë të gjitha fazat sipas detyrimeve ligjore”, tha bashkia në përgjigjen e saj zyrtare drejtuar Portës Vendore. Megjithatë, ky dikaster nuk ka vënë në dispozicion asnjë dokument zyrtar që mund ta vërtetojë këtë. “Shprehemi të gatshëm t’ju vendosim në dispozicion çdo informacion plotësues, pas normalizimit të situatës së pandemisë”, thuhet në përgjigjen e bashkisë. Porta Vendore e dërgoi kërkesën për informacion qysh në datën 11 shkurt, por nuk mori asnjë përgjgjie derisa adresoi një ankesë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Nëse do të ishin zbatuar afatet ligjore, dokumentet duhej të ishin vënë në dispozicion në datën 26 shkurt, pra pa u shënuar ende as rasti i parë me COVID-19 në vend.
Tirana e Durrësi, pa konsultime
Edhe Bashkia e Tiranës dështoi të japë informacione mbi konsultime publike të realizuar për projekte konkrete, që i kanë kushtuar xhepit të qytetarëve miliona euro. Vetëm faza e dytë e rikualifikimit të sheshit “Skënderbej” ka kushtuar plot 1.17 miliardë lekë ose rreth 9.5 milionë euro, por bashkia e ka të pamundur të vendosë në dispozicion procesverbale të mbajtur gjatë dëgjesave të kryera për këtë vepër. Po kështu edhe për projekte të tjerë, sikurse janë ndërtimi i itinerareve të këmbësorëve me pistë vrapimi dhe biçikletash në Parkun e Liqenit Artificial apo ndërtimi i Unazës së Vogël (segmenti Banka e Shqipërisë-Ushtari i Panjohur). Këto 2 projekte i kanë kushtuar taksapaguesve të kryeqytetit rreth 396 milionë lekë ose rreth 3.1 milionë euro, por mendimi i qytetarëve është inekzistent. Pas një ankese pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, për mungesë përgjigjeje mbi dëgjesat publike, Bashkia e Tiranës vuri në dispozicion të Portës Vendore linkun e faqes zyrtare të këtij institucioni, ku sipas saj ne do të mund të aksesonim gjithë informacionin e nevojshëm. Por, kur klikon këtë link informacioni që mundësohet, lidhet vetëm me kalendarin e dëgjesave publike pas vitit 2017, ndërkohë që projektet e sipërpërmendur janë buxhetuar më herët, duke bërë që të mos ketë asnjë lloj informacioni mbi konsultimin publik, mendime pro apo kundër të qytetarëve të Tiranës mbi zbatimin e këtyre projekteve apo sugjerime për përmirësimin e tyre. Vetë banorët e kryeqytetit të shikojnë me habi kur i pyet nëse janë konsultuar ndonjëherë mbi mënyrën sesi shpenzohen paratë e buxhetit të bashkisë. Sapo dëgjojnë pyetjen ata thjesht ngrenë supet, duke mos ditur ç’të thonë. “Ne nuk e dimë fare kur bëhen këto takime”, thotë një qytetar. “Ka raste që shikojmë në televizor që janë takuar banorët, por s’e marrim vesh asnjëherë sesi mblidhen këta njerëz”, shton ai, duke nxituar për t’u larguar.
Ndërkaq, edhe Bashkia e Durrësit u pyet nga Porta Vendore për disa projekte të zbatuara gjatë viteve të fundit, por informacioni i vënë në dispozicion nga ky dikaster nuk përmbush aspak kërkesat e ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik” apo ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”. Rivitalizimi i sheshit publik para hyrjes së portit (“Veliera”), rikualifikimii hapësirave në të dyja anët e rrugës “Pavarësia” dhe sistemimet e rrugëve dalëse në plazh (loti 1) apo rikualifikimi i fasadave në qytetin e Durrësit janë projekte që kapin një vlerë prej 952 milionë lekësh ose rreth 7.7 milionë euro (një pjesë është financuar përmes granteve nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve), ndërsa sipas bashkisë “dëgjesat publike për këto projekte janë zhvilluar në kuadër të projektbuxhetit të vitit 2015-2016, periudhë që i përkasin dhe këto projekte”. Ky institucion e shoqëron përgjigjen me disa linqe të faqes zyrtare të Bashkisë Durrës, ku pretendohet se ndodhet informacioni i kërkuar. Por këto linqe janë thjesht pasqyrim i aktiviteteve të zhvilluar nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako për prezantimin e buxhetit, ndërsa nuk kanë asnjë lloj informacioni mbi mendimet e dhëna nga qytetarët për shpenzimin e parave publike nga ana e bashkisë. Pa kështu, informacioni i vënë në dispozicion tregon prezantimet e bëra nga Dako për projektin e “Velierës” dhe sesi ai do të përmirësojë turizmin e qytetit, por procesverbali si një dokument zyrtar nuk u vu në dispozicion të Portës Vendore.
