Vëzhgim/Analizë

Nga abuzimi te shkaqet e ndryshimit të çmimeve të prodhimeve bujqësore!

22 maj 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore/ Tiranë

Në ditët e para të pandemisë së koronavirusit, në vendin tonë pati luhatje të mëdha të çmimeve të shkaqet e të cilave ishin të shumta. Por edhe pasi kanë kaluar dy muaj nga nisja e pandemisë dhe karantinës së vendit, çmimet vijojnë të mbeten të larta në raport me kushtet social-ekonomike të vendit tonë. Në tregjet e pakicës në Tiranë, prodhime të ndryshme të stinës, vijojnë të rëndojnë xhepin e blerësit. Domatja, kastraveci, speci, karrota, qepa, patatja, apo dhe perime të tjera, çdo ditë i gjen me çmime të ndryshme në treg. Porta Vendore bëri një hulumtim të thelluar nga dora e fermerit deri në atë të konsumatorit, dhe së bashku me mendimin e ekspertëve të fushës doli në disa konkluzione, se çfarë e shtrenjton produktin rrugës për te konsumatori.

Çmimet e produkteve bujqësore në tregjet e Tiranës

Përtej analizës së specialistëve të fushës, realiteti gjithashtu tregon anomalitë e çmimeve, moszbatimin e ligjit për etiketat, origjinën e produktit etj. Porta Vendore bëri një vëzhgim në tregjet e pakicës në Tiranë, aty ku prodhimet me çmime të “kripura” blihen nga konsumatorët. Nga vëzhgimi i kryer u konstatua se çmimet e fruta-perimeve ndryshojnë me diferenca nga 10 deri në 50 lekë sipas zonës dhe tregut, megjithëse perimet e stinës si domatja, kastraveci, speci, qepa e njomë, sallata, spinaqi, mashurka, kanë pësuar një rënie të lehtë çmimesh në krahasim me periudhën e pikut të pandemisë.

Një kg domate aktualisht në treg e gjen (sipas varietetit) nga 100 deri në 220 lekë për kg. Speci shkon nga 100 deri në 220 apo dhe më shumë. Patëllxhani shkon deri në 120 lekë për kg, kungulleshka deri në 100 lekë për kg (lista e çmimeve). Por teksa për këto produkte fermeri “qahet” se malli shitet nën kosto, për tregtarin që shet në tezgat e pazarit në afërsi të “Vasil Shantos”, çmimet janë brenda normales. Demiri është një tregtar me orgjinë nga Korça, që shet fruta-perime prej 20 vjetësh në Tiranë.

“Në fillim të marsit ka qenë shtrenjtë, por tani ranë sepse pati prodhim. Rritja e çmimeve ndodhi për arsye të virusit. Tani janë çmime normale, janë prodhime të stinës. Unë shes të gjitha produktet e vendit, nuk ka asgjë të importit. Vetëm frutat. Çmimet lëvizin me 10 lekë deri në 20 lekë. Frutat janë aktualisht produktet më të shtrenjta, molla apo portokalli. Perimet janë njëlloj me çmimet e një viti më parë. Siç ka qenë vjet apo parvjet”, thotë ai për Portën Vendore.

Konsumatorët duke blerë tek tregu i fruta-perimeve në “Vasil Shanto”. Foto: Julian Hoxhaj

Sipas tregtarëve nuk janë ata që rrisin çmimet, por tregu agro-ushqimor i shumicës në Tiranë, ku shërben si pikë furnizimi thuajse për të gjithë tregjet.

“Tani çmimet janë shumë të mira, janë më të lira. Ka mall vendi, është i gjithë mall i vendit. Vetëm speci i kuq është i importit. Domatet e kastravecat sa të duash janë me çmime 60, 70, lekë, por varet dhe nga cilësia. Ka lloj-lloj cilësie, ka domate të ndryshme që janë 80 apo 100 lekë kg. Në fillim pati rritje të çmimeve sepse ishte koha e tillë pasi produktet vinin nga Kroacia. Po të ulet prodhimi, rritet çmimi. Kur nuk ka mall, ka pasur rritje të çmimeve. Hudhra e njomë është më e shtrenjta”, tha një tjetër tregtare e këtij tregu.

