Investigime

Nxënësit në Bulqizë, mësim mes dasmave dhe ceremonive mortore

21 maj 2020/ Porta Vendore/ Bulqizë

Çudirat me shkollat shqiptare ndër vite kanë qenë të shumta. Por, të zhvillosh mësim në të njëjtën ndërtesë ku zhvillohen dasma dhe ceremoni mortore, nuk ishte dëgjuar ndonjëherë. Rasti i paprecedentë u zbulua nga Porta Vendore vetëm pak kohë para përhapjes së pandemisë në Shqipëri, pikërisht në fshatin Lladomericë të Bulqizës, ku fëmijët e shkollës 9-vjeçare mësonin në katin e parë të një ndërtese dykatëshe, kurse kati i dytë ishte lokal në të cilin organizoheshin dasma dhe ceremoni mortore, ndërkohë që investimi në këtë ndërtesë private ishte trumbetuar si i suksesshëm si nga Bashkia, ashtu dhe nga Zyra Arsimore Bulqizë, por që pronari i ndërtesës deklaron se investimi për përshtatjen e ambientet për mësim është personal, ndërsa institucionet hedhin përgjegjësinë tek njëra-tjetra, duke iu shmangur transparencës mbi këtë çështje. Por, kjo shkollë, ashtu si  të gjitha shkollat në vendin tonë u mbyllën për shkak të pandemisë, ndërkohë që nuk dihet sesi do të jetë fati i saj shtatorin e vitit që vjen kur nxënësit t’i rikthehen bankave të shkollës.

Në foto: Ndërtesa dykatëshe, ku në katin e parë është shkolla 9-vjeçare në Lladomericë të Bulqizës, ndërsa në katin e dytë duken karriget e lokalit

Pak histori…

Në gusht të vitit 2015, në fshatin Lladomericë (i njohur dhe si Lladimericë) të Njësisë Administrative në Bashkinë e Bulqizës, mori flakë shkolla 9-vjeçare e këtij fshati. Shkak ishin drurët e thara të çatisë së shkollës, që sipas policisë nuk duruan temperaturat e larta. Megjithatë, banorët edhe pas pesë vitesh dyshojnë se ishte zjarrvënie e qëllimshme. “Policia, për rënien e zjarrit që sipas meje ishte e qëllimshme, nuk mori asnjë në pyetje dhe kjo për mua si prind është vërtetë shqetësuese sepse i bie që është vepruar me prapaskena. Është djegur shkolla në mes të ditës dhe nuk u pyet asnjë në fshat. Individë të caktuar për të afruar shkollën pranë biznesit të tyre i kanë vënë flakën shkollës, ndaj shkolla pushoi së funksionari”, u shpreh Ardian Halilaj, kryeplak i fshatit Lladomericë për Portën Vendore.

Për këtë arsye, nxënësit e kësaj shkolle u detyruan të zhvillonin mësimin për një farë kohe (2016-2018) te një shtëpi private, e marrë me qira nga Zyra Arsimore Bulqizë.

Pas dy vitesh, për shkak edhe të kushteve të papërshtatshme të ambientit ku mësonin nxënësit e këtij fshati, por edhe kushteve dhe largësisë së shkollës 9-vjeçare në fshatin Pasink, e cila përmblidhte tre fshatra, Bashkia Bulqizë së bashku me Zyrën Arsimore Bulqizë morën një ambient privat me qira dhe e kthyen në shkollë ku mësonin nxënësit e fshatrave Lladomericë, Pasink dhe Miresh. “Fëmijët na i çuan për disa kohë në një shtëpi me qira, derisa në vitin 2018 u zhvendosën në ambientet e lokalit të fshatit”, u shpreh Halilaj.