Edhe Shkodra, pa dëgjesa publike për një pjesë të investimeve të mëdha ndër vite
Shkodra është një tjetër bashki që nuk ka të dhëna për konsultime e dëgjesa me publikun për një pjesë të investimeve të medha , duke filluar nga viti 2014. Rikonstruksioni i teatrit “Migjeni”, Rikualifikimi urban i rrugicave në Qendrën historike dhe shëtitorja në Velipojë janë disa prej projekteve që kanë kushtuar rreth 1 milion euro. Bashkia ka vënë në dispozicion të Portës Vendore detaje të investimit, por jo konsultime të mirëfillta me publikun për projektet specifike në fjalë. Sipas bashkisë, “për projektin e rikualifikimit urban të rrugicave në qendrën historike” është aplikuar pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në thirrjen e parë. Ndërkohë, projekti është miratuar nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, që përcakton dhe masën e bashkëfinancimit nga njësitë e qeverisjes vendore. Po ashtu, sipas këtij dikasteri, dëgjesat publike në lidhje me këtë projekt janë bërë gjatë dëgjesave për Buxhetin e Bashkisë Shkodër për vitin 2016, dhe për informacion më të detajuar Bashkia ka vënë në dispozicion një link. Sipas verifikimit të linkut të dhënë nga Bashkia, rezulton se është buxheti i detajuar i vitit 2016, ku listohen projektet për atë vit, por nuk ka të dhëna (data, rend dite, projektet konkrete që janë diskutuar, etj) mbi dëgjesat publike të organizuara, përvec disa fotove që cilësohen janë takime konsultative për buxhetin.
Për Shëtitoren e Velipojës, Bashkia thotë se nuk ka të dhëna për dëgjesat publike. “Projekti ‘Shëtitorja Velipojë’ për të cilin ju kërkoni informacion i përket vitit 2014 për të cilin Bashkia Shkodër nuk ka të dhëna për dëgjesat publike të bëra nga ish komuna Velipojë”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Shkodër. Edhe për Teatrin Migjeni, nuk gjenden të dhëna për dëgjesa me publikun për sa i përket rikonstruksionit, që sipas Bashkisë është bërë i pjesshëm në 2014. “Rikonstruksioni i godinës së Teatri Migjeni është bërë i pjesshëm, ndaj ai vazhdon të jetë në listën e prioriteteve të Investimeve sipas Programeve të Zhvillimit, për të cilat kërkohen financime. Nuk kemi të dhëna për dëgjesa publike të asaj periudhe”, shprehet Bashkia Shkodër në përgjigjen e saj.
“Askush nuk na ka pyetur asnjëherë. Bashkia ka vendosur vetë siç ka dashur. Unë jam banor i një prej banesave karakteristike në pedonale, të cilët e kam lëshuar me qira për lokal, por as nuk më ka ardhur ndonjëherë njoftim për dëgjesa publike, a si i thoni ju dhe nuk kam dëgjuar njeri të ketë marrë pjesë. Ne na mjafton të paguajmë taksat se ça bëhet me to, nuk ka rëndësi. Kështu ka qenë e kështu do mbetet. Ne nuk po na pyesin me zgjedh kryetarin më, jo më se ku të investojmë paratë”, shprehet Gjoni i indinjuar sa i përket konsultimeve publike të bashkisë.