Mirëpo duket se jo në të gjitha tregjet ligji respektohet. Nëse në tregun e “Vasil Shantos” tregtarët janë korrekt me ligjin, duke vendosur etiketat e çmimeve për produktet që ata shesin, e njëjta gjë nuk ndodh në tregje të tjera. Në dy nga tregjet që monitoroi Porta Vendore, në tregun pranë Fabrikës së Miellit dhe në zonën e “Tregut Elektrik”, qytetarët përballen me abuzimin masiv të tregtarëve. Në këto dy tregje, tregtarët hezitojnë të vendosin etiketat e çmimeve. Porta Vendore ka dokumentuar me foto këto abuzime, ndërsa shumica e tregtarëve hezitojnë t`u përgjigjen pyetjes pse nuk vendosin etiketat me çmimet e produkteve bujqësore.

Në tregun e fruta-perimeve në “Tregun Elektrik”, produktet pa tabelat e çmimeve. Foto: Julian Hoxhaj

Ajo që të bën përshtypje, është fakti se të paktën në tregun e fruta perimeve në “Tregun Elektrik” ka pasur dhe ka vazhdimisht një prezencë të lartë të autoriteteve shtetërore, siç është policia bashkiake, por duket se pakkush e ka vënë re abuzimin e tregtarëve me çmimet.

Ndërkohë, tregtarët pohojnë gjithashtu se në krahasim me një vit më parë, çmimet në këtë periudhë janë deri në 20 lekë më shtrenjtë sipas llojit të produktit. “Pak fare më sipër mund të jenë, por nuk ka ndonjë gjë të madhe si të themi, pothuajse njësoj janë. Mua njësoj më duken të gjitha, mund të jenë te 20 lekshi më shumë, por vetëm kaq”, thotë Melsi, një nga tregtarët më të mëdhenj të fruta-perimeve në Tregun Elektrik.

Po cilët janë faktorët që ndikojnë në rritjen e çmimeve? Sipas Melsit, arsyet e rritjes së çmimeve janë disa. “Fakti që në fillim disa prodhime dalin me çmime të larta, siç është rasti i qershisë, ka lidhje me sasinë. Ka raste që ka dërgesa edhe jashtë, kur shkojnë jashtë, rriten këtu dhe kjo është. Kurse kur nuk shkojnë jashtë, ngelen këtu dhe qelbet si me thënë, shkojnë lirë fare. Siç janë le të themi edhe fruta-perimet e stinës, që dalin në këtë periudhë. Në fillim shohim një lloj anomalie psh si qershia del me 1200 lekë dhe për nja dy javë shkon me 100 lekë”, thotë ai.

Megjithatë, të ndarë nuk janë vetëm tregtarët por dhe vetë konsumatorët, të cilët gjithashtu japin mendime të ndryshme për çmimet. “Çmimet janë të larta, të gjitha produktet kanë rritje. Për ne si pensionistë që jemi janë të papërballueshme të gjitha”, tha një zonjë që po blinte te tregu elektrik. Ndërsa për një tjetër zotëri çmimet aktuale janë krejt normale.

Çmimet e produkteve në tregjet e Tiranës. Foto: Julian Hoxhaj

Në tregun e “Pazarit të Ri” situata duket dhe më e zymtë. Ndonëse një treg modern, me përmasa të mëdha, me shumë tavolina për shitjen e produkteve, numri i tregtarëve që punojnë në këtë treg është shumë i ulët. Aktualisht të vetmit që shesin aty janë tregtarët e frutave të thata, dhe ata pak tregtarë që shesin fruta-perime për konsum familjar. Madje, siç shihet në foto, shumica e tavolinave janë të boshatisura. Për këtë treg ekziston miti se është më i shtrenjti në Tiranë, e se kryesisht frekuentohet nga turistët. Në fakt, aktualisht për shkak të pandemisë sektori i turizmit ka ndalur, e për pasojë nuk ka as turistë. Në këto kushte, kur duket se çmimet e larta të produkteve të këtij tregu janë të përballueshme për qytetarët e thjeshtë, tregtarët kanë zgjedhur të zgjasin ‘pushimet’ e karantinës deri në rikthimin në normalitet.

Kush e shtrenjton produktin?