“Investimi” në godinë për shkollë

Në shtator të vitit 2018, kur do të fillonte viti i ri shkollor, Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi dhe shefi i zyrës arsimore Bulqizë, Kujtim Kërkuti, e cilësuan këtë ndryshim një investim të suksesshëm, ku nxënësit tashmë do të mësonin në ambiente më të mira. Madje, si Damzi dhe Kërkuti deklaruan në atë kohë se Zyra Arsimore në Bulqizë ka investuar me fondet e veta për kthimin e ambienteve në klasa. Por, ajo që rezultoi pas pesë vitesh është fakti se pronari i ndërtesës mohonte që Zyra Arsimore të ketë investuar. “Ambienti ka 10 klasa me kushte të mira. Madje ato i kam përshtatur unë me fondin tim personal për shkollën, vetëm për të lehtësuar punën që edhe mësimi të kryer normalisht, pasi fshati im përbën shumicën e fëmijëve në këtë shkollë”, deklaroi për Portën Vendore Vinar Sahitaj, pronari i ndërtesës, i cili ka lidhur kontratë me Bashkinë Bulqizë për lëshimin e katit të parë të ndërtesës me qira. Porta Vendore pyeti Zyrën Arsimore Bulqizë mbi këtë çështje, por ajo nuk pranoi të përgjigjej, duke ia kaluar topin Bashkisë Bulqizë. “Kërkesa juaj duhet t’i drejtohet bashkisë Bulqizë, pasi të gjitha objektet shkollore janë në varësi të bashkisë”, u shpreh Kujtim Kërkuti, kreu i Zyrës Arsimore në këtë bashki. Porta Vendore pyeti konkretisht për investimet në atë godinë dhe Bashkinë Bulqizë, por dhe ajo nuk dha një përgjigje konkrete, duke vënë në dispozicion vetëm kontratën e qirasë me privatin. “Tarifa fikse e qirasë është 25 000 lekë. Në një ndër pikat e kontratës specifikohet që qiramarrësi do të përgjigjet për faturat e energjisë elektrike, të ujit për periudhën që do ta ketë   me qira njësinë e vet dhe riparimet e mirëmbajtjes. Duke llogaritur shpenzimet  përafërsisht  plus tarifën fikse të qirasë, vlera në total e kontratës shkon 31 000 lekë në muaj”, deklaroi Bashkia Bulqizë. Pra, ndonëse Zyra Arsimore kishte deklaruar se ka investuar për ambientet, pronari deklaroi se investimi është bërë prej tij, dhe ka kushtuar rreth 3 milionë lekë të vjetra. Edhe për këtë kontradiktë deklaratash, Zyra Arsimore Bulqizë deklaroi se kërkesa do i drejtohet Bashkisë Bulqizë, ndërkohë që Bashkia Bulqizë deklaroi se investimi nuk është kryer prej tyre.

Mësim, dasma dhe ceremoni mortore

Ambienti privat që u shndërrua në shkollë dhe u trajtua si një investim, nuk është i vetmi problem. Ambienti privat në fjalë është një ndërtesë dykatëshe, që deri para pandemisë shërbente si lokal dasmash dhe ceremonish mortore, i vetmi në këtë zonë. Kati i parë i ndërtesës, e cila është bërë dykatëshe pas vitit 2015, shërbente për klasat e nxënësve, ndërkohë që kati i dytë ishte lokal, i cili funksiononte në të njëjtën kohë dhe me orarin e mësimit. Sipas prindërve, të cilët duke qenë se jetojnë në të njëjtin fshat me pronarin e ndërtesës, e kishin të vështirë të identifikohen, ambienti shërbente dhe si lokal dasmash dhe ceremonish mortore. “Në ditët kur ka dasma, zakonisht janë në fundjavë, por nuk mungojnë dhe në ditë jave, mësimi bëhet me orë të shkurtuara. Fëmijët detyrohen të lënë mësimin në orën 10 paradite, duke kryer vetëm dy orët e para. Pra sakrifikohet mësimi, për tu zhvilluar dasmat”, u shpreh për Portën Vendore një nga prindërit e zonës. Edhe nxënësit e pranonin shkurtimin e orëve të mësimit. “Po shkurtohen orët kur ka gëzime familjare, festa ose dreka mortore. Ndodh disa herë radhazi gjatë një viti shkollor. Në fakt do të ishte më mirë të kishim në shkollën tonë, ose të na ndërtohej një shkollë e re, që të marrë fund gjithë sorollatja e këtyre viteve të fundit”, u shprehën nxënësit e kësaj shkolle, ndërsa ende nuk ishte ndërprerë mësimi.