Akte të pa konsultuara
Mungesa e konsultimeve publike për miratimin e akteve të ndryshme nga bashkitë duket se është një praktikë e zakonshme. Sipas raportit “Konsultimi publik 2017-2018”, i publikuar vetëm pak kohë më parë nga Qendra “Res Publica” vetëm 65% e bashkive kanë zhvilluar konsultime publike. Po ashtu, nga përgjigjet e marra nga bashkitë ka rezultuar që 12% e bashkive nuk kanë miratuar asnjë akt gjatë periudhës së monitorimit. “Kjo e dhënë tregon për mungesë serioziteti në përgjigje ose padijeni të plotë për procesin ligjvënës të bashkisë. Kështu nuk është e mundur që një bashki të mos ketë miratuar asnjë akt, për shembull projekt-aktet për buxhetin ose paketa fiskale që janë akte që i nënshtrohen konsultimit publik dhe çdo bashki kalon për çdo vit të paktën një të tillë”, thuhet ndër të tjera në raport. Po ashtu, për takimet publike, 69% e bashkive raportojnë se kanë mbajtur procesverbal. “Mungesa e procesverbaleve për pjesën tjetër, që është afro një e treta, bën të vështirë sigurimin e informacionit dhe vlerësimin e konsultimit publik. Mos mbajtja e procesverbaleve mund të jetë edhe tregues i zhvillimit të takimeve publike fiktive ose fasadë, pa pritur ndonjë rezultat konkret”, vlerëson raporti. “Në lidhje me rekomandimet e dërguara nga grupet e interesit, nga përgjigjet e bashkive konstatojmë se në pjesën më të madhe ato kanë qenë në formën e diskutimeve, pyetjeve gjatë seancave dëgjimore, ndërsa nëse i referohemi numrit të përgjithshëm të rekomandimeve që i janë dërguar me shkrim bashkive nga grupet e interesit, numri i tyre është 101, i shpërndarë në 18 bashki, me një mesatare prej afro 5 rekomandime për bashki. Kjo shifër e ulët tregon mungesë interesi nga të dyja palët e përfshira në konsultim, si nga bashkia edhe nga publiku”, thuhet më tej, ndonëse vetëm 3 bashki pohojnë se i kanë pranuar rekomandimet. Sipas autorëve të studimit, kjo shifër mbetet tepër e ulët në raport me nevojën reale që kanë bashkitë për të bashkërenduar vendimmarrjen me publikun që preket nga kjo vendimmarrje. “Gjithashtu, problem përbën edhe fakti që rekomandimet/komentet nga grupet e interesit, jepen në formën e diskutimeve gjatë seancave dëgjimore. Do të ishte e rekomandueshme për bashkitë që të nxisin grupet e interesit të japin rekomandime me shkrim dhe në mënyrë të arsyetuar, për të bërë sa më serioz procesin e konsultimit”, shtohet në dokument.
Dëgjesat publike, detyrim ligjor në disa ligje
Dëgjesat publike janë të parashikuara, jo vetëm në ligjin mbi funksionimin e vetëqeverisjes vendore, por dhe në disa ligje të tjera. Megjithatë, ato shmangen nga pushteti vendor dhe shpesh herë trajtohet si konsultim publike, pjesëmarrja e publikut në mbledhjet e këshillit bashkiak. Ekspertët mendojnë se bashkitë duhet të realizojnë sa më shumë dëgjesa publike dhe madje me pjesëmarrje të lartë për faktin se ato janë më pranë problemeve më të prekshme të qytetarëve. Sipas ekspertes së pushtetit vendor, juristes Anisa Seferaj, bashkitë nuk mund dhe nuk duhet të realizojnë vetëm dëgjesat publike në kuadër të hartimit dhe miratimit të buxhetit.