Ajo që vihet re është se çmimet në Tiranë kanë një disbalancë të madhe me vendin e origjinës. Aktualisht në tregun e shumicës në Lushnjë, një nga zonat më të mëdha për prodhimin e kulturave bujqësore, fermerët janë duke hasur vështirësi në çmimin e tregtimit të patates, por edhe të qepës. Zona kodrinore e Gërmenjit në Bashkinë e Divjakës, aktualisht prodhuese e qepës, ka mbetur me prodhimin në shtëpi, ndonëse kanë disa ditë që enden tregjeve të shumicës në Lushnje dhe Divjakë. Shumica e fermerëve e kanë mallin stok dhe nuk po mund ta shesin as me 15 lekë për kg, ndërsa në Tiranë shitet 60-120 lekë.

Shpëtim Çoku ka që në vitin 2003 që merrem me bujqësi. Ai tregon për Portën Vendore se sivjet situata është shumë keq për të dhe fermerët e tjerë të kësaj zone.

“S’ka bërë vaki që të shitet qepa me 15 lekë. Si sivjet katastrofë. Nuk shitet dot një thes, po qëndron kot në arë. Ta marri magazina është mirë, por s’mbahet tregu kështu në mënyrë individuale. Nëse nuk krijohet një mënyrë për grumbullimin e produkteve, dikush një kokë e madhe që të na i mbledhë të gjithëve me një çmim standard, jemi në prag të falimentimit”, tha Çoku i dëshpëruar, duke shtuar se me këtë çmim që janë duke shitur aktualisht janë me shumë minuse financiarisht. “Po pasurohen tregtarët, se ne kemi shumë kosto për këtë produkt që shesim. Ka 9 muaj punë ky produkt. 500 mijë lekë është fidani, llogarit jo plehu, jo punëtorët. Ky produkt shkon 900 deri në 1 milion lekë”, shton më tej fermeri.

Ndërsa një tjetër femër, po nga Gërmenji i Divjakës, Lulzim Halla, apelon për ndihmë tek shteti, që t’i mbështesë në këtë situatë të vështirë.

“I lutem Edi Ramës të hapi rrugët. Puno kot, s’na dalin dot as shpenzimet tona me këtë çmim. Janë llafe të kota edhe ato të zv/kryeministrit Braçe, që na tha një javë më parë se do grumbulloheshin fermerët dhe do e shisnin me 40 lekë kg e qepës. Po kështu duket se do jetë ky vit për ne, as lekët tona s’po marrim dot, e jo vetëm tek qepa por edhe tek patatja, që po e shesim me 20 lekë”, tregon fermeri për Portën Vendore.

Sipas fermerëve, këta të fundit janë të falimentuar me çmimet aktuale të tregut, megjithëse patatja që blihet me 15-20 lekë për kg nga dora e fermerit, shitet me 4-5 fish minimalisht, në treg. Fermerët e këtyre produkteve të domosdoshme për konsumatorët, si qepa e patatja, do të ishin të kënaqur nëse do të grumbullohej prodhimi i tyre dhe të kishin një çmim fillestar, e më tej grumbulluesi të zhvillojë procesin e shitjes në tregjet e mëdha.

Ladi është një tjetër fermer i zonës së Lushnjës, ai prodhon domaten roze dhe tregon për Portën Vendore lodhjen mbi 10 orë në ditë që ka një fermer për të nxjerrë një produkt të mirë. “Më duket çmimi i mirë ai me të cilin po shesim domaten në këto kohë, kjo edhe për shkak të kërkesës së tregut, sepse e preferojnë shumë këtë domate. Këto ditë rozën po e shesim me 80 lekë. E di që në Tiranë shitet me dyfishin e çmimit (shënim red. Domatja rose shitet 160-180 lekë në Tiranë) dhe më vjen pak keq për këtë, por nuk di t’u them konkretisht çfarë e shtrenjton këtë produkt rrugës për tek dora e konsumatorit”, thotë ai.