Ndërsa pronari i ndërtesës e mohonte ndërhyrjen në procesin mësimor, megjithëse ai pranonte faktin që në lokal zhvillohen dasma, pra një kat mbi ambientin arsimor, ndërsa shprehej se janë ndërprerë ceremonitë mortore. “Asnjëherë nuk është cenuar procesi mësimor. Nuk ka aktivitet në lokal përveç muajit gusht, kur shkolla është e mbyllur. Nuk ka pasur më as rite mortore. Ne kemi kontratë 1-vjeçare të rinovueshme me Bashkinë Bulqizë dhe ky është viti i dytë. Mu lutën ata të zyrës arsimore se nuk kisha ndërmend të jepja 220 metra katrorë hapësirë për një qira mujore që duke hequr taksat shkon tek 250 mijë lekë”, u shpreh pronari Vinar Sahitaj për Portën Vendore.

Megjithatë, kjo kundërshtohet nga prindërit, të cilët deklarojnë se edhe janë ankuar pranë autoriteteve përkatëse, por që nuk u kanë dhënë një zgjidhje. “Dasmat, drekat e darkat mortore bëhen jo vetëm gjatë fundjavës, por edhe gjatë ditëve të javës, kur të ndodhin, nga e hëna në të premte dhe atëherë fëmijët i bëjnë orët e reduktuara, shkëputen nga mësimi. Mirë kjo, por fëmijët po na marrin rrugën e keqe se ata adoleshent janë, e në lokal ka alkool, kanë filluar disa të konsumojnë pije alkoolike. Jemi ankuar por s’na ka dëgjuar njeri. Jam në bisedime me kryepleqësinë e fshatit që të kërkojnë sërish në Bashkinë Bulqizë ndërtimin e shkollës së fshatit, pasi në këtë fshat vijnë për të mësuar edhe fëmijët e dy fshatrave të tjerë”, shpjegoi kryeplaku Ardian Halilaj, i cili shtoi se i biri ndiqte mësimet në këtë shkollë.

Kundër shkollës në këto ambiente është dhe vetë drejtori i saj, Petrit Qoku, i cili ka 35 vite si mësues në këtë shkollë, ndërkohë që në fillim të vitit shkollor ka marrë detyrën si drejtues i saj. Ai u shpreh gjithashtu se gjatë 5 viteve të fundit, shkolla si kudo tjetër ka pësuar një rënie në numrin e nxënësve. Në muajin mars, para se shkolla të mbyllej për shkak të pandemisë, numëronte 74 nxënës. Qoku pranoi për Portën Vendore se dasma bëheshin, ndërsa shpjegoi se autoritetet i kanë thënë se ka dhe një projekt për ndërtimin e një shkolle të re. “Nëse do të më pyesnin mua nuk do isha dakord që një institucion shtetëror të zhvendosej në një ambient privat. Dasma bëhen, por më shumë bëhen të shtunave e të dielave dhe nuk e cenojnë procesin mësimor. Shkolla e vjetër ka pasur 5 klasa mësim, është hapur në ’74, ku fillimisht është përdorur si furrë buke e më pas si shkollë. Por na spostuan këtej para dy vitesh kështu mendoi bashkia, që të ishim të gjitha ciklet në një shkollë, kopshti, fillorja dhe 9-vjeçarja. Këtu klasat janë shumë të vogla 4 me 3. Kemi kushte, nuk është që s’kemi, ka ujë, drita, të gjitha por mendoj se me pak investim ajo shkolla e vjetër mund të ishte funksionale se vetëm dyert e dritaret i mungojnë. Po të më pyesnin mua si mësues, unë asnjëherë nuk do pranoja një ambient privat. Na kanë premtuar nga bashkia që në 2020 do të nisë ndërtimi i një shkolle të re. Ne kemi bërë vazhdimisht kërkesa për këtë gjë në bashki. Atje na thonë që e kemi çuar këtë kërkesë në Ministrinë e Arsimit. Ndërtimi i një objekti të ri shkollor do të ishte një lajm i mirë, jo vetëm për komunitetin e nxënësve dhe prindërve, por edhe për ne stafin pedagogjik”, u shpreh për Portën Vendore drejtori i shkollës, Petrit Qoku.