“Bazuar në ligjin nr.139/2015 Për vetëqeverisjen vendore përcaktohet shprehimisht se konsultimi publik dhe transparenca janë elementët më të rëndësishëm në organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes vendore. Në lidhje me konsultimin publik, pikërisht ky ligj ka parashikuar në nenin 16 se organet e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara të garantojnë pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes. Nisur nga përcaktimet e mësipërme kur flasim për organe të vetëqeverisjes vendore kemi parasysh këshillin bashkiak dhe kryetarin e bashkisë. Ashtu si vërehet, ligji i jep të njëjtën rëndësi të dy organeve në realizimin e njoftimit dhe konsultimit publik. Nga sa më sipër, dëgjesat publike duhet të organizohen nga Kryetari i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak, ku për këtë të fundit në disa detyra të tij, dëgjesat publike janë të detyrueshme dhe kjo lidhet më pas me vlefshmërinë e vendimit të miratuar”, shpjegon Seferaj. Por sipas saj, nuk është vetëm ligji për vetwqeverisjen vendore, pasi që prej vitit 2014 në Shqipëri vepron ligji nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik” dhe ky ligj prek organizimin dhe funksionimin e bashkive të vendit. “Sipas këtij ligji por dhe atij organik, çdo bashki është e detyruar të caktojë koordinatorin për njoftimin dhe konsultimin publik, në përputhje me dispozitat e ligjit në fuqi për njoftimin dhe konsultimin publik. Bazuar në këtë ligj, bashkitë duhet të vendosin projekt-aktet në faqet zyrtare të internetit për konsultim publik dhe jo vetëm në të, por mund të shfrytëzojnë dhe faqen zyrtare http://www.konsultimipublik.gov.al/. Pikërisht ky ligj kërkon dhe ekzistencën e një regjistri elektronik dhe procedurë të mirëdetajuar në lidhje me pjesëmarrjen e qytetarëve në vendim-marrjen publike vendore. Legjislacioni në fuqi parashikon një pjesëmarrje shumë të lartë të qytetarëve në vendimmarrje duke nisur nga fakti se vendim-marrja e bashkive është më e prekshme dhe më e ndjeshme për të gjithë qytetarët brenda territoreve në të cilat ata jetojnë. Nga ana tjetër duhet të mbahet në konsideratë se organizimi i dëgjesave publike kërkon ekzistencën e buxheteve të mirëpërcaktuara për këtë aspekt. Bashkitë duhet të parashikojnë në buxhetet e tyre fonde të dedikuara për dëgjesat publike, jo vetëm për Kryetarët e bashkive, por dhe për Këshillat Bashkiak. Në bashkitë të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për programimin e këtyre fondeve, është e vështirë realizimi i dëgjesave publike në ambiente ku të përfshihen shumë qytetarë duke nisur nga fakti i mungesës së pronave në pronësi të bashkive. Por në ditët e sotme mund t’i japë zgjidhje mungesës së fondeve, duke organizuar dëgjesa publike në ambiente të hapura ku është kryetari apo këshilli bashkiak që shkon pranë qytetarëve, dhe nga ana tjetër të realizohet konsultimi publik online nëpërmjet faqes zyrtarë të internetit. Të dyja nënkuptojnë mosekzistencën e fondeve të programuara për dëgjesat publike”, deklaron ekspertja Seferaj. Ajo shton se gjithashtu duhet që të gjitha bashkitë të bëjnë të mundur miratimin e akteve, të cilat rregullojnë organizimin dhe funksionimin e dëgjesave publike si të Kryetarit dhe Këshillave Bashkiak, këto akte më pas duhen t’i bëhen të ditura të gjithë qytetarëve. Miratimi i akteve dhe njoftimi i tyre ndaj qytetarëve do të thotë informim, transparencë dhe pjesëmarrje e tyre në vendim-marrje vendore.
Ndërsa, sipas avokates dhe ekspertes ligjore, Irena Dule, sot ‘tregtohen’ si konsultime publike pjesëmarrja e publikut në mbledhjen e këshillave bashkiakë. “Kjo pjesëmarrje edhe pse mund të jetë e mundur dhe e realizuar, nuk përfaqëson konsultimet publike, të cilat kanë për qëllim dhënien dhe marrjen e mendimit të publikut të interesuar para dhe gjatë procesit të draftimit të një akti nënligjor”, thotë Dule. “Diskutimi në Këshill i akteve është hapi i fundit dhe diskutimet me publikun mbi ide për përmirësimin e tij në këtë fazë janë ‘sa për sy e faqe’ dhe jo efektive”, shton ajo. Gjithashtu, sipas ekspertes ligji “Për pushtetin vendor” nuk është plotësuar me rregulloret për kryerjen e dëgjesave me publikun, duke e bërë joefektiv këtë detyrim ligjor. “Shkelja e parë dhe e fundit është mos hartimi i një akti që përcakton procedurat për zhvillimin e konsultimit publik, gjë që sjell ‘injorimin’ e vetë mekanizmit të konsultimit publik”, thotë Dule. Për këtë arsye, sipas saj duhet korrigjimi i kuadrit ligjor në nivel qendror. “Një zgjidhje tjetër dhe më e thjeshtë është miratimi nga ana e këshillave lokalë i rregulloreve për procedurat e konsultimit publik. Një model i mirë për këtë është rregullorja e Kuvendit Popullor, e cila i krijon hapësira publikut/shoqërisë civile që të marrë pjesë në diskutimet e një projektligji në komisionet parlamentare, aty ku realisht ka ende kohë për të bërë ndryshime dhe përmirësime të draftit që diskutohet”, thotë ekspertja. Dule e vë theksin te rëndësia e përfshirjes së publikut në procese vendimmarrëse, përmes konsultimit publik të akteve si element i asaj që quhet “demokracia pjesëmarrëse”.