Një produkt tjetër që ka një kosto të lartë në treg është edhe luleshtrydhja, ku çmimi për një vasketë 400-500 gramë shkon 200 lekë të reja, megjithëse tregtarët e blejnë tek fermeri me 40 lekë kg. Këtu vihet re qartazi se si fryhen çmimet e produkteve të fruta-perimeve drejt Tiranës. Porta Vendore kontaktoi gjithashtu me Kostandin Trokën, një prej fermerëve të Luleshtrydhes në fshatin Kafaraj të Fierit, ku e pyeti më gjerësisht në lidhje me këtë situatë. “Gjatë marsit situata ishte shumë rëndë, nëse do të kishte vijuar e tillë do të kishim falimentuar me kohë. Pësuam një ulje drastike nga mbyllja e eksporteve, por më pas u hapën rrugët tregtare dhe filluan trajlerat. Po pati eksport nuk qahemi ne. Të njëjtin çmim aplikojmë si për tregun vendas edhe atë të rajonit, por gjithsesi viti i kaluar ka qenë shumë më mirë shitja e luleshtrydhes në këtë periudhë. Ajo që kam kuptuar në këto vite biznes është se politika luan të gjithë lojën, nëse ajo është kokëfortë, tregu rregullohet”, tha për Portën Vendore Troka, duke shtuar se: “Luleshtrydhja ka shumë shpenzime, sepse do një kujdes të shtuar, e nuk është si frutat ose perimet e tjera. Ne punojmë me sezon vetëm 3 muaj, dhe mbaj 10 punëtorë në sera që duhen ushqyer. Ndaj kërkoj nga shteti më shumë vëmendje ndaj fermerëve sepse duhen ndihmuar në këtë krizë financiare që i ka kapluar. Qeveria duhet të mbajë rrugët e hapura dhe të ndihmojë me subvencione”, tregon 64-vjeçari i cili 9 vite më parë la shtetin helen ku punoi si emigrant dhe erdhi të investojë në vendin e tij.

Spekulimi i çmimeve sipas ekspertëve

Shteti duhet të ishte rregullator dhe mbrojtës i konsumatorit, por dhe i bujqve dhe tregtarëve të ndershëm, duke mos i lënë hapësirë  abuzimit të spekulantëve.

Pak ditë më parë Erion Braçe, zëvendëskryeministër dhe njëheraz deputet i një prej zonave më të mëdha bujqësore të vendit, Divjakës, bënte një postim në rrjetet sociale pikërisht për këtë temë.

Një komentues në statusin e zëvendëskryeministrit, i kërkonte atij që autoritetet shtetërore të bëhen rregullator i çmimeve, pasi fermerët po dalin me humbje e nuk po nxjerrin as paratë e kostove. Por Erion Braçe i kthehet se çështjen e çmimeve e vendosin “bujqit”.

Ervin Resuli, ekspert i çështjeve bujqësore pranon se ka pasur spekulime çmimesh gjatë periudhës së pandemisë, por kjo sipas tij nuk ka ardhur nga fermerët të cilët shpesh janë detyruar ta shesin produktin e tyre edhe nën kosto.

“Ka pasur spekulime nga disa tregtarë duke abuzuar me çmimet, por nga fermerët nuk ka pasur rritje çmimi. Madje fermerët kanë shitur nën kosto. Psh sallatori (kastraveci) mbas 10 Marsit është shitur me 15lekë/kg të rinj, ku kostoja e tij është 30lekë/ kg. Luleshtrydhja në fillim doli me 300lekë arka me peshë 5 kg, ku ky çmim është minimumi i kostos për 1 kg luleshtrydhe! Shumica e fermerëve janë prekur nga kjo krizë që Covid 19 shkaktoi, por dëmet më të mëdha janë në zonat si Myzeqeja, Berati, Elbasani, Korça, por dhe fermerë në zona të tjera kanë pasur vështirësi kryesisht në lëvizje dhe gjetjen e tregut për produktet e tyre”, tha Resuli për Portën Vendore.

Karantina shkaktoi luhatje të çmimeve

Kur vjen puna për ulje – ngritjet e shpeshta të çmimeve, ekspertët e bujqësisë dhe përfaqësuesit e Sindikatave të Fermerëve kanë një sërë arsyesh që argumentojnë. Eduart Sharka nga Sindikata e Fermerëve të Shqipërisë, tregoi për Porta Vendore arsyet thelbësore pse pati luhatje të çmimeve. Fillimisht, ai tregon se shkaku kryesor i luhatjeve të mëdha të çmimeve të produkteve bujqësore janë pikërisht mbyllja e kufijve dhe futja e vendit në karantinë. Madje, kjo e fundit ka qenë arsyeja kryesore, sipas Eduart Sharkës, që solli ndryshime të mëdha të çmimeve, sepse mbyllja e tregjeve në fundjavë prishte ekuilibrat midis ofertës dhe kërkesës.