Mashtrimi për shkollën e re

Për të mësuar më shumë se nëse ka një projekt të tillë dhe në çfarë faze ndodhet, Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë zyrtare dhe Ministrisë së Arsimit, e cila deklaroi se mësimi në këtë ambient privat, zhvillohej në kushte optimale. “Nxënësit e kësaj shkolle në vitin shkollor 2018-2019 kanë kaluar në një ambient me kushte optimale për një zhvillimin normal të procesit mësimor. Janë 65 nxënës që shkojnë në këtë shkollë nga 3 fshatra, Lladomericë (41 nxënës), Miresh (22 nxënës) dhe Pasinkë (2 nxënës). Në këtë shkollë janë 3 klasa kolektive dhe 3 klasa të veçanta”, deklaroi Ministria e Arsimit. Sa i takon kushteve optimale, për të cilat flet Ministria e Arsimit, Porta Vendore verifikoi si në terren ashtu dhe dokumentin për “standardet e projektimit të shkollave”, të miratuara me vendim qeverie që në vitin 2017, ku deklarohet se “sipërfaqja e klasave duhet të luhatet nga 30 deri në 34 metra katrorë për shkolla në zonat me popullsi dhe dendësi të ulët të nxënësve (deri në 24 nxënës)”. Sipas asaj që deklaroi vetë drejtori i shkollës Petrit Qoku, hapësira në një klasë është 12 metra katrorë (4 me 3), pa folur për kushtet e tjera, si hapësirat e jashtme ose sportive të shkollës në Lladomericë, apo të oborrit, të cilin duhet ta ndajnë dhe me klientët e lokalit.

Po ashtu, Ministria e Arsimit nuk pranoi të kishte ndonjë projekt për një shkollë të re, ndonëse për këtë çështje, ia hodhi topin Bashkisë së Bulqizës. “Jemi të informuar që bashkia e ka prioritet ndërtimin e një shkolle të re për këtë komunitet. Për më gjerë rreth kësaj çështjeje do t’ju luteshim të kalonit në kontakt me bashkinë”, u shpreh Ministria e Arsimit. Porta Vendore pyeti sërish Bashkinë Bulqizë për një projekt të mundshëm, ashtu siç deklaroi dhe drejtori i shkollës, i cili kishte marrë premtime nga pushteti vendor për ndërtimin e një shkolle të re në vitin 2020. “Nuk kemi planifikuar investim për shkollën Lladomericë dhe si pasojë nuk ekziston asnjë procedurë tenderimi”, deklaroi Bashkia e Bulqizës, ndërsa shtoi se po shikon të gjitha mundësitë për t’i dhënë një zgjidhje shkollës 9-vjeçare në Lladomericë.

Ndërsa Administratori i Ostrenit, i cili ka në juridiksion dhe Lladomericën deklaroi se për këtë shqetësim është njoftuar bashkia. “Vjet bashkia ka kryer takime me banorët dhe ekziston një projekt ndërtimi për një shkollë të re për këto 3 fshatra. Madje janë kryer edhe bisedime me pronarët e tokave, për të parë vendin më të përshtatshëm për ndërtim. Bashkia e ka si projekt, por nuk e di se çfarë ka në plan për vitin 2020, a do fillojë puna apo jo”, tha Altin Tola, administrator i njësisë administrative Ostren. Pra, Administratori, i cili është në varësi të bashkisë deklaron se qeverisja vendore e ka si projekt, ndërkohë që vetë Zyra e Marrëdhënieve me Publikun, e cila iu përgjigj me shkresë Portës Vendore, e mohoi një fakt të tillë.

Pra, ndonëse nxënësit ishin të detyruar të mësonin në një ambient privat, ku mbi kokën e tyre zhvillonte aktivitetin tregtar një lokal, në të cilin organizoheshin dasma dhe ceremoni mortore, zgjidhja për ta duket e largët, ndërsa institucionet japin informacione kontradiktore dhe mundohen të largojnë përgjegjësinë nga vetja. Tashmë, e vetmja shpresë për nxënësit është se kur të rikthehen në bankat e shkollës në shtator, të jetë gjetur dhe një zgjidhje për ta.