22 maj 2020/ Mimoza Sinanaj/ Porta Vendore/ Berat
65-vjeçarja, Atixhe Dura, së bashku me bashkëshortin e saj 70-vjeçar, jetojnë prej afro 8 muaj në çadër në lagjen Qoshk të fshatit Lapardha, ndërsa askush nuk ka mundur ti japë një zgjidhje problemit të tyre.
Tërmeti i 21 shtatorit i dëmtoi shtëpinë dhe ai i 26 nëntorit e bëri të pabanueshme, pasi dëmet ishin të konsiderueshme. Nga verifikimi i bërë nga komisioni i ngritur nga Bashkia Berat u konstatua se shtëpia e familjes Dura ishte e pabanueshme, pasi dëmtimet ishin të mëdha dhe rrezikohej jeta e kësaj familjeje, nëse do të vijonin të jetonin në banesë pas tërmetit të dytë në nëntorin e 2019-ës. Atixhja tregon se nuk ka qenë e lehtë të bindte komisionin e ngritur nga bashkia për të bërë vlerësimin e shtëpisë së dëmtuar, ndërsa dhe pajisja me çadër ka qenë një tjetër vështirësi për çiftin Dura.

“Jetesa në çadër e dy të moshuarve nuk ka qenë e lehtë, kjo sidomos gjatë muajve të ftohtë të dimrit”, shprehet Atixhja për Portën Vendore. Ndërsa dimri ka kaluar me premtimin nga ana e bashkisë që do të ndihmohen, pranvera erdhi me pandeminë dhe pamundësinë për të dalë. Kjo bëri që dy të moshuarit të mos merrnin asnjë përgjigje për zgjidhjen e problemit të tyre. “Tashmë që Berati është përfshirë në zonën e gjelbër dhe u krijua mundësia për të lëvizur, po mundohemi të kontaktojmë për të marrë përgjigje se çfarë do të bëhet me ne”, tha Atixhja, duke shtuar se: “Kemi marrë disa mesazhe që ne përfshihemi në pjesën e ndihmës dhe është përcaktuar shuma se sa duhet të marrim, por deri në këtë ditë që flasim nuk kemi asgjë konkrete”, vijon ajo.

Apeli i Atixhes është për pushtetin vendor, pasi ajo dhe bashkëshorti i saj nuk mund ta ngrysim jetën pa shtëpi e në qiell të hapur.
Porta Vendore kontaktoi Bashkinë Berat lidhur me rastin ku drejtoria e shërbimeve u përgjigj se: “Sipas verifikimeve të bëra nga komisioni i ngritur nga Bashkia Berat është nxjerrë konkluzioni se banesa e familjes Dura është në gjendje emergjence dhe e dëmtuar. Çatia, muret mbajtëse dhe themelet janë të dëmtuar rëndë, si pasojë kjo godinë është pabanueshme. Pas konstatimit të bërë nga komisioni është vendosur një shumë prej 11 milionë lekë të vjetra si kompensim”, u shprehën në përgjigjen e tyre zyrtarët e Bashkisë Berat, por pa dhënë një arsye se pse kjo shifër nuk ishte lëvruar deri më sot. Familja Dura jeton në çadër prej 8 muajsh dhe durimi po i humbet dita-ditës ndaj do të ishte mirë që nga teoria në praktikë të kalohej më shpejt.