Për shkak të mbylljes së kufijve dhe të karantinës në vendet e rajonit (ku Shqipëria eksporton më së shumti produkte bujqësore), fermerët shqiptarë kanë pësuar humbje të mëdha”, shpjegon ai. Sipas tij, vetëm nga kastraveci dhe luleshtrydhja, fermerët shqiptarë kanë humbur të paktën 1 milion euro. “Dëme pati me mbylljen e restoranteve, bujtinave, etj, shumë fermerë të vegjël humbën tregun e tyre, dhe këto si ka marrë njeri në konsideratë. Një pjesë e blegtorëve humbën tregun e pashkëve. U shty një pjesë e mbjelljes së pranverës”, thotë Eduart Sharka nga Sindikata e Fermerëve të Shqipërisë.

Sipas tij, shkaku i parë është mungesa e kooperimit midis prodhuesve për të mbajtur çmime standarde për varietete të caktuara produktesh në treg. Ndërsa shkaku i dytë dhe më i rëndësishmi lidhet drejtpërdrejt me marrëdhënien prodhues – tregtar. Konkretisht, tregtarët paguajnë 6% mbi çmimin e shitjes së produktit. Gjithashtu, sipas Sharkës, tregtarit i duhet të paguajë dhe 14% TVSH ndaj shtetit, pra në total 20% tatim mbi vlerën e shtuar që blen te fermeri, duke shtuar kostot për këtë. Sipas tij, kjo është dhe një nga arsyet pse ka zhbalancim çmimesh.

“ Sot një tregtar që të blejë produkte te fermeri, qoftë dhe tek ai që është i formalizuar, duhet të japë 6% mbi çmimin e shitjes, qoftë dhe për llogari të qeverisë, që është një absurditet. Ky 6% njihet si llogari e zbritshme, por kur e shet, duhet ta shesë me 20% TVSH. Kjo do të thotë paguan 14% tatim mbi xhiron, pra TVSH. Pra tregtari kur e fut në treg një produkt të blerë te fermeri shqiptar, duhet të paguajë edhe 14% tatim mbi xhiron, pra duhet të paguajë edhe për fermerin. Kjo e ka prishur tregun e brendshëm. Kjo do të thotë se kur ke informalitet do kesh dhe këtë prishje të çmimeve”, tha Sharka për Porta Vendore.

Ndërsa për Agim Rrapajn, përfaqësuesin e shoqatës së fermerëve, në treg ka pasur spekulantë, të cilët kanë kryer veprime arbitrare me çmimet. Por, ai thekson të njëjtin problem, si Sharka, lidhur me 14%-shin që pikat e grumbullimit duhet të paguajnë ndaj shtetit për produktin që i blejnë fermerit. “Çmimin në këtë periudhë e vendos tregu, pra kërkesë/oferta. Por duke pasur parasysh që një pjesë e mirë e hallkave të zinxhirit ushqimor nuk funksionojnë,  kjo do të thotë që në një moment të caktuar nuk kishte produkte në treg, dhe po s’pati produkte në treg do të thotë rritje çmimi. Duke i shtuar kësaj edhe spekulantët me çmimet të larta, këta që shesin jashtë kanaleve të zinxhirit ushqimor, edhe kjo bëri atë që përparësinë në vendosjen e çmimit ta merrnin këta individë, që mund t’i quaj dru të shtrembër në të gjithë këtë histori. Po pati dhe raste ku prodhimet u volën dhe nuk pati një kombinim të mirë midis qendrave të grumbullimit dhe tregut”, sqaron ai.

Mungesa e bursës, një tjetër arsye pse rriten çmimet

Shqipëria është nga të vetmit vende që nuk ka një bursë financiare dhe ekonomike të saj. Mungesa e këtij sistemi financiar, shihet si një nga faktorët kyç në çrregullimin e çmimeve. Fatos Zeka, drejtues i kompanisë Tomato.al, kompani e cila shërben si pikë grumbullimi në zonën e Beratit, tregon se për shkak të mungesës së bursës, eksportuesit shqiptarë nuk kanë mundësi të njihen në kohë reale me çmimet e produkteve bujqësore në vendet e tjera.

“Nuk ka fushë që nuk ka prekur ky lloj kolapsi. Veç të tjerave, i ka prekur nga ana psikologjike njerëzit, jo më nga ana financiare. Hajde të qajmë, çfarë do fitojmë? Duhet të ulemi të vendosim disa rregulla, të japim kontribut. Qeveria të jetë arbitri dhe të vendosi penalitete për ata që i shkelin. Çmimet janë në bursë Europiane, ne jemi në bursën e tyre. Ata funksionojnë me bursë. Ne duhet t`u përshtatemi çmimeve të tyre. Disa ditë më parë u rrit çmimi i domateve dhe një konsumator porositi produkte nga Holanda sepse ishin më të lira. Pra i vendos tregu çmimet”, thotë ai.