“Unë, zhvillimin e këtij procesi e shoh jo vetëm në interes të publikut, por më shumë në interes të vendimmarrësve (të zgjedhurve). E them këtë pasi konsultimet me publikun përveçse rrisin transparencën e vendimmarrësve, teorikisht dhe në një shoqëri të shëndetshme përmirësojnë legjislacionin dhe e bëjnë atë të mirëpranuar nga publiku, si dhe afrojnë politikëbërësit më shumë me elektoratin. Në rastin e pushtetit lokal interesi i polikëbërësve për t’u afruar me elektoratin është më evident, pasi qeverisja lokale është më afër elektoratit”, thotë Dule. “Fakti që ky interes nuk reflektohet në rastin e konsultimeve me publikun, vjen sepse lidhja e elektoratit me pushtetin është realizuar në forma të tjera, jo të sinqerta, por pasojat bien edhe mbi shmangien e konsultimeve publike”, shton ajo.
Të pyetur mbi faktin nëse është shkelje ligjore që bashkitë e Tiranës, Korçës, Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit lanë jashtë konsultimit banorët për disa nga projektet më të kushtueshëm, ndërsa nuk vënë në dispozicion të medias asgjë nga procesi i parregullt i dëgjesës publike, ekspertët vënë në dukje detyrimet ligjore që njësitë e qeverisjen vendore kanë mbi transparencën.
“Bashkitë duhet të vendosin në faqet e tyre zyrtare dhe në vendet e caktuara për afishim çdo akt të miratuar qoftë ky nga këshilli bashkiak dhe kryetari i bashkisë. Pikërisht ligji ka parashikuar dhe ekzistencën në bashki të koordinatorit të transparencës që të garantojë transparencën e institucionit dhe që ka detyra të tjera nga koordinatori për të drejtën e informimit i cili funksion në bazë të ligjit nr.119/2014 ‘Për të drejtën e informimit’. Ashtu siç vihet re, duhet që bashkitë të fuqizojnë faqet e tyre të internetit, duke bërë të mundur publikimin e çdo informacioni, përveç atyre të ndaluar me ligj në faqen zyrtare. Kjo do të sillte një nivel transparence më të lartë për të gjithë, por dhe mungesën e kërkesave të vazhdueshme për informacion nga ana e qytetarëve, mediat apo subjekteve të tjera të interesuara”, shprehet Seferaj.
Ajo vë në dukje se të dy proceset, si konsultimi publik dhe transparenca janë mjaft të rëndësishme për organizimin dhe funksionimin e bashkive. “Kjo vihet re në ligjin nr.139/2015 dhe në ligjet e tjera si ai i konsultimit publik, të drejtës së informimit dhe ligjeve sektoriale që veprojnë në fusha të ndryshme. Të gjitha të mësipërmet marrin akoma më shumë rëndësi kur bashkitë kanë të detyrueshme realizimin e detyrave të tyre bazuar në një parim mjaft të rëndësishëm si ai i subsiduaritetit, i cili është parimi i kryerjes së funksioneve dhe ushtrimit të kompetencave në një nivel qeverisjeje sa më pranë komunitetit, duke pasur parasysh rëndësinë dhe natyrën e detyrës, si dhe kërkesat e eficiencës e të ekonomisë”, thotë ajo.
Sipas ekspertëve, nëse bashkitë do të realizonin të gjitha të mësipërmet do të nënkuptonte “më pak punë shkresore informuese për administratën e bashkisë”, më shumë qytetarë të informuar dhe një vendimmarrje sa më pranë qytetarëve dhe të realizuar prej tyre, sepse në fund të fundit një vetëqeverisje e mirë vendore ka në thelb të organizimit dhe funksionimit të saj, vetë qytetarët.