Ideja e koordinimit të çmimeve me ato të rajonit, është një element i domosdoshëm edhe për Sindikatën e Fermerëve në Shqipëri. Pasi vetëm duke u përmbushur ky mekanizëm fermerët do të bëhen më konkurrues në tregun e eksporteve.

“Një nga pesë kërkesat që i kemi bërë qeverisë është krijimi i një zyre informacioni për të bërë transparente çmimet e rajonit. Jo bursë tamam, por të ketë informacion e të jemi të informuar. Pra kur një produkt që ata prodhojnë në këtë ditë, në Greqi del me kaq lekë, në Turqi me kaq lekë, dhe prodhuesit tanë vendosin një çmim të drejtë për të qenë konkurrues. Qeveria, ministria e financave apo dhe e bujqësisë e kanë detyrim ligjor. Ne po mundohemi ta bëjmë vetë këtë. Kështu bëhen transparente çmimet e rajonit dhe të Europës, dhe do ishte një ndihmë e madhe për të ekuilibruar çmimet në vendin tonë”, thotë Eduart Sharka për Portën Vendore.

Këtë problem e pranon dhe Ministria e Bujqësisë. Një zyrtar i saj, tregoi se bursa është një nga arsyet pse çmimet në vendin tonë kanë luhatje të mëdha. “Çmimin e vendos tregu, ato variojnë në bazë të kërkesë-ofertës. Ne nuk kemi një bursë siç ka në vende të tjera dhe që do duhet të ishte këtu tek ne. Nëpërmjet saj mund të bëhej monitorimi në kohë reale i çmimeve. Ne nuk kemi bursë për letrat me vlerë, jo më për çmimet e produkteve bujqësore. Logjika është se do duhet të kishim”, tregon ai.

Zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë pranon gjithashtu rritjen e çmimeve dhe oscilacionet në treg gjatë periudhës së karantinës. Por çuditërisht, Ministria e Bujqësisë nuk ka asnjë mekanizëm për kontrollin e tyre.

“Në ditët e para të karantinës pati luhatje dhe rritje të çmimeve siç ishte i kastravecit apo i luleshtrydhes. Kjo ishte për arsye të ndryshme, që lidhej dhe me tregun jashtë. Ndërsa tani luleshtrydhja është së paku me 200 lekë vasketa. Edhe çmimet e domateve janë rritur. Por kjo është dhe në varësi të kultivarëve: ka kultivarë që i tërheq tregu dhe kanë çmime të larta, ka kultivarë të tjerë që janë më pak të preferuar në treg”, shpjegon zyrtari duke shtuar se kontrollin e tregut duhet ta bëjnë vetë bashkitë. “Kostoja e prodhimit të një kg domate është 270 lekë të vjetra, këtu përfshihet puna, plehrat, teknologjia, pra gjithë kostoja. Tregu është rregullatori më i mirë. Monitorimin e çmimeve duhet ta bëjnë bashkitë, të cilat duhet të kenë agjencitë e mbrojtjes së konsumatorit. Në kohën e Covid u krijua task forca mes disa institucioneve, e cila është akoma. Ishte policia e Shtetit, AKU, Tatimet dhe Agjencia e Barnave. Kjo është task-forcë e përbashkët që ka bërë kontrolle për cilësinë”, thotë ai.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i kontaktuar nga Porta Vendore, gjithashtu pohoi se task-forca vijon të qëndrojë aktive, por nuk është në tagrin e saj të kryejë rregullatorin e çmimeve.

“Ne vazhdojmë punën, tashmë jemi fokusuar te bizneset që hapen pas karantinës për zbatimin e masave dhe protokolleve të sigurisë. Punojmë së bashku me institucione të tjera. Normalisht që fokusi ynë është siguria ushqimore dhe te kjo jemi përqendruar. Sa i përket çmimeve gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur anomali, veç atyre të fillimit të karantinës. Por përgjithësisht me sektorin e çmimeve merren Tatimet sepse ato kontrollojnë fatura dhe shikojnë nëse ka abuzime”, tha kreu i AKU Robert Lili. Por në realitet,  kjo Task Forcë dhe AKU e kishin tagrin për monitorimin dhe gjobitjen e bizneseve që aplikonin rritje çmimi gjatë kohës së karantinës, siç ka raportuar edhe më herët Porta Vendore.

Po në vazhdën e këtij diskutimi vetëm 1 javë më parë, Ministrja e Financës Anila Denaj, në kuadër të masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së Covid-19, i bëri thirrje qytetarëve që të raportonin tek numri i gjelbër pa pagesë 0800 14 14, për të bërë denoncime të rasteve që konstatojnë me rritje çmimi.

Eksportet u rritën në tonazh, por jo në para

Në fillim të muajit prill, por dhe më pas, Ministri i Bujqësisë Blendi Çuçi dhe vetë kryeministri Edi Rama, propaganduan rritjen e eksporteve në vlerën e 20% gjatë muajit mars krahasuar me një vit më parë. Në pamje të parë, duket një indikator pozitiv në ekonominë e vendit. Zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë deklaroi gjithashtu se eksportet janë rritur, duke ia faturuar këtë gjë pikërisht situatës nga Covid 19.

“Vetëm për marsin, (mars 2020 me mars 2019) ka një rritje me 20% rritje të eksporteve të fruta perimeve. Marsi që është muaji i pikut të izolimit ka 20% më tepër eksporte. Faktorët mund të jenë të ndryshëm, por dhe Covid. Prodhimet shqiptare shkojnë në Angli, Suedi, Poloni, Ukrainë, patjetër dhe në vendet e Ballkanit. Nga viti në vit është duke u zgjeruar dhe duke u rritur harta e eksporteve. Domatja, që është kampioni i eksporteve, shkon në të gjithë vendet e Europës”, tha ai.

Ndërsa vetë eksportuesit e pranojnë rritjen e sasive të produkteve bujqësore të eksportuara. Mirëpo, ata pohojnë se kjo ka ndodhur vetëm në tonazh. Fatos Zeka nga kompania Tomato.al tregon se vlerat e fituara nga rritja eksporteve janë më të vogla. Arsyet lidhen edhe me rënien e çmimeve të shitjes së produkteve në vendet ku është eksportuar prodhimi shqiptar. “Eksportet janë rritur në tonazh, është e vërtetë, por nuk janë rritur në aspektin financiar. Ne kemi më shumë se 20% rritje. Por problem është në aspektin financiar se si ka qenë në të ardhura. Çmimet e eksportit janë shumë herë më të ulëta se vitet e kaluara”, evidenton Zeka.

Por, Eduart Sharka mbetet sërish skeptik, pasi në gjithë këtë situatë që po kalon sektori bujqësisë, sytë janë nga shteti.

“Biznesi nuk është ndihmuar, janë ndihmuar punëtorët, ndërsa garancia sovrane nuk funksionoi. Ndërkohë, në vendet e rajonit pati paketa financiare, psh Kosova dha 5 milion euro. Ne aq donim, pasi dëmi fermerëve ka qenë rreth 5 milion euro. Çuditërisht qeveria jonë thotë që nuk ka nevojë për ndihma të fermerëve, madje gjen atributet të mburret në emër të fermerëve, duke u shprehur se janë rritur eksportet. Po të shikoni të dhënat e INSTAT-it thuhet se të dhënat tregojnë që janë ulur eksportet me 30%, ndërsa ministri në disa shifra që disponon vetëm ai thotë që eksportet janë rritur. Edhe sikur të jetë të vërtetë kjo nuk është meritë e qeverisë, por është iniciativa e fermerit shqiptar”, thekson ai.

Fermerët, 5 milionë euro humbje nga pandemia, asnjë subvencion

Eduart Sharka tregon gjithashtu se fermerët kanë humbur të paktën 5 milionë euro për shkak të pandemisë. Mbyllja e kufijve dhe ulja e çmimeve për produktet që shkojnë në eksport, ka bërë që fermerët shqiptarë të pësojnë humbje kolosale. Sharka thotë se 1 milion euro dëme u janë shkaktuar fermerëve shqiptarë vetëm nga kastraveci dhe luleshtrydhja.

“Pati një humbje me rreth 1 milion euro, 500 mijë për luleshtrydhen dhe 500 mijë për trangullin. Trangulli u hodh, u shit 50 lekë të vjetra kg, ndërsa qindra ton u hodhën. Ndërsa luleshtrydhja u shit nën kosto. Dhe askush nuk ka denjuar të merret. Pjesa tjetër pastaj e bujqësisë ka shkuar normalisht. Fakti që në shumë vende të rajonit bujqësia bëhet me punëtor, dhe punëtorët ishin të bllokuar, ndoshta solli një çlirim të kërkesës dhe ofertës në tregun ton”, thotë ai.

Këtë fakt e pohon edhe Fatos Zeka, i cili gjithashtu shprehet se qeveria duhet të ndërhyjë sa më parë me subvencione. “Nuk e di se çfarë mund të bëjë qeveria, por normalisht ne i kemi shprehur problematikat tona. Por nuk duhet të themi që jemi në kolaps. Nuk duhet të fusim panik. Ne duhet të bashkëpunojmë me qeverinë që ta ngrejë këtë sektor. Ka dhe industri të tjera që janë në kolaps. Unë nuk jam vetëm eksportues, jam dhe prodhues shumë i madh. Ka pasur momente që çmimet kanë qenë të kënaqshme, ka pasur dhe momente që çmimet kanë rënë. Duhet të jemi realistë, nuk duhet të qajmë, ne duhet të punojmë. Ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë me grupet e interesit sipas vlerave që ka gjithkush në treg. Psh. unë eksportoj 15 mijë tonë produkte në vit. Ne duhet të bëjmë punën tonë, qeveria duhet të bëjë punën e saj”, përfundon ai për Portën Vendore.

Ndërsa Ervin Resuli eksperti i bujqësisë tregon se në këtë krizë që ka kapluar edhe këtë sektorë ka ende mundësi rikuperimi, nëse institucionet do të reagojnë e ndërveprojnë për zgjidhjen e saj.

“Jo vetëm sot në kohë pandemie, por dhe më parë fermerët kanë qenë në disfavor konkurrueshmërie me fqinjët e mos të flasim me Europën. Sot, fermerët kanë probleme sepse politikat e Ministrisë në 3 vitet e fundit nuk po i favorizojmë. TVSH-ja është një problem i cili solli një zinxhir problemesh, ku Agro-Industria drejtoi sytë të merrte qumësht nga Rajoni konkretisht Serbia dhe Kosova. Skemat mbështetëse kombëtare janë shumë të ulëta për 2020, vetëm 5 milion euro. Këto detaje të rëndësishme për këtë sektor, rajoni i ka zgjidhur ndërsa ne akoma. Pra fermeri është lënë i vetëm në rrugën e tij”, tha Ervin Resuli ekspert bujqësie, ndërsa sqaron se kërkohet ndërhyrja imediate e shtetit, pasi fermerët kanë filluar të lënë tokat djerrë duke emigruar për të punuar në tokat e Greqisë.

“Zgjidhje për daljen nga kriza ka, por Ministria e Bujqësisë duhet të ushtrojë funksionin që ka. T’i gjendet fermerit dhe t’i krijojë lehtësira, marr shkas nga bllokimi që kishin fermerët dhe ministria reagoi 1 muaj me vonesë kur dëmi u bë. Edhe në protestat që ata kanë zhvilluar kanë kërkuar konkretisht: Barazimin e TVSH që dhe konsumatori ta blejë më lirë prodhimin shqiptar, krijimin e një zyre ku të orientojë fermerët për çmimet që kërkon rajoni apo Europa, naftë dhe skemat mbështetëse që produkti mos të dalë me kosto të shtrenjtë. Të gjitha këto do të vlenin normalisht në një fermer që nuk do të ndjehej i diskriminuar krahasuar me atë të rajonit”, shton Resuli për Portën Vendore

Shqipëria ka 350.000 fermerë në regjistrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe 45.000 fermerë në sistemin tatimor , ndërsa numri i përfituesve nga skemat kombëtare nuk kalon 10% të tyre.

Bujqësia është një sektor me rendësi që zë 20 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që merr nga shteti vetëm 0.5% të saj. Ekspertët e vlerësojnë një sektor me risk të madh, si dhe të ndjeshëm nga goditjet e krizave të tregut, të fatkeqësive natyrore etj. Ndaj sot kur kanë kaluar më shumë se 2 muaj nga pandemia, sytë e fermerëve janë nga qeveria shqiptare, duke kërkuar mbështetje nëpërmjet subvencioneve për këtë sektor jetik.